BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbylli punimet Konferenca Vjetore 2019 e Bankës së Shqipërisë: Konkluzionet

Data e publikimit: 11.10.2019

 

Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me London School of Economics and Political Science -LSE (Shkolla Ekonomike dhe e Shkencave Politike të Londrës), organizoi më 11 tetor 2019, konferencën vjetore me temë: “Një botë e re e guximshme? E ardhmja e bankingut në vendet evropiane në zhvillim: rikonceptimi i përmasës, strukturës, pronësisë, politikave dhe incentivave të tij”.

Konferenca kishte për qëllim trajtimin e të ardhmes së sektorit bankar në Evropë, kryesisht në rajonin e Evropës Juglindore dhe në veçanti në Shqipëri, përsa i takon madhësisë, strukturës, pronësisë dhe incentivave globale e rajonale. Diskutimet u përqendruan në zhvillimet e pritshme të sektorit bankar në tërësi, kushtëzuar nga një realitet global me shumë më tepër pasiguri në aspektin ekonomik dhe politik, si dhe nga një epokë e re ndryshimesh dhe inovacionesh teknologjike me efekte shumëdimensionale, që prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë të gjithë agjentët ekonomikë.  

Konferenca u parapri nga një tryezë e rrumbullakët, me dyer të mbyllura, me temë: “Tendencat globale dhe evropiane që ndikojnë kontekstin e zhvillimeve në Evropën Juglindore”. Kjo tryezë e drejtuar nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, u fokusua kryesisht në tendencat e reja globale dhe evropiane, si dhe ndikimin që ato kanë në zhvillimin ekonomik në Shqipëri dhe më gjerë. Diskutimet u ndalën në rëndësinë që kanë për Shqipërinë, zhvillimet makroekonomike dhe financiare në botë dhe kryesisht në Evropë, duke pasur parasysh lidhjet e ngushta financiare dhe tregtare me këto vende. Një ndër konkluzionet kryesore të kësaj tryeze ishte se vazhdimi dhe intensifikimi i reformave strukturore për t’i ardhur gjithmonë e më tepër në ndihmë konvergimit drejt BE-së, kërkon një angazhim të gjithë institucioneve vendase dhe një bashkërendim me ato ndërkombëtare dhe kryesisht BE-në, si një ankorë e rëndësishme për ne.    

Punimet e konferencës u çelën me një panel që trajtoi tendencat dhe fenomenet e reja globale në sferën ekonomike. Diskutimi, prezantimi dhe analizimi i këtyre fenomeneve është me rëndësi të veçantë për të gjitha institucionet në mënyrë që të vendosim ura bashkëpunimi dhe koordinimi midis institucioneve, jo vetëm brenda vendit por edhe me institucione të rëndësishme ndërkombëtare. Folësit vunë theksin edhe në rëndësinë e reformave strukturore, si dhe përshpejtimin e tyre, me qëllim pasjen e një ekonomie të qëndrueshme në afat të gjatë.

Në zhvillimin ekonomik, një rol të rëndësishëm pa dyshim ka sektori bankar. Disa nga sfidat me të cilat do të përballet ky sektor janë padyshim zhvillimet dhe inovacionet teknologjike, pasiguritë e shtuara në ekonomi dhe sferën politike, si dhe ndryshimet klimatike.

Eksperienca e vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJL), gjatë këtyre 30 viteve, ka treguar se bankat kanë ndihmuar në përshpejtimin e procesit të konvergjencës së këtyre vendeve. Kjo pasi bankat i kanë ndihmuar bizneset të përvetësojnë teknologji të reja dhe të rrisin produktivitetin. Megjithatë, për të pasur një rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë në të ardhmen, sektori financiar, kryesisht ai i vendeve të EQLJL-së, duhet të përshtatet, të ribalancohet dhe të ndikojë më shumë në zhvillimin e tregjeve të kapitalit, si dhe të eksplorojë tregje të reja financimi. Ndryshime të tilla kërkojnë edhe përmirësime e ndryshime të rëndësishme të aspekteve ligjore dhe fiskale të vendeve.

