BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, në takimin me përfaqësuesit e kompanive eksportuese dhe me Shoqatën Shqiptare të Bankave, 23 Shkurt 2009

Data e publikimit: 23.02.2009

 

Përshëndetje,

Është një kënaqësi e veçantë që në hollin e Bankës së Shqipërisë të pres kaq mysafirë të nderuar, kontributi i të cilëve në këto vitet e fundit ka qenë i konsiderueshëm, në drejtim të sigurimit të ritmeve të qëndrueshme të rritjes së aktivitetit ekonomik të vendit. Nga ana tjetër, roli juaj ka qenë vital në përfshirjen e Shqipërisë në proceset globalizuese dhe në thithjen e investimeve të huaja.

Industria e eksportit është një industri mjaft e rëndësishme për ekonominë shqiptare. Gjatë viteve të tranzicionit, ekonomia jonë ka regjistruar një bilanc tregtar negativ, i cili për rrjedhojë ka shkaktuar një deficitit korent të vazhdueshëm. Stabiliteti afatgjatë dhe qëndrueshmëria makroekonomike kërkojnë që këto balanca në rrjedhën e viteve të paguhen nga suficite tregtare në të ardhmen. E kuptoni që bëhet fjalë për një sfidë, me të cilën ju që jeni të pranishëm në këtë sallë, ju bie të përballeni në të tashmen dhe në të ardhmen e afërt dhe atë të më të largët. Sigurisht, që nuk mund të lë pa përmendur se një rol i madh i takon edhe institucioneve vendimmarrëse, të cilat me politikat ekonomike të zhvillimit duhet të krijojnë nxitësit përkatës, shtratin dhe infrastrukturën, ku do të mbështetet dhe promovohet biznesi tuaj.

Zhvillimet makroekonomike të viteve të fundit dhe tendencat e përgjithshme të shfaqura në treguesit e nivelit të jetesës tregojnë se ekonomia shqiptare arriti të dilte nga faza e tranzicionit, për të hyrë në grupin e vendeve në zhvillim. Megjithatë, aktualisht ekonomia shqiptare po ndikohet nga zhvillimet e raundit të dytë, që kanë prekur ekonomitë e zhvilluara të botës.

Përgjithësisht, shpërthimi i krizës financiare në tregjet e Amerikës, Azisë dhe Evropës pati si efekt të parë shtrëngimin e kushteve të kredisë, pakësimin e likuiditetit dhe reduktimin e vlerës së pasurisë kombëtare të këtyre ekonomive. Këto fenomene çuan në reduktimin e konsumit dhe investimeve dhe eventualisht, në ngadalësimin e përgjithshëm ekonomik në të gjitha këto rajone.

Këto zhvillime kanë prekur edhe ekonomitë në zhvillim, pasi procesi i globalizimit i ka kthyer këto të fundit në fabrikat e ekonomive të mëdha. Rrjedhimisht, ky fenomen ka ndikuar në përhapjen efekteve të kësaj krize edhe në ekonomitë në zhvillim.

Natyrshëm, që rënia e kërkesës ka ndikuar edhe në rënien e përgjithshme të investimeve të ekonomive të zhvilluara në tregjet tradicionale eksportuese. Tashmë, flukset e kapitalit që kanë financuar deficitet e larta korente, veçanërisht në ekonomitë në tranzicion të Evropës Lindore e Qendrore, kanë ndaluar. Për më tepër, kompanitë financiare dhe prodhuese, por edhe individët në ekonomitë e zhvilluara, të gjendur në vështirësi financiare po ushtrojnë presione, për të tërhequr fondet nga ekonomitë në zhvillim. Të gjitha këto zhvillime kanë tronditur ekuilibrat makroekonomikë të ekonomive në zhvillim, të cilat po përjetojnë thellim të deficiteve korente dhe presione të forta mbi monedhat e tyre.

