BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË E BANKËS SË SHQIPËRISË
Deklarata e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2016

Data e publikimit: 23.09.2016

 

Në mbështetje të kërkesës së nenit 69 të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997, "Për Bankën e Shqipërisë", i ndryshuar, dhe të nenit 8 të ligjit nr. 9962, datë 18.12.2006, "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, për të informuar Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe Këshillin e Ministrave, si edhe për të tërhequr vëmendjen e institucioneve financiare dhe të publikut mbi gjendjen e sistemit financiar në vend dhe rreziqet potenciale që mund të kërcënojnë qëndrueshmërinë e tij, Banka e Shqipërisë publikon këtë deklaratë periodike. Kjo deklaratë është pjesë përbërëse e Raportit të Stabilitetit Financiar për të njëjtën periudhë.

Në raportin e stabilitetit financiar dhe në këtë deklaratë që e paraprin, vlerësohet ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve që burojnë prej ndërveprimit të tij me zhvillimet ekonomike të jashtme, të brendshme, me agjentët e ekonomisë reale, me tregjet financiare në vend, si edhe ndaj rreziqeve që lidhen me mënyrën se si sektori bankar zhvillon veprimtarinë e tij. Në vijim, këto rreziqe përballen me gjendjen financiare të sektorit bankar dhe stresohen nëpërmjet ushtrimit të provës së rezistencës, për të vlerësuar qëndrueshmërinë e sektorit bankar.

Banka e Shqipërisë vlerëson që veprimtaria e sektorit bankar dhe e sistemit financiar në përgjithësi, ka vijuar të jetë e qëndrueshme gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2016. Treguesit kryesorë financiarë të veprimtarisë së sektorit bankar që përfshijnë ata të kapitalizimit, të likuiditetit dhe të përfitueshmërisë, evidentojnë kapacitetin e tij të plotë për të përballuar rreziqet e veprimtarisë në kushte normale, si edhe për të treguar një rezistencë të mirë ndaj goditjeve më të forta.

Zhvillimet në mjedisin ekonomik dhe financiar

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2016, zhvillimet ndërkombëtare ekonomike dhe financiare kanë qenë në linjë me pritshmëritë. Politikat stimuluese, veçanërisht në vendet e zhvilluara, kanë mbështetur rritjen e moderuar të ekonomisë botërore. Çmimet e lëndëve të para dhe të naftës, janë stabilizuar pranë niveleve të ulëta dhe sinjalet për një rikuperim të tyre kanë nevojë të konsolidohen. Presionet inflacioniste në përgjithësi mbetën të dobëta, megjithë një përmirësim relativ në tregun e punës për ekonomitë më të zhvilluara. Gjendja e likuiditetit në tregjet financiare paraqitet më e mirë, në sajë të politikave lehtësuese monetare të bankave qendrore të vendeve më të mëdha. Tregjet e këmbimit të valutave kanë qenë përgjithësisht të stabilizuara, megjithë luhatshmërinë që shfaqën në fund të periudhës në vijim të rezultatit të papritur të referendumit të mbajtur në Mbretërinë e Bashkuar për daljen e saj nga Bashkimi Evropian ("Brexit"). Në tregjet e borxhit sovran të vendeve të zhvilluara, kurba e normave të kthimit vijoi të jetë pranë ose nën nivelin zero për të gjithë strukturën e maturimit. Në tregjet e kapitalit është vënë re rënia e vlerës së aksioneve të bankave, veçanërisht të atyre evropiane, kryesisht për shkak të shqetësimeve që lidhen me cilësinë e aktiveve, me paqartësitë për ndikimin nga ndryshimet rregullative dhe me nivelet e përfitueshmërisë së tyre. Megjithatë, ushtrimi i provës së rezistencës së këtij viti për bankat evropiane, evidentoi qëndrueshmërinë e tyre falë gjendjes së mirë të kapitalizimit. Në përgjithësi, gjatë periudhës, zhvillimet ndërkombëtare nuk patën ndonjë ndikim të rëndësishëm në ecurinë e sistemit financiar dhe të sektorit bankar në vend.

