BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË E BANKËS SË SHQIPËRISË
Deklarata e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2012

Data e publikimit: 12.04.2013

 

Në mbështetje të kërkesës së nenit 69 të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 "Për Bankën e Shqipërisë", i ndryshuar, dhe të nenit 8 të ligjit nr. 9962, datë18.12.2006 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, për të informuar Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe Këshillin e Ministrave, si edhe për të tërhequr vëmendjen e institucioneve financiare dhe të publikut mbi gjendjen e sistemit financiar në vend dhe rreziqet potenciale që mund të kërcënojnë qëndrueshmërinë e tij, Banka e Shqipërisë publikon këtë deklaratë periodike. Kjo deklaratë është pjesë përbërëse e Raportit të Stabilitetit Financiar për të njëjtën periudhë.

Gjatë periudhës, gjendja dhe ecuria e sektorit bankar dhe e sistemit financiar u paraqitën të qëndrueshme. Sektori bankar përmirësoi më tej rezultatin financiar, treguesit e kapitalizimit dhe të likuiditetit. Por vëllimi i aktivitetit u zgjerua me ritme më të ulëta, në kushtet e rritjes më të ngadaltë të depozitave dhe uljes së ndjeshme të ritmeve të kreditimit. Kuadri makroekonomik ka qenë i qëndrueshëm, megjithë ngadalësimin e mëtejshëm të rritjes ekonomike. Ai është karakterizuar nga një luhatshmëri e ulët në kursin e këmbimit, presione të dobëta inflacioniste, dhe rënie e kostos së huamarrjes të qeverisë pavarësisht rritjes së deficitit buxhetor dhe të borxhit publik. Tregjet financiare kanë vepruar në përputhje me prirjen e tyre në vitet e fundit, karakterizuar nga rritja e vëllimit të veprimtarisë dhe e numrit të transaksioneve. Për sektorin bankar, rreziku i kreditit përfaqëson sfidën më të rëndësishme të veprimtarisë. Ekspozimi i tij ndaj rreziqeve të tregut dhe të likuiditetit mbetet i kufizuar.

Në vijim paraqitet në mënyrë të përmbledhur analiza e zhvillimeve në mjedisin ekonomik rrethues, të brendshëm dhe të jashtëm, si edhe në vetë sistemin financiar.

Pavarësisht përmirësimit të funksionimit të tregjeve financiare botërore, zhvillimet ekonomike mbeten të paqëndrueshme. Vendet e zhvilluara kanë shënuar tkurrje të rritjes ekonomike, ndërsa vendet në zhvillim vijojnë të kontribuojnë pozitivisht në rritjen ekonomike. Ngadalësimi i rritjes ekonomike, në SHBA dhe në Evropë, ka qenë më i theksuar në tremujorin e fundit të vitit 2012. Edhe në vendet e rajonit të Evropës Juglindore, pjesa e fundit e vitit të kaluar u karakterizua nga ngadalësim i mëtejshëm i rritjes ekonomike ose tkurrje e saj në vende të ndryshme. Presionet inflacioniste mbeten të dobëta në kushtet e qëndrueshmërisë së hendekut të prodhimit, rritjes së papunësisë dhe uljes së çmimit të naftës e të produkteve ushqimore. Politikat monetare mbeten thellësisht lehtësuese, ndërsa veprimet e qeverive, veçanërisht në
Evropë, po synojnë konsolidimin fiskal, përmirësimin e klimës së biznesit dhe liberalizimin e tregut të punës, me efekt kryesisht afatmesëm. Situata në

Banka e Shqipërisë tregjet financiare, paraqitet më e stabilizuar veçanërisht pas veprimeve të ndërmarra nga Banka Qendrore Evropiane. Megjithatë, kërkesa për kredi, veçanërisht në Eurozonë dhe në rajonin e Evropës Qendrore e Juglindore, vijon të mbetet e dobët në kushtet e perceptimit të rrezikut të kreditit dhe nevojës për ristrukturimin (shëndoshjen) e mëtejshëm të bilanceve të bankave dhe të institucioneve të tjera të kreditit. Tregjet e kapitalit, veçanërisht ato në SHBA, kanë njohur rritje, për shkak të përmirësimit të besimit të investitorëve në vijim të treguesve më optimistë për rritjen ekonomike.

