Përgjigjja e Bankës së Shqipërisë ndaj COVID-19

Sot mbarë bota dhe Shqipëria po përballen me një situatë të pazakontë, një krizë shëndetësore të shkaktuar nga COVID-19, i cili i ka detyruar qeveritë të ndërmarrin masa ekstreme dhe të pezullojnë një sërë aktivitetesh në jetën publike. Të gjithë së bashku jemi angazhuar për ta përballuar me sukses këtë krizë, në mbrojtje të shëndetit tonë. Por në të njëjtën kohë, ne duhet të menaxhojmë edhe situatën ekonomike, e cila është ndikuar jo pak nga kjo krizë, për t’i ndihmuar agjentët ekonomikë t’u rezistojnë kushteve të vështira dhe për të krijuar mundësitë për një rifillim të mundshëm sa më të mirë.

Në këtë kuadër, masa të vazhdueshme janë marrë nga institucionet kryesore në vend, në bashkërendim me njëra-tjetrën, për të koordinuar sa më shumë përpjekjet e përbashkëta kundër armikut të padukshëm dhe dëmit që ai po shkakton në jetët tona.

Në përgjigje të kësaj situate, Banka e Shqipërisë ka marra masa të menjëhershme për të mbështetur ekonominë shqiptare të goditur nga pandemia e shkaktuar nga koronavirusi.

Masat e marra kanë synuar zbutjen e efekteve negative në mirëqenien e bizneseve dhe individëve, si dhe krijimin e premisave për një rimëkëmbje sa më të shpejtë të ekonomisë në periudhën vijuese.

Banka e Shqipërisë monitoron vazhdimisht situatën dhe mbetet e gatshme të përdorë të gjitha instrumentet operacionale dhe hapësirën rregullatore që disponon, për të minimizuar pasojat e pandemisë në ekonominë dhe sistemin financiar shqiptar në veçanti.

Objektivi i vendimmarrjes tonë do të jetë ruajtja e stabilitetit monetar dhe financiar të vendit, lehtësimi i kostove të krizës për bizneset dhe familjet shqiptare, si dhe kapërcimi i kësaj situate me sa më pak efekte negative që të mos ndikojë zhvillimin afatgjatë të vendit.

Në këtë drejtim, masat e marra nga Banka e Shqipërisë brenda fushës së saj të kompetencës mundësojnë dhe plotësojnë paketën fiskale të shpallur nga qeveria shqiptare, e cila synon të zhvendosë një pjesë të faturës financiare të përballimit të krizës nga sektori privat në sektorin publik.

Masat e marra në fushën e politikës monetare synojnë reduktimin e kostos së huamarrjes dhe financimin e vazhdueshëm të ekonomisë me kredi bankare. Plotësimi i këtyre parakushteve, i hap rrugë respektimit të objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm e të gjatë. 

  • Ulja e normës bazë të interesit

Më 25 mars 2020, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

  • të ulë normën bazë të interesit, nga 1.0% në 0.5%;
  • të ulë normën e interesit të kredisë njëditore, nga 1.9% në 0.9%;
  • të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 0.1%.

Ulja e normës bazë të interesit është një masë e nevojshme për reduktimin e kostos së huamarrjes së re, për reduktimin e kostos së shërbimit të borxhit ekzistues dhe për lehtësimin e qarkullimit të likuiditetit në bizneset dhe familjet shqiptare. Ajo ndihmon funksionimin sa më normal të mekanizmit të transmetimit të politikës monetare si dhe lehtëson presionin mbi bilancet financiare të operatorëve ekonomikë, duke iu dhënë atyre më shumë kohë, hapësirë dhe frymëmarrje për përballimin e goditjes.

