BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË E BANKËS SË SHQIPËRISË
Deklarata e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2014

Data e publikimit: 04.05.2015

 

Në mbështetje të kërkesës së nenit 69 të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 "Për Bankën e Shqipërisë", i ndryshuar, dhe të nenit 8 të ligjit nr. 9962, datë 18.12.2006 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, për të informuar Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe Këshillin e Ministrave, si edhe për të tërhequr vëmendjen e institucioneve financiare dhe të publikut mbi gjendjen e sistemit financiar në vend dhe rreziqet potenciale që mund të kërcënojnë qëndrueshmërinë e tij, Banka e Shqipërisë publikon këtë deklaratë periodike. Kjo deklaratë është pjesë përbërëse e Raportit të Stabilitetit Financiar për të njëjtën periudhë.

Gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2014, gjendja dhe ecuria e sektorit bankar dhe e sistemit financiar u paraqit e qëndrueshme. Vëllimi i aktivitetit është zgjeruar dhe performanca financiare është përmirësuar më tej.

Në sektorin bankar, treguesit e likuiditetit dhe të kapitalizimit të sektorit, gjatë periudhës dhe në vijim, paraqiten në nivele të kënaqshme. Cilësia e portofolit të kredisë është përmirësuar në fund të vitit, ndonëse niveli i kredive me probleme vlerësohet ende në nivele të larta. Mbulimi me provigjione dhe kolateralizimi i kredisë me probleme është në nivele të mira.

Kuadri makroekonomik është paraqitur i qëndrueshëm, duke mbështetur ecurinë e sistemit financiar. Përmirësimi i rritjes ekonomike dhe veprimet e politikës fiskale dhe të asaj monetare, janë shoqëruar me një funksionim të mirë të tregjeve financiare dhe ulje të kostove të financimit.

Ndonëse me një situatë financiare më të përmirësuar, ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve, mbetet i ngjashëm me periudhën paraardhëse.

Rreziku i kreditit mbetet i rëndësishëm, në një kohë që përmirësimet ligjore dhe rregullative për ekzekutimin/administrimin e kolateralit, mënyrën e tatimit të bankave në rastin e fshirjes së kredive nga bilancet e tyre, ristrukturimin e kredive me probleme, kanë nevojë të interpretohen dhe të zbatohen me konsistencë për të përforcuar ndikimin e tyre pozitiv. Paqartësitë ligjore lidhur me procesin e falimentimit të subjekteve huamarrëse, veçanërisht të evidentuara në rastin e huamarrësve të ekspozuar në më shumë se një bankë, theksojnë nevojën për përmirësime edhe në këtë drejtim. Gjithashtu, zhvendosja e portofolit të kredive me probleme nga bankat drejt subjekteve financiare jobankare të specializuara, në formën e shitjes ose të transferimit, është një proces që ka nevojë të specifikohet nga ana e kërkesave rregullative dhe të nxitet përmes formave të ndryshme, për të shmangur pasigurinë ligjore dhe për të rritur interesin e këtyre subjekteve. Banka e Shqipërisë vlerëson se në tërësi, procesi i administrimit dhe zgjidhjes së kredive me probleme do të përfitonte nga një analizë e hollësishme e vështirësive të shfaqura, e cila do të shërbente si bazë për një qasje të koordinuar dhe të vendosur të autoriteteve publike me synimin për t'i dhënë këtij problemi një zgjidhje sistematike dhe të qëndrueshme. Banka e Shqipërisë do të mbetet aktive në këtë drejtim, në zbatim të kërkesave ligjore dhe marrëdhënies me industrinë bankare.

Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të tregut dhe të likuiditetit mbetet i kufizuar, por kërkon ndjekje të kujdesshme. Me rëndësi në këtë drejtim është vlerësimi i ndikimit të plotë, të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, që luhatjet në vlerat e treguesve të tregut (kursi i këmbimit dhe norma e interesit) shkaktojnë në bilancin e bankave.

