BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë gjatë tremujorit të dytë të vitit 2011

Data e publikimit: 23.11.2011

 

1.1. Operacionet e tregut të hapur

Ndërhyrjet në tregun e parasë gjatë tremujorit të dytë të vitit 2011 përfshijnë operacione të tregut të hapur për injektim dhe tërheqje të likuiditetit. Për injektimin e likuiditetit Banka e Shqipërisë përdori instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor, mesatarisht 15.11 miliardë lekë në javë?, si dhe marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim tremujor, e cila u  përdor në 2 raste, mesatarisht  2.5 miliardë lekë për ankand. Për të mundësuar tërheqjen e tepricës së likuiditetit, në datën 23.06.2011, u përdor instrumenti i marrëveshjes së riblerjes me maturim njëditor, në shumën 0.7 miliardë lekë.

1.2. Përdorimi i instrumenteve mbështetëse

Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2011, depozita njëditore u përdor në 19 raste,  mesatarisht 0.20 miliardë lekë. Kjo shifër është gati 0.05 miliardë lekë më e lartë se ajo e  tremujorit të kaluar, kur ky instrument është përdorur serish në 19 raste, mesatarisht 0.15 miliardë lekë. Përdorimi i depozitës njëditore u përqendrua kryesisht në periudhën 20-23 maj si dhe në periudhën 20-23 qershor, që përkojnë me fundin e periudhës së mbajtjes së rezervës së detyruar. Instrumenti i kredisë njëditore është përdorur në 13 raste, mesatarisht 0.23 miliardë lekë; kundrejt 6 rasteve të tremujorit të kaluar me një mesatare 0.17 miliardë lekë.