BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Mbi ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë dhe në tregun valutor gjatë tremujorit të dytë 2003

Data e publikimit: 01.10.2003

 

Në kuadër të transparencës me publikun, Banka e Shqipërisë njofton ndërhyrjet e saj në tregun e parasë dhe në tregun valutor. Në mbështetje të Rregullores së Transparencës së Bankës së Shqipërisë dhe në përputhje me Kodin e Praktikave të Mira për Transparencën në Politika Monetare dhe Financiare të Fondit Monetar Ndërkombëtar, njoftimi për këto ndërhyrje publikohet 3 muaj pas kryerjes së veprimeve.

Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2003, situata e likuiditetit në sistemin bankar është karakterizuar nga tepricë likuiditeti. Për të balancuar efektin pozitiv të faktorëve autonom në rezervat e tepërta, Banka e Shqipërisë përdori të gjitha instrumentet indirekte të disponueshme përfshirë repo njëjavore, repo njëmujore, repo tremujore si dhe transaksionet e shitjes me të drejta të plota nga portofoli i bonove të thesarit të Bankës së Shqipërisë.