Kërkesa e brendshme pritet të mbetet faktori kryesor në rritjen ekonomike të vendit. Zhvillimet në mjedisin e jashtëm ekonomik dhe financiar, veçanërisht ato që lidhen me zonën e Bashkimit Evropian dhe të Eurozonës, mbeten ende të paqarta për mënyrën e ndikimit në ekonominë e vendit tonë. Zhvillimet ekonomike dhe financiare në Greqi, shtojnë pasigurinë në tregjet financiare. Ndërkohë, kërkesat rregullative për grupet bankare evropiane, të vendosura nga autoritetet mbikëqyrëse kombëtare dhe Banka Qendrore Evropiane, tregojnë forcim të kërkesave lidhur me administrimin e rrezikut dhe me nivelet e kapitalizimit të veprimtarisë. Këto zhvillime do të ushtrojnë presion mbi kontributin e filialeve të këtyre grupeve bankare në procesin e ndërmjetësimit financiar në vendin tonë, si ndaj sektorit publik ashtu edhe ndaj atij privat.

Rezultatet e ushtrimit të provës së rezistencës, sugjerojnë se sektori bankar, në tërësi, paraqitet i qëndrueshëm ndaj goditjeve të supozuara që burojnë prej lëvizjeve të treguesve makroekonomikë dhe të vlerës së portofolit të investimeve të tij.

Në vijim, paraqiten në mënyrë të përmbledhur zhvillimet kryesore në mjedisin ekonomik rrethues dhe në sistemin financiar, si dhe vlerësimi për rreziqet me të cilat ndeshet veprimtaria e sektorit bankar, duke përfshirë edhe rrezikun sistemik.

  • Zhvillimet ekonomike dhe financiare

Gjatë pjesës së dytë të vitit 2014, aktiviteti ekonomik botëror është përmirësuar gradualisht, por me ritëm më të ulët nga sa pritej1 dhe me diferenca të dukshme mes rajoneve. Presionet inflacioniste janë dobësuar në shkallë globale, duke reflektuar rënien e çmimit të lëndëve të para, kryesisht të naftës dhe të nënprodukteve të saj. Monedha evropiane është nënçmuar ndaj monedhave kryesore, veçanërisht ndaj dollarit amerikan. Ndryshimet në rritjen ekonomike mes rajoneve kryesore janë reflektuar në qëndrime të ndryshme mbi mënyrën e realizimit të politikës monetare nga bankat qendrore. Tregjet financiare kanë qenë përgjithësisht të stabilizuara. Aktiviteti ekonomik botëror pritet të vazhdojë të përmirësohet me ritme të ngadalta, mbështetur edhe nga rënia e çmimit të naftës.

Gjatë vitit 2014, konsumi dhe investimet private kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e rritjes ekonomike, ndërsa politika fiskale vijon të ruajë prirjen konsoliduese. Në tremujorin e fundit të vitit 2014, ekonomia e vendit vlerësohet të jetë rritur me 2.42% në terma vjetorë ose 1.12% në krahasim me një tremujor më parë. Gjatë këtij tremujori, kontributi i politikës fiskale në kërkesën e brendshme është rritur. Ecuria më e mirë e ekonomisë ende nuk është shfaqur në tregun e punës, ku norma e papunësisë u ngjit në 18%. Zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë kanë dhënë një kontribut negativ në rritjen ekonomike. Presionet e ulëta inflacioniste, kanë ndikuar që politika monetare e Bankës së Shqipërisë të mbetet lehtësuese. Të dhënat paraprake të fundit të vitit 2014, tregojnë ruajtjen e prirjes konsoliduese të politikes fiskale. Ndonëse në vlerë absolute deficiti buxhetor rezultoi më i lartë se një vit më parë, ai zbriti në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB). Për të ardhmen, pritshmëritë më të mëdha janë që kërkesa e brendshme të ruajë kontributin kryesor në rritjen ekonomike të vendit. Një përmirësim i pritshëm i aktivitetit ekonomik të partnerëve kryesorë tregtarë të vendit, do të ndikojë pozitivisht në rritjen e kërkesës së huaj për eksportet vendase.

