BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Mbi ndërhyrjet në tregun e parasë dhe në tregun valutor gjatë tremujorit të dytë të vitit 2009

Data e publikimit: 15.10.2009

 

1. Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë

1.1. Operacionet e tregut të hapur

Ndërhyrjet në tregun e parasë gjatë tremujorit të dytë të vitit 2009 përfshijnë operacione të tregut të hapur për injektimin e likuiditetit.

Për të injektuar likuiditetin, Banka e Shqipërisë përdori instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor, mesatarisht 16.68 miliardë lekë* në javë si dhe instrumentin rregullues me maturim më të gjatë se një javë - marrëveshjen e riblerjes me maturim 3-mujor. Instrumenti rregullues u përdor në 5 raste, mesatarisht 3.4 miliardë lekë për ankand*.

1.2 . Përdorimi i instrumenteve mbështetëse

Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2009, depozita njëditore gjeti përdorim të ulët, pasi në fund të tremujorit të parë, në funksion të nxitjes së qarkullimit të likuiditetit, Banka e Shqipërisë vendosi të mos pranojë përkohësisht depozita njëditore. Vendimi për mospranimin e depozitave zgjati deri në fund të muajit maj 2009. Mospranimi i depozitave të bankave për këtë periudhë rriti vëmendjen e tyre për miradministrimin e likuiditetit, çka solli edhe përdorimin e pakët të këtij instrumenti pas vendimit për ripranimin e depozitave njëditore. Ky instrument u përdor mesatarisht 0.14 miliardë lekë në ditë gjatë muajit qershor, në krahasim me 1.04 miliardë lekë në ditë gjatë tremujorit të parë të këtij viti.

Instrumenti i kredisë njëditore nuk gjeti asnjë përdorim gjatë tremujorit të dytë të vitit 2009.