Projekte të financuara me fondet e IPA të BE-së në Bankën e Shqipërisë

Në vitin 2014, Shqipërisë iu dha statusi i vendit kandidat si rezultat i përpjekjeve për reforma në Shqipëri gjatë viteve të fundit dhe njohjes nga ana e Bashkimit Evropian (BE) të progresit të bërë deri në atë kohë. Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol të qenësishëm në këtë proces nëpërmjet kontributit të saj në arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit makroekonomik.  Bashkimi Evropian vazhdon të punojë ngushtë me institucionet shqiptare për të mbështetur reformat dhe përgatitur vendin për hapat e mëtejshëm që duhen hedhur në procesin  e integrimit të vendit.  Lidhur me këtë, Banka e Shqipërisë është mbështetur nga Komisioni Evropian (KE), Banka Qendrore Evropiane (BQE) dhe Sistemi Evropian i Bankave Qendrore (SEBQ) për të arritur objektivat e saj drejt integrimit evropian. 

21 shtator 2022 – Banka Qendrore e Gjermanisë dhe Komisioni Evropian nisën programin vijues të financuar nga BE për të mbështetur më tej bankat qendrore dhe agjencitë e mbikëqyrjes bankare në vendet kandidate të BE-së dhe kandidatët potencialë të Ballkanit Perëndimor.

 

Banka Qendrore e Gjermanisë, së bashku me 19 banka qendrore kombëtare të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore (ESCB) dhe Bankës Qendrore Evropiane (BQE), kanë nisur sot një program të financuar nga BE-ja nga i cili do të përfitojë Banka e Shqipërisë, Banka Qendrore e Bosnje dhe Hercegovinës, Agjencia Bankare e Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Agjencia Bankare e Republikës së Serbisë, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, Banka Qendrore e Malit të Zi, Banka Kombëtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Banka Kombëtare e Serbisë. Ky program synon forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të institucioneve përfituese, kryesisht përmes përmirësimit të mëtejshëm të instrumenteve të tyre analitike dhe politike, nëpërmjet përvetësimit të standardeve më të mira ndërkombëtare dhe evropiane në praktikat kombëtare.  Programi mbështetet nga Bashkimi Evropian (BE) nëpërmjet Instrumentit të tij për Asistencën e Para-Anëtarësimit (IPA III).

Në aktivitetin inaugurimit të mbajtur sot në Banca d'Italia (Banka e Italisë), Zëvendës Guvernatori i Lartë Luigi Federico Signorini rikonfirmoi rëndësinë e bashkëpunimit teknik ndërkombëtar si një instrument për dialog institucional, duke kontribuar në ndërtimin e prosperitetit dhe paqes.  Rëndësia strategjike e këtij projekti në kuadrin më të gjerë të anëtarësimit në BE, theksohet nga qëllimi dhe shtirja e programit dhe është veçanërisht e rëndësishme në rrethanat aktuale të sfidave të shpërndara gjeopolitike, ekonomike dhe financiare.

Z. Florian Hauser nga Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Evropian për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit nënvizoi se “programi jep një kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e qeverisjes ekonomike dhe përmirësimin e kuadrit institucional në Ballkanin Perëndimor. Ai mbështet përgatitjen e bankave qendrore të Ballkanit Perëndimor për integrimin e tyre në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore.” Znj. Alexandra Hachmeister, Drejtoreshë e Përgjithshme në Bankën Qendrore të Gjermanisë, theksoi rëndësinë e arritjes së rezultateve të qëndrueshme dhe rëndësinë e ndërtimit të marrëdhënieve.

Gjatë 36 muajve të ardhshëm, Banka qendrore e Gjermanisë, së bashku me bankat qendrore partnere dhe me kontributet e BQE-së, do të organizojë një program intensiv trajnimi rajonal mbi çështjet kryesore të bankingut qendror dhe mbikëqyrjes. Trajnimi do të fokusohet veçanërisht në fushat e luftimit të pastrimit të parave, mbikëqyrjes bankare, stabilitetit financiar, mbrojtjes së konsumatorëve financiar dhe përfshirjes financiare, ndërhyrjes bankare, komunikimit, tregjeve financiare, teknologjisë së informacionit, kërkimit të politikës monetare, sistemeve të pagesave, statistikave, integrimit në BE, politikave të qeverisjes, kontabilitetit dhe auditimit të brendshëm. Gjithashtu, do të zhvillohen tri workshop-e në nivel vendimmarrësish mbi sistemet e pagesave, menaxhimin e parasë dhe qeverisjen e bankave. Për më tepër, programi do të mbështesë zbatimin e masave specifike dypalëshe, sikundër dhe event-trajnimet rajonale.

