BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2016 në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave

Data e publikimit: 02.05.2017

 

I nderuar zoti Kryetar i Komisionit,

Të nderuar zonja dhe zotërinj Deputetë,

Kam kënaqësinë të jem sot përpara jush për të prezantuar Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2016. Ky raport sintetizon veprimtarinë e institucionit në përmbushje të objektivave tanë ligjorë, të detyrimeve që rrjedhin nga aktet nënligjore, si dhe të angazhimeve që kemi me partnerët tanë ndërkombëtarë.

Në tërësi, vlerësoj se Banka e Shqipërisë ka punuar me përkushtim, seriozitet dhe efikasitet, në të gjitha drejtimet e sipërpërmendura. Politikat, masat dhe ndryshimet ligjore e rregullatore të iniciuara prej nesh, kanë dhënë një kontribut të qenësishëm në adresimin e zhbalancimeve makroekonomike, në nxitjen e aktivitetit ekonomik, në forcimin e stabilitetit financiar, si dhe në promovimin e procesit të integrimit evropian të vendit.

Paralelisht me përmbushjen e një detyrimi ligjor, prezantimi i Raportit Vjetor është, gjithashtu, një shtyllë e rëndësishme e llogaridhënies dhe e transparencës së Bankës së Shqipërisë. Këto dy angazhime shoqërojnë dhe baraspeshojnë pavarësinë tonë institucionale.

Në këtë kontekst, besoj se Raporti Vjetor adreson dhe shumë prej rekomandimeve të lëna nga ky Komision në Rezolutën "Për vlerësimin e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë për vitin 2015".

Në linjë me sa parashtrova më sipër, prezantimi në vazhdim do të trajtojë: (i) veprimtarinë e Këshillit Mbikëqyrës dhe forcimin e qeverisjes së institucionit; (ii) vendimet e politikës monetare, rezultatet e arritura, dhe sfidat për të ardhmen; (iii) masat e ndërmarra për forcimin e stabilitetit financiar dhe për nxitjen e kreditimit; (iv) hapat në drejtim të forcimit të sistemeve dhe procedurave të brendshme të kontrollit dhe të monitorimit; dhe, (v) punën e bërë për forcimin e pavarësisë, llogaridhënies dhe transparencës.

Fjalën time po e filloj me veprimtarinë e Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë dhe punën e bërë në drejtim të mirëqeverisjes së institucionit tonë.

1. Veprimtaria e Këshillit Mbikëqyrës dhe forcimi i qeverisjes së institucionit

Veprimtaria e Këshillit Mbikëqyrës ka qenë në përputhje me kompetencat e përcaktuara në Ligjin "Për Bankën e Shqipërisë", si dhe në përputhje me procedurat e parashikuara në rregulloren për organizimin dhe funksionimin e këtij organi.

Gjatë vitit 2016, Këshilli zhvilloi 15 mbledhje dhe miratoi 136 vendime, 82 prej të cilëve ishin akte të miratuara për herë të parë dhe 54 ndryshime ose plotësime të akteve ekzistuese. Tetë mbledhje i janë dedikuar vendimmarrjes së politikës monetare, katër mbledhje janë fokusuar në çështje të mbikëqyrjes dhe të stabilitetit financiar, ndërsa tre të tjera i janë dedikuar kontrollit dhe mbikëqyrjes së mbarëvajtjes së punës së institucionit. Vendimmarrja e Këshillit është përcjellë e plotë në publik, nëpërmjet konferencave për shtyp, publikimeve të plota të raporteve përkatëse, si dhe sqarimeve rast pas rasti në publik të çështjeve të ndryshme.

Përtej hartimit të politikave dhe monitorimit të zbatimit të tyre, vizioni i Këshillit Mbikëqyrës është ai i rritjes së besimit të publikut tek institucioni nëpërmjet përmirësimit të qeverisjes së institucionit. Për këtë arsye, Këshilli i ka kushtuar një rëndësi të veçantë këtij procesi, duke patur si pikënisje strukturat dhe procedurat e ngritura gjatë vitit 2015.

Më lejoni t'iu përditësoj shkurtimisht mbi ecurinë e tyre dhe të prezantoj risitë e vitit 2016.