Zhvillimet ekonomike në vend ishin pozitive gjatë periudhës. Rritja ekonomike, e mbështetur kryesisht nga kërkesa e brendshme, u përshpejtua gjatë tremujorit të parë në 2.96% (rritje vjetore) dhe treguesit e punësimit u përmirësuan. Presionet inflacioniste mbetën të dobëta dhe Banka e Shqipërisë thelloi kahun lehtësues të politikës monetare, duke ulur dy herë normën bazë të interesit me nga 0.25 pikë përqindje, në nivelin 1.25%. Politika fiskale, ruajti prirjen e saj konsoliduese nëpërmjet rritjes së të ardhurave dhe uljes së shpenzimeve buxhetore. Kalimi në një tepricë pozitive buxhetore, u shoqërua me rënien e nevojave për financim, dhe ato u plotësuan pothuaj tërësisht me burime të huaja. Në tregun financiar në vend, normat e interesit të produkteve financiare në lekë kanë shënuar rënie gjatë periudhës, ndikuar nga veprimet e politikës monetare dhe fiskale. Gjatë periudhës, situata e likuiditetit në tregun ndërbankar ka qenë e qëndrueshme dhe vëllimet e tregtimit kanë shënuar një rritje të lehtë. Tregu i këmbimeve valutore ka reflektuar zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe leku ka shënuar një mbiçmim të lehtë ndaj valutave kryesore.

Individët/familjet dhe bizneset paraqiten me një gjendje të qëndrueshme të bilancit të tyre financiar. Gjatë periudhës, pozicioni financiar i theksuar kreditor i individëve pati një rënie të lehtë si rezultat i rritjes më të shpejtë të kredisë, kryesisht asaj në lekë, në krahasim me rritjen e depozitave të tyre. Nga ana tjetër, pozicioni financiar debitor i bizneseve është thelluar disi, si pasojë e rënies së depozitave dhe rritjes së kredisë. Përsa i takon cilësisë, kreditë me probleme tek individët ranë gjatë periudhës, ndërsa tek bizneset u rritën.

Gjatë periudhës, aktiviteti i sektorit bankar dhe i sistemit financiar u zgjerua më tej, por ritmi i rritjes ishte i ngadalësuar dhe pesha e sistemit financiar ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto zbriti në 100.7%. Kontributin kryesor në këtë ecuri e dha rritja më e ngadaltë e aktivitetit të sektorit bankar, aktivet e të cilit zënë 90.8% të aktiveve të sistemit financiar. Në aktivitetin e sektorit bankar, në terma vjetorë, ndryshimin më të madh në aktiv të bilancit e treguan veprimet me titujt (rritje) dhe fondet rezervë (ulje), ndërsa në pasiv të bilancit spikatën veprimet me thesarin dhe ndërbankare (ulje) dhe burimet e përhershme (rritje). Gjatë periudhës, sektori bankar zgjeroi kredinë me 1.9% dhe rriti investimet në letra me vlerë të borxhit. Financimi i veprimtarisë u realizua përsëri nëpërmjet depozitave të cilat zënë 82.3% të aktiveve të sektorit bankar dhe treguan qëndrueshmëri të vlerës gjatë periudhës. Marrëdhëniet e sektorit bankar me jorezidentët, megjithë rritjen e lehtë gjatë periudhës, kanë mbetur të qëndrueshme përgjatë vitit të fundit.

Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të veprimtarisë

Në lidhje me rreziqet e veprimtarisë me të cilat përballet sektori bankar, Banka e Shqipërisë vlerëson si më poshtë:

a) Rreziku i kreditit njohu rritje gjatë periudhës. Vlera e kredive me probleme u rrit me 11.7% dhe raporti i kredive me probleme në sektorin bankar u ngjit në nivelin 20%, në krahasim me 18.2% në fund të vitit 2015. Kontributin kryesor në këtë rritje të kredive me probleme e ka dhënë kredia për bizneset, kredia në valutë dhe ajo e dhënë në afat të mesëm. Rritja e kredive me probleme është shoqëruar me uljen e lehtë të masës së mbulimit të tyre me fonde rezervë dhe me kapital, ndonëse këta tregues mbetën pranë niveleve të një viti më parë.

Rritja e kredive me probleme gjatë periudhës tregon për vështirësinë që ka procesi i zgjidhjes së tyre dhe nevojën për monitorimin nga afër të këtij procesi. Banka e Shqipërisë pret që prirja e kurbës së kredive me probleme të vijë në rënie, ndonëse mund të ketë luhatshmëri të vlerës së tyre përgjatë kohës. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë do të mbikëqyrë me kujdes proaktivitetin me të cilin veprojnë bankat për të evidentuar në kohë kredinë me probleme dhe për ta provigjionuar atë, si edhe mënyrën se si ato po zbatojnë kërkesat rregullative për largimin nga bilanci të kredive të humbura. Në vijim, do të jetë e rëndësishme të verifikohet ndikimi që do të ketë miratimi së afërmi i projektligjit "Për falimentimin" në marrëdhënien mes bankave, debitorëve dhe subjekteve të tjera që ndërveprojnë në procesin e zgjidhjes së borxhit problematik. Ashtu siç edhe u evidentua nga punimet e Forumit Financiar në qershor 2016, së bashku me industrinë bankare dhe me qeverinë, Banka e Shqipërisë do të vlerësojë nevojën për marrjen e masave të tjera që ulin pasigurinë në procesin e ndërmjetësimit financiar dhe përmirësojnë zbatimin e kërkesave ligjore në këtë sferë.

b) Rreziku i likuiditetit në veprimtarinë bankare vlerësohet i ulët. Vlera e ulët e raportit të kredive ndaj depozitave, vijimi i rritjes së depozitave, dhe prania e lartë e aktiveve likuide mbi kërkesat minimale të kuadrit rregullator, tregojnë për një situatë mjaft të mirë të gjendjes së likuiditetit të sektorit bankar. Kjo gjendje evidenton edhe hapësirën dhe nevojën që ekziston për përmirësimin e ndërmjetësimit financiar, si një dukuri e nevojshme për të ndikuar, mes të tjerash, në përmirësimin e eficiencës së veprimtarisë bankare. Megjithatë, këtu duhet pasur në vëmendje fakti që pesha e burimeve shumë afatshkurtra të sektorit bankar, në formën e llogarive rrjedhëse dhe të depozitave pa afat, vijon të rritet. Kjo ecuri dikton ruajtjen e niveleve të larta të aktiveve likuide dhe ndikon negativisht në ecurinë e të ardhurave nga interesat. Gjendja e mirë e likuiditetit të sektorit është provuar edhe nëpërmjet një ushtrimi të posaçëm të provës së rezistencës, i cili u zhvillua në muajin qershor.

c) Sektori bankar është i ekspozuar në mënyrë të ndjeshme ndaj rrezikut të tregut (ku përfshihen rreziku i kursit të këmbimit dhe ai i normës së interesit) pavarësisht uljes së madhësisë së ekspozimit gjatë periudhës.