Programi po zbatohet nga Banka Qendrore e Gjermanisë si koordinator në partneritet me Bankën Qendrore të Belgjikës, Bankën Kombëtare të Bullgarisë, Bankën Kombëtare të Çekisë, Bankën e Greqisë, Bankën e Spanjës, Bankën e Francës, Bankën Kombëtare të Kroacisë, Bankën Qendrore të Irlandës, Bankën e Italisë, Bankën e Lituanisë, Bankën Qendrore të Luksemburgut, Bankën Kombëtare të Hungarisë, Bankën e Holandës, Bankën Kombëtare të Austrisë, Bankën Kombëtare të Polonisë, Bankën e Portugalisë, Bankën Kombëtare të Rumanisë, Bankën e Sllovakisë dhe Bankën Kombëtare të Sllovenisë. Banka Qendrore Evropiane do të kontribuojë në zbatimin e projektit.

Masa dypalëshe ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Kombëtare të Rumanisë

Në vijim të zbatimit të Programit të financuar nga BE për forcimin e kapaciteteve të bankave qendrore në Ballkanin Perëndimor, me fokus integrimin në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore” Faza II, Departamenti i Burimeve Njerëzore në Bankën e Shqipërisë (Bsh) ka mirëpritur misionin e ekspertëve  nga Banka Kombëtare e Rumanisë, kryesuar nga Drejtori i Departamentit të Burimeve Njerëzore, z. Mugur Tolici. 

Masat dypalëshe (BM) në fushën e burimeve njerëzore janë përqendruar në studimin e praktikave më të mira evropiane dhe materializimin e tyre në politikat trajnuese të Bankës së Shqipërisë. Misioni i ekspertëve u organizua pas kryerjes së vizitave studimore të përfaqësuesve të Bsh-së në Bukuresht gjatë periudhës se verës.

Ky takim do të përmbyllet me një tjetër mision ekspertësh i cili është planifikuar të zhvillohet në nëntor të vitit 2024. 

Më në detaje, ky takim dypalësh synon:

  • Identifikimin e boshllëqeve midis situatës aktuale dhe aftësive të nevojshme që punonjësit duhet të kenë në mënyrë që të arrijnë potencialin më të lartë gjatë punës së tyre në Bankë;
  • Hartimin e planeve dhe trajnimeve për punonjësit e rinj;
  • Organizimin e intershipeve të përshtatura për studentët në mënyre që këta të fundit të mund zbatojnë praktikat më të mira.

1. Mars 2019: Programi “Forcimi i kapaciteteve të bankave qendrore të vendeve kandidate dhe kandidatëve të mundshëm për anëtarë të BE-së nga Ballkani Perëndimor”, është projekt i financuar nga BE-ja për bankat qendrore dhe institucionet e mbikëqyrjes bankare në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor. Banka e Shqipërisë, Banka Qendrore e Bosnje dhe Hercegovinës, Agjencia Bankare e Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, Agjencia Bankare e Republikës së Serbisë, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, Banka Qendrore e Malit të Zi, Banka Kombëtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Banka Kombëtare e Serbisë. Ky program synon forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të institucioneve përfituese, kryesisht përmes përmirësimit të mëtejshëm të instrumenteve të tyre analitike dhe politike, nëpërmjet përvetësimit të standardeve më të mira ndërkombëtare dhe evropiane në praktikat kombëtare.

