BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Artikull nga Guvernatori Sejko për Revistën “BusinessMag”
Data e publikimit: 29.12.2025
>
1.Çfarë do të thotë për ju personalisht dhe institucionalisht të drejtoni Bankën e Shqipërisë në vitin e 100-vjetorit të saj? Cilat kanë qenë tre momentet më përcaktuese në historinë një-shekullore të Bankës së Shqipërisë që sot vazhdojnë të ndikojnë politikën monetare?
Të drejtoj Bankën e Shqipërisë në vitin e 100-vjetorit është një privilegj i jashtëzakonshëm dhe një përgjegjësi e veçantë. Ky institucion ka qenë një shtyllë e stabilitetit ekonomik të vendit dhe një nga institucionet që ka mbajtur peshën më të madhe të transformimeve të shtetit shqiptar gjatë një shekulli. Për mua personalisht, ky vit përfaqëson një moment reflektimi, por edhe ambicie. Reflektimi lidhet me punën e brezave të bankierëve që ndërtuan një institucion të besueshëm; ambicia qëndron te detyrimi që kemi për ta çuar më tej këtë standard.
Në historinë e Bankës së Shqipërisë, ka disa momente kyçe që vazhdojnë të formësojnë filozofinë tonë operacionale. Krijimi i institucionit më 1925 shënoi themelimin e një banke kombëtare me instrumente për emetimin e monedhës dhe kreditimin e ekonomisë. Ajo periudhë i dha vendit për herë të parë një autoritet monetar dhe krijoi bazën e kulturës së stabilitetit që ne mbrojmë edhe sot.
Pas viteve ’90, Shqipëria kaloi nga një ekonomi e centralizuar në një ekonomi të tregut. Reforma e thellë institucionale, transformimi në Bankën e Shqipërisë dhe vendosja e objektivit të stabilitetit të çmimeve ishin vendimtare për të ardhmen. Ky ishte momenti kur institucioni rivendosi misionin e tij si bankë qendrore moderne dhe orientimin drejt standardeve të ekonomive të zhvilluara.
2. Me integrimin evropian në fokus (i cili shpresojmë të jetë sa më pranë), sa afër dhe larg është Shqipëria me përputhjen e praktikave të saj monetare dhe mbikëqyrëse me standardet e familjes europiane?
Shqipëria është sot më afër se kurrë më parë me standardet e Bashkimit Evropian në fushën e politikës monetare, stabilitetit financiar, mbikëqyrjes dhe pagesave. Në shumë aspekte, ne tashmë funksionojmë sipas praktikave të Eurosistemit dhe të Bankës Qendrore Evropiane.
Ne zbatojmë një regjim modern të shënjestrimit të inflacionit, me instrumente bashkëkohore dhe vendimmarrje transparente e të parashikueshme, ndërsa praktikat e raportimit dhe auditimit janë të përafruara me kërkesat e BE-së. Një hap kyç integrues është pjesëmarrja e Shqipërisë në SEPA, e cila e afron infrastrukturën tonë të pagesave me atë të eurozonës, ul kostot dhe kohën e transfertave në euro dhe u ofron qytetarëve e bizneseve pagesa më të shpejta, më të lira dhe më të sigurta.
Nga ana mbikëqyrëse, kemi avancuar në përafrimin me kuadrin rregullator evropian dhe në bashkëpunimin me autoritetet mbikëqyrëse të BE-së. Një element i rëndësishëm është puna për njohjen e ekuivalencës së kuadrit tonë rregullator e mbikëqyrës me atë të BE-së. Në vitin 2022, sipas metodologjisë së re të Autoriteti Evropian Bankar, kryem një vetëvlerësim që tregoi rreth 90% konvergjencë me standardet evropiane dhe, në vijim, paraqitëm kërkesën zyrtare për vlerësimin e ekuivalencës së Shqipërisë. Përfundimi i këtij procesi pritet të ulë kostot rregullatore për grupet bankare evropiane dhe të krijojë hapësira të reja për zgjerimin e kreditimit dhe zhvillimin e tregjeve financiare në vend.
Sigurisht, mbetet ende punë për të forcuar më tej pavarësinë institucionale, mbrojtjen e konsumatorit financiar dhe mekanizmat e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, por drejtimi është i qartë dhe Banka e Shqipërisë është ndër institucionet më të përgatitura për integrimin evropian.
