BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Mbi ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë dhe në tregun valutor gjatë tremujorit të dytë të vitit 2013

Data e publikimit: 18.12.2013

 

1.1. Operacionet e tregut të hapur

Ndërhyrjet në tregun e parasë, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2013, përfshijnë operacione të tregut të hapur për injektim likuiditeti.

Sasia totale e likuiditetit të injektuar është rritur nga mesatarisht nga 16.93 miliardë lekë në tremujorin e parë, në mesatarisht 18.81 miliardë lekë në tremujorin e dytë të vitit 2013. Në ndryshim nga tremujori i parë kur ecuria pozitive e likuiditetit të sistemit u ndikua nga hyrja e lartë e cash-it, për rreth 6.6 mld lekë, në tremujorin e dytë daljet e cash-it prej 12 mld lekësh ndikuan në uljen e likuiditetit të sistemit, duke bërë të nevojshme rritjen e injektimit nga Banka e Shqipërisë.

Për injektimin e likuiditetit Banka e Shqipërisë përdori instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor, mesatarisht 14.20 miliardë lekë në javë*, shoqëruar njëkohësisht me marrëveshje të anasjelltë riblerje me maturim njëmujor, mesatarisht 1.88 miliardë lekë në javë*.

Me qëllim korrigjimin e sasisë së likuiditetit në sistem për shkak të devijimit në kahun negativ të faktorëve autonomë, në datat 22.04.2013 dhe 23.04.2013, që përkonin me ditët e fundit të mbajtjes së rezervës së detyruar, u zhvilluan ankandet reverse repo njëditor. me shumë të shpallur respektivisht 1.60 mld lekë dhe 4.00 mld lekë.

Injektimet njëditore në datat 20.06.2013 dhe 21.06.2013, mundësuan mbylljen e periudhës së rezervës me tepricë mesatare pozitive, duke korrigjuar mungesën në sistem të shkaktuar prej mosplotësimit të ankandeve injektuese në javën e mëparshme, shoqëruar kjo me mbikërkesë n? ankandin reverse repo njëmujor të datës 20.06.2013 dhe mosplotësim të shumës për injektim në ankandin reverse repo njëjavor të së njëjtës datë.

1.2. Përdorimi i instrumenteve mbështetëse

Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2013, depozita njëditore u përdor në total në 28 raste, mesatarisht 1.98 miliardë lekë, ndërkohë që në tremujorin e kaluar ky instrument është përdorur në 45 raste, duke regjistruar një mesatare për rreth 1.39 miliardë lekë. Përdorimi i depozitës njëditore është përqendruar kryesisht në javët 16-23 maj dhe 13-27 qershor. Akumulimi i tepricës së likuiditetit në fund të periudhës së mbajtjes së rezervës, çoi në përdorim të rregullt të depozitës o/n gjatë javës 16- 23 maj 2013, mesatarisht nga 6 banka në ditë, ndërkohë që në ditën e fundit të periudhës së mbajtjes së rezervës, depozita u përdor nga 12 banka.

Instrumenti i kredisë njëditore është përdorur në 4 raste, mesatarisht 2.02 miliardë lekë, përqendruar në datat 22-23 prill dhe 20-21 qershor, paralelisht me injektimet njëditore të zhvilluara nga BSh-ja në ditët e fundit të periudhës së mbajtës së rezervës së detyruar. Gjatë tremujorit të parë të vitit, ky instrument u përdor në 8 raste, mesatarisht 1.47 miliardë lekë.