BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Mbi ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë dhe në tregun valutor gjatë tremujorit të katërt të vitit 2012

Data e publikimit: 11.06.2013

 

1.1. Operacionet e tregut të hapur

Ndërhyrjet në tregun e parasë gjatë tremujorit të katërt (T4) të vitit 2012 përfshijnë operacione të tregut të hapur për injektim të likuiditetit.

Sasia e likuiditetit të injektuar është stabilizuar rreth nivelit 16 miliardë në T4-2012, kundrejt 17.7 miliardë në T3.

Për injektimin e likuiditetit Banka e Shqipërisë përdori instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor, mesatarisht 14.23 miliardë lekë në javë*, shoqëruar njëkohësisht me marrëveshje të anasjelltë riblerje me maturim njëmujor, mesatarisht 2.23 miliardë lekë në javë*. Marrëveshja e anasjelltë e riblerjes me maturim tremujor u përdor në vetëm një rast për shumën 2.00 miliardë lekë*.

Shuma e patërhequr ne ankandin rev - repo njëjavor me datë 4 tetor 2012, u injektua me operacione njëditore në datat 4 -5 tetor 2012, të mjaftueshme për mbajtjen e ecurisë së rezervave të tepërta mesatare të sistemit, në linjë me parashikimin. Ndërkohë, në datën 23 nëntor 2012, që përkon me fundin e periudhës së mbajtjes së rezervës së detyruar, me qëllim mbylljen e periudhës me tepricë mesatare pozitive, nevoja për injektim ditor rezultoi 1.85 miliardë leke*. 

Në vijim të operacioneve strukturore të tregut të hapur, të zhvilluara në pjesën e parë të vitit, nga të cilat rritja neto e portofolit te BSH-se rezultoi 6.01 miliardë lekë?, gjatë tremujorit të tretë të vitit nisi sterilizimi i këtij efekti me maturimet në tregun primar. Ulja e riinvestimit të portofolit të BSH-së për tremujorin e tretë ishte 1.40 miliardë leke*, ndërkohë që, ashtu siç ishte paralajmëruar,  maturimet gjatë tremujorit të fundit të vitit rezultuan 4.61 miliardë lekë*, përqendruar në bono thesari 3 dhe 6 mujore.

1.2. Përdorimi i instrumenteve mbështetëse

Gjatë T4- 2012, depozita njëditore u përdor në total ne 60 raste, mesatarisht 5.96 miliardë lekë, gati 0.99 miliardë lekë më pak se në tremujorin e kaluar, kur ky instrument është përdorur në 65 raste, duke regjistruar një mesatare për rreth 6.95 miliardë lekë.

Instrumenti i kredisë njëditore është përdorur në 2 raste, mesatarisht 0.91 miliardë lekë, në datat 23 tetor dhe 21 dhjetor, 2012 që përkojnë me fundin e periudhës së mbajtës së rezervës së detyruar. Gjatë tremujorit të tretë ky instrument u përdor në 5 raste, mesatarisht 1.08 miliardë lekë.

*Shifrat janë të shprehura në vlerë nominale.