  • Pas krijimit të tij në vitin 2015, Komiteti i Auditit zhvilloi në mënyrë të pavarur aktivitetin e tij gjatë vitit 2016. Gjatë kësaj periudhe ky Komitet zhvilloi shtatë takime, duke ushtruar funksionin e tij si mbikëqyrës dhe bashkërendues i funksioneve të auditit të brendshëm dhe të jashtëm, me qëllim rritjen e eficiencës së tyre.
  • Bazuar në Politikën e Auditimit të Brendshëm, Këshilli Mbikëqyrës miratoi, për herë të parë, planin vjetor të veprimtarisë së Inspektorit të Përgjithshëm dhe Departamentit të Kontrollit. Komiteti i Auditit dhe, më pas, Këshilli janë informuar rregullisht mbi gjetjet dhe rekomandimet e auditimeve të Departamentit të Kontrollit, duke ofruar një garanci më shumë mbi efektivitetin dhe cilësinë e sistemeve të kontrollit të brendshëm.

  • Në muajin korrik, Këshilli Mbikëqyrës miratoi, për herë të parë, Politikën e Administrimit të Rrezikut Operacional në BSH. Ky dokument përcakton objektivat, burimet dhe parimet bazë të administrimit të rrezikut, vendosjen e linjave të raportimit, si dhe përgjegjësitë e njësive të përfshira. Mbi këtë bazë, në gusht, u miratuan rregullat e organizimit dhe funksionimit, dhe filloi punë Njësia e Administrimit të Rrezikut Operacional.
  • Gjithashtu, në muajin korrik, Këshilli miratoi rregulloren e re për buxhetimin, e cila disiplinon procesin e hartimit të buxhetit, si dhe atë të planifikimit dhe kontrollit të shpenzimeve kapitale. Në dhjetor, Këshilli miratoi buxhetin vjetor për vitin 2017. Për herë të parë, bazuar në harmonizimin e kuadrit rregullator të buxhetimit me praktikat më të mira vendase dhe të huaja, buxheti përfshiu parashikime edhe për horizontin afatmesëm (vitet 2017 - 2019).

Pas kësaj përmbledhjeje të shkurtër të veprimtarisë së Këshillit, do të doja të ndalesha më gjatë në vendimmarrjen e tij për politikën monetare, në funksion të respektimit të mandatit kryesor të Bankës së Shqipërisë. Diskutimin tim për këtë çështje, do ta filloj me një përshkrim të shkurtër të mjedisit makroekonomik ku u morën vendimet e politikës monetare.

2. Ekonomia shqiptare dhe politika monetare

Viti 2016 u karakterizua nga zhvillime ekonomike pozitive dhe nga përmirësime në disa nga balancat kryesore makroekonomike. Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT), ekonomia shqiptare u rrit me 3.5% gjatë vitit 2016, në përshpejtim krahasuar me normën 2.6% të rritjes së shënuar në vitin 2015. Rritja e ekonomisë buroi kryesisht nga kërkesa e brendshme, investimet dhe konsumi privat, dhe gjeti pasqyrim, në masën më të madhe, në zgjerimin e aktivitetit të sektorëve të shërbimeve e të ndërtimit. Paralelisht me të, norma e papunësisë u reduktua në 14.2%, e ndikuar nga rritja e vazhduar e punësimit, ndërsa besimi i agjentëve ekonomikë regjistroi nivelin më të lartë në pesë vitet e fundit. Po ashtu, borxhi publik shënoi një kthesë drejt rënies, për herë të parë pas 6 vitesh. Së fundi, inflacioni erdhi në rritje, pas nivele të ulëta të regjistruara në muajt e parë të vitit. Ai shënoi normën 2.2% në muajin dhjetor dhe publikimet e INSTAT për muajt e parë të vitit 2017 tregojnë një rritje të mëtejshme të tij.

Për vitin 2017, ne presim forcimin e këtyre tendencave. Kthimi i ekonomisë në potencial pritet të shoqërohet me forcimin e presioneve inflacioniste dhe me kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2018.

Me gjithë tendencat pozitive, mjedisi ekonomik e financiar ka qenë sfidues për politikën monetare. Në fillim të vitit, ne u përballëm me një rënie të shpejtë e të fortë të inflacionit, si pasojë e goditjeve akute dizinflacioniste nga ambienti i huaj. Rreziqet e kahut të poshtëm u intensifikuan. Gjithashtu, ngjarje të pazakonta, si Brexit apo tensionet gjeo-politike në ambientin e jashtëm, sollën rritje të pasigurisë.

