BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2011

Data e publikimit: 24.01.2012

 

1.1. Operacionet e tregut të hapur

Ndërhyrjet në tregun e parasë, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2011, përfshijnë operacione të tregut të hapur për injektim të likuiditetit.

Për injektimin e likuiditetit Banka e Shqipërisë përdori instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor, mesatarisht 21.25 miliardë lekë në javë? si dhe marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim tremujor, e cila u  përdor në 2 raste, mesatarisht  2.5 miliardë lekë për ankand. Në datat 22 dhe 23 shtator 2011, të cilat përkonin dhe me dy ditët e fundit të periudhës së mbajtjes së rezervës së detyruar, u përdor instrumenti, marrëveshje e anasjelltë riblerjeje me maturim njëditor, në shumën 1.50 miliardë lekë në secilin rast?.

1.2. Përdorimi i instrumenteve mbështetëse

Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2011, depozita njëditore u përdor në 10 raste, mesatarisht 0.18 miliardë lekë, gati 0.02 miliardë lekë më pak se tremujorin e kaluar, kur ky instrument është përdorur në 19 raste, mesatarisht për 0.20 miliardë lekë. Përdorimi i depozitës njëditore është përqendruar kryesisht në datat 22 korrik, 23 gusht e 23 shtator që përkojnë me fundin e periudhës së mbajtjes së rezervës së detyruar.

Instrumenti i kredisë njëditore është përdorur në 9 raste, mesatarisht 0.05 miliardë lekë, kundrejt 13 rasteve të tremujorit të kaluar me një mesatare 0.23 miliardë lekë.