  • Injektimi i likuiditetit

Në përforcim të politikës monetare lehtësuese të ndjekur deri tani, Banka e Shqipërisë duke filluar nga mesi i muajit mars, ka ndryshuar formën e ankandit për injektimin javor të likuiditetit nga ankand me shumë të kufizuar në ankand me çmim të fiksuar. Nëpërmjet këtij ndryshimi, i është krijuar hapësirë bankave tregtare që të marrin likuiditet pa limit nga Banka e Shqipërisë me koston e normës bazë të përcaktuar prej saj, e cila për momentin është në nivelin 0.5%. Në këtë mënyrë, Banka synon të mënjanojë stresin e sigurimit të likuiditetit jo vetëm në sistemin bankar, por në të gjithë operatorët e tregut, me qëllim që e gjithë ekonomia të ketë likuiditetin e mjaftueshëm për të funksionuar normalisht. Kjo masë së bashku me hapësirat e krijuara për uljen e mëtejshme të kostos së kredisë në treg u japin më shumë mundësi agjentëve ekonomikë për të përballuar vështirësitë e momentit.

Në funksion të plotësimit të synimit të mësipërm, Banka e Shqipërisë ka rritur gjithashtu edhe masën e injektimit të likuiditetit përtej periudhës 1-javore.

  • Kursi i këmbimit

Banka e Shqipërisë ka vijuar të monitorojë nga afër sjelljen e kursit të këmbimit në tregun e brendshëm valutor, me qëllim që të reagojë në kohë për të mënjanuar/minimizuar rastet kur operatorët e tregut kanë stres për të operuar në këtë treg. Thënë këtë, BSH gjen rastin të ritheksojë edhe njëherë që ajo ndjek një regjim të lirë të kursit të këmbimit, ku vlera e lekut kundrejt valutave të huaja përcaktohet lirisht nga kërkesa dhe oferta në valutë në tregun e brendshëm valutor.

Pa cenuar këtë politikë, Banka e Shqipërisë mund të kryejë veprime në tregun valutor me objektiv: shmangien e çrregullimeve të tregut të brendshëm valutor, përshtatjen e kursit të këmbimit me nivelin e përcaktuar nga faktorët bazë makroekonomikë, rritjen ose uljen e rezervës valutore.

Banka e Shqipërisë thekson se vlerësimet e vazhdueshme mbi shëndetin e ekonomisë dhe të sistemit bankar shqiptar vijojnë të mbeten të vlefshme. Më konkretisht:

  • Shqipëria gëzon shëndet të mirë ekonomik dhe financiar;
  • parametrat e funksionimit të ekonomisë dhe të sektorit bankar janë të shëndetshëm;
  • rezervat e likuiditetit dhe të kapitalit të sektorit bankar shqiptar janë të larta.

Megjithatë masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare me qëllim frenimin e përhapjes së virusit COVID-19, pritet të ndikojnë në vëllimin e aktivitetit të bizneseve dhe për pasojë edhe në uljen e gjenerimit të nivelit të të ardhurave. Si rrjedhojë, ngadalësimi i aktivitetit të njësive ekonomike mund të ndikojë në aftësinë paguese të këtyre subjekteve për periudhën në vijim.

  • Ndryshime rregullative

Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë ka miratuar disa ndryshime rregullative, të cilat u krijojnë lehtësi bankave, subjekteve financiare jobanka, si dhe shoqërive të kursim-kreditit dhe unioneve të tyre për periudhën mars - maj 2020, që në rastet kur evidentohen paaftësi paguese të kredimmarrrësve, këto subjekte të mos jenë të detyruara të zbatojnë kërkesat rregullative përkatëse, të lidhura kryesisht me klasifikimin dhe krijimin e fondeve për provigjione. Këto ndryshime nuk parashikojnë shpenzime buxhetore dhe as kosto shtesë për subjektet.