Banka Qendrore e Gjermanisë (Deutsche Bundesbank), së bashku me 17 bankat qendrore kombëtare dhe me mbështetjen e Bankës Qendrore Evropiane, organizoi një program intensiv trajnimi rajonal për çështjet kryesore të banking-ut qendror dhe mbikëqyrjes, i cili konsistoi në 20 aktivitete trajnuese, me kapacitet deri në 360 vende për trajnim. Pjesa e mbetur e aktiviteteve trajnuese do të përqendrohet veçanërisht në fushat e mbikëqyrjes bankare, stabilitetit financiar, mbrojtjes së konsumatorit dhe përfshirjes financiare, rimëkëmbjes së bankave, politikës monetare, sistemeve të pagesave, statistikave, përputhshmërisë dhe integrimit në BE, politikave të qeverisjes, si dhe kontabilitetit e auditimit të brendshëm, të cilat do të ofrohen nga ekspertët e bankave qendrore kombëtare të SEBQ-së dhe BQE-së. Gjithashtu, do të zhvillohen 2 ëorkshop-e në nivel politikë-bërësish për punonjës të nivelit drejtues të angazhuar në trajtimin e kredive me probleme dhe qeverisjen e bankave.  E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, përveç aktiviteteve rajonale trajnuese, programi do të financojë edhe disa masa specifike dypalëshe që do të përcaktohen në takimet e mëtejshme të Komitetit Drejtues të Programit.

Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e Covid-19, projekti fillimisht u pezullua për të vijuar sërish punën në formatin online.

Link:  https://www.bundesbank.de/en/press/press-releases/eu-supp

2. 2019: Projekti i Binjakëzimit “Forcimi i kapaciteteve të Bankës së Shqipërisë në kuadër të përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian” financuar nga IPA 2015.

Projekti filloi zbatimin e tij në muajin tetor 2019 dhe përfundoi në muajin janar 2021. Ky projekt u drejtua nga Banka e Italisë (Banca d’Italia), në bashkëpunim me Bankën e Gjermanisë (Deutsche Bundesbank) si partner mbështetës, si dhe me kontributin e Bankës Kombëtare të Rumanisë (Banca Naţională a României ) dhe  Bankës së Francës  (Banque de France).

Objektivi i përgjithshëm i këtij projekti ishte ofrimi i mbështetjes për Bankën e Shqipërisë në kuadër të forcimit të stabilitetit makroekonomik dhe financiar, auditimit, mbikëqyrjes dhe sistemeve të pagesave në përgatitjet e saj për anëtarësimin në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore dhe më pas në eurosistem. 

Projekti përbëhej nga këto në nën-komponentë të cilët kishin këtë qëllim:

Nën-komponenti 1.1 Rregulli bankar: mbështetjen e Bankës së Shqipërisë në zhvillimin e akteve të reja nënligjore për zbatimin e standardeve dhe udhëzimeve më të fundit të Komitetit të Bazelit për Mbikëqyrjen Bankare (BCBS) - ndër të cilat një rol kyç kanë standardet e Bazel III - në përputhje me aktet evropiane për zbatimin e këtyre standardeve dhe udhëzimeve në BE;

Nën-komponenti 1.2 Stabiliteti Financiar: mbështetjen e Bankës së Shqipërisë në vlerësimin e përputhshmërisë me rregullat dhe kuadrin  makroprudencial të BE-së, me fokus të veçantë në nevojën për përafrimin me rekomandimet e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore.  Është e nevojshme të hartohet një politikë e re.

Nën-komponenti 2.1 Politika monetare: Objektivi kryesor i nën-komponentit të politikës monetare në programin e binjakëzimit, ishte përmirësimi i Raportin Tremujor të Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë në lidhje me efektivitetin e komunikimit të qëndrimit të politikës monetare te publiku;

Nën-Komponenti 2.2 Statistikat: Një manual i ri që ka për qëllim përafrimin e statistikave monetare dhe llogarive financiare të Bankës së Shqipërisë me standardet e BQE-së;

Nën-komponenti 3 Auditimi i brendshëm:forcimin e funksioneve të aftësisë audituese në përputhje me kuadrin evropian dhe praktikat më të mira ndërkombëtare;

Nën- komponenti 4.1 Sistemet e Pagesave: mbështetjen e Bankës së Shqipërisë në zhvillimin e akteve nënligjore të kërkuar për të plotësuar zbatimin e Direktivës së Bashkimit Evropian për Llogarinë e Pagesave, e cila përmban rregulla të reja për forcimin e mbrojtjes së konsumatorit dhe krahasimin e kostove të llogarive të pagesave për klientët;