Në këto kushte, Banka e Shqipërisë reagoi me vendosmëri. Norma bazë e interesit u reduktua në dy etapa, përkatësisht në muajt prill e maj, duke zbritur në nivelin 1.25%. Korridori i normave të interesit në tregun ndërbankar - me dysheme interesin e depozitës njëditore e tavan interesin e kredisë njëditore - u ngushtua në dy pikë përqindjeje. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë vazhdoi të informojë publikun për ruajtjen e kahut stimulues të politikës monetare në të ardhmen. Përdorimi i këtij instrumenti u forcua gjatë vitit, duke u pasuruar edhe me afate kohore. Këto aksione sinjalizuan gatishmërinë dhe aftësinë e Bankës së Shqipërisë për të respektuar përmbushjen e objektivit të saj të stabilitetit të çmimeve.

Kuadri operacional i politikës monetare nuk pësoi ndryshime të rëndësishme dhe furnizimi me likuiditet i sistemit bankar është kryer nëpërmjet instrumenteve tradicionalë të politikës monetare.

Këto të fundit janë përshtatur për të plotësuar më mirë nevojat e sistemit bankar për likuiditet.

Në vlerësimin tonë, politika monetare lehtësuese ka kontribuar në forcimin e rritjes ekonomike dhe në krijimin e kushteve të nevojshme për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, nëpërmjet një sërë kanalesh.

  • Së pari, politika monetare lehtësuese ka kontribuar në reduktimin e normave të interesit në të gjitha produktet e tregut financiar. Përcjellja e stimulit monetar në tregjet financiare vlerësohet të ketë qenë e plotë. Normat mesatare të interesit të kredive, të depozitave dhe të bonove 12-mujore të thesarit, ishin respektivisht 0.8, 0.5, dhe 1.5 pikë përqindjeje më të ulëta së një vit më parë.
  • Së dyti, reduktimi i kostove të financimit ka ndihmuar zgjerimin e kredisë. Portofoli i kredisë në lekë për sektorin privat u rrit me 10.2% gjatë vitit 2016, ndërkohë që kredia totale shënoi një rritje prej 3.2%. Rritja e kreditimit në lekë është një zhvillim i mirëpritur, pasi zgjeron fushën e veprimit të politikës monetare dhe i shërben forcimit të stabilitetit financiar, nëpërmjet reduktimit të ekspozimit të agjentëve ekonomikë ndaj rrezikut të kursit të këmbimit.

Pavarësisht këtij zhvillimi pozitiv, rikuperimi i kreditimit mbetet i ngadaltë, i penguar nga kërkesa e pakët cilësore dhe nga politikat konservatore të bankave në kredi-dhënie. Për vitin 2017, ne presim një kreditim më të mirë të ekonomisë.

Zgjerimi i kërkesës private pritet të absorbojë likuiditet e tepërta të bizneseve, duke rritur incentivat për të kërkuar kredi. Po ashtu, oferta e kredisë pritet të rritet, në linjë me uljen e pasigurive dhe në reflektim të zbatimit të planit të masave për reduktimin e kredive me probleme dhe të planit të masave për Rritjen e Shëndetshme të Kreditimit.

  • Së treti, nivelet e ulëta të normave të interesit kanë ndihmuar reduktimin e kostove të shërbimit të kredive ekzistuese dhe uljen e kostove të ri-financimit të tyre. Kjo ka lehtësuar aktivitetin e bizneseve dhe të familjeve kredi-marrëse.
  • Së katërti, normat e ulëta të interesit kanë mbështetur rritjen e konsumit dhe të investimeve private në ekonomi, nëpërmjet inkurajimit të një sjellje të orientuar më tepër drejt konsumit e investimit, dhe më pak drejt kursimit.

Modelet tona ekonometrike vlerësojnë se, në mungesë të efekteve të politikës monetare, rritja ekonomike dhe inflacioni për vitin 2016 do të kishin qenë përkatësisht 0.5 dhe 0.4 pikë përqindjeje më të ulët se vlerat faktike.