  • Udhëzim për bankat

Banka e Shqipërisë i udhëzoi bankat tregtare që operojnë në vend, mbi disa praktika të mira orientuese për një qasje të koordinuar të procesit, të tilla si: i) hartimi i procedurave të brendshme për këtë qëllim, të cilat duhet të jenë transparente dhe të përcjella qartësisht dhe me kujdes tek të gjitha funksionet dhe njësitë e bankës; ii) përdorimi i kanaleve elektronike të komunikimit, të tilla si posta elektronike apo platforma dixhitale, si mënyrë më efikase për adresimin e kërkesave të klientëve për shtyrjen e pagesave të kredisë; iii) udhëzimi i disa kritereve për vlerësimin e kërkesave të klientëve sipas llojit të klientit (individë dhe biznese), nevojën e dokumentimit etj.; iv) rekomandimi që subjektet të fokusohen në rastet e adresuara nëpërmjet një kërkese të vlefshme, dhe të tregojnë kujdes në trajtimin e të gjitha ekspozimeve problematike para hyrjes në fuqi të urdhrit; v) mënyra e llogaritjes së interesave, penaliteteve dhe të këstit për periudhën e shtyrë; vi) rekomandimi mbi dokumentimin gradual, edhe të marrëveshjeve të arritura me klientët, me qëllim shmangien e rrezikut ligjor dhe operacional; si dhe vii) udhëzimin që, përmes një kodi të veçantë, subjektet të bëjnë të dallueshme kreditë e miratuara me shtyrje të këstit, me qëllim raportimin e brendshëm dhe monitorimin e tyre, por edhe raportimin në Bankën e Shqipërisë, sipas kërkesave në të ardhmen.

  • Pezullimi i shpërndarjes së fitimit nga bankat

Banka e Shqipërisë ka pezulluar shpërndarjen e fitimit nga bankat deri në fund të muajit qershor 2020. Ky pezullim prek fitimin e mbartur nga periudhat e mëparshme, fitimin e realizuar në vitin 2019, si dhe fitimin që do të realizohet përgjatë gjashtëmujorit të parë 2020.

Kjo masë synon të sigurojë mbështetje për bankat, kryesisht nëpërmjet rritjes së aftësisë së tyre për të përthithur humbjet e mundshme dhe për të mbështetur kredidhënien për klientët individë dhe biznese gjatë kësaj periudhe.

  • Trajtimi i lehtësuar i ekspozimeve të bankave

Një masë tjetër e marrë nga Banka e Shqipërisë ka qenë edhe trajtimi i lehtësuar i ekspozimeve të bankave ndaj titujve të borxhit të qeverisë shqiptare në monedhë të huaj, për ato tituj që do të emetohen gjatë vitit 2020. Më konkretisht, ky lehtësim konsiston në ponderimin me 0% të investimeve të bankave në këta tituj për qëllime të llogaritjes së ekspozimeve të ponderuara me rrezik sipas rregullores së mjaftueshmërisë së kapitalit, dhe për përjashtimin/reduktimin e ekspozimit ndaj këtyre titujve, nga llogaritja e ekspozimit maksimal të lejueshëm, sipas rregullores së ekspozimeve të mëdha. Ky trajtim i lehtësuar do të jetë i vlefshëm deri në maturimin e këtyre titujve.

  • Masat e marra nga Banka e Shqipërisë për riskedulimin e kësteve të kredisë

Banka e Shqipërisë u ka krijuar lehtësi bankave dhe subjekteve financiare jobanka  për të shtyrë me 3 muaj pagesat e kësteve të kredive për klientët e tyre, për shkak të gjendjes së rënduar financiare të krijuar nga pandemia COVID-19.

  • Urdhri

Kështu, bazuar Urdhrin e Guvernatorit dhe Kryeministrit, bankat dhe institucionet e tjera financiare të sipërpërmendura mund të akomodojnë nevojat e klientëve për një riskedulim të kësteve të kredisë, duke mos i ngarkuar ata me penalitete apo me përkeqësim të statusit të kredimarrësit, meqenëse mospagimi i kredisë ka ardhur si pasojë e kushteve të vështira të këtyre ditëve dhe është jashtë kontrollit të tyre.

  • Udhëzimi për qytetarët dhe bizneset

Sipas udhëzimit të Bankës së Shqipërisë, për të bërë të mundur këtë nevojitet që, të gjithë ata kredimarrës, biznese dhe individë, të cilët preken ekonomikisht dhe financiarisht nga situata e krijuar dhe që dëshirojnë të përfitojnë nga kjo lehtësi e ofruar, të parashtrojnë kërkesën e tyre të argumentuar pranë institucionit financiar (bankë, jobankë, shoqëri kursim-krediti) me të cilin kanë marrëdhënien e kreditimit.

Më pas, do të jetë institucioni financiar (banka, jobanka, shoqëria e kursim-kredititi) i cili, në bashkëpunim me kredimarrësin, do të vlerësojë kërkesën dhe, bazuar në specifikat e rastit, do të ofrojë zgjidhjen përkatëse.