Zhvillimet ekonomike në vend kanë qenë të ngjashme me periudhën e kaluar, duke u karakterizuar nga një ritëm më i ngadaltë i rritjes ekonomike. Vlerësohet se në tremujorin e katërt të vitit 2012, ekonomia shqiptare u rrit mesatarisht me 1.6%. Konsumi dhe investimet private vijojnë të jenë të dobëta, ndërkohë që norma e papunësisë mbetet e qëndrueshme. Sektorët e ekonomisë që kanë dhënë kontribut pozitiv në rritjen ekonomike ishin industria, bujqësia dhe shërbimet, ndërsa ata që dhanë kontribut negativ ishin sektorët e transportit dhe të ndërtimit. Gjatë periudhës, kërkesa e jashtme dha një kontribut pozitiv në rritjen ekonomike, duke sjellë ulje të deficitit të llogarisë korrente dhe të asaj tregtare, si në vlerë absolute ashtu edhe në raport me prodhimin e brendshëm bruto. Sidoqoftë, zhvillimet ekonomike u reflektuan në një rënie vjetore të të ardhurave fiskale, diktuar kryesisht nga rënia e të ardhurave tatimore. Në fund të vitit 2012, deficiti fiskal vlerësohet në 3.4% të PBB-së. Në fund të periudhës, Kuvendi miratoi kërkesën e qeverisë për rritje të nivelit të raportit të borxhit publik ndaj PBB-së mbi vlerën 60%, e motivuar me nevojën për të rritur kontributin e stimulit fiskal në rritjen ekonomike. Kohëzgjatja mesatare e borxhit vijoi të rritet për shkak të rritjes më të shpejtë të vlerës së emetimeve të borxhit me afat maturimi më të gjatë se 12 muaj. Gjatë periudhës, në kushtet e presioneve të ulëta inflacioniste, Banka e Shqipërisë ndoqi një politikë monetare lehtësuese duke ulur disa herë normën e interesit të transaksioneve të riblerjes me afat maturimi njëjavor. Ky qëndrim i politikës monetare synon krijimin e kushteve më të mira për mbështetjen e konsumit dhe të investimeve private përmes uljes së kostove të financimit në monedhën kombëtare.

Gjatë periudhës, pozicioni financiar dhe ndjeshmëria ndaj rreziqeve e individëve dhe bizneseve nuk ka patur ndryshime thelbësore. Pozicioni kreditor i individëve është thelluar, kryesisht prej rritjes së ndjeshme të depozitave në valutë. Cilësia e kredisë për individët ka ardhur në rënie, pothuaj për të gjithë përbërësit e saj. Ekspozimi i individëve ndaj ndryshimeve të pafavorshme në kursin e këmbimit dhe në normën e interesit nuk paraqet ndryshime thelbësore në krahasim me periudhën e mëparshme. Tek bizneset, pozicioni debitor ka rënë gjatë periudhës për shkak të rritjes së kredisë në masë më të vogël se depozitat. Pozicioni debitor ndikohet kryesisht nga veprimtaria në valutë. Raporti i kredive me probleme tek bizneset është rritur për shkak të ngadalësimit të ndjeshëm të kreditimit, ndonëse ritmi i rritjes së stokut të kredisë me probleme është ulur. Ekspozimi i bizneseve ndaj ndryshimeve të pafavorshme në kursin e këmbimit dhe në normën e interesit, ndonëse mbetet në nivele të larta, është zvogëluar disi gjatë periudhës.

