Mbahet Takimi Bilateral Screening BE- Shqipëri për kapitullin 4-Lëvizja e lirë e Kapitalit

Me zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare BE-Shqipëri për negociatat e anëtarësimit, mbajtur më 19 korrik 2022, procesi i integrimit të Shqipërisë në BE vijoi me takimet screening për çdo kapitull të acquis-së.  

Kështu, në datën 15 Shkurt 2023, u zhvillua në Bruksel takimi bilateral screening për Kapitullin 4 “Lëvizja e lirë e kapitalit”, një kapitull ky me një domethënie të veçantë për negociatat e anëtarësimit në aspektin ekonomik, i cili trajton një nga katër liritë thelbësore të tregut të përbashkët të Bashkimit Evropian.   

1

Banka e Shqipërisë duke qenë institucion lider i Grupit Ndërinstitucional të Integrimit Evropian për Kapitullin 4, nën drejtimin e Zëvendësguvernatores së Dytë znj. Natasha Ahmetaj, në cilësinë e bashkënegociatores për këtë kapitull, ka qenë maksimalisht e angazhuar në përgatitjet me sukses të takimit bilateral screening. 

Delegacioni shqiptar ishte i përbërë nga ekspertë të Bankës së Shqipërisë, Ministria e Ekonomisë dhe Financave, Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në rolin e prezantuesve, por edhe të mbështetësve për çështjet e kapitullit.  

Sipas axhendës së parapërcaktuar, pala shqiptare shpjegoi kuadrin shqiptar ligjor dhe institucional, si dhe implementimin e tij, duke nënvizuar shkallën e përafrimit dhe hendeqet ekzistuese në raport me kuadrin ligjor dhe institucional të BE-së për çdo tematikë të kapitullit. 

Një pjesë e rëndësishme iu dedikua edhe parashtrimit të planeve për përafrimin e mëtejshëm me acquis të BE-së, si dhe masave antikorrupsion, duke theksuar kështu vullnetin dhe qartësinë në përmbushjen e kritereve kryesore të kapitullit, në kuadër të perspektivës të përparimit të shpejtë të procesit të negociatave të anëtarësimit. 

Gjithashtu, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian shtruan një sërë pyetjesh, përgjigjet e të cilave u referuan nga ekspertët shqiptarë sipas fushave të përgjegjësisë së secilit. 
Në përfundim të takimit, z. Marc Jorna, në cilësinë e kryetarit të delegacionit të BE-së, falënderoi dhe vlerësoi të gjithë ata që ishin të pranishëm në takim, duke u ndalur edhe tek puna mjaft e mirë e bërë nga ekspertët e vendit tonë në prezantimet dhe përgjigjet e dhëna, si dhe  informoi se Komisioni Evropian do të përgatisë Raportin Screening për këtë kapitull, i cili do të shërbejë si udhërrëfyes në procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.