Nën- komponenti 4.2 Sistemet e Pagesave: mbështetjen e Bankës së Shqipërisë në përcaktimin e: (i) një kuadri të politikës së mbikëqyrjes në koherencë me përqasjen e eurosistemit; dhe (ii) një tërësi rekomandimesh për sigurinë e pagesave që kryhen nëpërmjet internetit në përputhje me Securepay Forume (Forumi për Pagesat e  Sigurta) dhe rregulloret e Autoriteti Bankar Evropian (EBA);

Nën- komponenti 4.3 Sistemet e Pagesave: zhvillimin e një analize të hendekut të ndjekur nga një hartë gjurmimi për sistemin Target 2 të BQE-së (ECB Target 2 sytem);

Nën-komponenti 5.1 Burimet Njerëzore: zhvillimin e udhëzime të reja për përafrimin me standardet e BQE-së në lidhje me proceset e rekrutimit, rekrutimin e aplikantëve nga jashtë dhe kushtet e punësimit të stafit.

Nën-komponenti 5.2 Integrimi Evropian: përgatitjen e strukturës dhe fondamentet për një hartë gjurmimi për të përcaktuar rolin dhe sfidat e Zyrës së Integrimit Evropian, në mënyrë që të mund të udhëheqin zhvillimin e një rezultati të suksesshëm.

Gjatë fazës së parë të Projektit të Binjakëzimit ka pasur një aktivitet intensiv ndërmjet ekspertëve të vendeve anëtare dhe vendit përfitues për rregullimet dhe kalibrimin e programit të Projektit të Binjakëzimit. Deri në shkurt 2020 të gjitha veprimtaritë vijuan rregullisht në mënyrë frytdhënëse.

Megjithatë, në tremujorin e dytë, projekti i binjakëzimit u ndërpre nga shpërthimi i pandemisë COVID-19.  Për shkak të kësaj situate, më 1 korrik 2020, projekti rinisi në distancë, nëpërmjet video-konferencave. Të gjithë produktet, rezultatet e pritshme dhe treguesit e performancës të përcaktuara në Kontratën e Grantit dhe në planin fillestar të punës u arritën me sukses, pavarësisht nga vështirësitë për shkak të tërmetit që goditi Shqipërinë në fillim të projektit të Binjakëzimit dhe shpërthimit të pandemisë Covid-19.Më 18 janar 2021, u zhvillua ceremonia virtuale e përfundimit të Projektit të Binjakëzimit.

Link: https://www.bancaditalia.it/pubblicazioni/neësletter-cooperazione/2020-newsletter-cooperazione/newsletter_special_edition_Albania.pdf?language_id=1

3. 2014 Projekti “Analiza e Nevojave të Bankës së Shqipërisë” nën drejtimin e Bankës Qendrore Evropiane, në partneritet me 11 banka qendrore të Bashkimit Evropian. 

Ky projekt u zbatua brenda kontekstit të gjerë të “ Bashkëpunimi Teknik me bankat qendrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të përgatitur bankat e  tyre qendrore për anëtarësimin dhe Sistemin Evropian të Bankave Qendrore (SEBQ)” të programit të bashkëpunimit të ECB-së. Përfituese ishin bankat qendrore të vendeve kandidate dhe kandidatë potencialë në BE- të këtij rajoni. 

Projekti për Bankën e Shqipërisë  u financua nëpërmjet fondeve të Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit 2013. Qëllimi i këtij Projekti ishte forcimi i kapaciteteve institucionale, nëpërmjet identifikimit të kritereve ligjore dhe organizative, si dhe burimeve të nevojshme për përafrimin me kuadrin standard institucional dhe operacional të BQE-së, në lidhje me integrimin e Shqipërisë në BE, dhe rrjedhimisht atë të Bankës së Shqipërisë në SEBQ-së. 