Tregjet financiare në vend kanë ndjekur përgjithësisht prirjen e tyre të viteve të fundit. Për aktivet jofinanciare, veçohet rënia e njëkohshme dhe me ritme të ngjashme e indeksit të çmimit të banesave dhe e atij të qirasë. Kjo ecuri ka ndodhur në kushtet kur rritja e kostos relative të pagesës së kredisë për pasuri të paluajtshme, ka qenë më e ulët në tremujorin e fundit të vitit. Të kombinuara, këto informacione sugjerojnë për vijimin e prirjes rënëse të çmimit të banesave, në mënyrë më të qëndrueshme. Në tregun e emetimit të titujve të borxhit të qeverisë, është konstatuar rritja e preferences së pjesëmarrësve për emetimet e borxhit me afat maturimi mbi 12 muaj. Normat e interesit kanë ardhur në rënie, duke reflektuar uljen e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë, si edhe gjendjen e bollshme të likuiditetit për shkak edhe të ngadalësimit të ndjeshëm të kredisë për sektorin privat. Në tregun sekondar të titujve të borxhit, vëllimet e tregtimit mbeten të ulëta dhe të përqendruara vetëm tek bonot e thesarit. Në tregun ndërbankar, vëllimi i aktivitetit është rritur ndjeshëm. Transaksionet me afat maturimi njëditor zënë peshën kryesore në numrin e transaksioneve, por rritja më e ndjeshme ka ndodhur në transaksionet me afat maturimi njëjavor. Normat e interest në transaksionet ndërbankare kanë reflektuar ecurinë e normës bazë të interesit. Në tregun e këmbimeve valutore, leku është paraqitur relativisht I qëndrueshëm në këmbimin me euron dhe me dollarin amerikan. Infrastruktura teknike që mbështet veprimtarinë e sektorit bankar, vlerësohet të ketë funksionuar sipas parametrave të parashikuar. Sistemet e pagesave janë një pjesë e rëndësishme në strukturën e një sistemi financiar, duke qenë kanalet nëpërmjet të cilave mundësohet transferimi i fondeve ndërmjet bankave, institucioneve të tjera financiare dhe klientëve. Si rrjedhojë, operimi i qëndrueshëm dhe eficient i tyre kontribuon në mënyrë të rëndësishme në ruajtjen e stabilitetit financiar. Gjatë periudhës, sistemet e pagesave AIPS dhe AECH, kanë punuar në përputhje me kushtet teknike për të plotësuar nevojat e sektorit bankar në shlyerjen e transaksioneve të pagesave në monedhën kombëtare. Në sistemin e transaksioneve me vlerë të madhe, AIPS, është konstatuar një rritje e vëllimit dhe vlerës së transaksioneve, duke u shoqëruar pothuaj me një dyfishim të vlerës për transaksion. Në sistemin e transaksioneve me vlerë të vogël, AECH, numri i transaksioneve dhe vlera e tyre kanë shënuar rënie. Në të dy sistemet, transaksionet në emër të klientëve të bankave zënë peshën kryesore në numrin dhe në vlerën e transaksioneve. Sipas bankave, veprimet që kryejnë 4 bankat më të mëdha në këto sisteme, përfaqësojnë rreth 2/3 e numrit dhe të vlerës së transaksioneve të procesuara. Për shkak të rëndësisë që kanë këto sisteme, Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar të kryejë të gjitha përmirësimet e nevojshme në kuadrin rregullativ dhe infrastrukturën teknologjike mbështetëse, që ecuria e tyre t'i paraprijë nevojave të operatorëve për një veprimtari pagesash të sigurt dhe eficiente.

