BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2015, në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, 29 mars 2016

Data e publikimit: 29.03.2016

 

I nderuar Kryetar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave,

Të nderuar Deputetë,

Është kënaqësi e veçantë të dal sot para jush, në këtë seancë dëgjimore me Komisionin e Ekonomisë dhe Financave për të prezantuar Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2015.

Veprimtaria e institucionit tonë gjatë vitit 2015 ka synuar përmbushjen me sukses të objektivave që rrjedhin nga ligji “Për Bankën e Shqipërisë” si dhe të të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga aktet nënligjore dhe nga marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.
Po e filloj prezantimin tim duke u ndalur fillimisht në veprimtarinë e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

1. Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë

Fillimi i vitit 2015 përkoi me plotësimin e të gjithë zinxhirit drejtues të Bankës së Shqipërisë. Më konkretisht, falë edhe mbështetjes së Kuvendit të Shqipërisë, u mundësua plotësimi i vendeve vakante në Këshillin Mbikëqyrës, emërimi i Guvernatorit, Zëvendës Guvernatorit të Dytë dhe Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë.


Gjatë vitit 2015, Këshilli ka zhvilluar 15 mbledhje, ku janë miratuar 98 vendime, prej të cilëve 63 akte të miratuara për herë të parë dhe 35 ndryshime ose plotësime në akte ekzistuese. Tetë mbledhje kanë qenë të përqendruara në vendimmarrjen e politikës monetare, ndërkohë që në katër mbledhje të tjera vendimmarrja është përqendruar në çështje të mbikëqyrjes dhe të stabilitetit financiar.

Përcjellja në publik e vendimmarrjes është bërë e plotë nëpërmjet konferencave për shtyp, publikimeve të plota të raporteve përkatëse si dhe sqarimeve rast pas rasti në bazë të kërkesave nga media të ndryshme. Të gjitha raportet e përgatitura nga Banka e Shqipërisë mbi politikën monetare dhe stabilitetin financiar janë përcjellë të plota brenda afateve ligjore në Kuvend dhe në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave.

Siç e theksova më sipër, dhe në përputhje me prononcimet e mia të mëhershme publike, një vend të rëndësishëm në vendimmarrjen e Këshillit Mbikëqyrës ka zënë forcimi i qeverisjes së institucionit. Nga ky këndvështrim, e shoh me interes të ndalem shkurtimisht në disa prej tyre:

•   Krijimi i Komitetit të Auditit

 

Krijimi i Komitetit të Auditit përbën një zhvillim të rëndësishëm në drejtim të forcimit të kontrollit të brendshëm në Bankën e Shqipërisë, veçanërisht në rritjen e kapacitetit mbikëqyrës të Këshillit Mbikëqyrës. Në mbledhjet e zhvilluara gjatë vitit 2015 është diskutuar organizimi dhe funksionimi i Departamentit të Kontrollit, universi dhe plani vjetor i auditimit, gjetjet kryesore të auditeve të kryera, vlerësimi i rrezikut dhe efektiviteti i sistemit të kontrollit të brendshëm në Bankën e Shqipërisë. Një çështje e rëndësishme ka qenë dhe ndjekja e punës për përgatitjen e pasqyrave financiare në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar.

• Miratimi i Politikës së Auditimit të Brendshëm

Miratimi i politikës së auditimit të brendshëm, e pasuar nga rishikimi i Rregullores për Funksionimin e Departamentit të Kontrollit, qartëson pozicionin e veprimtarisë së auditimit të brendshëm brenda strukturës organizative të Bankës. Ky dokument mundëson zbatimin e Standardeve Profesionale të Auditimit të Brendshëm dhe të Kodit të Etikës, si dhe saktëson linjat raportuese të Inspektorit të Përgjithshëm në Komitetin e Auditit, në Këshillin Mbikëqyrës dhe në Kuvendin e Shqipërisë.

