BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
IBAN – Numri Ndërkombëtar i Llogarisë Bankare

Data e publikimit: 22.05.2009

 

Çfarë është IBAN

IBAN (International Bank Account Number) është numri ndërkombëtar i llogarisë bankare, një strukturë standarde e llogarisë bankare e zhvilluar nga ECBS (European Committee for Banking Standards) dhe ISO (International Organisation for Standardisation). IBAN-i përdoret si një informacion bankar ndërkombëtar që në mënyrë unike identifikon llogarinë e klientit pranë një institucioni financiar dhe aktualisht është zbatuar dhe përdoret në 46 vende të ndryshme të botës, kryesisht shtete anëtare të BE-së, por edhe vende të tjera të rajonit si Kroaci, Maqedoni, Turqi, Serbi, etj. Informacioni mbi IBAN-in shqiptar është publikuar në regjistrin ndërkombëtar të IBAN-it, publikuar nga SWIFT në muajin prill 2009.

Përdorimi

IBAN-i përbën një risi në Shqipëri nën presionin e vazhdueshëm për përmirësimin e eficiencës së transfertave ndërkufitare, përkatësisht reduktimin e kostos dhe të kohës së kryerjes së tyre si dhe rritjes së cilësisë së shërbimit. Ky standard u dizenjua fillimisht për të zgjidhur problemin e pagesave ndërkufitare me qëllim kryerjen e transferimeve mes bankave në shtete të ndryshme, por gjen zbatim edhe për pagesat brenda vendit, përsa kohë sektori bankar në Shqipëri nuk ka një standard bazë për numrin e llogarive.

Në Shqipëri, IBAN do të krijohet për të gjitha llogaritë e klientëve pranë bankave/degëve të bankave të huaja të licensuara nga Banka e Shqipërisë dhe nëpërmjet të cilave mund të kryhen transferta, duke zëvendësuar numrin ekzistues të llogarisë së klientit. Të gjitha transfertat brenda vendit dhe ndërkufitare, (për vendet ku IBAN-i është i aplikueshëm), që kryhen nëpërmjet sistemeve të pagesave apo bankave korrespondente, do të kryhen nga dhe në llogaritë e klientëve, numri i të cilave do të ketë formatin IBAN.

Avantazhet

Avantazhi kryesor/primar i IBAN është ofrimi i mundësisë për procesimin në mënyrë automatike të llogarive të çdo banke në çdo vend të botës, kryesisht për kryerjen e transfertave ndërkufitare. Kjo nënkupton verifikimin e regjistrimit të saktë të numrit të llogarisë, nëpërmjet një shifre kontrolli të krijuar nga një procedurë standarde ndërkombëtare.

Përdorimi i IBAN-it në Shqipëri nxit/stimulon një sistem bankar më produktiv, me një shërbim pagesash të përmirësuar nëpërmjet:

- standardizimit të numrave të llogarive bankare;

- identifikimit dhe verifikimit të saktësisë së llogarive bankare të klientëve;

- përmirësimit të shërbimit ndaj klientit;

- automatizimit të procesimit të transfertave.

Thënë ndryshe, këta objektiva mund të përkthehen në kohë në:

- reduktim të kostove të kryerjes së transfertave;

- shpejtësi në kryerjen e transfertave;

- reduktim të gabimeve humane.

Plani kombëtar i zbatimit

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar në korrik të vitit 2008, rregulloren “Për strukturën dhe përdorimin e numrit ndërkombëtar të llogarisë bankare (IBAN)”. Rregullorja ka si objekt të saj përcaktimin e strukturës së numrit ndërkombëtar të llogarisë bankare për përdorim në Republikën e Shqipërisë (IBAN-i shqiptar) si dhe përcaktimin e procedurave për krijimin, kontrollin e vlefshmërisë dhe përdorimin e tij nga bankat dhe/ose degët e bankave të huaja të licencuara nga Banka e Shqipërisë. Në kushtet kur Shqipëria nuk ka një strukturë kombëtare (bazë) të llogarisë bankare, aplikimi i IBAN-it si standard kombëtar dhe ndërkombëtar i numrit të llogarisë bankare, zvogëlon mundësinë e gabimeve/vonesave, për dy arsye: (i) të gjithë numrat e llogarive të klientëve në të gjitha bankat, do të kenë një strukturë standarde; (ii) të gjithë numrat e llogarive të klientëve në të gjitha bankat, do të përmbajnë shifra kontrolli të cilat vlerësohen për saktësi nga çdo bankë, sipas të njëjtit standard, si në momentin e inicimit të transfertës pranë bankës së dërguesit, ashtu edhe përpara kryerjes së saj pranë bankës së përfituesit.

Roli i bankave

Për një periudhë kohe njëvjeçare, bankat në Republikën e Shqipërisë kanë mundësuar përshtatjen e sistemeve të brendshme për krijimin, validimin, transmetimin dhe publikimin e IBAN-it gjatë procesimit të transaksioneve financiare. Bankat kanë zëvendësuar numrat ekzistues të llogarive me strukturën e IBAN-it si dhe kanë marrë masat për njoftimin e klientëve në lidhje me numrin IBAN, brenda datës 1 qershor 2009.

Duke filluar nga data 1 janar 2010, bankat janë të detyruara të kontrollojnë vlefshmërinë e IBAN-it të llogarisë së dërguesit/përfituesit të përfshira në instruksionin e pagesës, në hyrje apo dalje, pavarësisht formës elektronike apo letër, të marrjes së informacionit mbi IBAN-in. Në rast se verifikohet pasaktësi nga procedurat e vlefshmërisë, banka refuzon të kryejë pagesën në fjalë. Duke filluar nga kjo datë, edhe sistemet shqiptare të pagesave bëjnë kontrollin e vlefshmërisë së llogarive të përfshira në instruksionet e pagesave dhe në rast pasaktësie, refuzojnë urdhërpagesat në fjalë.

Roli i klientëve

Nisur nga fakti që pas datës 1 janar 2010 bankat do të kërkojnë nga klientët përdorimin e detyrueshëm të IBAN-it, është e rëndësishme të theksohet domosdoshmëria e sensibilizimit të publikut në lidhje me përdorimin e IBAN-it.

Nëse brenda datës 1 qershor 2009 nuk kanë marrë njoftim me shkrim nga banka, të gjithë klientët e bankave, individë apo biznese, që kanë llogari bankare në lek apo në valutë të huaj, në një apo më shumë banka në Shqipëri, duhet të paraqiten pranë sporteleve të bankës përkatëse për t’u pajisur me numrin IBAN si dhe përdorimin e tij.

Klientët duhet të informohen nga banka e tyre në lidhje me:

- rëndësinë e përdorimit të saktë të IBAN dhe kodit BIC, për të mundësuar procesimin automatik të transfertave;

- mënyrat sesi klienti “përfitues fondesh” duhet të informojë të gjithë dërguesit e fondeve, që mund të jenë individë apo biznese brenda apo jashtë vendit, në lidhje me IBAN-in e tij dhe kodin BIC të bankës së tij;

- përdorimin e instruksioneve ndërkombëtare të pagesave.

Struktura e IBAN-it shqiptar

IBAN-i shqiptar përmban 28 karaktere: 2 shkronja - kodi i vendit “AL” + 2 numra - shifra kontrolli “check digits” + 8 numra – kodi i identifikimit të bankës/degës “KIB” + 16 karaktere - numri ekzistues i llogarisë së klientit. IBAN-i shqiptar në format letër do të paraqitet: IBAN AL47 2121 1009 0000 0002 3569 8741.