BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË E BANKËS SË SHQIPËRISË
Deklarata e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2012

Data e publikimit: 14.09.2012

 

Në mbështetje të kërkesës së nenit 69 të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 "Për Bankën e Shqipërisë", i ndryshuar, dhe të nenit 8 të ligjit nr. 9962, datë 18.12.2006 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, për të informuar Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe Këshillin e Ministrave, si edhe për të tërhequr vëmendjen e institucioneve financiare dhe të publikut mbi gjendjen e sistemit financiar në vend dhe rreziqet potenciale që mund të kërcënojnë qëndrueshmërinë e tij, Banka e Shqipërisë publikon këtë deklaratë periodike. Kjo deklaratë është pjesë përbërëse e Raportit të Stabilitetit Financiar për të njëjtën periudhë.

Gjatë periudhës, gjendja dhe ecuria e sektorit bankar dhe e sistemit financiar u paraqit e qëndrueshme.   Sektori bankar dhe sistemi financiar kanë vepruar në një mjedis më sfidues, të karakterizuar nga ngadalësim i rritjes ekonomike të brendshme dhe të jashtme, rënie e stimulit financiar publik dhe ngadalësim i investimeve dhe konsumit privat, ngadalësim i ritmeve të kreditimit të sektorit bankar dhe rënie e mëtejshme e cilësisë së saj, si edhe ndryshime të diktuara strukturore të likuiditetit në tregun ndërbankar. Megjithatë, gjatë periudhës, sektori bankar ka gjeneruar fitim dhe treguesit e kapitalizimit e të likuiditetit të veprimtarisë u paraqitën në nivele të mira. Ndikimi i drejtpërdrejtë i rreziqeve të tregut në sektorin bankar vlerësohet i moderuar, por ndikimi i tërthortë që buron si rezultat i ekspozimit të individëve dhe bizneseve është i rëndësishëm, duke sugjeruar nevojën për një monitorim të kujdesshëm nga ana e sektorit bankar.   Rënia e cilësisë së kredisë përfaqëson shqetësimin kryesor për qëndrueshmërinë e treguesve financiarë të sektorit bankar. Në kushtet kur zhvillimet në mjedisin ekonomik të brendshëm dhe të jashtëm nuk mbështesin një përmirësim të qëndrueshëm të pritjeve të operatorëve për zhvillimet ekonomike, përmirësimi i cilësisë së kredisë nuk mund të vijë në masën dhe me shpejtësinë e duhur vetëm nga veprimtaria normale e sektorit bankar. Trajtimi me efektivitet i këtij problemi, kërkon bashkëpunimin dhe angazhimin e sektorit bankar dhe të autoriteteve publike në vend, për ndërmarrjen e masave paralele në disa drejtime, si në vijim.

Së pari, përmirësimi i monitorimit të kredisë në banka duhet të vijojë me përparësi në drejtim të: forcimit të strukturave përkatëse për vlerësimin e cilësisë së kredimarrësit dhe mbledhjen e kredisë; përshpejtimit të veprimeve që mundësojnë ristrukturimin e kredisë për kredimarrësit e vlefshëm; krijimin e rezervave për mbrojtjen nga rreziku i kredisë në mënyrë proaktive; ndërmarrjen e veprimeve të vendosura për njohjen e efektit financiar që buron nga kreditë e humbura, fshirjen e tyre nga bilanci dhe ekzekutimin e kolateralit për rikuperimin maksimal të vlerës së kredisë. Nëse kryhen në mënyrë profesionale dhe transparente, këto veprime do të çlirojnë burime financiare për sektorin bankar që do të mbështesin më mirë veprimtarinë e kreditimit në vijim.