•  Miratimi i Statutit të Ri të Bankës së Shqipërisë

Statuti i ri mundëson përputhshmërinë e shumë prej dispozitave të organizimit dhe funksionimit të Bankës së Shqipërisë me praktikat më të mira të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore. Ndër të tjera, dëshiroj të përmend ato në drejtim të:

- qartësimit të detyrave dhe përgjegjësive të Administratorëve të Bankës së Shqipërisë;

- qartësimit të procedurave për zëvendësimin e administratorëve në rastet e mungesës dhe pamundësisë së tyre për të vepruar;

- riformulimit të dispozitave që lidhen me pavarësinë administrative dhe financiare të Bankës së Shqipërisë, duke i përafruar ato me dispozitat e Statutit të Bankës Qendrore Evropiane.

•  Miratimi i Strategjisë dhe Buxhetit Afatmesëm për periudhën 2016-2018

Strategjia afatmesme përmbledh objektivat dhe ambiciet më madhore të institucionit për tre vitet në vijim. Disa nga objektivat strategjikë të zhvillimit të Bankës së Shqipërisë janë:

- ruajtja e stabilitetit të çmimeve rreth nivelit 3%;

- forcimi i stabilitetit financiar;

- forcimi i mbikëqyrjes bankare;

- rritja e sigurisë dhe e eficiencës së tregut financiar;

- forcimi e përafrimi i kapaciteteve institucionale me modelin evropian.

Për të materializuar strategjinë, është hartuar buxheti afatmesëm, i cili parashikon administrimin financiar të institucionit në tre vitet që vijnë.

• Miratimi i strukturës së re organizative të Bankës së Shqipërisë

Struktura e re e Bankës së Shqipërisë e përshtat aktivitetin e njësive të saj me nevojat dhe proceset e reja të punës, që imponohen nga zhvillimet ekonomike dhe ndryshimet në legjislacionin bankar. Për më tepër, ajo synon përmirësimin e administrimit të institucionit dhe forcimin e kontrollit të brendshëm. Krijimi i njësisë së specializuar për monitorimin dhe administrimin e rrezikut operacional përbën një hap thelbësor në këtë drejtim. Gjithashtu, me strukturën e re është synuar forcimi i kontrollit vertikal dhe atij horizontal në përputhje me modelet dhe praktikat dhe standardet më të mira ndërkombëtare.

Forcimi i sistemeve të sigurisë dhe administrimit të parasë fizike

Këshilli Mbikëqyrës dhe strukturat administrative kanë marrë në shqyrtim të gjithë kornizën rregullatore të mbrojtjes dhe sigurisë se vlerave dhe informacionit në Bankën e Shqipërisë, duke përforcuar si elementet njerëzore dhe ato të teknologjisë. Janë marrë një sërë vendimesh në drejtim të përforcimit të masave të mbrojtjes dhe këqyrjes fizike të mjediseve ku ruhet dhe përpunohet paraja, në formën e kartëmonedhave dhe monedhave metalike. Përmirësime të rëndësishme janë bërë në procedurat e inventarizimit, përpunimit dhe magazinimit të kartëmonedhave, përfshirë dhe ato për asgjësim. Rëndësi i është kushtuar dhe përcaktimit të kritereve të qarta për të garantuar integritet të lartë të punonjësve të ngarkuar me vlera ose të angazhuar në njësi të tjera që merren me kontroll, mbikëqyrje apo veprimtari të tjera të ngjashme.

**********

2. Zhvillimet ekonomike dhe politika monetare

Ekonomia shqiptare ka vijuar të shënojë përmirësim gjatë vitit 2015. Ritmet e rritjes janë përshpejtuar krahasuar me vitin paraardhës, ndërsa treguesit kryesorë të ekuilibrave ekonomikë dhe financiarë të vendit kanë ardhur përgjithësisht në përmirësim. Kështu:

  • deficiti i llogarisë korrente është reduktuar;
  • deficiti buxhetor ka regjistruar rënie me 1.6 pikë përqindjeje të PBB-së; 
  • bilancet e bizneseve shfaqen më likuide; 
  • treguesit e kredive me probleme dhe të rentabilitetit të sistemit bankar kanë ardhur në përmirësim.

Megjithatë, kërkesa agregate mbetet e pamjaftueshme për të vënë në shfrytëzim të plotë kapacitetet prodhuese. Për rrjedhojë, ambienti i brendshëm ekonomik ka ushtruar presione të ulëta për rritjen e inflacionit, të cilat janë përforcuar më tej edhe nga tendencat dizinflacioniste të vëna re në tregjet ndërkombëtare. Ndonëse në rritje, inflacioni vijoi të luhatet nën objektivin tonë prej 3.0%, gjatë gjithë vitit të shkuar.