Gjatë periudhës, sektori bankar përmirësoi më tej rezultatin financiar,treguesit e kapitalizimit dhe të likuiditetit. Por vëllimi i aktivitetit u zgjeruame ritme më të ulëta, në kushtet e rritjes më të ngadaltë të depozitave dhe uljes së ndjeshme të ritmeve të kreditimit. Niveli i ndërmjetësimit financiar në Shqipëri, i llogaritur si raport i aktiveve të sistemit financiar ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) vlerësohet në nivelin 93.9% në fund të vitit 2012, nga 92.8% në gjysmën e parë të vitit 2012 dhe 89.5% një vit më parë. Vëllimi i aktiveve të institucioneve financiare u rrit me rreth 2.9% krahasuar me një gjashtëmujor më parë dhe rreth 7.3% krahasuar me një vit më parë. Sektori bankar mbetet segmenti kryesor i ndërmjetësimit financiar, aktivet e të cilit përfaqësojnë rreth 93.6% të totalit të aktiveve të sistemit financiar në tërësi dhe rreth 87.9% të PBB-së. Në sektorin bankar, totali i aktiveve të sektorit u ngjit në 1,187.98 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 6.1% prej një viti më parë, por duke u tkurrur me 0.1% në tremujorin e fundit. Ritmi i rritjes vjetore të kredisë është ngadalësuar ndjeshëm duke zbritur në 2%. Për shkak të tkurrjes së kredisë në valutë, kontributin e vetëm në rritjen e kredisë e ka dhënë kredia në lekë, e cila është rritur me 12.8%. Ngadalësimi i treguesve të sektorit bankar ka qenë më i dukshëm gjatë tremujorit të fundit të vitit 2012, kur rritja ekonomike është ngadalësuar në raport me periudhën e mëparshme. Në fund të vitit, raporti I kredive me depozitat shënoi vlerën 58.6%. Gjatë vitit, rritja e stokut të kredisë shënoi 11.8 miliardë lekë, krahasuar me 75.2 miliardë lekë në vitin 2011. Pavarësisht rritjes së ulët të stokut të kredisë, kredia e re e sektorit banker gjatë vitit 2012 ka qenë në nivele të krahasueshme me një vit më parë. Ndaj, ndikimi në ecurinë e stokut të kredisë ka ardhur nga rritja e arkëtimeve të kredisë, të cilat gjatë vitit 2012 kanë qenë në nivele më të larta. Raporti I kredive me probleme ndaj totalit të kredisë ka shënuar vlerën 22.5%, duke rënë në tremujorin e fundit me 0.24 pikë përqindje por duke u rritur me 3.72 pikë përqindje në krahasim me fundin e vitit të kaluar.

Për kredinë në lekë, raporti shënoi vlerën 18.5%, me një rritje prej 1.6 pikë përqindje prej dhjetorit 2011, dhe një përmirësim prej 0.9 pikë përqindje prej shtatorit 2012. Për kredinë në valutë, raporti shënoi vlerën 24.7%, me një rritje prej 5.0 pikë përqindje prej fundit të vitit të kaluar dhe një rritje prej 0.3 pikë përqindje në tremujorin e fundit të vitit 2012. Depozitat shënuan vlerën 991.6 miliardë lekë, duke u rritur gjatë vitit me 7.3%. Rritja për depozitat në valutë ishte më e lartë se ajo për depozitat në lekë. Në nivel sektori, vërehet një rezultat financiar pozitiv, me një fitim neto të akumuluar prej 3.8 miliardë lekësh. Në rezultatin financiar, 'Të ardhurat neto nga interesat' arritën vlerën 39.8 miliardë lekë, duke qenë 0.3% më të larta se një vit më parë. Ndërkohë, provigjionet për humbjet nga kreditë janë rritur me rreth 19 miliardë lekë, rreth 12% më të ulëta se një vit më parë. Gjatë vitit, kapitali i paguar u rrit me rreth 9.5 miliardë lekë (rreth 2/3 e kësaj rritjeje u kryen në gjashtëmujorin e parë të vitit). Kapitali rregullator u ngjit në nivelin 104.1 miliardë lekë, me një rritje prej 5.7% dhe aktivet me rrezik u ngjitën në nivelin 643.7 miliardë lekë, me një rritje vjetore vetëm 1.7%. Si rezultat, norma e mjaftueshmërisë së kapitalit u ngjit në 16.2%.

