BANKA E SHQIPËRISË

Një program për reduktimin e cash-it!
Argumente nga Guvernatori, z.Shkëlqim Cani, në leksionin me studentët e Universitetit të Elbasanit

Data e publikimit: 06.04.2004

 

Të gjithë jemi dëshmitarë që përgjithësisht pagat jepen me para në dorë dhe jo nëpërmjet llogarive rrjedhëse që secili prej të punësuarve në sektorin publik apo privat mund të ketë. Po ashtu, detyrimet ndaj kompanive publike KESH, Albtelekom, Ujësjellës, detyrojnë qytetarët të humbasin kohën dhe të lëvizin me shuma parash, deri në sportelet përkatëse dhe rimbursimet e sigurimeve shëndetësore janë kthyer në një ankth për individët. E gjithë kjo ecejake, ka një domethënie, praninë e konsiderushme të veprimeve me para në dorë (cash) në Shqipëri, duke përbërë një nga mbështetetësit e informalitetit të saj. Edhe shumica e bizneseve dhe e individëve vazhdojnë të kryejnë pjesën më të madhe të transaksioneve financiare jashtë bankave. Një nga kostot që shkakton ekonomia e cash-it është zvogëlimi i aftësive të bankave për të kanalizuar mjetet financiare (depozitat) drejt investimeve në formën e kredive. Një kosto tjetër, e cila lidhet drejtpërdrejtë me Bankën e Shqipërisë, ka të bëjë me faktin se sasia e madhe e parasë në qarkullim ndikon në një farë mënyre në uljen e efektivitetit të vendimeve të politikës monetare. Për këto arsye dhe argumenta të tjerë, Banka e Shqipërisë e konsideron reduktimin e përdorimit të cash-it në ekonomi, si një problem kompleks që kërkon angazhimin jo vetëm të sistemit bankar por edhe të aktorëve me ndikim të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit.

Programi përfshin të gjithë aktorët.

Faza e parë është konsideruar si periudha e sensibilizimit, kryesisht të institucioneve shtetërore në lidhje me problemin e pranisë së gjerë të përdorimit të cash -it në ekonominë tonë. Duket qartë se qeveria shqiptare, është mjaft e interesuar për të reduktuar këtë fenomen, sepse ai ndikon drejtpërdrejtë në gjetjen e rrugëve efikase për rritjen ekonomike të vendit. Kjo për faktin se paratë kanalizohen nëpërmjet rrugëve zyrtare dhe kthehen në të shfrytëzueshme nëpërmjet sistemit bankar. Në këtë mënyrë, pjesë të aktivitetit ekonomik të vendit kthehen nga "të paidentifikuara" në ‘të identifikuara". Ky element, bën që me të drejtë qeveria Shqiptare, Ministria e Financave dhe ajo e Ekonomisë të konsiderohen si bashkëpunëtoret më të afërta të Bankës së Shqipërisë në këtë program. Fazat e mëtejme të programit, kanë të bëjnë me kryerjen e veprimeve konkrete nga të gjithë aktorët e këtij programi. Kuptohet që realizimi i disa prej tyre mund të jetë në një afat më të gjatë kohor, ndërsa disa të tjera, duhen kryer më shpejt, përsa kohë që vlerësohet se ekzistojnë parakushtet e aplikimit të masave apo ndërmarrjes së veprimeve konkrete.

Bankat, biznesi dhe individët janë njëra anë e marrëdhënies, që lind për t'i shërbyer reduktimit të cash-it, ndërsa qeveria me strukturat përkatëse administrative (Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave), ka një rol përcaktues në rregullimin e kësaj marrëdhënie në favor të jocash-it. Pagesat dhe arkëtimet në favor të buxhetit të shtetit duhet të kryhen maksimalisht nëpërmjet sistemit bankar. Në këtë mënyrë, reduktohet rrjedhja e parasë në kanale të panjohura, që shpesh bëhen bazë e korrupsionit dhe e evazionit fiskal. Detyrim për çelje llogarish dhe kryerje transfertash bankare edhe në marrëdhënie me organet fiskale, duhet t'i ketë jo vetëm biznesi i madh, por në tërësi biznesi shqiptar, duke mos lënë jashtë kësaj marrëdhënieje edhe biznesin e mesëm dhe të vogël.