Siç është vlerësuar edhe në periudha të mëparshme, rreziku i drejtpërdrejtë i kursit të këmbimit në veprimtarinë bankare është i kufizuar, në kushtet kur aktivet dhe detyrimet në valutë janë në vlera të përafërta. Por rreziku shtohet në rastin kur në vlerësim përfshihet edhe ndikimi i tërthortë i kursit të këmbimit, që përcillet kryesisht nëpërmjet kredisë në valutë për subjektet rezidente që të ardhurat kryesore i kanë në lekë. Megjithë rënien e kësaj kategorie kredie gjatë periudhës, ajo ende zë rreth 26.5% të tepricës totale të kredisë dhe ky nivel konsiderohet ende i lartë. Si bankat ashtu edhe klientët huamarrës, duhet të vlerësojnë me kujdes rrezikun që buron nga kreditimi në valutë, ku palët janë të ekspozuara ndaj lëvizjeve të pafavorshme të kursit të këmbimit. Pjesë e këtij vlerësimi të kujdesshëm duhet të jenë komunikimi transparent mes palëve rreth njohjes së rrezikut dhe zbatimi i procedurave konkrete nga bankat për vlerësimin sasior të tij.

Përsa i takon rrezikut të normës së interesit, ai është i pranishëm në veprimtarinë bankare si në formën e tij të drejtpërdrejtë, ashtu edhe në atë të tërthortë. Në formën e tij të drejtpërdrejtë, rreziku përcillet nëpërmjet hendekut që ekziston midis aktiveve dhe pasiveve të sektorit bankar sipas periudhave të riçmimit. Ky hendek është negativ dhe është thelluar disi për periudhën afatshkurtër. Rreziku do të materializohej në rastin e një rritjeje të normës së interesit, e cila, për shkak të hendekut negativ do të ndikonte më shpejt kostot e veprimtarisë së bankës, në krahasim me të ardhurat e saj. Ky rrezik ka edhe një komponent të tërthortë që lidhet me efektin negativ që ka rritja e normës së interesit tek huamarrësit që kanë një kredi me normë interesi të ndryshueshme. Edhe në këtë rast, është e nevojshme që bankat të vlerësojnë në mënyrë sasiore ndikimin e skenarëve të pafavorshëm dhe të veprojnë për uljen e ekspozimit.

d) Ngjarjet e periudhës ku u cenua siguria e transportit dhe ruajtjes së vlerave monetare, tregojnë për domosdoshmërinë e forcimit të procedurave që zbatojnë bankat për administrimin e rrezikut operacional. Këtu duhet të përfshihet jo vetëm siguria fizike, por edhe ajo elektronike e informatike, të cilat janë me rëndësi kritike për zhvillimin e një veprimtarie bankare të sigurt. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë nxit bashkëpunimin midis bankave dhe autoriteteve të zbatimit të ligjit, për zbardhjen e rasteve konkrete dhe marrjen e masave për eliminimin e mangësive. Më në përgjithësi, për administrimin e rrezikut operacional, Banka e Shqipërisë thekson nevojën për një qasje tërësore, ku vlerësimi i rrezikut operacional të mbështetet mbi ndikimin që ai sjell në reputacionin, në strategjinë dhe në financat e institucionit, si edhe mbi një analizë të plotë të mundësisë së ndodhjes së rrezikut. Mbi bazën e tyre duhet të ngrihet dhe të zbatohet sistemi i kontrollit, ku cilësia e procedurave, përputhshmëria me to dhe përshtatshmëria e të gjithë infrastrukturës mbështetëse të procesit, të bëhet pjesë e testimit të herëpashershëm dhe të vlerësimit të rregullt nga strukturat e posaçme të bankave. Banka e Shqipërisë thekson se do të forcojë veprimtarinë e saj mbikëqyrëse dhe rregullative, në drejtim të verifikimit dhe vlerësimit të sistemeve të administrimit të rrezikut operacional nga ana e bankave, mes të tjerash, edhe duke rritur peshën që ka ky proces në vlerësimin e përgjithshëm të bankave dhe posaçërisht të strukturave drejtuese të tyre.

