BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Ceremonia e transaksionit të parë SEPA - Shqipëri
Data e publikimit: 07.10.2025
Më 7 tetor 2025, nën kujdesin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në ambientet e Bankës, u zhvillua ceremonia e lançimit të transaksionit të parë të Shqipërisë në sistemin SEPA.

Ceremonia u çel me fjalët përshëndetëse të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, dhe Ambasadorit të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, SH.T.Z. Silvio Gonzato.

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori Sejko u shpreh se ky nuk është thjesht një zhvillim teknik në sistemin e pagesave, por një gur themeli në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në infrastrukturën financiare evropiane.

Kjo ngjarje shënon një moment historik për sektorin financiar shqiptar, pasi Shqipëria bëhet pjesë operacionale e SEPA-s, duke sjellë përfitime të prekshme për ekonominë, bizneset dhe çdo qytetar. Përfitimet janë të menjëhershme: ulje e tarifave për transfertat ndërkufitare në Euro, shpejtësi më e lartë dhe siguri e përmirësuar.

Anëtarësimi në SEPA është rezultat i një rrugëtimi shumëvjeçar të Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve financiare shqiptare, të cilat kanë punuar hap pas hapi për të ndërtuar themelet e një sistemi modern pagesash. Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar që ky transformim të shndërrohet në një platformë inovacioni dhe përfshirjeje financiare, ku qytetarët dhe bizneset shqiptare të ndihen më të fuqizuar dhe më afër Evropës.

“Ky është një standard evropian që sot bëhet realitet për Shqipërinë, duke e vendosur infrastrukturën tonë të pagesave në të njëjtin nivel me vendet e BE-së. Integrimi në SEPA, i kombinuar me zgjerimin e pagesave digjitale, pritet të gjenerojë për ekonominë vendase, kursime prej rreth 20 milionë euro në vitin e parë, me rritje progresive në vijim. Për analogji, sistemi AIPS Euro i Bankës së Shqipërisë, i cili operon që nga janari 2022, i ka kursyer tregut vendas rreth 140 milionë euro. Kjo tregon se ndikimi i SEPA-s do të jetë edhe më i gjerë, duke përfshirë uljen e kostove dhe rritjen e efikasitetit operativ për qytetarët dhe bizneset.” – theksoi Guvernatori Sejko.

Në vijim, Guvernatori u bëri thirrje bankave tregtare dhe institucioneve financiare që të promovojnë aktivisht shërbimet SEPA, të informojnë klientët për përfitimet konkrete dhe të investojnë në përmirësimin e mëtejshëm të platformave digjitale. “Vetëm përmes bashkëpunimit dhe përkushtimit të të gjithë aktorëve, Shqipëria do të arrijë ta shfrytëzojë plotësisht potencialin e këtij integrimi historik.” – u shpreh Guvernatori.

Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, SH.T.Z. Silvio Gonzato, gjatë fjalës së tij përshëndetëse, u shpreh: “Nga sot, qytetarët shqiptarë do të mund të transferojnë para për në dhe nga BE-ja, si çdo qytetar tjetër i BE-së. Kjo do të thotë se ata do të kursejnë para, për shembull lidhur me dërgesat e emigrantëve; pagesat e bizneseve me Evropën do të jenë më të shpejta dhe më të lira; turistët do të mund të kryejnë pagesa elektronike më lehtë. Ky është një hap i rëndësishëm drejt një ekonomie më formale dhe digjitale, hap i cili do të nxisë njëherazi edhe tregtinë. Arritja e sotme dëshmon se kur angazhimet politike ndiqen me vendosmëri, ato mund të sjellin rezultate konkrete për qytetarët tanë. Gjithashtu, ajo dëshmon se BE-ja është partnere serioze në përmbushjen e detyrimeve sapo plotësohen kushtet e nevojshme.”

Banka e Shqipërisë falënderon të gjithë partnerët e saj, Komisionin Evropian, Këshillin Evropian të Pagesave, Ministrinë e Financave dhe gjithë institucionet e tjera të përfshira, bankat tregtare dhe institucionet financiare dhe në mënyrë të veçantë Bankën Botërore për realizimin e suksesshëm të këtij projekti me përmasa mbarëkombëtare.
Informacion për SEPA
Zona Unike e Pagesave në Euro (SEPA) është një nismë strategjike e Bashkimit Evropian që standardizon mënyrën e kryerjes së pagesave në Euro brenda dhe ndërmjet vendeve pjesëmarrëse. Aktualisht, SEPA numëron 41 vende anëtare, duke përfshirë të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, vendet e Zonës Ekonomike Evropiane dhe disa vende të Ballkanit Perëndimor.
Ky sistem garanton që pagesat ndërkufitare të trajtohen me të njëjtat rregulla, standarde dhe kosto si pagesat brenda vendit.

Linkedin
X
Facebook
Instagram
YouTube
Flickr
RSS
Regjistrim
Kontakte
Përshtypje