Individët dhe bizneset mbeten të ekspozuar ndaj rreziqeve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta të kreditit. Në gjysmën e dytë të vitit 2014, individët mbeten të orientuar drejt kursimit siç reflektohet nga zgjerimi i nivelit të depozitave, si në terma vjetorë ashtu edhe gjashtëmujorë. Edhe kredia për individët është rritur, por me ritme më të ulëta se rritja e depozitave. Si për individët ashtu edhe për bizneset, kontributin kryesor në rritjen e kredisë e jep kredia në monedhën vendase. Pozicioni debitor i bizneseve është ulur disi, për shkak të rritjes më të shpejtë të depozitave, kryesisht si rezultat i vijimit të pagesave të prapambetura nga qeveria. Në lidhje me rreziqet, individët kanë ulur ekspozimin e tyre ndaj rrezikut të tërthortë të kreditit nga kursi i këmbimit, ndërsa bizneset e kanë zgjeruar atë. Cilësia e portofolit të kredisë si për individët, ashtu edhe për bizneset është përmirësuar.

Në tregjet financiare, rënia e normave të interesit ka vijuar, ndërsa vlera nominale e lekut në këmbim me shportën e valutave kryesore ka rënë. Gjatë periudhës në analizë, situata në tregjet financiare vendase ishte e qëndrueshme. Në vijim të politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, tregjet financiare janë karakterizuar nga vijimi i rënies së normave të interesit, veçanërisht në tregun primar të letrave me vlerë, në produktet e kredisë dhe të depozitave të sektorit bankar, si edhe në tregun ndërbankar. Kursi i këmbimit të lekut ka qenë i qëndrueshëm ndaj euros, por është nënçmuar ndaj dollarit amerikan dhe valutave që e ndjekin atë. Kjo ecuri ka reflektuar kryesisht zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të këmbimit.

Gjatë periudhës në analizë, vëllimi i transaksioneve në sistemet e pagesave dhe përdorimi i instrumenteve elektronike të pagesave nga klientët bankarë është rritur. Sistemet e pagesave AIPS dhe AECH, kanë operuar në përputhje me kushtet teknike për të plotësuar nevojat e sektorit bankar për shlyerjen e transaksioneve të pagesave në monedhën kombëtare. Në të dy sistemet është konstatuar një rritje e numrit dhe vlerës së transaksioneve. Gjithashtu, rritje në numër dhe në vlerë, është evidentuar edhe për pagesat që kryejnë klientët e bankave me instrumente të tjera pagesash, duke përfshirë kartat bankare dhe forma të tjera elektronike.

Gjatë periudhës në analizë, sistemi financiar ka rritur më tej peshën e tij në aktivitetin ekonomik të vendit. Në dhjetor 2014, niveli i ndërmjetësimit financiar në Shqipëri, i llogaritur si raport i aktiveve të sistemit financiar ndaj PBB-së vlerësohet në 101.4%.

Ecuria e sektorit është e qëndrueshme dhe treguesit e kapitalizimit e të likuiditetit të veprimtarisë bankare janë në nivele të kënaqshme, mbështetur edhe nga përmirësimi i rezultatit financiar neto. Në fund të dhjetorit 2014, aktivet e sektorit bankar u ngjitën në nivelin 1,294 miliardë lekë, duke u zgjeruar me 4.8% në fund të vitit. Në krahun e aktiveve, kontributin në zgjerimin e veprimtarisë e kanë dhënë investimet në tituj dhe kreditimi. Financimi i veprimtarisë është siguruar prej rritjes së depozitave nga publiku, ndonëse me ritme të ngadalta. Ekspozimi i sektorit bankar ndaj subjekteve jorezidentë, është i ngjashëm me periudhën paraardhëse, duke reflektuar një varësi të ulët të sektorit bankar ndaj burimeve të huaja të financimit. Gjatë vitit 2014, kredia u rrit me pothuaj 5%, ku kontribut pozitiv dha si kredia në lekë, ashtu edhe edhe ajo në valutë. Kjo e fundit, është ndikuar nga kredia për jorezidentët dhe nga efekti statistikor i ndryshimit të kursit të këmbimit. Kredia e re e sektorit bankar gjatë vitit 2014, ka qenë 13.8% më e lartë se një vit më parë.