Rreziqet për sistemin financiar burojnë nga ndërveprimi i tij me mjedisin ekonomik rrethues dhe nga vetë veprimtaria e tij. Në lidhje me ndikimin prej zhvillimeve makroekonomike, vlerësohet se kontributi i stimulit fiskal në rritjen ekonomike do të ishte më i ndjeshëm nëse do të shoqërohej me përmirësimin e besimit të agjentëve ekonomikë në qëndrueshmërinë e treguesve fiskalë në afat të mesëm. Rritja e deficitit buxhetor dhe e nivelit të borxhit publik, pritet të shoqërohet me një stimul më të madh fiskal në veprimtarinë ekonomike në vend. Orientimi i shpenzimeve drejt atyre kapitale, duke përfshirë edhe ato në formën e shlyerjes së detyrimeve ekzistuese ndaj subjekteve të sektorit privat, do të ishte i rëndësishëm për përmirësimin e gjendjes financiare të këtyre subjekteve dhe të subjekteve të tjera të lidhura me to në marrëdhëniet e biznesit. Kjo sjellje do të përmirësonte aftësinë paguese të tyre dhe do të shoqërohej me përmirësimin e cilësisë së borxhit që këto subjekte kanë ndaj sektorit bankar. Nga ana tjetër, vështirësitë me të cilat përballet ekonomia e vendit, por edhe ajo ndërkombëtare, përcaktohen në një masë të konsiderueshme nga perceptimi i agjentëve ekonomikë për situatën ekonomike. Një perceptim negativ i zgjatur në kohë, kthehet në një mungesë besimi për zhvillime të ardhshme optimiste dhe dikton agjentët ekonomikë në ndërmarrjen e veprimeve që synojnë të kufizojnë dëmin në performancën e tyre financiare. Në një kuadër më të përgjithshëm, këto veprime të ndërmarra në nivel individual, përforcojnë ciklin ngadalësues të zhvillimeve ekonomike, duke sjellë pasoja negative në një kontekst më të gjerë. Për këto arsye, Banka e Shqipërisë vlerëson se objektivi i politikës fiskale për nxitjen e rritjes ekonomike, duhet të shoqërohet me objektivin e përmirësimit të besimit të agjentëve ekonomikë në qëndrueshmërinë e treguesve fiskalë. Kjo do të kërkonte vendosjen në afat të shkurtër të një rregulli fiskal të qëndrueshëm, që të përcaktonte kufijtë maksimalë të borxhit public në afat të mesëm dhe të mundësonte rikthimin e këtij treguesi në një prirje të qëndrueshme rënëse. Banka e Shqipërisë ka bërë propozimet përkatëse për këtë qëllim dhe është e gatshme të kontribuojë në këtë proces për mënyrën e ndërtimit dhe të funksionimit të këtij rregulli. Banka e Shqipërisë vlerëson pozitivisht politikën e Ministrisë së Financave për shtimin e emetimit të titujve të borxhit me afat maturimi mbi 12 muaj. Zgjatja e kohës mesatare të maturimit të borxhit ul rrezikun e riinvestimit në titujt e borxhit si edhe luhatshmërinë në koston e tij. Për këtë arsye, kjo politikë duhet të vazhdojë duke konsideruar me kujdes situatën e likuiditetit në tregun ndërbankar dhe kërkesën e investitorëve të tjerë. Monitorimi me kujdes i ecurisë së detyrimeve në valutë, është një tjetër element i rëndësishëm në politikën fiskale. Përcaktimi i veprimeve për sigurimin, në kohë dhe me kosto të pranueshme, të burimeve në valutë për përballimin e këtyre detyrimeve, kontribuon në shmangien e pasigurive në treg dhe në nxitjen e stabilitetit financiar.

Në veprimtarinë e sistemit financiar, rreziku i drejtpërdrejtë dhe ai i tërthortë i kreditit përfaqësojnë rreziqet kryesore, veçanërisht për sektorin bankar. Rënia e cilësisë së kredisë gjatë vitit të kaluar, u shoqërua me ngadalësim të ndjeshëm të ritmit të kredidhënies. Këto janë dy prirje që përforcojnë njëra-tjetrën, ndaj Banka e Shqipërisë e konsideroi të rëndësishme të ndërmarrë disa masa për të nxitur bankat drejt kreditimit dhe angazhimit në ristrukturime më të hershme Raporti i Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2012 14 Banka e Shqipërisë të kredisë. Më konkretisht, për të nxitur kredidhënien, ndryshimet rregullative parashikojnë:

a) heqjen e kërkesave për kapital për rritjen vjetore të stokut të kredisë për ekonominë, nëse ajo është midis 4%-10%;

b) rritjen e kërkesave për kapital për shtesën e investimeve të sektorit bankar me institucionet financiare jorezidente;

c) uljen e përgjithshme me 5 pikë përqindje të kërkesës rregullative për nivelin e raportit minimal të likuiditetit në total, për lekun dhe për valutën, në krahasim me nivelin ekzistues sipas profilit të rrezikut të bankave.

