BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Mbi ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë dhe në tregun valutor gjatë tremujorit të parë të vitit 2012

Data e publikimit: 03.08.2012

 

1.1. Operacionet e tregut të hapur

Ndërhyrjet në tregun e parasë gjatë tremujorit të parë të vitit 2012, përfshijnë operacione të tregut të hapur për injektim dhe tërheqje të likuiditetit.

Sasia totale e likuiditetit të injektuar është rritur nga mesatarisht 21.9 miliardë lekë në fund të muajit dhjetor, në mesatarisht 22.8 miliardë lekë në tremujorin e parë të vitit 2012.

Për injektimin e likuiditetit, Banka e Shqipërisë përdori instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor, mesatarisht 15.47 miliardë lekë në javë?, si dhe marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim tremujor, e cila u  përdor në 5 raste, mesatarisht  2.1 miliardë lekë për ankand. Për të mundësuar tërheqjen e likuiditetit të tepërt në datat 23.02.2012 dhe 23.03.2012 , të cilat përkonin dhe me dy ditët e fundit të dy periudhave të njëpasnjëshme të mbajtjes së rezervës së detyruar, u përdor instrumenti marrëveshje riblerje me maturim njëditor, në nivelin mesatar 6.1 miliardë lekë.

1.2. Përdorimi i instrumenteve mbështetëse

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2012, depozita njëditore u përdor në 18 raste, mesatarisht 1.78 miliardë lekë, gati 1.57 miliardë lekë më shumë se në tremujorin e kaluar kur ky instrument ka regjistruar të njëjtën frekuencë përdorimi por një mesatare prej 0.21 miliardë lekësh.

Instrumenti i kredisë njëditore është përdorur në 12 raste, mesatarisht 0.21 miliardë lekë, kundrejt 3 rasteve të tremujorit të kaluar me një mesatare 0.03 miliardë lekë. Përqendrimi më i lartë i përdorimit, ka qenë në periudhën 12-23 janar dhe kryesisht në ditët e fundit të periudhës së rezervës së detyruar.