BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Mbi ndërhyrjet në tregun e parasë dhe në tregun valutor gjatë tremujorit të tretë vitit 2008

Data e publikimit: 16.01.2009

 

1. NDËRHYRJET E BANKËS SË SHQIPËRISË NË TREGUN E PARASË

1.1. Operacionet e tregut të hapur

Ndërhyrjet në tregun e parasë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2008, kanë vijuar të kryhen nëpërmjet instrumentit kryesor të Bankës së Shqipërisë, marrëveshjes së anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor, me një mesatare javore prej 4.46 miliardë lekësh.

Banka e Shqipërisë ndërhyri në dy raste edhe me instrumentin rregullues të saj, marrëveshje të anasjelltë riblerjeje me maturim njëditor, përkatësisht në shumat 2.00 dhe 3.00 miliardë lekë.

1.2 . Përdorimi i instrumenteve mbështetëse

Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2008, për investimin e likuiditeteve të lira, bankat përdorën depozitën njëditore, niveli mesatar ditor i të cilës ishte 5.07 miliardë lekë, në krahasim me 3.8 miliardë lekë në tremujorin e kaluar. Rritja e likuiditetit të investuar në depozitë njëditore ishte rezultat i rritjes së nivelit strukturor të likuiditetit të mbajtur nga bankat e nivelit të dytë. Ndërsa, instrumenti i kredisë njëditore gjeti përdorim rreth 0.95 miliardë lekë në 4 raste.

Grafiku i mëposhtëm paraqet në mënyrë të përmbledhur ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë, gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2008.