Për të adresuar dukurinë e rritjes së kredive me probleme, ndryshimet rregullative mundësojnë:

a) ristrukturimin e kredisë që në fazën kur ajo kategorizohet si kredi e rregullt por kredimarrësi nis të shfaqë problemet e para në pagesën e kredisë. Qëllimi është që, me kushtet e reja të kredisë pas ristrukturimit, të ruhet aftësia paguese e kredimarrësit dhe cilësia e kredisë. Kjo kredi do të vijojë të klasifikohet si kredi e rregullt (në dy klasat e para të kategorizimit) por do të
kërkojë një normë provigjionimi më të lartë, prej 10%.

b) uljen nga 9 muaj (ose derisa kredimarrësi të ketë paguar tre këste të kredisë) në 6 muaj të afatit të qëndrimit të kredisë së ristrukturuar në të njëjtën kategori, për të nxitur interesin e bankave drejt procesit të ristrukturimit.

Ndryshimi i kërkesave për kapital lidhur me rritjen vjetore të stokut të kredisë dhe të fluksit të investimeve të sektorit bankar me subjektet jorezidente, janë me natyrë kundërciklike, të përkohshme dhe do të shtrijnë efektin e tyre për periudhën 2013-2014. Nëse Banka e Shqipërisë nuk vendos ndryshe me një vendim të posaçëm, këto ndryshime do të shfuqizohen me përfundimin e periudhës së sipërpërmendur, dhe bankat duhet të sigurojnë përputhshmërinë me kërkesat e kuadrit rregullativ ekzistues deri në qershor 2015. Ky mekanizëm vlerësohet i rëndësishëm për të ruajtur tek bankat kërkesën për një kreditim të kujdesshëm dhe veprimtari të mirëkapitalizuar. Këto masa vijnë në vijim të propozimeve ligjore për ndryshimet në Kodin Civil dhe në Kodin e Procedurës Civile, që synojnë të përmirësojnë procesin e ekzekutimit të kolateralit të kredisë. Banka e Shqipërisë vlerëson se miratimi i këtyre ndryshimeve në një kohë të shkurtër në Kuvendin e Shqipërisë, do të përfaqësonte një kontribut të rëndësishëm për trajtimin dhe lehtësimin e gjendjes së kredive me probleme të sektorit bankar, duke mbështetur rimëkëmbjen e kreditimit. Banka e Shqipërisë ka si objektiv qendror ruajtjen e qëndrueshmërisë së sektorit bankar. Për këtë arsye, sjellja e bankave nën efektin e këtyre ndryshimeve do të mbikëqyret në mënyrë të posaçme dhe të vazhdueshme, për të vlerësuar ndikimin e këtyre masave në treguesit e veprimtarisë bankare dhe për të identifikuar nevojën për veprime të tjera.