Të nderuar anëtarë të Komisionit,

Banka e Shqipërisë është e pavarur në hartimin dhe zbatimin e politikës monetare. Megjithatë, ajo është e ndërgjegjshme për ndikimin e ndërsjellë që kanë politika monetare dhe ajo fiskale në përmbushjen e objektivave respektivë. Rrjedhimisht, për të krijuar kombinimin e duhur të politikave makroekonomike, ne kujdesemi vazhdimisht për të koordinuar qëndrimin e politikës monetare me atë të politikës fiskale, ashtu sikundër ky i fundit detajohet në Buxhetet e viteve kalendarikë dhe në Projekt-Buxhetet afatmesme. Ashtu sikurse jam shprehur edhe më parë, përfshirja gjatë vitit 2016 e klauzolave specifike për garantimin e qëndrueshmërisë fiskale në Ligjin Organik të Buxhetit, krijoi baza më solide për bashkërendimin më të mirë të dy politikave makroekonomike, pasi ndihmon në rritjen e disiplinimit dhe parashikueshmërisë së politikës fiskale.

Duke u ndalur te kjo e fundit, Banka e Shqipërisë konstaton se politika fiskale ka ndjekur një kurs konsolidues gjatë vitit 2016, të reflektuar në reduktimin e deficitit dhe të borxhit publik. Megjithëse ka injektuar një stimul të dobët në ekonomi, politika fiskale konsoliduese ka lehtësuar përcjelljen e politikës lehtësuese monetare, duke ulur primet e rrezikut në ekonomi, duke favorizuar uljen e kostove të financimit, dhe duke rritur hapësirat për kreditimin e sektorit privat. Sipas raportimeve të Ministrisë së Financave, për herë të parë pas 6 vjetësh, është arritur reduktimi i borxhit publik, nga niveli 72.7% i PBB-së në vitin 2015 në nivelin 71% në vitin 2016.

Banka e Shqipërisë ka qenë dhe mbetet e bindur se përpjekjet për reduktimin e borxhit publik duhet të vazhdojnë dhe më tej.

Funksionimi i mekanizmit të transmetimit të politikës monetare dhe faktorët që e ndihmojnë apo e pengojnë atë, janë pjesë e pandashme e punës së Bankës së Shqipërisë. Punimet kërkimore gjatë vitit 2016, kanë synuar të vlerësojnë aftësinë e instrumenteve të përdorur për gjenerimin e projeksioneve ekonomike në Bankë, si dhe të kuptuarit e funksionimit të transmisionit monetar përballë sfidave aktuale në sistemin financiar. Në këtë kontekst, dëshiroj të theksoj se Banka e Shqipërisë ka identifikuar dy pengesa kryesore në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare, zgjidhja e të cilave kërkon bashkëpunim më të gjerë.

  • Pengesa e parë lidhet me nivelin e lartë të kredive me probleme. Për të ulur këtë rrezik është ndërtuar plani kombëtar i veprimit për uljen e kredive me probleme, i cili është në zbatim.
  • Pengesa e dytë lidhet me nivelin e lartë të përdorimit të monedhës euro në ekonomi, çka krijon rreziqe potenciale ne sistemin financiar dhe vështirëson përcjelljen e politikës monetare. Hartimi i një plani për uljen e euroizimit është angazhim i përbashkët i disa autoriteteve, dhe Banka e Shqipërisë është në procesin e identifikimit të masave që mund të ndërmerren prej saj në këtë drejtim.

Në një mjedis ekonomik e financiar kompleks e sfidues, koordinimi i politikës monetare, mikro dhe makro-prudenciale merr një rëndësi primare në promovimin e stabilitetit monetar e financiar. Gjatë vitit 2016, institucioni që unë drejtoj ka punuar me të njëjtin intensitet në të tre drejtimet, duke synuar kalibrimin optimal të tyre . Në vijim, unë do të përmbledh punën e bërë për ruajtjen e promovimin e stabilitetit financiar.

3. Promovimi i stabilitetit financiar dhe nxitja e kreditimit të shëndetshëm

Në përputhje me mandatin dhe detyrat e saj institucionale, Banka e Shqipërisë është bashkëpërgjegjëse për ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit. Ajo komunikon rregullisht vlerësimin e saj për stabilitetin financiar, si dhe bashkërendon politikat e saj me institucionet e tjera, nëpërmjet Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF). Në drejtim të stabilitetit financiar, gjatë vitit 2016, ka vijuar puna për hartimin e një kuadri të plotë të politikës makroprudenciale dhe për ndërtimin e instrumenteve makro-prudencialë. Ky kuadër mbështetet në rekomandimet e Bordit Evropian të Rrezikut Sistemik dhe në standardet e Bordit të Stabilitetit Financiar.

