BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Diskutimi i Guvernatorit Fullani në takimin "Bujqësia dhe Zhvillimi Rajonal", organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Reforma dhe Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Bashkia Manzë, 11 mars 2008

Data e publikimit: 12.03.2008

 

I nderuar Z. President,
Të nderuar pjesëmarrës,

1: Hyrje

Takimi i sotëm mendoj se përbën një përpjekje serioze për të evidentuar saktë dobësitë dhe përparësitë e zhvillimit të sektorit bujqësor në Shqipëri. Përfitoj nga rasti për të përshëndetur iniciativën e organizatorëve të këtij takimi, për mbajtjen e këtij evenimenti kaq domethënës. Mendoj se debati i nivelit të lartë qoftë në publik, qoftë në nivel institucional rreth këtyre problemeve ka qenë i zbehtë dhe sinqerisht dëshiroj të ritheksoj se ky takim i sotëm është i duhuri dhe me shumë interes nga këndvështrimi i Bankës së Shqipërisë.

Në disa prej daljeve të mija në publik, kam cituar ndikimin e këtij sektori ndaj argumenteve të tilla si inflacioni i mallrave të konsumit dhe deficiti tregtar, të cilat përbëjnë çështje të një interesi të veçante për Bankën e Shqipërisë. Po kështu, kam sjellë në vëmendje të publikut, rëndësinë dhe domosdoshmërinë për të ndërmarrë reforma të thella strukturore, shumë prej të cilave do të çonin në zhvillimin e këtij sektori.

Jo pa shkak edhe në mbledhjen e tij të fundit Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ritheksoi (citim nga Këshilli Mbikëqyrës)... "nevojën e ndërmarrjes së reformave strukturore në bujqësi, me qëllim rritjen e eficiencës dhe prodhimit në këtë sektor, në mënyrë që në një periudhë afatmesme të mund të zvogëlohen përmasat dhe efektet e goditjeve nga jashtë, që kanë të bëjnë me prodhimet bujqësore".

Në vazhdim do t'i rikthehem disave prej çështjeve që përmenda shkarazi më sipër.

2: Efekti në inflacion dhe në deficitin tregtar

Luhatja e çmimeve të produkteve bujqësore, të përpunuara apo jo, ka një ndikim të shpejtë dhe me intensitet të lartë në inflacion. Kjo ndodh jo thjesht se çmimet e mallrave ushqimorë kudo karakterizohen nga një sezonalitet i theksuar, por edhe për faktin se pesha e mallrave ushqimorë në totalin e indeksit të çmimeve të konsumit në Shqipëri është më e lartë se e të gjitha nëngrupeve të tjera, rreth 40%.

Për rrjedhojë, zhvillimet në çmimet e mallrave ushqimorë marrin një kuptim tjetër për Bankën e Shqipërisë, në kontekst të përmbushjes së detyrimit të saj ligjor, arritjes së objektivit kryesor të stabilitetit të çmimeve.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm është edhe thellimi i vazhdueshëm i bilancit tregtar të ushqimeve, pavarësisht faktit nëse bëhet fjalë për produkte të përpunuara apo jo. Gjatë pesë viteve të fundit 2002 - 2007, deficiti tregtar në ushqime është luhatur në intervalin 18% - 20% të totalit të deficitit tregtar.

Elementi i tretë që na bën shumë të ndjeshëm, mendoj se lidhet me zhvillimet e fundit në tregjet ndërkombëtare, efekti i të cilave është pasqyruar në Shqipëri. Kohët e fundit tregjet ndërkombëtare po njohin shtrenjtim të drithërave dhe të produkteve me origjinë bimore dhe shtazore.

Arsyet dihen, por ajo që është e pa qartë ka të bëjë me kohëzgjatjen e këtij fenomeni dhe imunitetin që ekonomi të ndryshme kanë ndaj tij. Mendoj se pjesa më e vështirë ende na pret përpara, ndaj do të ishte e udhës që takimi i sotëm të mos ishte i fundi.

3: Pengesat strukturore në bujqësi dhe reformat e nevojshme

Prodhimi bujqësor haset me një sërë pengesash, ndër të cilat mund të përmendim: mosfunksionimi i tregut të tokës bujqësore dhe paqartësitë në titujt e pronësisë, copëzimi i madh i tokës bujqësore, sistemi i dobët i grumbullimit dhe i shpërndarjes, infrastruktura e pazhvilluar në zonat rurale, mungesa e teknologjisë së duhur mekanike, mungesa e sistemeve të përshtatshme të vaditjes, mungesa e financimeve, marketingu i pamjaftueshëm dhe plot arsye të tjera, të ngjashme.