Prania e stokut të lartë të kredive me probleme në bilancin e bankave, rrit koston e veprimtarisë së bankave dhe kërkon një përdorim të shtuar e joeficient të kapaciteteve të tyre. Si rezultat, shërbimet bankare priren të jenë më të shtrenjta për konsumatorin. Në thelb, masat e mësipërme synojnë të ngadalësojnë rritjen e mëtejshme të kredive me probleme në raport me totalin e kredisë. Në këtë kuadër, është e rëndësishme të vlerësohen edhe veprimet nevojshme shtesë për trajtimin e stokut ekzistues të kredive me probleme. Sektori bankar paraqitet relativisht i mbrojtur ndaj rrezikut të drejtpërdrejtë prej lëvizjeve të pafavorshme në kursin e këmbimit dhe në normën e interesit, por ndjeshmëria është rritur. Pozicioni i hapur në valutë i sektorit bankar është brenda niveleve historike dhe vlerat e aktiveve e të detyrimeve të ndjeshme ndaj normës së interesit janë të krahasueshme. Megjithatë, sektori banker paraqitet i ndjeshëm ndaj ndikimit që japin mbi klientët e tij, lëvizjet në kursin e këmbimit dhe në normën e interesit. Një nënçmim i ndjeshëm i kursit të këmbimit ose një rritje e tillë e normës së interesit, mund të dëmtojë aftësinë paguese të klientëve të sektorit bankar, veçanërisht të sektorit të biznesit. Kanali kryesor i transmetimit të këtij rreziku përfaqësohet nga kredia në valutë kur burimi kryesor i shlyerjes së saj është në monedhën vendase, dhe nga kredia me normë të ndryshueshme interesi. Rreziku i likuiditetit për sektorin bankar, vlerësohet gjithashtu në nivele të moderuara. Si edhe më parë, depozitat përbëjnë burimin kryesor të financimit për sektorin bankar dhe ato janë rritur me ritme të mira, ndonëse më të ngadalësuara, edhe gjatë periudhës së kaluar. Huamarrja nga jorezidentët ka ardhur në rënie dhe mbetet në nivele të kontrolluara. Aktivet likuide të sektorit, në lekë dhe në valutat kryesore, janë dukshëm mbi nivelet minimale që kërkohen nga kuadri rregullativ. Raporti 'kredi/depozita', për shkak edhe të ngadalësimit të kreditimit, është në nivele optimale.

Treguesit e kapitalizimit të veprimtarisë janë aktualisht në nivele të mira, por bankat duhet të vlerësojnë me kujdes nevojat e tyre për kapital shtesë në të ardhmen. Gjatë kësaj periudhe, kontributin kryesor në këtë ecuri, e ka dhënë ngadalësimi i rritjes së aktiveve të peshuara me koeficientët e rrezikut. Pavarësisht gjenerimit të një rezultati financiar pozitiv, aftësia e sektorit bankar për të gjeneruar të ardhura të mjaftueshme për të mbështetur rritjen e kapitalit dhe zhvillimin e veprimtarisë me burime të brendshme, është ende e paqëndrueshme. Nga ana tjetër, mbulimi me kapital i kredisë me problem neto është ulur. Për këto arsye, si edhe më parë, vlerësimi i kujdesshëm dhe proaktiv i nevojave për kapital shtesë në përputhje me profilin e rrezikut të veprimtarisë mbetet një domosdoshmëri për bankat. Kur del e nevojshme në bazë të këtij vlerësimi, bankat duhet të veprojnë për fuqizimin e gjendjes së tyre të kapitalit, fillimisht përmes kufizimit të shpërndarjes së fitimit e më pas përmes injektimit të kapitalit shtesë.

Ushtrimi i provës së rezistencës mund t'iu shërbejë bankave si instrument për të mbështetur vlerësimin e nevojave të mundshme për kapital shtesë. Banka e Shqipërisë realizon rregullisht ushtrimet e provës së rezistencës, për të vlerësuar ndjeshmërinë e treguesve kryesorë të kapitalizimit të sektorit banker ndaj lëvizjeve në treguesit makroekonomikë. Skenarët, bazë dhe të rrezikut, përfshijnë supozime lidhur me lëvizje të normës së rritjes së PBB-së, të nivelit të kursit të këmbimit dhe të normës së interesit, si edhe të nivelit të kreditimit, dhe shtrihen për një periudhë dyvjeçare, deri në fund të vitit 2014. Rezultatet e ushtrimit tregojnë që në tërësi, sektori bankar paraqitet i qëndrueshëm në rast të realizimit të supozimeve për treguesit përkatës. Niveli i kapitalizimit për të gjithë sektorin mbetet mbi nivelin minimal të kërkuar në rastin e skenarit bazë. Në rastin e skenarëve më të rënduar që përfshijnë supozimet përkatëse për uljen e normës së rritjes së PBB-së, uljen e nivelit të kreditimit dhe nënçmimin e kursit të këmbimit, banka të veçanta mund të kenë nevojë për kapital shtesë.