BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Mbi ndërhyrjet në tregun e parasë dhe në tregun valutor gjatë tremujorit të parë të vitit 2008

Data e publikimit: 15.07.2008

 

Ndërhyrjet në tregun e parasë gjatë tremujorit të parë të vitit 2008 përfshijnë operacione të tregut të hapur, kryesisht për tërheqjen e likuiditetit në përgjigje të tepricës së tij në sistemin bankar. Ndryshimi i situatës së likuiditetit në fund të tremujorit, kërkoi ndryshimin e kahut të operacioneve të Bankës së Shqipërisë në drejtim të injektimit të likuiditetit.

Për të tërhequr likuiditetin gjatë dy muajve të parë të tremujorit Banka e Shqipërisë ka përdorur marrëveshjen e riblerjes me maturim njëjavor, mesatarisht 4.04 miliardë lekë në javë; marrëveshjen e riblerjes me maturim njëmujor në tre raste, mesatarisht 0.9 miliardë lekë dhe marrëveshjen e riblerjes me maturim tremujor në tetë raste, mesatarisht 0.4 miliardë lekë. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë tërhoqi në mënyrë të përhershme 2 miliardë lekë, duke ulur portofolin e saj të bonove të thesarit të qeverisë.

Për injektimin e likuiditetit gjatë muajit të fundit të tremujorit Banka e Shqipërisë ka përdorur instrumentin e marrëveshjes së anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor, mesatarisht 1 miliard lekë në javë.