Depozitat shënuan vlerën 1,072.2 miliardë lekë, duke u rritur me 4.6% prej një viti më parë. Rritja vjetore për depozitat në lekë ishte 2.8%, ndërsa për depozitat në valutë ishte 3.7%. Depozitat e individëve u rritën me një normë vjetore prej 2.6%, ndërsa depozitat e bizneseve u rritën me rreth 9.2% në terma vjetorë. Në këtë ecuri ka ndikuar edhe shlyerja e pagesave të prapambetura të qeverisë ndaj biznesit. Raporti i kredive ndaj depozitave shënoi nivelin 55.5%.

Në nivel sektori, rezultati financiar neto ishte pozitiv, në vlerën 11.2 miliardë lekë, krahasuar me 6.6 miliardë lekë që shënonte një vit më parë.

Kontributin kryesor në këtë rezultat e dhanë ulja e shpenzimeve për cilësinë e aktiveve dhe rritja e të ardhurave neto nga interesi, mbështetur në veprimtarinë e investimit në tituj dhe tek kreditimi. Gjatë periudhës në analizë, kapitali rregullator shënoi një rritje vjetore prej 1.3%, duke u ngjitur në nivelin 116.7 miliardë lekë. Aktivet me rrezik janë rritur në nivelin 692.9 miliardë lekë ose me rreth 8% në krahasim me një vit më parë. Si rezultat, në fund të vitit 2014, norma e mjaftueshmërisë së kapitalit zbriti në nivelin 16.8%.

  • VLERËSIMI I RREZIQEVE

Në vlerësimin e rreziqeve, është konsideruar performanca e sektorit bankar dhe ndërveprimi i tij me zhvillimet në ekonominë reale, me gjendjen financiare të agjentëve ekonomikë dhe me segmente të tjera të sistemit financiar. Për të konsoliduar vlerësimin ndaj rreziqeve, janë përdorur disa indekse përfaqësuese.

Në përgjithësi, indekset tregojnë një frenim të nivelit të rreziqeve gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2014.

Vlerësimi në mënyrë të sintetizuar i rreziqeve që zhvillohen në sektorin bankar, ekonominë reale dhe agjentët ekonomikë, kryhet duke përdorur Hartën e Stabilitetit Financiar (HSF). Në krahasim me fundin e vitit 2013, HSF tregon se gjatë periudhës në analizë, rreziqet ndaj stabilitetit financiar janë zbutur për shkak të ecurisë më të mirë që shfaqin agjentët ekonomikë.