Së dyti, angazhimi i autoriteteve publike, duke përfshirë Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Financave,   është i nevojshëm për të stimuluar dhe përshpejtuar këto procese në sektorin bankar nëpërmjet krijimit të stimujve të nevojshëm ligjorë dhe financiarë. Banka e Shqipërisë thekson rëndësinë që ka përmirësimi i shpejtë i kuadrit ligjor që forcon infrastrukturën e ekzekutimit të kolateralit për kredinë bankare, dhe vlerëson pozitivisht reformën e rëndësishme që është bërë me krijimin e subjekteve përmbarimore private. Në vijim, është e nevojshme të kryhen përmirësime të tjera ligjore dhe operacionale që: përmirësojnë edukimin financiar të gjykatësve dhe rrisin eficiencën e gjykatave në trajtimin e shpejtë e të saktë të praktikave kredituese që paraqiten para tyre; sigurojnë konsistencën e vendimeve të gjykatave të së njëjtës shkallë për praktika të ngjashme kredituese; çojnë në përmirësimin e rezultatit të ankandit për shitjen e kolateralit që siguron kredinë; lidhin më mirë shpërblimin financiar të subjekteve përmbarimore private me performancën e tyre në zbatimin e urdhrit të ekzekutimit të kolateralit; nxisin zgjidhjen jashtë gjykatës të pretendimeve mes kreditorit dhe debitorit; mundësojnë formimin dhe hyrjen në treg të institucioneve financiare jobanka që, nëpërmjet negocimit me bankat, marrin përsipër të vlerësojnë dhe të administrojnë apo blejnë pjesë të portofolit të kredive me probleme. Banka e Shqipërisë vlerëson se këto propozime, të identifikuara nëpërmjet bashkëpunimit mes autoriteteve publike, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe Shoqatës Shqiptare të Bankave, ofrojnë zgjidhje që janë provuar në vende dhe situata të ngjashme me ne, duke krijuar premisat për një trajtim të gjithanshëm dhe zgjidhje të qëndrueshme të kredive me probleme.

Së treti, në këtë proces sektori bankar duhet të vijojë të mbetet i mirëkapitalizuar dhe likuid. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë do të sigurojë që bankat të realizojnë vlerësime të sakta në lidhje me nevojat e tyre për kapital shtesë dhe për mjete likuide, duke analizuar me kujdes profilin e rrezikut të veprimtarisë së tyre dhe duke vepruar në mënyrë proaktive për sigurimin e tyre.
 
Më konkretisht, ndërveprimi i sistemit financiar me mjedisin ekonomik dhe ekspozimi ndaj rreziqeve të ndryshme në gjashtëmujorin e parë të vitit 2012, vlerësohet në vijim.

Gjatë periudhës, ritmet e rritjes së ekonomisë botërore ishin të paqëndrueshme. Ato reflektuan kryesisht ecurinë e dobët ekonomike të Eurozonës dhe dobësitë strukturore, kryesisht në tregjet e punës dhe të pasurive të paluajtshme. Kontributi i vendeve të zhvilluara në rritjen ekonomike botërore vijoi të ishte ndjeshëm më i ulët se ai i vendeve në zhvillim. Pritjet më të ulëta për rritjen e ekonomisë botërore si edhe tensionet në tregjet financiare, veçanërisht në Eurozonë, kanë nxitur autoritetet evropiane të ndërmarrin disa veprime që synojnë të lehtësojnë koston e rifinancimit të borxhit për vendet anëtare periferike, të stabilizojnë sistemin bankar dhe të forcojnë mekanizmat evropiane për kapitalizimin e tij. Suksesi i këtyre masave është i dëshiruar jo vetëm për vendet e Eurozonës, por edhe për vendet e tjera që rrethojnë Bashkimin Evropian dhe që ndikohen negativisht prej gjendjes së tij përmes kanaleve të tregtisë, të lëvizjeve të kapitalit njerëzor dhe financiar, si edhe të integrimit të sistemit financiar.

Rënia e kërkesës së huaj, duket se ka patur ndikimin e saj edhe në ecurinë e dobët të ekonomisë së vendit. Prodhimi i Brendshëm Bruto u tkurr në tremujorin e parë të vitit 2012   me 0.2% në terma vjetorë dhe 1.2% në terma tremujorë. Sektorët që kontribuan në këtë rënie ishin industria, ndërtimi, postë-komunikacioni dhe transporti. Sektorët që patën një ecuri pozitive ishin shërbimet, tregtia dhe bujqësia. Treguesit e tërthortë sugjerojnë se zhvillimet në terma të konsumit privat dhe investimeve private janë të ngadalta, duke sjellë ulje të kontributit të tyre në ecurinë e ekonomisë. Procesi i konsolidimit fiskal është shoqëruar me tkurrjen e stimulit financiar publik për ekonominë. Dobësia e kërkesës së huaj është e shoqëruar me një ngadalësim të ndjeshëm të eksporteve shqiptare krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjendja financiare e individëve/familjeve dhe bizneseve, shfaqi të njëjtat prirje si në periudhën e mëparshme. Individët kanë zgjeruar më tej pozicionin e tyre kreditor, për shkak të rritjes së depozitave më shpejt se kreditimi në sistemin financiar. Pozicioni i bizneseve vijon të mbetet thellësisht debitor, dhe në pjesën dërrmuese të tij është në valutë. Kreditimi i sektorit të biznesit gjatë pjesës së parë të vitit 2012 u rrit me ritme më të ulëta, ndërsa kreditimi i individëve u tkurr. Cilësia e kredisë për individët dhe bizneset ka rënë. Individët dhe bizneset janë të ekspozuar ndaj rrezikut të tërthortë të kreditit, që mund të vijë për shkak të lëvizjeve të pafavorshme në kursin e këmbimit ose në normën e interesit.