*

Në vijim, do të bëj një përmbledhje të shkurtër të ambientit makroekonomik ku janë marrë vendimet e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, dhe të rezultateve të tyre.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, prodhimi i brendshëm bruto është rritur me 2.7% gjatë tre tremujorëve të parë të vitit 2015. Treguesit e disponuar sugjerojnë se rritja ekonomike ka vijuar me ritme të ngjashme edhe në tremujorin e katërt.

Nga këndvështrimi sektorial, burimet e rritjes janë më të gjera se viti i kaluar, ku, me përjashtime të vogla, të gjithë sektorët kanë kontribuar pozitivisht në zgjerimin e aktivitetit ekonomik.

Nga këndvështrimi i kërkesës, rritja ekonomike është mbështetur kryesisht nga zgjerimi i investimeve private dhe nga përmirësimi i bilancit të shkëmbimeve tregtare me vendet partnere. Konsumi privat ka shfaqur një ecuri të luhatshme, por kontributi i tij ishte pozitiv në tremujorin e tretë. Politika fiskale ka vijuar të jetë konsoliduese. Sikurse e kemi theksuar dhe më parë, konsolidimi fiskal është lëvizja e duhur në drejtim të ruajtjes së themeleve makroekonomike të vendit. Ky konsolidim krijon më shumë hapësirë për zgjerimin e sektorit privat dhe sjell përfitime afatgjata për ekonominë shqiptare, për sa i përket rritjes së aftësisë së saj për përballimin e goditjeve të ndryshme.

Megjithatë, ndonëse e shoqëruar me rritjen e punësimit dhe të shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese, rritja e kërkesës së brendshme nuk ka qenë e mjaftueshme për të absorbuar të gjitha kapacitetet e lira të ekonomisë. Norma e papunësisë qëndroi në nivelin mesatar prej 17.5% gjatë vitit 2015, duke pasqyruar potencialet ende të pashfrytëzuara në tregun e punës. Rrjedhimisht, presionet për rritjen e pagave, të kostove të prodhimit dhe të marzheve të fitimit, ishin të dobëta. Inflacioni mesatar vjetor qëndroi në nivelin 1.9% për vitin 2015, duke u rritur me 0.3 pikë përqindje nga viti i kaluar.

Për të adresuar presionet e ulëta inflacioniste, Banka e Shqipërisë ka vazhduar të ndjekë një politikë monetare stimuluese. Ajo ka ulur më tej normën bazë të interesit, ka rritur injektimet e likuiditetit në sistemin bankar, si dhe është angazhuar publikisht për ruajtjen e kahut stimulues të politikës monetare edhe në periudhën afatmesme. Norma bazë e interesit zbriti në minimumin historik prej 1.75% në fund të vitit 2015.

Këto vendime, kanë synuar krijimin e kushteve të duhura për nxitjen e kërkesës së brendshme dhe për kthimin e inflacionit në objektiv në afat të mesëm. Gjithashtu, politika jonë monetare është transmetuar në uljen e normave të interesit për të gjitha instrumentet financiare në lekë.

Gjatë tremujorit të katërt, përcjellja e saj është ndihmuar edhe nga zhvendosja e financimit të deficitit buxhetor nga burime të brendshme në burime të huaja. Kjo zhvendosje ka rritur dukshëm likuiditetin në tregjet e brendshme financiare dhe ka forcuar tendencat rënëse të normave të interesit në to.

Për rrjedhojë, interesi mesatar i kredisë u reduktua më tej gjatë vitit 2015. Të kombinuar edhe me masat e marra për reduktimin e kredive me probleme, stimujt monetarë janë reflektuar në lehtësimin e standardeve të kreditimit. Duke përjashtuar efektin e fshirjes së kredive nga bilanci, kredia për sektorin privat u rrit me 12 miliardë lekë, ose 2.2%, gjatë vitit të shkuar. Përcjellja e politikës monetare është reflektuar edhe në uljen e euroizimit të ekonomisë. Në fund të vitit 2015, kredia në lekë për sektorin privat shënoi 41% të totalit të kredisë, nga 32% në fund të vitit 2010.