Gjithashtu, në përputhje me mandatin dhe detyrat e saj institucionale, Banka e Shqipërisë është e ngarkuar me ruajtjen e qëndrueshmërisë së sistemit bankar dhe adresimin e rreziqeve të mundshme që prekin atë.

Treguesit kryesorë financiarë të shëndetit të sektorit bankar - ata të kapitalizimit, të likuiditetit dhe të përfitueshmërisë - evidentojnë kapacitetin e tij të plotë për të përballuar rreziqet e veprimtarisë në kushte normale, si edhe për të treguar një rezistencë të mirë ndaj goditjeve.

Pesha e aktiveve të sektorit bankar ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto arriti në 95.8% në fund të vitit 2016, duke u rritur me rreth 4.5 pikë përqindje në krahasim me një vit më parë. Kredia dhe depozitat u rritën, përkatësisht me 2.5% dhe 5.2%. Në terma të kapitalizimit, treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit qëndron ndjeshëm mbi nivelin rregullator. Ai shënoi 15.7% në vitin 2016 përkundrejt normës rregullatore 12%. Kapitalizimi i mirë mbetet një karakteristikë e sektorit bankar dhe ruajtja e tij në nivele të larta është mbështetur nga ruajtja e vlerave pozitive të rezultatit financiar neto. Megjithatë, rezultati financiar i sistemit pësoi një rënie të lehtë gjatë vitit 2016, kryesisht në reflektim të rritjes së shpenzimeve për fonde rezervë (provigjione) ndaj rrezikut te kreditit. Kjo rritje ka ardhur si pasojë e qendrimit konservativ të Bankës së Shqipërisë që ka kërkuar nga bankat të kryejnë riklasifikimet si kredi me probleme të disa kredimarrësve të mëdhenj në vështirësi financiare apo në situata falimenti. Kthimi nga aktivet e sistemit (RoA) ra në 0.7% nga 1.2% një vit më parë, ndërsa kthimi nga kapitali (RoE) ra në 7.2% nga 13.2%.

Në terma të rreziqeve, Banka e Shqipërisë vlerëson se ekspozimi i sistemit bankar ndaj rrezikut të likuiditetit dhe atij të luhatjeve të tregut është brenda parametrave të pranueshme, por administrimi i këtij rreziku kërkon vëmendje të vazhdueshme nga industria bankare. Ndërkohë, rreziku kryesor ndaj të cilit ekspozohen sektori bankar vijon të mbetet ai i kredisë. Ky rrezik bëhet edhe më prezent, si pasojë e persistencës së tij dhe problematikës së vazhdueshme që hasin bankat në procesin e marrjes dhe ekzekutimit të kolateralit. Në vijim të rritjes së nivelit të kredive me probleme në pjesën e parë të vitit dhe rënies së treguesit në pjesën e dytë të tij, raporti i kredive me probleme ndaj kredive në total zbriti ne 18.2% në fund te 2016, duke qenë në të njëjtin nivel me atë të një viti më parë.

Për këtë arsye, reduktimi i kredive me probleme dhe krijimi i stimujve për nxitjen e kreditimit të shëndetshëm ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet e punës sonë.

Banka e Shqipërisë ka punuar në disa drejtime për adresimin e këtij problemi. Së pari, vlerësimi i rrezikut të kredisë dhe rikuperimi i kredive me probleme kanë qenë nën monitorim intensiv gjatë ekzaminimeve në vend. Paralelisht me to, ne kemi ruajtur një qëndrim të kujdesshëm në vlerësimin e politikave dhe praktikave të kredi-dhënies nga ana e bankave. Së dyti, Banka e Shqipërisë ka përmbushur angazhimet e saj brenda Planit Kombëtar për uljen e kredisë me probleme.