Aktiviteti i operatorëve në tregjet financiare është zgjeruar. Tregu ndërbankar është karakterizuar nga vëllime më të larta të transaksioneve dhe qëndrueshmëri e normave të interesit, duke dëshmuar aftësinë për të përmbushur nevojat e bankave për likuiditet. Në tregun e titujve të borxhit janë regjistruar nivele më të larta të kërkesë-ofertës në tregun primar dhe tregtimin e tyre në atë sekondar. Gjatë periudhës, tregu sekondar i titujve të borxhit ka shënuar vëllime më të larta të tregtimit, duke reflektuar veprimet mes bankave për t'iu përshtatur ndryshimeve strukturore të likuiditetit, si edhe hyrjen në treg të operatorëve të rinj jobankarë. Një ndër zhvillimet kryesore në tregjet financiare ka qenë vendimi i një banke të madhe në vend, pjesë e një grupi të rëndësishëm bankar evropian, për tërheqjen e papritur nga ankandet e borxhit të Qeverisë Shqiptare. Shkak për këtë veprim ishte kërkesa e autoritetit rregullativ të vendit të origjinës, në zbatim të rekomandimeve të Autoritetit Bankar Evropian për përmirësimin e treguesve të kapitalit të grupeve më të mëdha bankare evropiane. Oferta e likuiditetit të bankave të tjera të sektorit dhe veprimet e fuqishme mbështetëse të Bankës së Shqipërisë, arritën të plotësojnë vakumin e krijuar dhe të ruajnë luhatshmëri të ulët të normave të interesit tek titujt e borxhit të qeverisë. Sidoqoftë, kjo ngjarje, e cila testoi kuadrin e Bankës së Shqipërisë për operacionet në treg, tregoi nevojën për rritjen e konkurrencës në tregun bankar, për zgjerimin e bazës së investitorëve në titujt e borxhit të qeverisë dhe përmirësimin e funksionimit të tregut sekondar, me qëllim uljen e përqendrimit në shpërndarjen e borxhit dhe pakësimin e rrezikut të rifinancimit. Edhe tregu i këmbimeve valutore ka njohur rritje të vëllimeve të tregtimit. Në këtë treg, monedha kombëtare ka shfaqur qëndrueshmëri ndaj shportës së valutave kryesore.

Sistemi financiar zgjeroi më tej veprimtarinë e tij, ndonëse me ritme më të ngadalësuara. Niveli i ndërmjetësimit financiar në Shqipëri, i llogaritur si raport i aktiveve të sistemit financiar ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) vlerësohet në nivelin 92.8% në fund të qershorit 2012, nga 89.5% në fund të vitit 2011 dhe 86.9% në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sektori bankar mbetet segmenti kryesor i ndërmjetësimit financiar, aktivet e të cilit përfaqësojnë rreth 93.9% të totalit të aktiveve të sistemit financiar në tërësi dhe rreth 87.2% të PBB-së. Gjatë periudhës, aktivet e sektorit bankar u zgjeruan me rreth 3.4% krahasuar me fundin e vitit 2011 dhe me rreth 11% ndaj së njëjtës periudhë të një viti më parë. Shoqëritë e sigurimit përfaqësojnë segmentin e dytë më të rëndësishëm të sistemit financiar. Në këtë periudhë, ka filluar të veprojë edhe një institucion financiar që ofron skema të investimit kolektiv, duke zgjeruar mundësitë e investimit të subjekteve të ndryshme. Në sektorin bankar, kontribuesi kryesor në ecurinë e aktiveve është aktiviteti kreditues, ndonëse ai ka ardhur në rënie si pasojë e ngadalësimit të rritjes ekonomike dhe të një sjelljeje më të kujdesshme nga ana e bankave në akordimin e kredisë. Në financimin e aktivitetit bankar ka kontribuar pothuaj totalisht aktiviteti depozitues. Ky konsiderohet si zhvillim pozitiv, i cili ndikon në qëndrueshmërinë e gjendjes së likuiditetit të sektorit bankar. Nga ana tjetër, ky zhvillim evidenton nevojën për ruajtjen e vazhdueshme të besimit të publikut në sektorin bankar. Në fund të periudhës, treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit rezultoi 15.7%. Sektori bankar gjeneroi rezultat financiar pozitiv, ndonëse ai vijoi të ishte i përqendruar tek bankat më të mëdha. Cilësia e kredisë ka shënuar rënie, pothuaj në të gjitha grupndarjet e saj. Raporti i kredisë me probleme ndaj totalit të kredisë shënoi vlerën 21.1% në fund të periudhës.