Më konkretisht, në rastin e "ekonomisë së brendshme", rritja e financimit të jashtëm për sektorin publik dhe privat, si edhe ecuria e kursit të këmbimit, kanë kontribuar në zgjerimin e rrezikut, ndërsa ngushtimi i hendekut negativ të prodhimit e ka zbutur atë. Për "individët" dhe "bizneset", rreziku vlerësohet i moderuar, duke përfituar kryesisht prej pritshmërive më të mira të tyre për performancën e ardhshme ekonomike. Megjithatë, faktorë të tjerë që lidhen me nivelin e papunësisë, ritmin dhe cilësinë e kreditimit, ushtrojnë ndikim negativ në madhësinë e rrezikut të këtyre agjentëve ekonomikë. Për "qeverinë", niveli i rrezikut vlerësohet në rënie, në kushtet e ecurisë pozitive të të ardhurave, uljes së kostos së huamarrjes dhe rënies së deficitit buxhetor. Rreziku që vjen nga "mjedisi i jashtëm ekonomik" ka rënë disi, por ende vlerësohet si mesatar, në kushtet e përmirësimit të normave të papunësisë në vendet me lidhje më të forta ekonomike me Shqipërinë dhe rënies së çmimit të naftës. Për sektorin bankar, ecuria e treguesve të "kapitalizimit dhe përfitueshmërisë" dhe e "financimit dhe likuiditetit" ofron një rrezik mesatar, ku ndikojnë përkatësisht përmirësimi i rezultatit financiar, ulja e raportit të kredive me probleme dhe diferencat midis aktiveve dhe detyrimeve afatshkurtra.

Vlerësimi i rreziqeve në sistemin financiar realizohet duke përdorur Indeksin e Stresit Sistemik Financiar (ISSF). Ky tregues mat nivelin e stresit financiar për ekonominë, nëpërmjet agregimit në një tregues të vetëm të informacionit financiar mbi segmente të ndryshme të sistemit (sektori bankar, tregu i këmbimeve, tregu i parasë dhe tregu i banesave). Në dhjetor 2014, rreziku sistemik vlerësohet në rënie, kryesisht për shkak të ecurisë së depozitave, të kredisë dhe të marzhit neto të interesave gjatë pjesës së dytë të vitit.

Fazat e akumulimit dhe të materializimit të rrezikut sistemik në sistemin financiar, dallohen më qartë duke përdorur dy indekse të posaçme: Indeksin e Akumulimit dhe Indeksin e Materializimit të Rrezikut. Në dhjetor 2014, akumulimi i rrezikut sistemik nga faktorë që lidhen me sektorin bankar dhe atë të ekonomisë reale, paraqitet në rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Tkurrja e kredisë në valutë dhe ecuria e tregut të banesave kanë zbutur akumulimin e rrezikut sistemik, ndërsa efekt të kundërt ka pasur rritja e nivelit të borxhit në përgjithësi, si edhe e borxhit në valutë. Indeksi i materializimit të rrezikut sistemik është rritur lehtësisht krahasuar me një vit më parë, duke reflektuar rënien e cilësisë së kredisë për bizneset dhe individët, rritjen e normës së papunësisë dhe nënçmimin e monedhës vendase, kryesisht ndaj dollarit amerikan.

Rreziqet financiare janë subjekt i perceptimit të agjentëve ekonomikë. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë, përmes një vrojtimi të posaçëm të realizuar dy herë në vit, mbledh në mënyrë të rregullt perceptimin e industrisë bankare rreth këtyre rreziqeve. Për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2014, industria vlerëson se "përkeqësimi i ekonomisë së brendshme" është rreziku më i rëndësishëm sistemik në vend, por perceptimi i sektorit bankar ndaj këtij rreziku ka ardhur duke u zbutur gjatë vitit 2014. Vëmendja ndaj rrezikut të "goditjeve nga ekonomia e jashtme" është rritur, duke reflektuar shqetësimin mbi situatën ende të dobët ekonomike në Eurozonë, veçanërisht në Greqi e Itali.

Rreziqet që vijnë nga treguesit fiskalë mbeten të kontrolluara. Prirja konsoliduese e politikës fiskale pritet të vijojë edhe gjatë vitit 2015. Ndërkohë, financimi me burime të huaja i pjesës më të madhe të huamarrjes publike gjatë këtij viti, nëse realizohet siç parashikohet, pritet të ruajë presionin mbi nivelin e normave të interesit në tregun primar të titujve të borxhit të qeverisë. Këta faktorë do të diversifikojnë strukturën e borxhit publik dhe do të ruajnë një kosto relativisht të ulët të pagesës së tij. Njëkohësisht, ata do të shërbejnë për të kontrolluar madhësinë dhe përqendrimin e financimit të huamarrjes së qeverisë nga sektori bankar dhe ai financiar jobankar, si dhe do të shërbejnë për të krijuar më tepër hapësirë për financim nga sektori bankar të sektorit privat.