Banka e Shqipërisë pret një ecuri më të mirë të kredisë në afat të mesëm, por ky mbetet një parashikim i kushtëzuar në një masë të madhe nga përmirësimi i mëtejshëm i klimës së kreditimit në vend. Në këtë kontekst, gjej me vend të ritheksoj se plani kombëtar i trajtimit të kredive me probleme duhet konsideruar si një parakusht i panegociueshëm për rritjen e kredisë në të ardhmen.

Paralelisht me të, vazhdimi dhe forcimi i axhendës së reformave strukturore do t’i hapë rrugë zhvillimit më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare.

*********

3. Ecuria e sistemit bankar

Për vitin 2015, treguesit e shëndetit të sektorit bankar rezultuan dukshëm më mirë se nivelet rregullatore për aftësinë paguese, për likuiditetin dhe për krijimin e rezervave të mbrojtjes ndaj rreziqeve specifike. Këta tregues shfaqin shkallë të kënaqshme të rezistencës edhe në rastet kur supozohet materializimi i skenarëve të rënduar makroekonomikë.

Numri i bankave që operojnë në Republikën e Shqipërisë ka mbetur i pandryshuar, në 16. Pjesa më e madhe e sektorit bankar kontrollohet nga filialet e grupeve të huaja bankare me origjinë të kapitalit nga Bashkimi Evropian, të cilat e ushtrojnë veprimtarinë e tyre bazuar në legjislacionin shqiptar dhe në kuadrin rregullator në fuqi të Bankës së Shqipërisë.

Gjatë vitit 2015, u regjistrua hyrja e Bankës Amerikane të Investimeve në tregun bankar, i pari investitor pas vitit 2009. Ky është një zhvillim që e konsiderojmë mjaft pozitiv në drejtim të nxitjes së konkurrencës brenda sistemit.
Në fund të vitit 2015, aktivet e sektorit bankar u zgjeruan me 2%, duke arritur 91.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Financimi i veprimtarisë vazhdoi te mbështetej nga rritja e depozitave nga publiku me 2.6%, duke zënë 83% të totalit të bilancit të sektorit bankar.

Treguesit mesatarë të rentabilitetit u përmirësuan gjatë vitit 2015. Norma e kthimit nga aktivet (RoA) rezultoi në nivelin 1.2% dhe norma e kthimit nga kapitali (RoE) arriti në nivelin 13.2%. Ky rezultat financiar përbën një bazë të mirë për stabilitetin e sistemit bankar.

Norma e mjaftueshmërisë së kapitalit regjistroi nivelin 15.7%, dukshëm më e lartë se minimumi i kërkuar nga kuadri rregullator, prej 12%. Kapitalizimi i mirë mbetet një karakteristikë e sektorit tonë bankar dhe ruajtja e tij është mbështetur nga vijimësia e vlerave pozitive të rezultatit financiar neto.

Adresimi i çështjes së kredive me probleme ka qenë një ndër angazhimet kryesore të Bankës së Shqipërisë gjatë gjithë vitit 2015. Për herë të parë, pas një periudhe 4 vjeçare, niveli i kredive me probleme ra nën 20%. Veprimet e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë në vazhdimësi e kanë rritur trysninë mbi sistemin bankar. Ndërkohë, ky i fundit i ka shtuar përpjekjet për të menaxhuar kreditë me probleme përmes ristrukturimeve, ekzekutimeve, provigjionimit si dhe fshirjes së tyre nga bilancet, sipas rastit.
Nisma ndërinstitucionale e materializuar në dokumentin e Planit të Masave për Reduktimin e Kredive me Probleme, e cila në thelb konsiston në një aksion shumëdimensional përmirësimesh ligjore, fiskale dhe rregullatore, ndihmoi në zbritjen e nivelit të kredive me probleme, në 18.2 %, në fund të vitit 2015. Ky plan përfshin hapa të tjerë përgjatë vitit 2016, që do ta bëjnë edhe më të dukshëm rezultatin pozitiv në sistem.

Gjithashtu, viti 2015 e vendosi sistemin bankar në provën e përballimit të trysnisë psikologjike të krijuar nga kriza greke, provë kjo që u kapërcye me sukses. Nga ana tjetër, ajo shërbeu për të testuar efektivitetin e masave prudenciale që Banka e Shqipërisë kishte ndërmarre në kohë.