Rreziqet për sistemin financiar burojnë nga ndërveprimi i tij me mjedisin ekonomik rrethues dhe nga vetë veprimtaria e tij.

Në lidhje me ndikimin prej zhvillimeve makroekonomike, vlerësohet se stimuli fiskal dhe kontributi i kërkesës së huaj në rritjen ekonomike do të mbeten të ulëta. Ashtu si edhe në deklaratat e mëparshme, Banka e Shqipërisë vlerëson se përparësi e politikës fiskale duhet të jenë veprimet që synojnë uljen e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik, uljen e rrezikut të rifinancimit përmes zgjatjes së afatit mesatar të maturimit të borxhit dhe zgjerimit të bazës së investitorëve institucionalë dhe të individëve, sigurimin e burimeve të nevojshme për financimin ose shlyerjen e detyrimeve në valutë. Disa nga këta objektiva bëhen më të vështirë në kushtet e performancës së ekonomisë në tremujorin e parë të vitit, dobësisë së kërkesës së jashtme dhe uljes së pritjeve për rritjen ekonomike përgjatë vitit. Në afat të parashikueshëm, presionet inflacioniste mund të vijojnë të mbeten të dobëta duke i dhënë më shumë mundësi autoritetit monetar për ruajtjen e kushteve monetare akomoduese. Sidoqoftë, shkalla e përfitimit të operatorëve ekonomikë në treg prej mundësisë së kushteve më të favorshme monetare do të varej nga gjendja e tyre financiare, si edhe nga sasia e kreditimit nga sektori bankar e niveli përkatës i normës së interesit.  

Rreziku i drejtpërdrejtë dhe ai i tërthortë i kreditit përfaqësojnë rreziqet kryesore për sektorin bankar. Ndonëse me ritme të ndryshme, cilësia e kredisë ka rënë për kredinë në lekë, për kredinë në valutë, për kredinë për sektorin e biznesit dhe për individët. Rënia e cilësisë së kredisë përfshin sektorët kryesorë të ekonomisë. Trajtimi i kredive me probleme në sektorin bankar, është i rëndësishëm për ritmin e dhënies së kredisë dhe kontributin e ardhshëm që mund të japë sektori bankar dhe sistemi financiar në zhvillimin ekonomik të vendit. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë nxit bashkëpunimin mes autoriteteve publike dhe sektorit bankar në vend, për të ndërmarrë masa që do të ofronin një zgjidhje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të këtij problemi. Disa nga këto veprime, janë përmendur si pjesë e deklaratës së stabilitetit financiar që çel këtë raport.

Sektori bankar paraqitet relativisht i mbrojtur ndaj rrezikut të drejtpërdrejtë prej lëvizjeve të pafavorshme në kursin e këmbimit dhe në normën e interesit, por ndjeshmëria është rritur. Pozicioni i hapur në valutë i sektorit bankar është brenda niveleve historike. Ndërkohë, vlerat e aktiveve dhe të detyrimeve të ndjeshme ndaj normës së interesit janë të krahasueshme me njëra-tjetrën. Megjithatë, sektori bankar paraqitet i ndjeshëm ndaj ndikimit që japin mbi klientët e tij lëvizjet në kursin e këmbimit dhe në normën e interesit. Një nënçmim i ndjeshëm i kursit të këmbimit ose një rritje e tillë e normës së interesit, mund të dëmtojë aftësinë paguese të klientëve të sektorit bankar, veçanërisht të sektorit të biznesit. Kanali kryesor i transmetimit të këtij rreziku përfaqësohet nga kredia në valutë kur burimi kryesor i shlyerjes së saj është në monedhën vendase, dhe nga kredia me normë të ndryshueshme të interesit.