Rreziku i kreditit mbetet një shqetësim për veprimtarinë bankare. Në fund të periudhës në analizë, raporti i kredive me probleme ndaj totalit të kredisë shënoi vlerën 22.8%, me i ulëti në dy vitet e fundit. Për kredinë në lekë, raporti shënoi vlerën 17.5%, me një rënie vjetore prej 2.2 pikë përqindje. Për kredinë në valutë, raporti shënoi vlerën 26%, me një rritje vjetore prej 0.3 pikësh përqindje.

Me gjithë rënien e raportit të kredive me probleme dhe ndikimin pozitiv që po shfaqin gradualisht përmirësimet ligjore dhe masat e tjera të autoriteteve, rreziku i kreditit mbetet i rëndësishëm. Në fakt, përvoja e deritanishme po tregon që përmirësimet ligjore dhe rregullative për ekzekutimin/administrimin e kolateralit, mënyrën e tatimit të bankave në rastin e fshirjes së kredive nga bilancet e tyre, ristrukturimin e kredive me probleme, kanë nevojë të interpretohen dhe të zbatohen me konsistencë. Paqartësitë ligjore lidhur me procesin e falimentimit të subjekteve huamarrëse, veçanërisht të evidentuara në rastin e huamarrësve të ekspozuar në më shumë se një bankë, theksojnë nevojën për përmirësime ligjore edhe në këtë drejtim. Gjithashtu, zhvendosja e portofolit të kredive me probleme nga bankat drejt subjekteve financiare jobankare të specializuara, në formën e shitjes ose të transferimit, është një proces që ka nevojë të specifikohet nga ana e kërkesave rregullative dhe të nxitet përmes formave të ndryshme, për të shmangur pasigurinë ligjore dhe për të rritur interesin e këtyre subjekteve. Në tërësi, procesi i zgjidhjes së kredive me probleme do të përfitonte nga një analizë e hollësishme e ecurisë së tij deri tani dhe e vështirësive të shfaqura, e cila do të shërbente si bazë për një qasje të koordinuar dhe të vendosur të autoriteteve publike, me qëllim ofrimin e një zgjidhjeje sistematike dhe përfundimtare të këtij problemi.

Ekspozimi i sektorit bankar ndaj lëvizjeve të pafavorshme në kursin e këmbimit dhe në normën e interesit, duhet vlerësuar rregullisht dhe ndjekur me kujdes. Pozicioni i hapur në valutë i sektorit bankar është brenda niveleve historike dhe "në blerje", ndërsa vlerat e aktiveve e të detyrimeve të ndjeshme ndaj normës së interesit ofrojnë diferenca negative për maturitetet deri në një vit. Megjithëse ndikimi i drejtpërdrejtë nga zhvillimet në kursin e këmbimit dhe në normën e interesit është i administrueshëm, sektori bankar paraqitet i ndjeshëm ndaj ndikimit negativ që mund të shkaktojnë lëvizjet e pafavorshme në kursin e këmbimit dhe në normën e interesit në gjendjen e klientëve. Një nënçmim i ndjeshëm i kursit të këmbimit ose një rritje e tillë e normës së interesit, mund të dëmtojë aftësinë paguese të klientëve të sektorit bankar, veçanërisht të sektorit të biznesit. Kanali kryesor i transmetimit të këtij rreziku përfaqësohet nga kredia në valutë, kur burimi kryesor i shlyerjes së saj është në monedhën vendase dhe nga kredia me normë të ndryshueshme të interesit.