Gjykohet se ka ardhur koha që shlyerja e detyrimeve në formën e pagave dhe shpërblimeve të tjera të administratës shtetërore të kryhet nëpërmjet llogarive bankare. Ndonëse të ardhurat për këtë kategori të punësuarish janë ende të ulëta, përsëri gjykohet se ky është një hap i rëndësishëm, për të bërë klientë të bankave edhe punonjësit e administratës publike. Janë bankat që nëpërmjet konsolidimit të kësaj marrëdhënieje, mund t'u ofrojnë këtyre klientëve ‘preferencialë', por edhe të sigurt, shërbime bankare dhe bonuse, të ndryshme në këmbim të përdorimit të mjeteve alternative të pagesës, në jocash. Këtu mund të realizohet edhe ideja e kalimit të pensioneve nëpërmjet llogarive bankare.

Instalimi dhe fillimi nga puna i sistemit të kleringut, është një hap që ndihmon marrëdhënien: bankë - klient (biznes ose individ) - tatime dhe dogana - sistem informacioni statistikor. Kjo do të thotë që, rruga që përshkon një transaksion bankar, evidentohet në një sistem të plotë, që në fund të fundit i shërben të gjithëve: shtetit, bankës, bankës qendrore, individëve dhe bizneseve.

Likuidimi i detyrimeve mujore (energji, ujë, telefon, rimbursime shëndetësore) të punonjësve të administratës publike mund të kryhet nëpërmjet transfertës bankare. Humbja e kohës, rastet e harresës së kryerjes së këtyre detyrimeve dhe lëvizja me cash nga njëri sportel në tjetrin, janë aspekte që eliminohen nëpërmjet kësaj rruge (transfertë bankare). Për pjesën tjetër të popullatës, përdorimi i çekut bankar apo edhe i atij postar, është një mënyrë që realizon kalimin e këtij detyrimi nëpërmjet llogarisë bankare.

Bankat e nivelit të dytë, janë aktore që luajnë një rol mjaft të rëndësishëm në marrëdhënien ekonomi - klient - cash. Një bankë, si ndërmjetëse financiare, e konsideron kryerjen në masë të madhe të transaksioneve në cash, me mjaft vështirësi dhe pengesa, sepse pranimi dhe disbursimi i cash-it është një shërbim me kosto të lartë për bankat. Në fakt në shumicën e rasteve, bankat këtë shërbim ua ofrojnë klientëve të tyre falas. Kjo sakrificë për të ofruar një alternativë pagese ‘cash në bankë' ndaj një pagese ‘cash në dorë' është shprehje e interesit të drejtpërdrejtë të bankave. Prandaj, ka ardhur koha që sistemi bankar të veprojë më me agresivitet, sidomos sot, kur pritet që konkurrenca në tregun bankar do të rritet me ardhjen e Raiffeisen Bank. Pretendohet që kjo e fundit do të ofrojë shërbime të reja bankare, që natyrshëm, synojnë thithjen e parasë brenda sistemit bankar. Duke e përgjithësuar idenë, do të thonim se sa më pak cash të qarkullojë në ekonomi aq më i suksesshëm është sistemi bankar i saj, aq më i dukshëm është zhvillimi.

Për këtë është e domosdoshme që të realizohen disa pika të rëndësishme të programit në drejtim të:

  • pranisë së agjencive bankare pranë pikave ku arkëtohen detyrimet periodike si dhe të tjera detyrime me natyrë fiskale;
  • pranisë së agjencive bankare pranë komunave dhe bashkive të vogla. Në këto zona, zyrat postare të Albapostës duhet të jenë aktive për kryerjen e transfertave bankare;
  • ndërtimin e një sistemi elektronik që do të verifikojë on - line gjendjet e kartave elektronike, një hap ky që do të inkurajonte përdorimin masiv të kartave të kreditit dhe të debitit. Vendosja e ATM-ve dhe sistemi i kleringut, janë hapa, që shërbejnë si parakushte për reduktimin e parasë cash në ekonomi, ndaj bankat duhet t'u paraprijnë përmbushjes së tyre;
  • rritjen e shërbimeve bankare dhe uljen e komisioneve që sistemi bankar përdor. Ka ardhur koha që sistemi bankar të shtojë numrin e instrumenteve financiare në dispozicion të individëve për shembull, çertifikatat e depozitave.
  • shtimin e marketingut të biznesit bankar. Për një pjesë të madhe të popullsisë banka ende identifikohet me një arkë kursimi, ndërkohë që shumë anë të tjera të biznesit bankar mbeten pothuaj të panjohura.