Pengesat strukturore të përmendura më sipër, konfirmohen edhe nga të dhënat e mëposhtme. Bujqësia në Shqipëri është e drejtuar kryesisht nga plotësimi i nevojave të vetë familjeve fermere. Vetëm 30% e prodhimit bujqësor nxirret në treg. Gjithashtu, vlerësohet që prodhimi bujqësor për çdo fermer është mesatarisht 4 herë më i vogël se në anëtarët e rinj të BE-së dhe 20 herë më i vogël se anëtarët e vjetër të BE-së. Bujqësia mbizotërohet nga ferma të vogla, me sipërfaqe mesatare vetëm 1.13 hektarë.

Forma aktuale e organizmit të bujqësisë me ferma tepër të vogla dhe të copëzuara e bën të pamundur shfrytëzimin e ekonomive të shkallës, ul rentabilitetin e përdorimit të mekanikës bujqësore dhe për pasojë, rezulton në kosto tepër të lartë dhe produktivitet të ulët në prodhimin bujqësor.
Më tej, natyra e ngushtë familjare dhe e paformalizuar e këtyre fermave si dhe produktiviteti i ulët, vështirësojnë shpërndarjen e fondeve kredituese drejt këtij sektori, duke formuar kështu një rreth vicioz. Pikërisht, është e nevojshme të ndërhyhet në këtë rreth vicioz midis produktivitetit të ulët, infrastrukturës dhe mekanizimit të pamjaftueshëm, dhe mungesës së financimeve.

Për këtë qëllim, mendoj se reforma strukturore në bujqësi është e domosdoshme dhe duhet të synojë: rritjen e produktivitetit, uljen e kostove, përmirësimin e infrastrukturës, të sistemeve të grumbullimit dhe të shpërndarjes.

--- Rritja e produktivitetit në bujqësi mund arrihet vetëm në sajë të përmirësimit dhe optimizimit të raporteve midis inputeve tokë, krah pune, kapital si edhe nëpërmjet konvergimit të këtyre raporteve, të paktën sipas standardeve të vendeve të rajonit. Kërkesat në fjalë mbështeten nga teoritë e rritjes dhe zhvillimit, por këto nuk mund të arrihen vetvetiu, në qoftë se nuk ndërmerren reforma të përshtatshme strukturore.

Më lejoni të përmend këtu se, për pasojë të mungesës së optimizimit të këtyre raporteve dhe për mungesë të kësaj konvergjence, shumë bujq shqiptarë janë tunduar nga një leverdishmëri më e lartë, për të kryer të njëjtën punë në ferma në vende të huaja, dhe kanë emigruar jashtë.

Reforma strukturore duhet të shtrihet në rradhë të parë drejt funksionimit të tregut të tokës bujqësore. Pa dyshim, që kjo kërkon përcaktimin e qartë të tokave bujqësore përkundrejt atyre për përdorime të tjera, qartësimin e titujve të pronësisë së këtyre tokave. Kjo do të lejonte krijimin e fermave më të mëdha, optimizimin e raporteve tokë bujqësore me krah pune dhe kapital, lëvizjen drejt një konvergjence më të mirë, realizimin e ekonomive të shkallës dhe për pasojë, rritjen e produktivitetit. Vetëm kjo reformë mund të garantojë zhvillime të suksesshme dhe për më tepër, të qëndrueshme në këtë sektor.

--- Përmirësimet e infrastrukturës dhe të sistemit të grumbullimit dhe shpërndarjes gjithashtu, janë të një rëndësie të veçantë. Këto përmirësime do të rritnin perspektivën e tregut për produktet bujqësore (përkundrejt asaj për përdorim të brendshëm nga vetë familjet rurale).

Më lejoni të përmend këtu, se si pasojë e papërshtatshmërisë të sistemeve të grumbullimit dhe shpërndarjes, jo në pak raste prodhimet bujqësore mbeten të pashitura ose shiten me çmime të ulëta, në tregje lokale të mbingopura ndërsa çmimet e tyre në tregje të tjera janë shumëfish më të larta.