Projekti me BQE-në dhe bankat qendrore partnere u zbatua në tre faza dhe u fokusua në 14 funksione të Bankës së Shqipërisë:  financë/kontabilitet; stabiliteti financiar; integrimi evropian; komunikimi; burimet njerëzore; auditimi i brendshëm; kartëmonedhat; fusha juridike; operacionet monetare; politika monetare; sistemet e pagesave; statistikat; mbikëqyrja bankare; teknologjia e informacionit.  

Ceremonia zyrtare e përfundimit të Projektit të Binjakëzimit u mbajt në Tiranë më 16 korrik 2012, në prani të përfaqësuesve të qeverisë shqiptare dhe të sistemit financiar.  Ceremonia ofroi mundësinë për të treguar kontributin e këtij Projekti në forcimin e metodologjive dhe praktikave të punës së Bankës së Shqipërisë.  

Në fazën e parë, u identifikuan objektivat operacionalë që shërbejnë si standarde për fazat e tjera, duke reflektuar standardet/kërkesat minimale që Banka e Shqipërisë duhet të përmbushë sipas procesit të anëtarësimit në BE. Në fazën e dytë, pas përcaktimit dhe dakordësisë për standardet, ekspertët nga bankat qendrore të BE-së, zhvilluan misione në Bankën e Shqipërisë, takime me ekspertë dhe drejtues të çdo fushe për të vlerësuar situatën aktuale të Bankës së Shqipërisë në secilën prej 13 fushave të Projektit.  Gjatë fazës së tretë dhe asaj përfundimtare, u vlerësua hendeku midis kuadrit aktual të Bankës së Shqipërisë the objektivave operacionalë të standardit.  Në raportin përfundimtar, ekspertët theksuan se Banka e Shqipërisë ka bërë progres të konsiderueshëm në zbatimin e detyrave.

Në përgjithësi, analiza vë në dukje se Banka e Shqipërisë është një institucion profesional, i përqendruar në mënyrë strategjike, transparente dhe me kapacitete të mira teknike.  Shumë rregullore dhe praktika të Bankës së Shqipërisë janë në përputhje me standardet evropiane.  Ndërsa raporti përqendrohet në rregulloret dhe procedurat që ende duhet të përafrohen me kuadrin e Bashkimit Evropian, ai thekson se ekspertët e Bankës Qendrore Evropiane vlerësojnë arritjet e Bankës së Shqipërisë në lidhje me procesin e integrimit në BE.

Link: https://www.ecb.europa.eu/press/key/date/2014/html/sp140417.en.html 

4. 2010 -2012  Programi i Binjakëzimit “Forcimi i kapacitetit institucional të Bankës Qendrore të Shqipërisë, veçanërisht në fushat e mbikëqyrjes bankare, statistikave, sistemeve të pagesave dhe zbatimit të politikës monetare” 

Ky projekt i financuar nga Komisioni Evropian, për herë të parë nëpërmjet Instrumentit të fondeve të para-anëtarësimit,  u drejtua nga Banka e Italisë në bashkëpunim me Bankën e Francës. Të tria bankat qendrore u përfshinë në këtë projekt për 20 muaj.  Së pari, u krye një analizë e hendekut për procedurat operuese të Bankës së Shqipërisë  - duke i krahasuar ato me praktikat më të mira të eurosistemit- dhe u identifikuan e u dakordësuan veprime korrigjuese me qëllim sjelljen e funksioneve strukturore të Bankës së Shqipërisë më pranë standardeve të BE-së.

Sektorët ku u ndërhy ishin: mbikëqyrja bankare, kultura financiare, statistikat, sistemet e pagesave, tregu ndër-bankar i parasë dhe procesi i integrimit në BE. Më pas, në bazë të rezultateve të analizës së hendekut, u organizuan një sërë aktivitete të asistencës teknike, si workshop-e, seminare, konferenca dhe aktivitete trajnuese e praktike, së bashku me vizita studimore në Bankën e Italisë dhe në Bankën e Francës. 

Projekti i Binjakëzimit u zgjat me dy muaj përtej 18 muajve të parashikuar në fillim; gjatë periudhës së zgjatjes, duke nisur nga rezultatet e arritura nga Binjakëzimi, u përcaktuan udhëzime për zhvillimet e  ardhshme në secilin sektor dhe veprime që i mundësojnë Bankës së Shqipërisë të përafrohet më shumë me standardet e BE-së.