BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Mbi ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë dhe në tregun valutor gjatë tremujorit të tretë të vitit 2013

Data e publikimit: 23.12.2013

 

1.1. Operacionet e tregut të hapur

Ndërhyrjet në tregun e parasë, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2013, përfshijnë operacione të tregut të hapur për injektim të likuiditetit dhe operacione të përhershme, me qëllim strukturimin e portofolit të BSH-së.

Sasia totale e likuiditetit të injektuar ka rezultuar mesatarisht 17.38 miliardë lekë, kundrejt 18.89 miliardë lekë që ishte në tremujorin e dytë. Likuiditeti mesatar për tremujorin e tretë të vitit 2013 rezulton vetëm 2% më i ulët se 1 vit më parë, kur kjo vlerë ishte 17.8 mld lekë.

Për injektimin e likuiditetit, Banka e Shqipërisë përdori instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor, mesatarisht 14.42 miliardë lekë në javë*, shoqëruar njëkohësisht me marrëveshje të anasjelltë riblerjeje me maturim njëmujor, mesatarisht 1.88 miliardë lekë në javë*. Operacioni injektues njëditor është përdorur vetëm në një rast, me qëllim korrigjimin e sasisë së likuiditetit në sistem në ditën e fundit të mbajtjes së rezervës së detyruar, në datë 23.09.2013.

Me qëllim strukturimin e portofolit të BSH-së, duke synuar uljen e zotërimit në bono 3 dhe 6-mujore, kompensuar kjo me rritje në emetimet 12-mujore, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2013 janë kryer operacionet e shitblerjeve me të drejta të plota, të cilat konsistojnë në një transaksion për shitje të bonos së thesarit 3-mujore të sapoemetuar për shumën 600 milionë lekë?, si dhe katër ndërhyrje në treg të hapur për blerje të bonove të thesarit 12-mujore shoqëruar me tentativa për kryerjen e transaksioneve dypalëshe, nga të cilat u arrit të realizohej blerja e bonove 12-mujore për shumën 560 milionë lekë.

1.2. Përdorimi i instrumenteve mbështetëse

Depozita njëditore është përdorur rregullisht gjatë tremujorit të tretë të vitit në total në 64 raste, mesatarisht 1.98 miliardë lekë, ndërkohë që në tremujorin e kaluar ky instrument ka regjistruar të njëjtën mesatare por në më pak raste përdorimi, përqëndruar në vetëm 28 ditë të tremujorit.

Instrumenti i kredisë njëditore është përdorur në 3 raste, mesatarisht 2.30 miliardë lekë, përqendruar në ditët e fundit të tre periudhave të mbajtjes së rezervës së detyruar të këtij tremujori. Gjatë tremujorit të dytë të vitit, ky instrument u përdor në 4 raste, mesatarisht 2.02 miliardë lekë.