**********

4. Mbikëqyrja bankare

Gjatë vitit 2015, në qendër të vëmendjes kemi pasur edhe fuqizimin e mëtejshëm të Mbikëqyrjes Bankare. Më konkretisht, do të veçoja:

- Vënien në zbatim të politikës së mbikëqyrjes të bazuar në rrezik;

- Vënien në zbatim të manualit të vlerësimit të rreziqeve si dhe të sistemit të ri të vlerësimit të bankave;

- Vënien në zbatim të rregullores së re për llogaritjen e raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit në përputhje me Shtyllën I të Bazel II.

Zbatimi në praktikë i këtyre metodologjive bashkëkohore garanton një shkallë të lartë përputhshmërie me standardet më të mira ndërkombëtare, duke bërë që përqasja jonë të jetë e aftë të identifikojë në kohë rreziqet dhe të imponojë marrjen e masave korrektuese për shmangien e ndodhjes së tyre.

Në tjetër arritje, në drejtim të përafrimit me standardet e institucionet homologe të Bashkimit Evropian, ishte vlerësimi pozitiv i regjimit të konfidencialitetit të Bankës së Shqipërisë nga ana e Autoritetit Bankar Evropian (EBA). Në muajin tetor 2015, nëpërmjet nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit, ky Autoritet e certifikoi këtë regjim në përputhje të plotë me standardin përkatës të Bashkimit Evropian, duke e përfshirë Bankën e Shqipërisë në listën e autoriteteve mbikëqyrëse të vendeve jashtë BE-së, që marrin pjesë në kolegjet mbikëqyrëse bankare të Bashkimit Evropian.

Në kuadrin e mbikëqyrjes së sistemit, gjatë vitit 2015, janë zhvilluar një numër i konsiderueshëm ekzaminimesh në vend. Në përfundim të tyre, janë lënë rekomandimet për përmirësimet e nevojshme si dhe është kërkuar hartimi i një plani masash nga subjektet e ekzaminuara, duke e ndjekur me rigorozitet zbatimin e tyre. Gjatë vitit të kaluar, ka vazhduar licencimi i subjekteve të reja financiare të tilla si institucione të mikrokredisë, institucione të parasë elektronike, si edhe një numër i konsiderueshëm zyrash të këmbimit valutor.

**********

5. Aktivitetet e tjera të Bankës së Shqipërisë

i. Sistemi i pagesave

Gjatë vitit 2015, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një sërë masash për përmirësimin e kuadrit rregullator dhe të procedurave për mbikëqyrjen e sistemeve të pagesave. Miratimi i rregullores “Për licencimin, rregullimin dhe mbikëqyrjen e sistemeve të pagesave dhe shtëpive të klerimit të pagesave” është një nga hapat kryesorë që do nxisë nismat private për klerimin dhe shlyerjen e pagesave.

Në tetor 2015, u mblodh për herë të parë Komiteti Kombëtar i Sistemeve të Pagesave. Ky Komitet do të shërbejë si një forum për diskutimin e çështjeve të lidhura me sistemet dhe instrumentet e pagesave, me synim mbështetjen e vendimmarrjes së institucioneve të përfshira. Një zhvillim tjetër në fushën e pagesave lidhet me hartimin e metodologjisë “Për raportimin e instrumenteve të pagesave elektronike nga institucionet e parasë elektronike”, e cila i parapriu licencimit të dy institucioneve të parasë elektronike gjatë vitit 2015.

ii. Emetimi i monedhës

Në përmbushje të funksionit të saj unik si emetuese e parasë shqiptare, Banka e Shqipërisë ka vijuar plotësimin e nevojave të ekonomisë me kartëmonedha dhe monedha metalike të standardeve bashkëkohore për sa i takon cilësisë dhe elementeve të sigurisë. Në krahasim me vitin 2014, u vërejtën ndryshime ne strukturën e parasë në qarkullim si rezultat i rritjes së numrit të kartëmonedhave me vlerë të lartë nominale 2000 lek dhe 5000 lek, si dhe rritjes së përdorimit të monedhave metalike, të cilat në vlerë u shtuan me 8.2%.

iii. Administrimi i rezervës valutore

Administrimi i rezervës valutore ka vijuar të kryhet në përputhje me bazën rregullatore në fuqi, ku objektiv parësor është parimi i likuiditetit dhe ai i sigurisë. Në përputhje me politikën tonë, dhe me standardet e pranuara ndërkombëtare të mjaftueshmërisë, edhe gjatë këtij viti është bërë kujdes që niveli i rezervave të jetë i mjaftueshëm dhe në përputhje me synimin tonë.