3. Në një kohë kur bizneset e vogla dhe të mesme mbajnë peshën kryesore të ekonomisë, si mund të rishikohen politikat monetare dhe mbikëqyrja bankare për t’u krijuar atyre një terren më të favorshëm? Në 100-vjetorin e Bankës së Shqipërisë, si e definoni sot rolin e bankës qendrore në nxitjen e sipërmarrjes, zhvillimin e sektorit privat dhe zgjerimin e ekonomisë reale?
Roli i Bankës së Shqipërisë në mbështetjen e ekonomisë reale dhe sipërmarrjes nuk është i drejtpërdrejtë, por është thelbësor. Mbi të gjitha, stabiliteti monetar dhe financiar është kushti kryesor që bizneset të rriten, të investojnë dhe të marrin vendime afatgjata.
Politika monetare e ka mbajtur mjedisin financiar të qëndrueshëm, normat e interesit relativisht të ulëta dhe qarkullimin e likuiditetit të mjaftueshëm. Kjo ka ndikuar në uljen e kostos së financimit për bizneset e vogla dhe të mesme. Po ashtu, përmes mbikëqyrjes bankare, kemi shtyrë bankat drejt një orientimi më aktiv për kreditimin e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme për sektorët me potencial rritjeje.
Në 100-vjetorin e saj, Banka e Shqipërisë e shikon veten si një ankorë zhvillimi: që ofron stabilitet, siguri, parashikueshmëri dhe krijon një ekosistem financiar ku sipërmarrja private mund të lulëzojë. Një ekonomi e fortë private është çelësi i rritjes së qëndrueshme, dhe ne kemi qenë një katalizator i rëndësishëm në këtë drejtim.
4. Startup-et dhe inovacioni, si ekonomia e së ardhmes… po kërkojnë forma të reja mbështetjeje. A po shqyrton Banka e Shqipërisë mekanizma të rinj financimi, si garanci për startup-e, fonde inovacioni apo skema kapitali të rrezikut për të fuqizuar iniciativat private?
Roli i një banke qendrore nuk është të krijojë fonde inovacioni apo të ofrojë garanci kreditimi, por ne luajmë një rol kyç në krijimin e kushteve që ekosistemi i inovacionit të zhvillohet shëndetshëm. Kjo përfshin:
- sigurimin e stabilitetit makroekonomik;
- zhvillimin e infrastrukturës moderne të pagesave;
- nxitjen e digjitalizimit financiar;
- promovimin e konkurrencës dhe inovacionit në sektorin bankar.
Ne e shohim inovacionin si motor të rritjes së ekonomisë së së ardhmes, dhe ky është një dimension që do të marrë gjithnjë e më shumë vëmendje në veprimtarinë tonë analitike dhe rregullatore. Banka e Shqipërisë është e gatshme të ofrojë ekspertizë teknike, të sugjerojë praktika të mira ndërkombëtare dhe të mbështesë orientimin e sektorit bankar drejt financimit të sipërmarrjeve të reja me potencial.
5. Financat e gjelbra po kthehen në standard global. Cilat janë prioritetet tuaja për t’i shtyrë bankat drejt praktikave të qëndrueshme dhe integrimit të kritereve ESG në operacionet e tyre?
Financat e gjelbra nuk janë më një temë “shtesë”, por po bëhen pjesë qendrore e mënyrës se si konceptohet stabiliteti financiar. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë ka miratuar një Strategji të Gjelbër 2023–2025, e cila synon identifikimin dhe menaxhimin e rreziqeve financiare të lidhura me klimën dhe orientimin e sistemit bankar drejt tranzicionit të gjelbër.
Përkthimi i strategjisë së gjelbër në veprim konkret nënkupton që bankat tashmë adresojnë rrezikun klimatik në menaxhimin e riskut dhe politikat e kreditimit, avancojnë transparencën dhe standardet ESG, si dhe inkurajimin e produkteve të gjelbra të kreditimit. Fokusimi është te integrimi i kritereve të qarta për klimën dhe qëndrueshmërinë brenda praktikave të tyre të përditshme, duke forcuar lidhjen midis stabilitetit financiar dhe zhvillimit të gjelbër.