Rreziku i likuiditetit për sektorin bankar, vlerësohet në nivele të moderuara. Si edhe më parë, depozitat përbëjnë burimin kryesor të financimit për sektorin bankar dhe ato janë rritur, madje me një ritëm më të përshpejtuar se një vit më parë. Huamarrja nga jorezidentët mbetet në nivele të moderuara. Aktivet likuide të sektorit në lekë dhe valutat kryesore, janë mbi nivelet minimale që kërkohen nga kuadri rregullativ. Raporti "kredi/depozita" është në nivele optimale nga këndvështrimi i rrezikut.

Treguesit e kapitalizimit të veprimtarisë janë aktualisht në nivele të mira, por bankat duhet të vlerësojnë me kujdes skenarët e mundshëm të zhvillimeve të ardhshme dhe nevojat e tyre për kapital shtesë. Gjatë periudhës në analizë, treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit ka rënë, duke mbetur sidoqoftë në nivele të mira. Rezultati financiar neto i sektorit është përmirësuar dukshëm në krahasim me një vit më parë, kryesisht në sajë të ngadalësimit të kredive me probleme dhe rënies së provigjioneve për rrezikun e kreditit të aktiveve. Megjithatë, bankat mund të përballen me shpenzime të rritura, për shkak të kostove shtesë që shoqërojnë procesin e ristrukturimit dhe të ekzekutimit të kolateralit. Për këto arsye, si edhe më parë, vlerësimi i kujdesshëm dhe proaktiv i nevojave për kapital shtesë në përputhje me profilin e rrezikut të veprimtarisë dhe rritja e kapitalit në rast nevoje, mbetet një rekomandim i vazhdueshëm për bankat.

Ushtrimi i provës së rezistencës e paraqet qëndrueshmërinë e sektorit bankar në nivel të ngjashëm me periudhën e kaluar. Banka e Shqipërisë realizon rregullisht ushtrimet e provës së rezistencës, për të vlerësuar ndjeshmërinë e treguesve kryesorë të kapitalizimit të sektorit bankar ndaj lëvizjeve në treguesit makroekonomikë dhe rënies së vlerës së investimeve në tregjet e parasë dhe të letrave me vlerë.
 

Për ushtrimin e parë që vlerëson ndjeshmërinë e sektorit ndaj skenarëve makroekonomikë, skenarët bazë dhe të rrezikut përfshijnë supozime lidhur me lëvizjet në normën e rritjes së PBB-së, në nivelin e kursit të këmbimit dhe të normës së interesit, si edhe në nivelin e kreditimit dhe shtrihen deri në fund të vitit 2016. Për ushtrimin e dytë që vlerëson ndjeshmërinë e sektorit ndaj madhësisë së humbjes së vlerës së investimit, skenarët përfshijnë humbje të vlerës së portofolit të letrave me vlerë.

Rezultatet e ushtrimit të parë tregojnë që në tërësi, sektori bankar paraqitet i qëndrueshëm në rast të realizimit të supozimeve për treguesit përkatës. Niveli i kapitalizimit për të gjithë sektorin mbetet mbi nivelin minimal të kërkuar në rastin e skenarit bazë. Në rastin e skenarëve më të rënduar që përfshijnë supozimet për uljen e normës së rritjes së PBB-së, uljen e nivelit të kreditimit dhe nënçmimin e kursit të këmbimit, banka të veçanta shfaqin nevojën për kapital shtesë.

Rezultatet e ushtrimit të dytë tregojnë se banka të veçanta janë të ekspozuara më tepër ndaj rrezikut të tregut në lidhje me vlerën e investimeve në letra me vlerë të subjekteve private, ndërkohë që ekspozimi ndaj rrezikut sovran është i kufizuar.

Kuadri rregullativ mbikëqyrës dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, kërkojnë që ushtrime të tilla të kryhen rregullisht nga vetë bankat, për të mbështetur vendimmarrjen dhe kontrolluar rrezikun në veprimtarinë e tyre.