BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
E Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 15.06.2007

 

Banka e Shqipërisë, si autoriteti përgjegjës për zbatimin e ligjit "Për bankat në Republikën e Shqipërisë" nr. 9662, datë 18.12.2006, i cili ka hyrë në fuqi në datën 1 qershor 2007, në vijim të deklaratës të përbashkët me Ministrinë e Financave, informon publikun se:

Pranë Bankës së Shqipërisë është rritur ndjeshëm numri i individëve, të cilët kërkojnë të licencohen për të ushtruar veprimtarinë e këmbimit valutor, duke paraqitur dokumentacionin përkatës, për t'i licencuar nga Banka e Shqipërisë për këtë veprimtari.

Sqarojmë publikun, se Banka e Shqipërisë ka marrë të gjitha masat për të shqyrtuar brenda një kohe sa më të shkurtër aplikimet për licencë.

Në kushtet kur ushtrimi i veprimtarisë së këmbimit valutor pa licencë të lëshuar nga Banka e Shqipërisë, përbën krim dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3(tre) vjet, informojmë se për individët të cilët vazhdojnë të ushtrojnë këtë veprimtari pa licencën përkatëse, në bazë të pikës 3, neni 14, i ligjit "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", Banka e Shqipërisë do t'i kërkojë institucioneve kompetente marrjen e masave përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi, për ndalimin e ushtrimit të mëtejshëm të veprimtarisë të palicencuar.