BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Mbi ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë dhe në tregun valutor gjatë tremujorit të parë të vitit 2013

Data e publikimit: 17.12.2013

 

1.1. Operacionet e tregut të hapur

Ndërhyrjet në tregun e parasë, gjatë tremujorit të parë të vitit 2013, përfshijnë operacione të tregut të hapur për injektim likuiditeti.

Sasia totale e likuiditetit të injektuar është rritur nga mesatarisht 16 miliardë lekë në fund të muajit dhjetor, në mesatarisht 16.93 miliardë lekë në tremujorin e parë të vitit 2013. Likuiditeti mesatar i injektuar është rreth 26% më i ulët se 1 vit më parë, kur kjo vlerë ishte 22.8 mld lekë.  

Për injektimin e likuiditetit Banka e Shqipërisë përdori instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor, mesatarisht 11.93 miliardë lekë në javë*, shoqëruar njëkohësisht me marrëveshje të anasjelltë riblerje me maturim njëmujor, mesatarisht 2.08 miliardë lekë në javë*.

Për periudhën 17 -23 janar 2013, që përkon me ditët e fundit te periudhës se mbajtjes së rezervës së detyrueshme, instrumenti njëditor është përdorur në 5 raste, mesatarisht për 1.17 miliardë lekë në ditë. Pas njoftimit për rihapje të ankandeve të obligacioneve 7-vjeçare, nga data 15 mars 2013 deri në ndërhyrjen javore të radhës, e cila përkonte edhe me ditën e fundit të punës për periudhën e mbajtjes së rezervës së detyruar, u zhvilluan 4 operacione injektuese njëditore, mesatarisht 1.85 miliardë lekë për ankand.

1.2 Përdorimi i instrumenteve mbështetëse

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2013, depozita njëditore u përdor në total në 35 raste, mesatarisht 1.39 miliardë lekë, gati 4.57 miliardë lekë më pak se në tremujorin e kaluar kur ky instrument është përdorur në 60 raste, duke regjistruar një mesatare për rreth 5.96 miliardë lekë.

Instrumenti i kredisë njëditore është përdorur në 8 raste, mesatarisht 1.47 miliardë lekë, kryesisht përqendruar në datat 10-23 janar 2013, që përkojnë me fundin e periudhës së mbajtës së rezervës së detyruar. Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2012, ky instrument u përdor në 2 raste, mesatarisht 0.91 miliardë lekë.

Grafiku i mëposhtëm paraqet në mënyrë të përmbledhur ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë për periudhën 2011-2013.