e) Prania e ndjeshme e bankave të huaja në vend si edhe ekspozimi i sektorit bankar me jorezidentët, ruan nevojën për monitorimin e afërt të zhvillimeve ndërkombëtare. Në këtë drejtim, me interes të veçantë gjatë periudhës ishte realizimi i ushtrimit të provës së rezistencës për bankat më të mëdha evropiane. Rezultatet e këtij ushtrimi, të publikuara në muajin korrik, konfirmuan se asnjë nga bankat që veprojnë në Shqipëri dhe që ishin pjesë e ushtrimit, nuk pati probleme të qëndrueshmërisë së veprimtarisë. Në përgjithësi, ushtrimi tregoi se bankat evropiane janë aktualisht me kushte shumë më të mira kapitalizimi dhe likuiditeti të veprimtarisë në krahasim me vitet e mëparshme.

Në fund të periudhës, tregjet financiare evropiane treguan një rritje të luhatshmërisë në veprimtarinë e tyre, në vijim të rezultatit disi të papritur të "Brexit". Lëvizjet më të mëdha ishin në tregjet e këmbimit të valutave, ku monedha britanike u nënçmua me shpejtësi. Humbja e vlerës së monedhës britanike, mund të shoqërohej në afat të shkurtër me rënie të vlerës së produkteve bankare shqiptare në këtë monedhë. Nga analiza e kryer, Banka e Shqipërisë vlerësoi se ky efekt ishte minimal, pasi kredia dhe depozitat e publikut në monedhën britanike ishin në vlera të papërfillshme. Gjithashtu, edhe investimet e sektorit bankar shqiptar në monedhën britanike në formën e vendosjeve (llogari, depozita) apo në tituj ishin mjaft të kufizuara. Në një afat më të gjatë, ndikimi i Brexit mbi ekonominë shqiptare do të përcaktohej nga vëllimi i marrëdhënieve tregtare. Analiza tregoi se eksportet, importet, investimet e huaja dhe dërgesat e emigrantëve me destinacion apo origjinë Mbretërinë e Bashkuar, ishin në çdo rast më pak se 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke kufizuar mjaft ndikimin e padëshirueshëm nga Brexit. Duhet theksuar gjithashtu se procesi i daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian do të kërkojë kohë dhe përmban pasiguri. Megjithatë, masat e marra nga autoritetet monetare dhe fiskale në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Evropë për të siguruar që ky proces të kryhet sa më normalisht dhe pa shkaktuar luhatshmëri të theksuar në treguesit ekonomikë dhe financiarë respektivë, do të sjellë zbutjen e ndikimit që ky proces mund të kishte për vende të tjera.

Rreziqet për stabilitetin financiar

Për vlerësimin e rreziqeve sistemike është analizuar ecuria e treguesve që lidhen me materializimin dhe me akumulimin e rrezikut sistemik, me nivelin e stresit në sistemin financiar dhe me perceptimin e industrisë bankare lidhur me ekspozimin e veprimtarisë bankare ndaj rreziqeve sistemike. Gjithashtu, harta e stabilitetit financiar synon të realizojë një qasje të konsoliduar të vlerësimit për rreziqet ndaj stabilitetit financiar.

Në përgjithësi, indekset tregojnë për një rritje të lehtë të nivelit të rreziqeve për stabilitetin financiar gjatë periudhës. Në sektorin bankar, kontributin në këtë drejtim e kanë dhënë rritja e nivelit të kredive me probleme, ulja relative e treguesve të përfitueshmërisë, ngadalësimi i rritjes së depozitave dhe perceptimi i bankave për nivelin e rreziqeve. Në ekonominë reale, kontribut në rritjen e nivelit të rreziqeve kanë dhënë rritja e nivelit të borxhit të jashtëm të vendit dhe pritshmëritë ende të paqëndrueshme të sektorit privat për ecurinë e ekonomisë. Në përgjithësi, me kontribut pozitiv për uljen e vlerësimit të rreziqeve kanë qenë ecuria e rritjes ekonomike, performanca fiskale e qeverisë dhe rënia e kredive në valutë në sektorin bankar.