Në përputhje me to, Banka e Shqipërisë bëri ndryshime rregullatore lidhur me qartësimin e konceptit të fshirjes së kredive me probleme, si dhe lidhur me administrimin e pronave të rikuperuara nga ekzekutimi i kolateraleve. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka bashkëpunuar me FMN-në për rishikimin e kuadrit rregullator për licencimin e shoqërive që blejnë borxhet e këqija. Së treti, kemi forcuar kërkesat rregullatore dhe raportuese për bankat në drejtim të mirë-administrimit të rrezikut të kredisë në përputhje me praktikat evropiane. Së katërti, ne kemi intensifikuar komunikimet me bankat për të trajtuar çështjen e cilësisë së portofolit, si në drejtim të trajtimit të kredi-marrësve me probleme ashtu edhe të fshirjes të kredive të kategorizuara të humbura. Së pesti, roli koordinues i Bankës se Shqipërisë ka dhënë rezultate në ristrukturimin e kredive me ekspozim në më shumë se një bankë dhe do të vazhdojë edhe këtë vit me hartimin e një platforme bashkëpunimi midis bankave për dhënien e zgjidhjes për kredimarrësit e përbashkët, të cilën BSH është duke e hartuar në bashkëpunim me projektin FinSAC të Bankës Botërore.

Në gjykimin tonë, hapat e ndërmarra për zgjidhjen e kredive me probleme do të kontribuojnë në krijimin e një terreni të frytshëm për nxitjen e kreditimit të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm. Ky është një prioritet madhor, i cili kërkon një matricë shumëdimensionale veprimi dhe një bashkëveprim të gjerë midis autoriteteve shtetërore dhe sistemit bankar.

Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë hartoi dhe nxiti nënshkrimin e një Memorandumi të Përbashkët për Rritjen e Shëndetshme të Kreditimit në Shqipëri.¹

Në procesin e saj mbikëqyrës, Banka e Shqipërisë ka mbështetur ndjekjen e politikave pro-aktive kundrejt rreziqeve të mundshme, si në drejtim të cilësisë së analizës së rrezikut që kryejnë bankat, ashtu edhe të krijimit të fondeve të përshtatshme të provigjionimit.

Kjo qasje e re, e prezantuar një vit më parë, ka kërkuar dhe ndryshimin e kuadrit rregullator, di dhe të praktikave e të kapaciteteve të brendshme. Kuadri rregullator dhe metodologjitë përkatëse janë hartuar në zbatim të kërkesave të Basel II, dhe në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian. Në drejtim të ndryshimeve rregullatore do të përmend dy më të rëndësishmet të cilat kanë marrë formën e ligjit: Ligji për Funksionimin e Shoqërive të Kursim Kreditit dhe Unioneve të Tyre dhe Ligji për Rimëkëmbjen dhe Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme në Banka. I pari mundësoi rishikimin e tërë kuadrit rregullator për mbikëqyrjen e shoqërive të kursim-kreditit, që konsiston në rregulloren për procesin e licencimit, rregulloren për kriteret e administrimit të rrezikut në veprimtarinë e këtyre subjekteve, si dhe sistemin raportues të veprimtarisë së tyre financiare.

I dyti, i jep Bankës së Shqipërisë atributet e Autoritetit për ndërhyje të jashtëzakonshme, duke i vënë në dispozicion një tërësi instrumentesh ligjore. Ky ligj përbën një hap cilësor në drejtim të plotësimit të garancive për ruajtjen e stabilitetit financiar në vend.

Gjithashtu, në përgjigje të ngjarjeve negative të vitit të kaluar ku u cenua siguria e transportit dhe ruajtjes së vlerave monetare, Banka e Shqipërisë ka nxitur bashkëpunimin midis bankave dhe autoriteteve të zbatimit të ligjit, për marrjen e masave për eliminimin e mangësive; ka shtuar inspektimet në vend për të këqyrur mundësinë e ndodhjes së rrezikut; si dhe, ka forcuar kuadrin rregullator për krijimin e kushteve minimale të sigurisë fizike.

Së fundi, gjej me vend të theksoj se funksionimi i mirë i sistemit financiar në përgjithësi dhe i sektorit bankar në veçanti është mbështetur nga një sistem eficient i pagesave. Dy sistemet kombëtare të pagesave që operon Banka e Shqipërisë kanë funksionuar pa ndërprerje dhe në mënyrë korrekte. Gjatë vitit 2016, është intensifikuar puna për rritjen e efikasitetit të përdorimit të instrumenteve të pagesave elektronike, si dhe për reduktimin e përdorimit të parasë fizike në ekonomi. Për këtë qëllim, në përputhje dhe me direktivat e BE-së, është kryer rishikimi i kuadrit rregullator "Për instrumentet e pagesave elektronike".