Akoma më keq, si pasojë e mungesës së infrastrukturës dhe mekanizimit, tokat bujqësore mbeten të papunuara. Përmirësimi i sistemit të grumbullimit dhe shpërndarjes mund të formalizojë iniciativat në ketë sektor dhe t'i shndërrojë ato në biznese më të mirëfillta, duke i bërë më transparente, të vlerësueshme e të monitorueshme.

Për rrjedhojë, do të mund të nxisë bashkëpunimin e sektorit financiar me atë bujqësor. Ndërsa përmirësimi i infrastrukturës rrugore, vaditëse dhe asaj kulluese është i nevojshëm për t'i ofruar bujqve tanë kushte dhe mundësi të barabarta, me ato të bujqve në vende të tjera të rajonit.

--- Financimi dhe kreditimi i bujqësisë përbën një shtyllë tjetër të rëndësishme. Arsyet e mungesës së këtij kreditimi kanë të bëjnë në rradhë të parë me vetë produktivitetin e ulët të sektorit të bujqësisë, me mosoptimizimin e inputeve të tij, me mosformalizimin e iniciativave bujqësore dhe mungesën e perspektivës së tyre të tregut. Për rrjedhojë, në afat të gjatë është e nevojshme të garantohen reformat e përmendura më sipër në drejtim të rritjes së produktivitetit dhe formalizimit të iniciativave bujqësore, në mënyrë që sektori bujqësor të shihet me më shumë interes edhe nga bankat.

Gjithsesi, në të njëjtën kohë duhet të shqyrtohen të gjitha hapësirat e natyrës alternative. Skema të testuara në vende të tjera, ku bujqësia është pjesë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik, mund të lindin si nga iniciativa publike ashtu edhe nga ato private. E rëndësishme është që të shtojmë alternativat për financimin e specializuar të sektorit bujqësor.

Që prej dy vjetësh, Banka e Shqipërisë e ndjek me kujdes të veçantë zhvillimin e institucioneve të kreditimit të bujqësisë, me synimin për t'i ndihmuar ato të zhvillohen në formën e institucioneve të mirëfillta financiare dhe të sillen në përputhje me standardet më të mira të transparencës, kredibilitetit dhe eficiencës. Në këtë mënyrë, bankat do t'i vlerësojnë si partnerë realë në procesin e kanalizimit të fondeve në sektorin bujqësor.

Përmirësimi nga Banka e Shqipërisë i aspektit institucional, rregullativ dhe raportues të aktivitetit të këtyre institucioneve do t'i inkorporojë këto të fundit dhe rrjetin e tyre të kreditimit, në një pjesë organike të sistemit financiar. Agjencitë e specializuara të kreditimit të bujqësisë, nevojitet të konsolidohen dhe të krijojnë përparësi krahasuese kundrejt bankave në përgjithësi, për përzgjedhjen e projekteve të leverdishme, vlerësimin e rrezikut etj..

Krijimi i instrumenteve moderne për financimin dhe mbështetjen financiare të aktivitetit bujqësor, duke prezantuar shërbime dhe produkte të dedikuara për segmente të veçanta, që aktualisht mbeten jashtë skemave të financimit, do të ofronte alternativën e duhur, për aq kohë sa bankat universale ende nuk e gjejnë të leverdishme dhe nuk kanë predispozicionin dhe aftësitë, për të vepruar në kreditimin e këtij sektori.

Këto institucione nga ana tjetër, do të shërbejnë dhe për mobilizimin dhe shpërndarjen më efektive të fondeve përkohësisht të lira të agjentëve të ndryshëm ekonomikë, duke i dhënë një shtysë të mëtejshme risive që çojnë në zhvillimin e tregut financiar. Të organizuara në këtë formë, ato do të gjenerojnë efekte pozitive në kontekstin social dhe atë edukativ të sektorit bujqësor. Pra, mund të thuhet se këto institucione përfaqësojnë një element thelbësor të infrastrukturës ekonomike dhe financiare për punësimin dhe rritjen ekonomike, veçanërisht për sektorin bujqësor dhe komunitetin përkatës.

4: Mbyllje

Në përfundim, dëshiroj të falenderoj edhe një herë organizatorët e takimit për idenë e tyre të gjetur. Shpresoj se shumë prej konkluzioneve të këtij takimi do të bëhen pjesë e planeve tona afatshkurtra dhe afatgjata të zhvillimit të vendit.

Ju faleminderit.