Viti 2015 është karakterizuar nga një rënie e mëtejshme në terren negativ të normave të interesit për emetimet e thesarit në Eurozonë. Për rrjedhojë, për pjesën e portofolit në Euro, mundësitë e investimit me një normë pozitive kthimi, krahasuar me një vit më parë, janë reduktuar shumë. Pavarësisht kësaj, rezultati i krijuar nga administrimi i portofolit të rezervës për vitin 2015 ka qenë pozitiv.

iv. Shërbimi ligjor

Përmirësimi i bazës ligjore dhe asaj rregullatore është një prioritet konstant i Bankës së Shqipërisë. Gjatë vitit, u përgatit, konsultua dhe u dërgua për shqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë Ligji “Për Shoqëritë e Kursim-Kreditit”, i cili rregullon licencimin, mbikëqyrjen dhe veprimtarinë e SHKK-ve në përputhje me standardet më të mira. Në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Sigurimit të Depozitave janë hartuar ndryshimet në Ligjin “Për Sigurimin e Depozitave”, të cilat përmirësojnë zbatimin e ligjit për SHKK-të si dhe përfshijnë në skemën e sigurimit të depozitave edhe kategori të caktuara të personave juridikë. Një projekt tjetër i rëndësishëm, për të cilin kemi punuar gjatë vitit 2015 dhe jemi akoma duke bashkëpunuar me Bankën Botërore është edhe ligji për trajtimin e bankave në vështirësi financiare që ndryshe njihet si ndërhyrjes së jashtëzakonshme në banka, apo si Resolution Law. Një punë e madhe është bërë dhe në drejtim të bazës rregullatore.

v. Statistikat monetare dhe financiare

Viti i kaluar ka qenë i suksesshëm për Bankën e Shqipërisë në përmbushjen e rolit të saj si një ndër tre agjencitë kombëtare të prodhimit të statistikave. Shtimi i informacionit statistikor, si dhe përsosja e disa metodologjive mbi të cilat bazohet produkti statistikor i Bankës së Shqipërisë, kanë marrë vlerësime pozitive nga institucionet ndërkombëtare, duke shënuar përparim të rëndësishëm në procesin e përafrimit si me standardet e Eurostat-it edhe me ato të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Në vitin 2015, Banka e Shqipërisë publikoi për herë të parë informacionin me frekuencë vjetore mbi fluksin e investimeve të huaja direkte sipas shteteve, fluksin e investimeve të huaja direkte sipas aktivitetit ekonomik, dhe gjendjen e investimeve të huaja direkte sipas shteteve dhe aktivitetit ekonomik.

vi. Puna kërkimore

Gjatë vitit 2015, Banka e Shqipërisë ka kryer mbi 20 studime dhe analiza empirike të dedikuara problematikës dhe zgjidhjeve potenciale mbi çështjet e efektivitetit të politikës monetare dhe ruajtjes së stabilitetit financiar. Gjatë vitit 2015, është mbyllur procesi i rivlerësimit të Modelit Makroekonometrik të Ekonomisë Shqiptare, nëpërmjet të cilit është përmirësuar identifikimi dhe interpretimi i lidhjeve makroekonomike shkak pasojë.