Ky mekanizëm i përhapjes ose kontaminimit, përmes të cilit kriza e nisur në ekonomitë më të fuqishme të botës po përhapet në të gjithë botën, ka bërë që efektet të ndjehen edhe në ekonominë shqiptare. Pavarësisht se sistemi financiar nuk u ndikua nga kriza financiare botërore, efektet e raundit të dytë po shfaqen dhe do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Banka e Shqipërisë vlerëson se në vitin 2008, në kuadër edhe të një “thatësire” të madhe të tregjeve globale, është regjistruar rënie e flukseve hyrëse valutore dhe rritje e deficitit korent.

Gjatë dy muajve të fundit është evidentuar një zhvlerësim i moderuar i kursit të këmbimit. Megjithatë, duhet të kemi parasysh se Shqipëria gjendet në një pozicion më të favorshëm se ekonomitë e tjera të Evropës Lindore e Qendrore. Avantazhi ynë qëndron në faktin se ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, ne nuk i kemi financuar deficitet tone tregtare e korente me flukse afatshkurtra të kapitalit të huaj ose siç quhen ndryshe “ HOT MONEY”. Banka e Shqipërisë ka ndaluar kreditimin e ekonomisë me të ashtuquajturat “para ekzotike”, të cilat njëherë e një kohë përfaqësonin fonde me kosto shumë të lirë, të gatshme për të depërtuar edhe në ekonominë tonë. Më lejoni të kujtoj se në grackën e e këtyre fondeve kanë rënë shumë prej ekonomive në zhvillim, të cilat sot po vuajnë seriozisht nga largimi i këtyre fondeve. Për më tepër, ne kemi adoptuar një kurs këmbimi të luhatshëm, në dallim nga kurset e fiksuara ose të menaxhuara.

Banka e Shqipërisë vlerëson se zhvillimet aktuale, në veçanti ato të partnerëve tanë kryesorë, do të sjellin tendenca që përgjithësisht janë të ndryshme nga ato me të cilat kemi punuar gjatë dhjetë viteve të fundit.

Aktualisht, Eurozona është në krizë. Rritja ekonomike është negative, euro po humbet terren ndaj dollarit, papunësia është në rritje dhe çmimet po ulen. Industri të rëndësishme, si ajo financiare ose e makinave janë në gjendjen më të keqe të 50 viteve të fundit dhe qeveritë e këtyre vendeve janë detyruar të miratojnë paketa ndihme, për të garantuar mbijetesën e tyre. Sipas vlerësimeve më optimist, kjo situatë nuk do të përmirësohet të paktën deri në fund të këtij viti. Për këtë arsye, theksoj se eksportuesit duhet të adoptojnë filozofi të reja. Ata duhet të jenë krijues, të shtojnë produktet dhe të zbulojnë tregje të reja, jashtë atyre tradicionale, të cilat aktualisht janë goditur nga kriza financiare dhe ekonomike.

Zhvillimet globale imponojnë adoptimin e përqasjeve të reja. Stadi i zhvillimit ekonomik e financiar të vendit dhe kalimi në grupin e vendeve në zhvillim ka krijuar kushtet që biznesi në përgjithësi, por në veçanti industritë që punojnë për degën e eksportit, të adoptojnë standarde të reja në menaxhimin e biznesit të tyre. Biznesi duhet të kuptojë se regjimi optimal i veprimtarisë së tyre, kërkon elemente të reja. Zhvillimet aktuale në ekonominë botërore e bëjnë të nevojshëm kujdesin në rritje për administrimin e portofoleve të mjeteve financiare, për menaxhimin e rrezikut në përgjithësi dhe atë të kursit të këmbimit më në veçanti si dhe për identifikimin e mënyrave dhe instrumenteve alternative të financimit. Bizneset duhet të investojnë në rritjen e kapaciteteve analizuese dhe parashikuese. Ato duhet të ndërtojnë skenarët e tyre të zhvillimit përfshirë dhe parashikimin e humbjeve të mundshme financiare që shkaktohen nga mosveprimi. Për të siguruar një veprimtari eficiente, sigurisht që do të ishte i domosdoshëm edhe punësimi i burimeve njerëzore të afta, të specializuara, të edukuara, që do të thotë profesionistë. Për këtë qëllim, ju ftoj të bashkëpunoni më shumë me sistemin bankar. Ju këshilloj t’i qëndroni më afër bankave, por edhe Bankës së Shqipërisë dhe të jeni më të hapur me to. Përdoreni këtë komunikim për të ndërtuar një bashkëpunim preferencial. Kjo rrugë do t’ju krijojë mundësinë për të gjetur dhe nxitur mundësitë dhe instrumentet e duhura të financimit, për të kaluar vështirësitë e momentit dhe për të garantuar të ardhmen e kësaj dege të rëndësishme të biznesit.

