BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Mbi ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë dhe në tregun valutor gjatë tremujorit të tretë të vitit 2012

Data e publikimit: 21.02.2013

 

1.1. Operacionet e tregut të hapur

Ndërhyrjet në tregun e parasë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2012 përfshijnë operacione të tregut të hapur për injektim dhe tërheqje të likuiditetit.

Sasia totale e likuiditetit të injektuar është luhatur rreth vlerave mesatare të tremujorit të mëparshëm, nga 17.2 miliardë lekë në mesatarisht 17.8 miliardë lekë, në tremujorin e tretë të vitit 2012.

Likuiditeti mesatar i injektuar është rreth 22% më i ulët se 1 vit më parë, kur kjo vlerë ishte 23 mld lekë.  

Për injektimin e likuiditetit Banka e Shqipërisë përdori instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor, mesatarisht 14.61 miliardë lekë në javë*, shoqëruar, në tre javët e para, me marrëveshje të anasjelltë riblerje me maturim tremujor, dhe me marrëveshje të anasjelltë riblerje me maturim njëmujor për javët në vazhdim.

Duke marr shkas nga riinvestimi më i shpeshtë që karakterizon injektimet mujore, gjë që lehtëson përdorimin e këtij instrumenti paralelisht me operacionin kryesor të tregut, në fund të muajit korrik marrëveshjet e anasjelltë të riblerjes me maturim tremujor filluan te zëvendësoheshin me marrëveshje të anasjelltë njëmujore, e cila u përdor në dhjetë raste, mesatarisht 2.1 miliardë lekë për ankand*.

Për tërheqjen e likuiditetit të tepërt në datat 20-23 gusht 2012, të cilat përkonin dhe me ditët e fundit të periudhës së mbajtjes së rezervës së detyruar, u përdor instrumenti marrëveshje riblerje me maturim njëditorë, mesatarisht 1.12 miliardë lekë* për ankand.

Në kah te kundërt, për të kompensuar mungesën e likuiditetit në sistem, në ditët e fundit të periudhës së mbajtjes së rezervës , konkretisht në datën 23 korrik si dhe në 19-21 shtator 2012, u përdor në pesë raste instrumenti marrëveshje e anasjelltë riblerjeje me maturim njëditor, mesatarisht 1.40 miliardë lekë* për ankand.

Në vijim të operacioneve strukturore të tregut të hapur , të zhvilluara në pjesën e parë të vitit nga të cilat rritja neto e portofolit te BSH-së rezultoi 6.01 miliardë lekë?, ashtu si ishte paralajmëruar, gjatë tremujorit të tretë të vitit ka nisur sterilizimi i këtij efekti me maturimet në tregun primar. Ulja e riinvestimit të portofolit të BSH-së për tremujorin e tretë ka qenë 1.40 miliardë leke* e përqendruar në bono thesari 3 dhe 6 mujore, ndërkohë që 4.61 miliardë lekë* priten të maturohen në tregun primar gjatë tremujorit të fundit të vitit.

1.2. Përdorimi i instrumenteve mbështetëse

Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2012, depozita njëditore u përdor në total në 65 raste, mesatarisht 6.95 miliardë lekë, gati 2.44 miliardë lekë më shumë se në tremujorin e kaluar kur ky instrument është përdorur në 42 raste duke regjistruar një mesatare për rreth 4.51 miliardë lekë.

Instrumenti i kredisë njëditore pati përdorim më të lartë se në tremujorin e kaluar, përdorim ky që u përqendrua në ditët e fundit të periudhës së rezervës së detyruar, kryesisht ne datat 20-23 Korrik 2012. Gjatë tremujorit të tretë ky instrument u përdor në 5 raste, mesatarisht 1.08 miliardë lekë.

Grafiku i mëposhtëm paraqet në mënyrë të përmbledhur ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë për vitin 2011-2012.