Gjithashtu, në përmbushje të rekomandimeve të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave përfundoi projekti për standardizimin e formatit të urdhërpagesës dhe është në proces ai i implementimit të Debitimit Direkt Ndërbankar. Synimi i tij është rritja e përdorimit të këtij instrumenti nga klientët e të gjithë bankave, duke kontribuar në reduktimin e përdorimit të parasë cash në ekonomi.

Në gjykimin tonë, bashkërendimi i politikës monetare dhe i masave mikro dhe makro-prudenciale nga ana e Bankës së Shqipërisë, i ka shërbyer promovimit të stabilitetit monetar e financiar.

4. Forcimi i sistemeve dhe procedurave të brendshme të kontrollit e monitorimit

Dy vitet e fundit kanë njohur ndryshime të rëndësishme në funksion të forcimit të sistemeve të brendshme të kontrollit, me qëllim rritjen e parandalimit të rreziqeve. Kontrolli i brendshëm i Bankës së Shqipërisë është një veprimtari e pavarur nga administrimi dhe kjo pavarësi sigurohet nëpërmjet Inspektorit të Përgjithshëm, të emëruar nga Kuvendi. Ai ndihmon njëkohësisht mbarëvajtjen e veprimtarisë dhe llogaridhënien e Bankës së Shqipërisë, duke vlerësuar si kontrollin e proceseve ashtu dhe eficiencën e përdorimit të burimeve.

Praktikat e punës në sistemet e kontrollit janë përafruar me standardet ndërkombëtarë të auditimit, si dhe janë përshtatur për të adresuar rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare.

Një nga rekomandimet e përsëritura të këtyre institucioneve ka qenë ai për implementimin e rrezikut operacional në nivel banke. I nisur një vit më parë, realizimi i këtij projekti përfundoi në vitin 2016. Tani, Banka e Shqipërisë ka një Politikë për Administrimin e Rrezikut Operacional, i cili përcakton parimet bazë për identifikimin, vlerësimin, kontrollin, administrimin dhe ndjekjen e rrezikut operacional si një proces i integruar në nivel banke. Gjithashtu, ne kemi ngritur një njësi të dedikuar për vlerësimin dhe dhënien e rekomandimeve për adresimin e vulnerabiliteteve.

Funksioni i kontrollit të brendshëm vepron edhe si shërbim konsulence për Këshillin Mbikëqyrës. Angazhimet e auditimeve të kryera janë fokusuar në: (i) dhënien e opinionit mbi mjaftueshmërinë e kontrolleve të brendshme të vendosura nga Drejtimi për funksionet dhe proceset e audituara, përfshirë dhe aplikacionet mbështetëse për kryerjen e aktiviteteve; (ii) dhënien e opinionit mbi saktësinë dhe plotësinë e të dhënave financiare në raportimet periodike; si dhe në, (iii) angazhime të tjera audituese dhe jo-audituese të pa-planifikuara, me kërkesë nga Administratorët apo Institucione të tjera jashtë Bankës.

Me një kujdes të rritur në dizenjimin e proceseve të punës nga njësitë e Bankës, në fillim të vitit 2017 ka nisur projekti për implementimin e Programit për Menaxhimin e Vijueshmërisë së Veprimtarisë në Bankën e Shqipërisë. Realizimi i këtij projekti e radhit Bankën e Shqipërisë ndër bankat me praktikat më të mira në drejtim të mirëqeverisjes së brendshme të institucionit.

5. Strategjia afatmesme dhe forcimi i pavarësisë, llogaridhënies dhe transparencës

Për të aktivizuar të gjithë potencialin e Bankës së Shqipërisë, u lançua në vitin 2016 Strategjia Afatmesme e Zhvillimit të Bankës së Shqipërisë. Ky dokument përcakton objektivat institucionale gjatë një periudhe trevjeçare, 2016 -2018, dhe identifikon masat e burimet e nevojshme për përmbushjen e tyre. Realizimi i këtyre objektivave varet, ndër të tjera, nga sa të kuptueshëm jemi ne për publikun, sa të përgjegjshëm jemi në politikat dhe veprimet tona, dhe sa besim ka publiku tek ne. Prandaj, forcimi i pavarësisë së Bankës së Shqipërisë shihet gjithnjë e lidhur me forcimin e transparencës dhe llogaridhënies.