Rritja e te ardhurave valutore nga të gjitha burimet e mundshme përkthehet në rritjen e stabilitet makroekonomik e veçanërisht atij financiar të ekonomisë shqiptare. Aktualisht, karakteristikat gjeografike, demografike, ekonomike e sociale që gëzon ekonomia shqiptare paraqesin avantazhe, të cilat po të shfrytëzohen me zgjuarsi mund të materializohen në përfitime ekonomike. Rrjedhimisht, sektori i eksportit përbën burim të rëndësishëm fitimi dhe fluksesh valutore për ndërmjetësimin financiar në valutë. Nga ky këndvështrim, mbështetja e eksportuesve nga sektori financiar jo vetëm me produkte dhe burime financiare por edhe me konsulencë financiare është një aktivitet me përfitim dypalësh. Për këtë arsye, gjykoj se roli i sistemit bankar mund të jetë një nga nxitësit kryesorë, për të absorbuar disa prej disavantazheve që gjeneron situata aktuale ndërkombëtare.

Përfitoj nga prania e sistemit bankar për t’iu drejtuar me një apel institucional. Vlerësojeni më me kujdes rolin dhe potencialet e këtij biznesi, qëndrojini afër me këshilla dhe konsulencë financiare, rishikoni politikat tuaja të vendosjes së komisioneve për këtë biznes dhe në këtë proces jepini përparësi financimit më të madh të tij. Kriza e fundit tregoi se të gjithë ne lundrojmë në të njëjtat ujëra dhe mund t’i rezistojmë dallgëve, vetëm nëse i përballojmë këto sfida së bashku. Aktiviteti i eksportit është gjenerues i flukseve valutore aq të nevojshme për stabilitetin e monedhës. Stabilitet i cili lidhet me të gjithë ekuilibrat e tjerë përfshirë edhe stabilitetin e sistemit financiar.

Në këto kushte duhet të jemi të ndërgjegjshëm se bëhet fjalë për një aksion të përbashkët, me rëndësi kombëtare thellësisht patriotik për nga vlerat dhe për nga e ardhmja e vendit. Bëjeni tregun më të gjallë, më konkurrues dhe më inovativ. Infrastruktura financiare tashmë është e plotë dhe ju takon ta shfrytëzoni atë me më shumë eficiencë.

Ka ardhur koha që të përpiqemi për ekuilibra të tjerë në raportin e hyrjeve valutore në ekonomi. Remitancat kanë qenë të rëndësishme për shumë kohë. Ato ishin serumi më i madh valutor në ekonomi. Megjithatë, duhet të jemi të ndërgjegjshëm se në totalin e prurjeve valutore në të ardhmen, zëra parësorë do të jenë tregues të tjerë si eksportet dhe investimet e huaja direkte. Kjo është e rëndësishme të kuptohet nga gjithsecili dhe mbi këtë bazë të ndërtojmë punën tonë të përbashkët për të ardhmen.

Të nderuar pjesëmarrës,

Iniciativat në rrafshin ndërkombëtar janë në proces. Takimi i Berlinit ishte shumë i rëndësishëm në këtë drejtim. Aty u diskutua gjerë e gjatë dhe u konvergua në idenë se ka hapësira për më shumë veprime të koordinuara dhe veprimet proteksioniste nuk janë zgjidhjet për të dalë nga kriza.

Takimi i Londrës do të hedhë hapa të tjerë në këtë drejtim. Ai do të ketë në qendër të tij, stimulimin e investimeve për një të ardhme më të zgjuar. Ndërtimi i modeleve të reja, për një botë të re më të strukturuar dhe me industri të rinovuar. Kriza do të ketë fituesit e saj. Të fituar do të jenë ata që do të zhvillojnë politika, produkte, shërbime dhe tregje të reja të natyrës jociklike.