Ndërkohë, kredimarrësit, aftësia paguese e të cilëve nuk preket apo dëmtohet nga situata, duhet të vijojnë normalisht shlyerjen e detyrimeve të tyre me këto institucione.

Në dispozicion të qyetarëve dhe bizneseve është dhe adresa e përgjithshme e Bankës së Shqipërisë [email protected], të cilës mund t’i adresohen nëse nuk gjejnë mirëkuptim me subjektet ku kanë marrë kredinë, duke specifikuar emrin e bankës/subjektit me të cilin kanë një marrëdhënie kredie, vështirësitë financiare si pasojë e situatës së krijuar, dhe duke vënë në dispozicion korrespondencën e plotë me bankat/subjektet. Përveç kërkesave të zakonshme për informacion, Banka e Shqipërisë u ka kthyer përgjigje mbi 350 email-eve të qytetarëve lidhur me shqetësimet e tyre për riskedulimin e pagesave të kësteve të kredisë.

  • Heqja e përkohshme e komisioneve

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka vendosur heqjen përkohësisht të komisioneve të aplikuara nga bankat për transfertat e kreditit në lekë në formë jo letër nga klientët e tyre, si dhe të tarifave për pjesëmarrësit në sistemet e pagesave AIPS dhe AECH të operuara nga Banka e Shqipërisë, duke filluar nga data 10 prill 2020.

Ky vendim ka për qëllim mbështetjen e klientëve të bankave për vijimin e kryerjes së pagesave të tyre në kushtet e kufizimit të lëvizjes dhe gjithashtu minimizimit të rreziqeve nga grumbullimi i popullatës në degët e bankave. Më konkretisht, ky vendim synon ta bëjë më tërheqës përdorimin e shërbimeve bankare në distancë nëpërmjet eliminimit të kostove të këtij shërbimi.

  • Funksionimi normal i sistemit të pagesave

Banka e Shqipërisë ka garantuar funksionimin normal të sistemit të pagesave elektronike, duke lehtësuar qarkullimin e parasë në ekonomi midis përdoruesve të saj, pavarësisht vështirësive të krijuara. Brenda kufizimit orar të lëvizjes të vendosur nga autoritetet publike, të gjithë operatorët ekonomikë duhet të jenë të vetëdijshëm se sistemi i pagesave do të vazhdojë funksionimin e tij si zakonisht. 

  • Veprimet për bonot e thesarit

Aksesi në ndërtesat e Bankës së Shqipërisë është kufizuar ndjeshëm, si pasojë e masave të shtuara të higjienës publike. Shërbimi në sportelet e Bankës së Shqipërisë për bonot e thesarit në qendër dhe në degë ka vazhduar sipas orareve të përcaktuara të lejimit të lëvizjes dhe duke zbatuar masat maksimale të higjienës dhe të distancimit shoqëror.

  • Të tjera

Vizitat në Muzeun e Bankës së Shqipërisë dhe kryerja e praktikave mësimore për studentët janë pezulluar deri në një njoftim të dytë. Banka e Shqipërisë po punon për të krijuar një tur virtual të Muzeut të saj, për t’u dhënë mundësi vizitorëve të njihen me historinë e monedhës shqiptare dhe rrugëtimin e saj online.

  • Furnizimi normal me para fizike (cash)

Banka e Shqipërisë ka rritur kapacitetet operacionale për të garantuar furnizimin e pandërprerë të ekonomisë me monedhë dhe kartëmonedhë. Ajo ka marrë të gjitha vendimet e nevojshme dhe ka angazhuar strukturat e saj në plotësimin e kërkesave të tregut për para fizike, duke siguruar njëkohësisht një stok të mjaftueshëm me qëllim përballimin e nevojave në rritje të ekonomisë.

Deri në datën 23.4.2020, paraja në qarkullim është rritur me 6.4 miliardë lekë krahasuar me 31.3.2020 dhe me 9.6 miliardë lekë krahasuar me fundin e vitit 2019. Në muajin prill 2020, paraja në qarkullim krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është rritur me 5.7 miliardë lekë (6.4 miliardë kundrejt 0.7 miliardë) dhe nga fillimi i vitit është rritur me 9.4 miliardë lekë (9.6 miliardë kundrejt 0.2 miliardë në 2019).