Në drejtim të llogaridhënies, Banka e Shqipërisë ka përmbushur rregullisht detyrimet e llogaridhënies ndaj Kuvendit, sistemit financiar dhe publikut. Gjithashtu, Raportit Vjetor i kemi bashkëlidhur një informacion për veprimtarinë dhe rezultatet e Departamentit të Kontrollit për vitin 2016. Gjithashtu, pjesë përbërëse e tij ishin dhe pasqyrat financiare dhe opinioni i auditorit të pavarur të jashtëm, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Auditimit. Miratimi i pasqyrave financiare në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF) ishte një ndër prioritetet më të rëndësishme të Bankës së Shqipërisë për vitin 2015. Zbatimi i këtij prioriteti gjatë vitit 2016 përmbushi kërkesat ligjore dhe respektoi rekomandimet e brendshme dhe të huaja.

Komunikimi transparent me publikun përbën një hallkë të rëndësishme në aktivitetin e Bankës së Shqipërisë, si në përmbushjen e detyrimit për të ofruar transparencë maksimale, ashtu edhe për rritjen e besueshmërisë së institucionit me qëllim forcimin e efektivitetit të politikave të saj. Më lejoni të paraqes disa statistika:

  • Faqja jonë zyrtare e internetit është një hapësirë ku qytetarët mund të gjejnë informacion të plotë dhe të përditësuar mbi Bankën e Shqipërisë, mbi ekonominë dhe financat shqiptare. Gjatë vitit 2016, faqja e internetit pati rreth 720 mijë vizitorë, të cilët vizituan faqen tonë rreth 2.1 milionë herë dhe shfletuan në total rreth 4.3 milionë rubrika.
  • Gjithashtu, muzeu i BSH-së numëroi 1900 vizitorë ndërkohë që kemi shpërndarë 1180 tekste mësimore "Financat personale në duart tuaja" në tetë shkolla të mesme.

Që prej fillimit të vitit 2016, në përputhje me nenin 7, të ligjit nr.119/2014 "Për të drejtën e informimit", Banka e Shqipërisë ka hartuar dhe publikuar në faqen e saj të internetit Programin e Transparencës. Po në këtë linjë, ne kemi caktuar koordinatorin për të drejtën e informimit dhe ju kemi kthyer përgjigje 65 kërkesave zyrtare dhe 120 kërkesave me postë elektronike.

Së fundi, dëshiroj të theksoj se, prej më se një dhjetëvjeçari, Banka e Shqipërisë është angazhuar në zgjerimin dhe thellimin e kulturës financiare të publikut në vend, e veçanërisht të brezit të ri.

Ndonëse edukimi financiar i publikut nuk renditet ndër detyrimet ligjore të Bankës së Shqipërisë, ne jemi të bindur në kthimin pozitiv të këtij investimi. Programet, aktivitetet dhe botimet e veçanta edukative të përgatitura nga Banka e Shqipërisë në këtë drejtim, kanë në fokus të tyre dy objektiva kryesorë: prezantimin tek publiku të institucionit të bankës qendrore, rolit dhe funksioneve të saj; si dhe kultivimin dhe përforcimin e një kulture financiare në shoqërinë shqiptare. Në këndvështrimin tonë, kultura financiare në ditët e sotme përbën një domosdoshmëri për këdo, duke marrë në konsideratë ritmet e zhvillimit ekonomik, bankar dhe teknologjik në botën e sotme globale.

***

I nderuar zoti Kryetar,

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,

Në përfundim të fjalës sime, dua të nënvizoj se, gjatë vitit 2016, Banka e Shqipërisë ka treguar iniciativë dhe përkushtim në adresimin e sfidave me të cilat jemi përballur. Rezultatet pozitive të punës sonë tregojnë se jemi në drejtimin e duhur.

Megjithatë, unë besoj se për institucionet e suksesshme mbetet gjithmonë shumë për të bërë. Ato orientohen nga objektiva afatmesëm dhe afatgjatë; ato investojnë në rritjen e standardeve profesionale dhe rrisin kapacitetet e tyre nëpërmjet përgatitjes, forcimit të pavarësisë, llogaridhënies, transparencës dhe mirëqeverisjes së tyre. Kjo kredo e jona do të udhëheqë dhe planet tona të veprimit për të ardhmen.

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj!


¹ Ky memorandum u nënshkrua midis Bankës së Shqipërisë, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Shoqatës Shqiptare të Bankave.