Nga ana tjetër, tendencat globale të zhvillimit makroekonomik dhe zhvillimet teknologjike pritet të ndikojnë modelin aktual të bankave dhe jo vetëm. Ndryshimet dhe rregullat e reja të mbikëqyrjes bankare kërkojnë që bankat të rishikojnë dhe të përshtatin proceset dhe rregullat e tyre, të ritransformojnë modelin e tyre të biznesit, duke iu përshtatur ndryshimeve dhe risive, të cilat do të sigurojnë një zgjerim të aksesit financiar në të ardhmen.

Një tjetër sfidë me të cilën përballet sistemi financiar janë edhe teknologjitë e reja FinTech. Digjitalizimi do të prekë të gjitha aspektet e sistemit bankar, jo vetëm ato operacionale dhe të pagesave, por edhe përmirësimin e menaxhimit të riskut dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në funksion të vlerësimit të tij. FinTech do të ndikojë edhe mënyrën se si bankat duhet të ndërveprojnë dhe kooperojnë jo vetëm me autoritetet vendase mbikëqyrëse, por edhe me autoritetet e mbikëqyrjes evropiane (EBA, ERSA etj.).

Megjithatë, ndryshimet teknologjike nuk do të zbehin rëndësinë e sistemit bankar; atij do t’i duhet të përshtatet dhe të bashkëjetojë me to. Teknologjia do të ndikojë në rritjen e përfshirjes financiare, të aksesit në financim dhe do të ofrojë një shërbim më eficient dhe të personalizuar për të gjithë. Por, në këtë periudhë ndryshimesh revolucionare, bankat duhet të rrisin më shumë komunikimin me publikun, transparencën dhe të edukojnë publikun me produktet e reja që ato ofrojnë, si dhe me përfitimet dhe rreziqet me të cilat ato shoqërohen.

Stabiliteti i sistemit financiar është i rëndësishëm dhe mbetet një sfidë dhe interes i përbashkët për bankat vendase dhe të huaja. Për këtë, kërkohet një bashkëpunim dhe koordinim më i mirë midis institucioneve mbikëqyrëse dhe rregulluese brenda dhe jashtë BE-së, në terma të politikave makroprudenciale, mikroprudenciale dhe mbikëqyrëse. Iniciativa e Vjenës është një shembull shumë i mirë bashkëpunimi, por kërkohet të bëhet akoma edhe më shumë nëpërmjet rritjes dhe thellimit të kooperimit ndërkombëtar përmes krijimit të mekanizmave të bashkëpunimit midis autoriteteve.

Në mbylljes të konferencës, Paneli i Guvernatorëve mblodhi në një tryezë të përbashkët diskutimi guvernatorë, ish-guvernatorë dhe zëvendësguvernatorë të Bankës së Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Ukrainës, Estonisë, Argjentinës dhe përfaqësues të LSE-së. Ky panel  bëri një përmbledhje të tendencave më të fundit të zhvillimit ekonomik të këtyre vendeve, si dhe të sfidave me të cilat përballen bankat qendrore kryesisht në kushtet e një ekonomie globale më të ngadalësuar, shoqëruar me pasiguri të shtuara ekonomike dhe politike, si dhe përballë inovacioneve teknologjike dhe ndryshimeve klimaterike.

Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko theksoi se bankat qendrore përballen me një sërë sfidash të reja nga zhvillimet ekonomike e ato teknologjike. Prandaj bankat qendrore duhet t’i analizojnë me vëmendje këto fenomene, duke marrë në konsideratë edhe zhvillimin ekonomik dhe financiar të vendit, zhvillimin e kapitalit njerëzor, si dhe të përfshirjes financiare të tij.

Në përfundim të panelit, të gjithë pjesëmarrësit mbështetën konkluzionin se ndryshimet dhe inovacionet teknologjike do të duhet të shoqërohen me ndryshime të  rëndësishme strukturore dhe rregullative, që kërkojnë një koordinim dhe bashkëpunim më të mirë me të gjitha palët e interesit.