Aftësia e sektorit bankar për të përballuar rreziqet

Aftësia e sektorit bankar për të përballuar rreziqet, vlerësohet duke analizuar gjendjen e tij të kapitalizimit dhe të përfitueshmërisë, si edhe duke i stresuar këta tregues nëpërmjet ushtrimit të provës së rezistencës.

Në fund të periudhës, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar, rezultoi në nivelin 16.1%, rreth 0.1 p.p. më i lartë se vlera në fund të vitit 2015, rreth 0.6 p.p. më i lartë se një vit më parë dhe dukshëm mbi nivelin minimal të kërkuar për këtë tregues prej 12%. Megjithë rritjen e aktiveve të ponderuara me koeficientin e rrezikut me gati 3.9%, rritja e vlerës së kapitalit rregullator me gati 4.2%, ruajti ecurinë në rritje të treguesit. Treguesi i levës financiare, i matur si raport i totalit të aktiveve mbi kapitalin aksioner, shënoi 10.4 herë dhe vlerësohet si një nivel mjaft i mirë. Ruajtja e pozicionit të mirë të kapitalit përcaktohet edhe nga ecuria e rezultatit financiar të sektorit. Gjatë periudhës, sektori bankar rezultoi me fitim ndonëse ai ishte më i ulët se një vit më parë. Në rënien e madhësisë së fitimit, kanë ndikuar rënia e të ardhurave nga interesat dhe rritja e fondeve rezervë për rrezikun e kreditit. Rënia e të ardhurave nga interesi ka reflektuar rënien e normave të kthimit nga investimet, për instrumentet financiare në valutë dhe në lekë. Rritja e fondeve rezervë për rrezikun e kreditit, ka reflektuar rritjen e kredive me probleme gjatë periudhës. Treguesit e rentabilitetit të sektorit, kthimi mbi aktivet (RoA) dhe kthimi mbi kapitalin (RoE) rezultuan përkatësisht 0.8% dhe 8%.

Mjaftueshmëria e treguesve të mësipërm është provuar gjatë ushtrimit të provës së rezistencës, me skenarë që supozonin ndryshime të pafavorshme në treguesit makroekonomikë dhe financiarë për periudhën 2016-2017. Si pjesë e supozimeve ekstreme, por me një probabilitet të ulët ndodhjeje të skenarit të rënduar përfshiheshin tkurrja e ekonomisë, tkurrja e kredisë, rritja e shpejtë e normave të interesit dhe nënçmimi i fortë i kursit të këmbimit. Rezultatet e ushtrimit të provës së rezistencës treguan që në skenarin bazë dhe atë të moderuar, sektori bankar mbetet i kapitalizuar, ndërsa do të kishte nevojë të rriste kapitalin në skenarin e rënduar. Kërkesa për kapital shtesë për banka të veçanta, shfaqet që në skenarin e moderuar.

Mbështetur në këtë analizë, Banka e Shqipërisë vlerëson se gjendja e kapitalizimit dhe e përfitueshmërisë së bankave paraqitet e mjaftueshme për të përballuar rreziqet e veprimtarisë. Në afat të mesëm, aktiviteti i sektorit bankar do të përfitojë në rastin e përshpejtimit të rritjes ekonomike, duke përmirësuar strukturën e të ardhurave dhe duke konsoliduar ecurinë pozitive të rezultatit financiar. Por në afat më të shkurtër, përfitueshmëria e sektorit bankar mund të vijojë të ndjejë presionin e mjedisit me norma të ulëta interesi dhe luhatshmërinë në nivelin e kostove të veprimtarisë. Për këto arsye, Banka e Shqipërisë vlerëson se bankat duhet të vijojnë të tregojnë kujdes në përdorimin sa më eficient të të ardhurave dhe në ruajtjen e treguesve të kapitalizimit të veprimtarisë.

Për të vizituar faqen e vjetër të internetit, klikoni këtu