Krahas sa më sipër, në plotësim të nevojave në perspektivë për para fizike, Banka e Shqipërisë po ndjek me prioritet procedurat për prodhimin e kartëmonedhave të serisë së re, prerjet 1000 Lekë dhe 10000 Lekë, të cilat do të hidhen në qarkullim gjatë vitit 2021.

  • Përpunimi i parasë fizike

Banka e Shqipërisë, në kuadrin e masave për parandalimin e përhapjes së virusit, ka vijuar procesin e përpunimit të parasë fizike në kushte të rritura higjiene dhe ambalazhimi në temperaturë të lartë. Procesi i përpunimit është i gjatë dhe merr kohë, çka vështirëson mbijetesën e virusit për një kohë të gjatë, ndërkohë që kartëmonedhat dhe monedhat rikthehen në qarkullim. Për më tepër, Banka e Shqipërisë ka riorganizuar procesin e përpunimit të cash-it, duke e shtyrë në kohë për të minimizuar mbijetesën e virusit në kartëmonedhat e pranuara nga bankat tregtare.

Megjithatë, ne rekomandojmë rritjen e higjienës personale gjatë përdorimit të kartëmonedhave, njësoj siç është përcaktuar në udhëzimet publike të shpërndara nga qeveria shqiptare.

  • Përhapja e virusit nëpërmjet kartëmonedhave

Në këtë moment, nuk ka asnjë paralajmërim të veçantë nga autoritetet botërore të shëndetësisë apo shoqatat ndërkombëtare të kartëmonedhave për transmetimin e virusit nëpërmjet kartëmonedhave.

Shoqata Ndërkombëtare e Kartëmonedhave në një letër zyrtare drejtuar Organizatës Botërore të Shëndetësisë thekson se deri tani nuk ka asnjë të dhënë që të tregojë se kartëmonedhat janë bartëse të veçanta të virusit më shumë se çdo sipërfaqe tjetër e prekshme.

Banka Qendrore Evropiane, në blogun e saj, informon publikun se kartëmonedhat nuk përfaqësojnë një rrezik të shtuar për infektim krahasuar me sipërfaqet e tjera me të cilat jemi në kontakt të përditshëm. Edhe, Banka e Qendrore e Gjermanisë në një deklaratë për shtyp thekson se probabiliteti i infektimit nga kartëmonedhat është më i ulët se nga çdo objekt tjetër që ne përdorim në jetën tonë të përditshme. Kartëmonedhat dhe monedhat nuk përbëjnë një rrezik të veçantë për infektimin e publikut.

Banka e Shqipërisë ka bashëpunuar ngushtë me të gjitha autoritetet kryesore në vend, aktorët e tregut dhe institucionet ndërkombëtare financiare për të kontribuar në hartimin e politikave më të përshtatshme për përballimin e situatës së krijuar në Shqipëri nga pandemia COVID-19.

  • Bashkëpunimi brenda vendit

Në zbatim të kuadrit ligjor, Banka e Shqipërisë ka rritur rolin e saj këshillues për qeverinë shqiptare, si për analizimin e ndikimit ekonomik dhe financiar të krizës, ashtu edhe për hartimin e politikave të nevojshme në këtë kohë.

Brenda kufijve të saj të kompetencës, ajo ka qenë mjaft aktive në gjithë diskutimet, forumet kombëtare dhe grupet e punës me Presidentin, Këshillin e Ministrave, Parlamentin, Komisionet Parlamentare dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, duke kontribuar në përgatitjen e një përgjigjeje sa më të shpejtë ndaj krizës dhe efekteve të pritshme të saj në nivel kombëtar.

  • Bashkëpunimi ndërkombëtar

Gjatë kësaj periudhe, Banka e Shqipërisë ka bashkëpunuar në mënyrë aktive edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komisionin Evropian dhe shumë institucione të tjera ndërkombëtare, duke diskutuar lidhur me këshillimin për hartimin e politikave, asistencën teknike dhe mbështetjen financiare për Shqipërinë.

Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha autoritetet dhe aktorët kryesorë të tregut, brenda dhe jashtë vendit për të hartuar dhe zbatuar politikat më të mira, që përkeqësimi i situatës ekonomike të jetë i përkohshëm dhe të mos ndikojë mirëqenien e qytetarëve në afat të gjatë.

Banka e Shqipërisë thekson se minimizimi i pasojave afatgjata të pandemisë kërkon përpjekje serioze, të koordinuara dhe të harmonizuara, nga të gjitha autoritetet publike dhe private në vend.

Për të informuar publikun mbi masat e marra prej saj për përballimin e situatës, drejtuesit e lartë të Bankës së Shqipërisë kanë dhënë intervista në media të ndryshme, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve dhe opinionit publik:

Vendimet e marra nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë dhe Administratorët e saj për përballimin e situatës janë publikuar në Buletinin Zyrtar:

  • Vijueshmëria e aktivitetit

Banka e Shqipërisë ka një kuadër të plotë dhe të përditësuar për menaxhimin e vijueshmërisë së aktivitetit në situata krize dhe emergjence. Këto plane janë testuar rregullisht për funksionalitetin e procedurave të vijueshmërisë dhe kjo ka bërë që Banka e Shqipërisë të jetë e përgatitur për një situatë emergjence.

Në përgjigje të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, Banka e Shqipërisë ka vënë në zbatim Politikën e saj për Menaxhimin e Vijueshmërisë së Veprimtarisë në Bankën e Shqipërisë, e cila është miratuar në vitin 2019 nga Këshilli Mbikëqyrës.

Shqetësimi kryesor i Bankës së Shqipërisë në rast krize/emergjence është siguria dhe mirëqenia e punonjësve, bashkëpunëtorëve dhe individëve të tjerë; shmangia e dëmtimeve të objekteve, humbjeve të pasurisë apo të të dhënave; minimizimi i efekteve të ngjarjes dhe sigurimi i vazhdimësisë së proceseve kritike në kohën e duhur; minimizimi i humbjeve financiare; rivendosja e veprimtarisë normale të aktivitetit të Bankës sa më shpejt që të jetë e mundur.

Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një sërë masash të nevojshme në përputhje me vendimet e Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë për përballimin e situatës së krijuar nga përhapja e koronavirusit në Shqipëri, të cilat synojnë ruajtjen e shëndetit të punonjësve dhe njëkohësisht kryerjen e funksioneve kryesore të saj, si autoriteti qendror monetar, në mbështetje të ekonomisë së vendit.

  • Komunikimi dhe puna në distancë

Aktualisht, Banka e Shqipërisë punon me staf të reduktuar në ambientet fizike të saj dhe staf të plotë në kushtet e punës nga shtëpia. Ajo ka vënë në zbatim protokollet për komunikimin dhe punën në distancë të punonjësve në mënyrë të sigurt dhe eficiente, të cilat i ndihmojnë ata të kontribuojnë me ekspertizën dhe profesionalizmin e tyre në vendimmarjen e Bankës së Shqipërisë, pavarësisht pengesave fizike. Të gjitha aktivitetet kryesore të Bankës së Shqipërisë kanë vijuar normalisht, pa asnjë ndërprerje, duke i dhënë mundësi asaj të vazhdojë të jetë një institucion i përgjegjshëm dhe i aftë ta përballojë këtë situatë në mënyrë të suksesshme, në të mirë të shëndetit publik dhe mirëqenies sociale.

Edhe në këto ditë të vështira, Banka e Shqipërisë ka treguar angazhimin maksimal në shërbim të vendit: ka garantuar qarkullimin e kartëmonedhave dhe funksionimin normal të sistemit të pagesave, ka mbikëqyrur sistemin financiar dhe i është përgjigjur gjithë kërkesave të bankave dhe ndërmjetësuesve të tjerë financiarë, ka ndërhyrë në tregje për të siguruar transmetimin e politikës monetare, ka mbështetur aktivisht me të dhëna dhe analiza gjithë institucionet kryesore në vend duke ndihmuar në formëzimin e politikave kombëtare.