Në këtë kuadër, po udhëheqim hartimin e Taksonomisë së Gjelbër, si garanci për një kornizë të qartë e të krahasueshme, si dhe kemi nisur procesin e hartimit të Strategjisë së Dytë të Gjelbër për periudhën 2026–2028 në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Këto zhvillime konsolidojnë harmonizimin e sistemit bankar me standardet evropiane dhe globale, duke garantuar një sektor financiar më të qëndrueshëm, inovativ dhe rezistent.
6. Sa i gatshëm është sistemi bankar shqiptar për të financuar projekte të energjisë së pastër dhe investime të tjera që lidhen me tranzicionin drejt ekonomisë së gjelbër?
Sistemi bankar është likuid, i mirëkapitalizuar dhe me interes gjithnjë e më të madh për financimin e sektorit të gjelbër. Po shohim rritje të kërkesës së bizneseve për projekte energjie të rinovueshme, për eficiencë energjetike dhe investime të qëndrueshme, si në ndërtim, bujqësi, turizëm apo transport.
Bankat kanë filluar të krijojnë njësi të dedikuara për financimin e gjelbër dhe të integrojnë analiza të rrezikut klimatik në strukturat e tyre të brendshme. Një pjesë e tyre aplikojnë standarde të avancuara të Bashkimit Evropian, sidomos bankat me kapital të huaj që sjellin praktikat e grupit.
Sfida kryesore mbetet zhvillimi i projekteve cilësore, me fizibilitet të qartë teknik dhe ekonomik. Në këtë drejtim, bashkëpunimi ndërinstitucional është vendimtar. Por në përgjithësi, sistemi bankar shqiptar është i përgatitur dhe i hapur për të financuar ekonominë e gjelbër.
7. Po dëgjojmë gjithnjë e më shumë për monedhat digjitale qendrore. A po e konsideron Banka e Shqipërisë një CBDC dhe çfarë ndikimi do të kishte një hap i tillë te tregu financiar?
Banka e Shqipërisë e vlerëson me kujdes çështjen e një monedhe digjitale qendrore, por mbi të gjitha analizon zhvillimet teknologjike dhe tendencat ndërkombëtare, veçanërisht në Bashkimin Evropian. Në këtë drejtim, ne ndjekim me shumë vëmendje iniciativën e Bankës Qendrore Evropiane për euron digjitale, fazat e projektimit, objektivat dhe debatet e tyre të brendshme mbi ndikimet e mundshme në stabilitetin financiar, sistemet e pagesave dhe privatësinë dhe sigurinë e kursimeve të qytetarëve. Për ne është e rëndësishme që të ecim në hap me proceset evropiane, duke marrë mësime nga përvoja dhe qasja e Eurosistemit.
Një monedhë digjitale qendrore mund të sjellë përfitime të rëndësishme: rritje të efikasitetit të pagesave, ulje të kostove, zgjerim të përfshirjes financiare dhe modernizim të infrastrukturës së pagesave. Por, njëkohësisht, kërkon vlerësim të kujdesshëm të ndikimit mbi ndërmjetësimin financiar, stabilitetin bankar dhe çështjet e sigurisë kibernetike. Çdo vendim për të eksploruar më tej një monedhë digjitale duhet të jetë i balancuar, i koordinuar me zhvillimet evropiane dhe i bazuar në vlerësime të plota të rrezikut.
8. Ky është një vit jubile për bankën qendrore. Çfarë mesazhi keni për sipërmarrësit e rinj shqiptarë që po ndërtojnë biznese të bazuara në teknologji, inovacion dhe qëndrueshmëri? Dhe sipas jush, si do të duket ekonomia e së ardhmes?
Shqipëria e së ardhmes do të jetë aq novatore sa janë sipërmarrësit e saj. Teknologjia po ndryshon çdo sektor, nga financat te bujqësia, nga energjia te shërbimet. Ne jemi në një moment historik ku mund të ndërtojmë një ekonomi që jo vetëm rritet, por rritet me dije, me kreativitet dhe me cilësi.
Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të krijojë stabilitetin dhe sigurinë e nevojshme që kjo ekonomi të ndërtohet me sukses. Këshilla ime për sipërmarrësit e rinj është: mos kini frikë të guxoni, të sillni ide të reja dhe të mendoni ndryshe. Shqipëria e 2030-2035 do të jetë një ekonomi shumë më e hapur, më digjitale, më kreative dhe më e gjelbër se sot, dhe ju jeni arkitektët e saj.

Linkedin
X
Facebook
Instagram
YouTube
Flickr
RSS
Regjistrim
Kontakte
Përshtypje