Rreziku i likuiditetit për sektorin bankar, vlerësohet gjithashtu në nivele të moderuara. Si edhe më parë, depozitat përbëjnë burimin kryesor të financimit për sektorin bankar dhe ato janë rritur me ritme të mira. Huamarrja nga jorezidentët mbetet në nivele të kontrolluara. Aktivet likuide të sektorit, në lekë dhe në valutat kryesore, janë mbi nivelet minimale të kërkuara nga kuadri rregullativ.

Treguesit e kapitalizimit të veprimtarisë janë aktualisht në nivele të mira por bankat duhet të vlerësojnë me kujdes nevojat e tyre për kapital shtesë në të ardhmen. Gjatë periudhës, kontributin kryesor në këtë ecuri, e ka dhënë ngadalësimi i rritjes së aktiveve të ponderuara me koeficientët e rrezikut, si edhe rritja e moderuar e kapitalit. Pavarësisht arritjes së një rezultati financiar pozitiv, aftësia e sektorit bankar për të prodhuar të ardhura të mjaftueshme për të mbështetur rritjen e kapitalit dhe zhvillimin e veprimtarisë me burime të brendshme, është ende e paqëndrueshme. Nga ana tjetër, mbulimi me kapital i kredisë me probleme neto është ulur. Për këto arsye, vlerësimi i kujdesshëm dhe proaktiv i nevojave për kapital shtesë në përputhje me profilin e rrezikut të veprimtarisë, përfaqëson një domosdoshmëri për bankat.

Ushtrimi i provës së rezistencës mund t'iu shërbejë bankave si mjet për të mbështetur vlerësimin e nevojave të mundshme për kapital shtesë. Banka e Shqipërisë realizon rregullisht ushtrimet e provës së rezistencës, për të vlerësuar ndjeshmërinë e treguesve kryesorë të kapitalizimit të sektorit bankar ndaj lëvizjeve në treguesit makroekonomikë. Skenarët, bazë dhe të rrezikut, përfshijnë supozime lidhur me lëvizjet në normën e rritjes së PBB-së, në nivelin e kursit të këmbimit dhe të normës së interesit, si edhe në nivelin e kreditimit, dhe shtrihen për një periudhë dyvjeçare, deri në fund të vitit 2013. Rezultatet e ushtrimit tregojnë që në tërësi, sektori bankar paraqitet i qëndrueshëm në rast të realizimit të supozimeve për treguesit përkatës. Niveli i kapitalizimit për të gjithë sektorin mbetet mbi nivelin minimal të kërkuar në rastin e skenarit bazë. Në rastin e skenarëve më të rënduar që përfshijnë supozimet përkatëse për uljen e normës së rritjes së PBB-së, uljen e nivelit të kreditimit dhe nënçmimin e kursit të këmbimit, banka të veçanta mund të kenë nevojë për kapital shtesë.

Infrastruktura teknike që mbështet veprimtarinë e sektorit bankar, vlerësohet   të ketë funksionuar sipas parametrave të pritshëm. Sistemet e pagesave janë një pjesë e rëndësishme në strukturën e një sistemi financiar, duke qenë kanalet nëpërmjet të cilave mundësohet transferimi i fondeve ndërmjet bankave, institucioneve të tjera financiare dhe klientëve. Si rrjedhojë, operimi i tyre në mënyrë të qëndrueshme dhe eficiente kontribuon në mënyrë të rëndësishme në ruajtjen e stabilitetit financiar. Në këtë kuadër, vlerësohet që sistemet AIPS dhe AECH, infrastruktura bazë e pagesave në lekë, kanë operuar në përputhje me kërkesat që përcakton kuadri i tyre rregullativ dhe operacional. Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar të kryejë të gjitha përmirësimet e nevojshme në kuadrin rregullativ dhe infrastrukturën teknologjike mbështetëse, që ecuria e këtyre sistemeve t'i paraprijë nevojave të operatorëve për një veprimtari pagesash të sigurt dhe eficiente.