Puna kërkimore është prezantuar në aktivitete dhe konferenca të ndryshme përfshirë dhe ato të organizuara nga Banka e Shqipërisë. Do të veçoja këtu Takimin e Nëntë Rajonal të Kërkimeve për Evropën Juglindore me temë “Rikonceptimi i Politikave Ekonomike dhe Metodologjive të Bankave Qendrore”, ku u mundësua prezantimi i 20 punimeve kërkimore nga banka qendrore të vendeve të ndryshme, nga institucione akademike si dhe nga Banka e Shqipërisë.

vii. Komunikimi

Rritja e transparencës është një prioritet konstant i Bankës së Shqipërisë. Gjatë vitit 2015, kemi synuar të ndërtojmë kanale të përhershme të komunikimit me publikun. Në to pasqyrohet e plotë vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës mbi politikën monetare, shkaqet që motivuan atë dhe rezultatet e pritshme prej saj. Në raportet periodike të Bankës së Shqipërisë, janë publikuar analizat e plota mbi zhvillimet ekonomike dhe financiare, pritshmëritë për të ardhmen e afërt dhe të largët, si dhe ecuria e sistemit bankar së bashku me rreziqet me të cilat përballet stabiliteti financiar i vendit. Pjesë e komunikimit me publikun janë edhe takimet e organizuara me përfaqësues të sistemit bankar, të biznesit, të institucioneve të specializuara ndërkombëtare dhe të akademisë. Më konkretisht, do të përmend Forumin “Nxitja e kreditimit të ekonomisë” në muajin prill 2015, Forumin e tretë Financiar të Shqipërisë organizuar në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar në qershor 2015, si dhe takimin “Ekonomia dhe bankat: sfidat e tashme dhe të ardhme”, organizuar në bashkëpunim me qeverinë shqiptare në muajin shtator 2015.

viii. Edukimi i publikut

Në fushën e edukimit të publikut, arritja më e spikatur e vitit të kaluar përkon me çeljen e Muzeut të Bankës së Shqipërisë. I konceptuar në formën e një muzeu ndërdisiplinor, ai prezanton funksione të integruara numizmatike, historike dhe edukative, të cilat do të ndikojnë në drejtim të thellimit të kulturës financiare të publikut në vend, e veçanërisht të brezit të ri.

ix. Integrimi evropian

Një drejtim i rëndësishëm i punës sonë mbetet kontributi në përafrimin e Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Gjatë vitit të kaluar, kemi intensifikuar bashkëpunimin me Bankën Qendrore Evropiane, bankat qendrore pjesë të Euro Sistemit, si dhe me strukturat evropiane që merren me rregullimet financiare të BE-së. Me të njëjtin intensitet, kemi rritur bashkëpunimin me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore, Bankën Ndërkombëtare të Rregullimeve si dhe me bankat qendrore të rajonit.

Banka e Shqipërisë ka vazhduar të japë kontributin e saj në lidhje me raportimet për Raportin e Progresit si dhe Planin Kombëtar të Integrimit Evropian, duke udhëhequr kapitullin 4 “Lëvizja e lirë e kapitalit”, kapitullin 17 “Politikat ekonomike dhe monetare”, si dhe duke kontribuar në 6 kapituj të tjerë të legjislacionit të Bashkimit Evropian.

x. Burimet njerëzore

Përsosja e strukturës organizative të institucionit ka qenë vazhdimisht në fokusin e politikave të burimeve njerëzore, me qëllim kryesor rritjen e efikasitetit të veprimtarisë së Bankës. Nëpërmjet saj synohet një bashkërendim dhe një komunikim më i mirë ndërmjet njësive, veçanërisht për të mundësuar zbatimin me sukses të angazhimeve që burojnë nga objektivat strategjikë të institucionit, si dhe nga procesi i përafrimit me modelin e bankave qendrore të Sistemit Evropian apo të Bankës Qendrore Evropiane.

Politikat në fushën e burimeve njerëzore kanë synuar promovimin në pozicione drejtuese të punonjësve me më shumë eksperiencë dhe atyre më profesionistë, nëpërmjet garës profesionale për identifikimin e profesionistëve më të mirë. Politikat motivuese kanë synuar të ruajnë qëndrueshmërinë dhe vazhdimësinë e stafit, ndërkohë që është treguar kujdes i vazhdueshëm për respektimin e barazisë gjinore.