    Përfshirja e biznesit dhe publikut.

    Biznesi, është pjesë e rëndësishme e marrëdhënies qeveri - biznes - bankë, e ndërtuar mbi bazë mirëkuptimi, rregulli dhe respektimi të rregullave nga të gjithë dhe për të gjithë njësoj. Ekziston një grup biznesesh që kanë një histori marrëdhëniesh të rregullt me bankat dhe me administratën tatimore dhe doganore. Ky është grupi elitar i biznesit i cili në fakt ka ardhur duke u rritur në Shqipëri. Ai thith dhe asimilon shumë shpejt të rejat në teknologjinë bankare që, në fund të fundit, kanë për qëllim përdorimin e jocash-it. Ndërkohë, ekziston një grup jo i vogël biznesesh të cilët akoma nuk janë familjarizuar me bankën. Marketingu bankar duhet të synojë edhe drejt këtij grupi, për të shpjeguar përfitimet dhe kostot nga shërbimet që ofrojnë bankat sot.

    Publiku, është një aktor i kudondodhur i këtij programi. Së pari, ai duhet të mirëkuptojë qëllimin e programit, më pas të njohë dhe të përdorë instrumentet bashkëkohore të pagesave duke rritur vëllimin e transaksioneve që kryen nëpërmjet sistemit bankar. Në fakt, publiku shqiptar ka treguar dhe më parë se nuk ka vështirësi në thithjen e shërbimeve dhe të produkteve të reja. Këtu mund të përmendim si shembuj rastet e thithjes në masë të telefonisë celulare, të përdorimit të gjerë të internetit (përhapja dhe shkalla e lartë e frekuentimit të ambienteve të Internet Café-ve) si edhe të përdorimit të gjerë të shërbimit të bonove të thesarit. Edhe në rastin e përdorimit të jocash-it apo edhe të produkteve dhe shërbimeve të reja lehtësuese të ofruara nga bankat, pritet që publiku të jetë i gatshëm t'i asimilojë shpejt ato.

    E rëndësishme është që publiku i gjerë e në mënyre të veçantë, biznesi, i cili ndjen në mënyrë të përditshme rreziqet cash-it, të mbajtjes dhe transportimit të tij, pamundësinë e administrimit të mirë të likuiditetit dhe kostot që e shoqërojnë këtë fenomen, të ndjejnë praninë e bankës si institucion besimi.
    Bankat duhet të bëhen të pranishme në ekonomi, për t'i demonstruar publikut të gjerë se çfarë ato u ofrojnë, që ky i fundit t'i ndjejë ato të pranishme në jetën e përditshme.

    Në vend të mbylljes!
    Të jetosh në një ekonomi ku paraja qarkullon në një masë të madhe në formën e cash-it, ky nuk është tregues i një ekonomie moderne tregu. Për më tepër një formë e tillë, ushqen dhe ushqehet nga një sektor informal i gjerë i ekonomisë. Me gjithë përpjekjet drejt zhvilimit dhe integrimit, fatkeqësisht, konstatojmë se jetojmë në një realitet të tillë, të cilin duhet ta ndryshojmë. Programi i cilësuar "Përtej parasë", është një hap drejt reduktimit të ekonomisë cash. Realizimi i synimeve të këtij programi është i lidhur ngushtë me aspektin e qëndrueshmërisë makroekonomike, institucionale dhe zhvillimeve infrastrukturore. Ndërsa aspekti makroekonomik mund të konsiderohet deri - diku i qëndrueshëm, ka ende shumë për të bërë në aspektin ligjor dhe institucional. Këtu vihet theksi në zbatueshmërinë e ligjit dhe në sigurimin e rendit, të cilat ndikojnë mbi veprimtarinë e biznesit në tërësi dhe mbi atë bankar në veçanti.

    Një kuadër ligjor i plotë dhe i zbatueshëm njësoj për të gjithë, ndikon në zhvillimin ekonomik të vendit në kushtet e një konkurrence të ndershme duke ulur evazionin fiskal dhe korrupsionin. Ndërkohë që përmirësimet infrastrukturore përbëjnë një tjetër parakusht që ndihmon arritjen e synimeve të programit "Përtej parasë".