Zhvillimi profesional i stafit, ndërmjet të tjerash, realizohet edhe nëpërmjet pjesëmarrjes në trajnime të specializuara, të organizuara nga bankat e tjera qendrore apo institucionet financiare ndërkombëtare. Përveç rritjes së njohurive profesionale, krijohet mundësia për shkëmbimin e përvojave profesionale dhe njohjen me teoritë dhe praktikat më bashkëkohore në fushën e bankingut qendror.

xi. Teknologjia e informacionit

Viti 2015 shënoi arritje edhe në drejtim të Teknologjisë së Informacionit. Më konkretisht, filloi nga operimi sistemi AFISaR, një regjistër elektronik për dokumentimin e çdo elementi që shoqëron emetimin dhe transaksionet e kryera me titujt e emetuara nga shteti shqiptar. Arritje të tjera që mund të përmend janë:

- automatizimi i sistemit raportues për treguesit e veprimtarisë bankare;

-integrimi dhe optimizimi i shfrytëzimit të rrjetit informatik, duke reduktuar kostot operacionale të Bankës së Shqipërisë;

-automatizimi i veprimeve kontabël të degëve si dhe rritja e kapacitetit përpunues dhe magazinues të informacionit.

xii. Kontrolli i brendshëm

Në vitin 2015, përveç kontrolleve të planifikuara, ka pasur angazhime audituese dhe joaudituese, me kërkesë të Këshillit Mbikëqyrës, Komitetit të Auditit, Administratorëve dhe Inspektorit të Përgjithshëm.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm në këtë drejtim, ishte Vlerësimi i Cilësisë së Departamentit të Kontrollit të Bankës së Shqipërisë, i kryer nga Banka Qendrore e Holandës. Ky vlerësim, i bërë për herë të parë, shërben si një plan zhvillimi i rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të veprimtarisë audituese në të ardhmen.
Gjatë viti 2015 kanë përfunduar 9 auditime të plota ndërkohë që, së bashku me 3 auditimet e plota të nisura në vitin 2015, por të përfunduara në muajt e parë të vitit 2016, numri i përgjithshëm shkon në 12. Gjetjet dhe rekomandimet gjatë secilit prej auditimeve janë adresuar pranë drejtuesve të njësive, Administratorëve të Bankës së Shqipërisë, Komitetit të Auditit dhe Këshillit Mbikëqyrës, si pjesë e raportimeve periodike të Inspektorit të Përgjithshëm.

xiii. Veprimtaria Financiare e Bankës së Shqipërisë

Pas një pune intensive të punonjësve tanë me asistencën e ekspertëve të huaj, si dhe në komunikim të ngushtë me auditorin e jashtëm, u mundësua që, për herë të parë, në vitin 2015, pasqyrat financiare të jenë në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS). Kjo përbën arritje dhe një zhvillim cilësor në rritjen e transparencës financiare të Bankës së Shqipërisë.

Miratimi përfundimtar i pasqyrave financiare të Bankës së Shqipërisë në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar pritet të bëhet nesër, me datë 30 mars në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Pjesë e përbërëse e tij do të jetë edhe opinioni i audituesit tonë të jashtëm, KPMG Albania. Ndërkohë, pas miratimit nga Këshilli Mbikëqyrës, këto pasqyra do t’i dërgohen për dijeni edhe Kuvendit të Shqipërisë.

**********

I nderuar zoti Kryetar,

Të nderuar deputetë,

Prezantimi i veprimtarisë së institucionit është një moment i rëndësishëm në aktivitetin vjetor të Bankës së Shqipërisë. Në fjalën time u mundova të prek të gjitha aspektet e veprimtarisë sonë duke ndarë me ju edhe pritshmëritë e objektivat tona për periudhat në vijim. Në versionin e zgjeruar jemi munduar të përfshijmë sa më shumë të dhëna, analiza dhe hapësira informuese. Shpresoj që Raporti i vitit 2015 të ketë qenë në përputhje me pritshmëritë e Kuvendit dhe dëshiroj t’ju garantoj se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë përpjekjet e saj për t’u perfeksionuar edhe më shumë në të ardhmen.

Stabiliteti i çmimeve, soliditeti i sistemit bankar, gjallërimi i kredisë, furnizimi i tregut me likuiditet, ulja e kredive me probleme, zbatimi i standardeve bashkëkohore të mbikëqyrjes, forcimi i qeverisjes, rritja e transparencës, si dhe shtimi i komunikimit me Kuvendin, me institucionet shtetërore dhe me partnerët tanë strategjikë, përbëjnë objektivat madhore që do të udhëheqin punën tonë në vitin 2016 e në vazhdim.

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj.