BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2022 në Kuvendin e Shqipërisë

Data e publikimit: 06.07.2023

 

E nderuar zonja Kryetare e Kuvendit,

Të nderuar zonja dhe zotërinj Deputetë,

Më lejoni ta filloj këtë komunikim, duke ju siguruar për respektin dhe vëmendjen e veçantë që Banka e Shqipërisë i kushton komunikimit të hapur e transparent me Kuvendin e Shqipërisë. Ky komunikim i shërben si llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së institucionit tonë, ashtu edhe përmirësimit të procesit të hartimit e zbatimit të politikave ekonomike, përmes ndërtimit të një vizioni të përbashkët mbi sfidat që kemi përpara dhe rrugët e instrumentet më të mira për adresimin e tyre.

 DSC7136 498

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Ekonomia shqiptare ka qenë subjekt i goditjeve të shpeshta, komplekse e të paprecedenta, gjatë viteve të fundit. Pas tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë së viteve 2020-2021, gjatë vitit të shkuar ne u përballëm me pasojat ekonomike dhe financiare të shkaktuara nga agresioni ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës.

Ky agresion solli një rritje të shpejtë të çmimeve të ushqimeve, të naftës dhe të energjisë në tregjet botërore, rritje të pasigurisë së agjentëve ekonomikë e financiarë, si dhe rritje të kostove të përgjithshme të financimit, si në vend dhe në botë.

 DSC7216 498

Realiteti i ri ekonomik dhe gjeopolitik testoi qëndrueshmërinë e ekuilibrave ekonomikë e financiarë të vendit, ofroi sfida serioze për bizneset dhe familjet shqiptare, si dhe kërkoi reagimin e shpejtë dhe të koordinuar të autoriteteve publike. Megjithatë, sikundër konstatohet në faqet e Raportit tonë Vjetor, ekonomia shqiptare ka shfaqur një rezistencë të lartë ndaj kësaj goditjeje. Ajo ruajti trendin pozitiv të rritjes ekonomike, regjistroi një ndër normat më të ulëta të inflacionit në rajon dhe në Evropë, konsolidoi më tej treguesit e qëndrueshmërisë fiskale dhe të pozicionit të jashtëm të vendit si dhe ruajti shëndetin e përgjithshëm të bilanceve financiare të sektorit privat.

Më konkretisht, ndonëse e përballur me një faturë më të shtrenjtë importi dhe me kushte më të shtrënguara financimi, ekonomia shqiptare u zgjerua me 4.8% gjatë vitit 2022. Rritja e ekonomike shfaqi një shpërndarje të mirë sektoriale dhe u mbështet nga zgjerimi i konsumit familjar, i investimeve të biznesit dhe i eksporteve. Nga ana tjetër, rritja e kërkesës për mallra e shërbime gjatë vitit të shkuar u pasqyrua në përmirësime të dukshme në tregun e punës. Për pasojë, punësimi u rrit me 4.2%, norma e papunësisë zbriti në minimumin historik prej 10.8%, ndërsa paga mesatare në sektorin privat u rrit me 12.2%. Këto zhvillime ndihmuan në rritjen e të ardhurave të familjeve shqiptare, duke amortizuar shtrenjtimin e kostos së jetesës për një pjesë të madhe të tyre. Megjithatë, mungesat e vëna re në tregun e punës po shndërrohen në një pengesë gjithnjë e më të madhe për zgjerimin e aktivitetit dhe po ushqejnë presionet e brendshme inflacioniste.

 DSC7373 498

Në linjë me këto zhvillime, çmimet e konsumit shënuan rritje të shpejtë gjatë vitit 2022, duke regjistruar një nivel mesatar inflacioni prej 6.7%. Rritja e inflacionit gjatë vitit të shkuar u diktua fillimisht nga shtrenjtimi i shpejtë i çmimeve të artikujve të importit, por ajo gjeti një mbështetje gjithnjë e më të madhe në vazhdim nga kërkesa e fortë agregate dhe nga rritja e përgjithshme e kostove të prodhimit. Megjithatë, ecuria e inflacionit shënoi një pikë kthese në muajin tetor, duke regjistruar rënie progresive në vazhdim dhe duke zbritur në nivelin 4.7% në muajin maj 2023. Kjo ecuri pasqyroi dinamikën e çmimeve në tregjet botërore, efektet para reagimit të politikës sonë monetare, të cilat do ti shtjelloj më në detaje në vijim, si dhe forcimin e kursit të këmbimit. Gjithashtu, niveli krahasimisht i ulët i inflacionit në Shqipëri u ndihmua edhe nga çmimet e kontrolluara të energjisë elektrike për familjet dhe një pjesë të bizneseve, duke transferuar koston e rritur të faturës së importit të energjisë në bilancet e sektorit publik.

Viti 2022 shënoi progres edhe në drejtim të përmirësimit të pozicionit të huaj të vendit. Më konkretisht, eksportet shqiptare u rritën me 42% gjatë vitit të shkuar, të udhëhequra nga rritja e shpejtë e të ardhurave nga turizmi. Kjo rritje solli reduktimin e deficitit tregtar dhe deficitit të llogarisë korrente. Paralelisht me to, borxhi i huaj i Shqipërisë shënoi rënie ndërsa treguesit e qëndrueshmërisë së tij u përmirësuan. Përmirësimi i balancës së shkëmbimeve tregtare me jashtë, nivelet e larta të investimeve të huaja direkte si dhe qëndrueshmëria e tregjeve të brendshme financiare, sollën forcimin e kursit të këmbimit të lekut gjatë vitit të shkuar. Këto tendenca duket se kanë vazhduar edhe gjatë vitit 2023.

Në të njëjtën kohë, deficiti buxhetor i vendit zbriti nga niveli 4.6% i PBB-së në vitin 2021 në nivelin 3.7% të PBB-së për vitin 2022, ndërkohë që borxhi publik u reduktua nga niveli 74.5% të PBB-së në nivelin 64.6%. Ky përmirësim pasqyroi rritjen e shpejtë të të ardhurave publike, reduktimin e deficitit buxhetor në përgjigje të politikës së konsolidimit fiskal, si dhe forcimin e kursit të këmbimit.

Së fundi, por po aq e rëndësishme, tregjet financiare kanë qenë relativisht të qeta dhe ecuria e sektorit bankar ka qenë pozitive, pavarësisht trendit rritës të normave të interesit dhe pasigurisë më të lartë që ka karakterizuar aktorët e tregut. Në veçanti, sektori bankar shfaqet solid, me tregues të mirë likuiditeti, përfitueshmërie dhe kapitalizimi. Ky sektor është shndërruar tashmë në një partner të qëndrueshëm të biznesit e familjeve shqiptare, duke i furnizuar ato me fondet e nevojshme për zgjerimin e aktivitetit, duke ofruar instrumente të besueshme për ruajtjen e kursimeve, si dhe duke zgjeruar vazhdimisht gamën e produkteve financiare dhe të instrumenteve të pagesave. Analizat tona sugjerojnë se rreziqet sistemike mbeten të kontrolluara, ndërsa niveli i lartë kapitalizimit dhe i likuiditetit të tij ofrojnë një mburojë të konsiderueshme për përballimin e goditjeve.

 

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Rezistenca e admirueshme e ekonomisë shqiptare përballë krizave të vazhdueshme të viteve të fundit është dëshmi, në radhë të parë, e dinamizmit, fleksibilitetit dhe bilanceve të shëndosha të bizneseve dhe familjeve shqiptare. Megjithatë, paralelisht me to, ajo pasqyron edhe reagimin e duhur të politikave monetare, financiare e fiskale, si dhe frytet e reformave të vazhdueshme strukturore që kemi ndërmarrë në sektorin real e financiar të ekonomisë.

Në këtë kontekst, më lejoni të evidentoj drejtimet dhe rezultatet kryesore të punës së Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2022.

Rritja e intensitetit dhe zgjerimi i bazës së presioneve inflacioniste gjatë vitit të shkuar diktuan një ndryshim të kursit të politikës monetare. Në përmbushje të mandatit tonë ligjor të stabilitetit të çmimeve, Banka e Shqipërisë ndërmori një normalizim të qëndrimit të politikës monetare. Ky normalizim u realizua nëpërmjet rritjes së normës bazë të interesit, nga niveli 0.5% në fillim të vitit 2022 në nivelin 2.75% në fund të tij. Paralelisht me të, ne intensifikuam komunikimin me tregjet dhe publikun, për të rikonfirmuar vullnetin tonë për marrjen e të gjitha masave të nevojshme për kthimin e inflacionit në objektiv si dhe për të sqaruar strategjinë tonë të politikës monetare.

Kjo strategji bazohet në tre parime të rëndësishme:

  • Së pari, normalizimi i qëndrimit të politikës monetare ishte dhe mbetet një masë e nevojshme për kthimin e qëndrueshëm të inflacionit në objektiv. Ky normalizim nuk synon të adresojë rritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, por të frenojë transmetimin e tyre në rritje të përgjithshme e të qëndrueshme të çmimeve në ekonominë tonë. Në këtë kontekst, ai mbetet në linjë me reagimin e thuajse të gjitha bankave të tjera qendrore.
  • Së dyti, shpejtësia dhe intensiteti i normalizimit ka qenë një proces i kujdesshëm, i udhëhequr nga informacioni i ri dhe i harmonizuar me kahun e politikës fiskale dhe zhvillimet e tregut financiar. Në këtë prizëm, gjej me vend të theksoj se reagimi i politikës tonë monetare ka qenë si mjaftueshmërisht i fortë për të garantuar kthimin e inflacionit në objektiv, brenda një horizonti të arsyeshëm kohor, ashtu edhe mjaftueshmërisht gradual për të pasur një ndikim sa më të ulët në aktivitetin ekonomik dhe në stabilitetin financiar. Po ashtu, dëshiroj të nënvizoj se shpejtësia e normalizimit në Shqipëri ka qenë më e ulët se ajo e ndjekur nga partnerët tanë tregtarë, për faktin se politika fiskale ka ndjekur një kah konsolidues gjatë vitit 2022 si dhe për faktin se forcimi i kursit të këmbimit ka frenuar përcjelljen e presioneve të huaja inflacioniste në tregun vendas. Në mungesë të këtyre faktorëve, rritja e normës bazë të interesit do të duhej të kishte qenë më e shpejtë dhe më agresive, duke pasur pasoja negative mbi konsumin dhe investimet e sektorit privat.
  • Së treti, edhe në prani të normalizimit, qëndrimi i përgjithshëm i politikës monetare vijon të mbetet në kahun stimulues për rritjen e konsumit dhe të investimeve. Megjithatë, ai ofron kushte më të mira financiare për një ecuri më të balancuar të kërkesës dhe ofertës agregate në ekonomi në të ardhmen.

Politika monetare ka pasur një përcjellje të mirë në tregjet financiare. Në një plan më të përgjithshëm, efektet e para të reagimit tonë janë të dukshme në frenimin e rritjes së inflacionit dhe në vendosjen e tij në një trajektore rënëse. Vlerësimet tona tregojnë se në mungesë të këtij reagimi, inflacioni do të ishte mesatarisht 4.5 pikë përqindje më i lartë për gjithë horizontin 2022 - 2024, duke pasur pasoja të ndjeshme negative në fuqinë blerëse të familjeve dhe në treguesin e kredive me probleme.

Në të njëjtën kohë, aktiviteti ynë në fushën e mbikëqyrjes, rregullimit dhe licencimit të sektorit bankar gjatë vitit 2022, u përqendrua në tre drejtime kryesore: (i) garantimin e shëndetit të sektorit bankar, në prani të goditjeve reale e financiare që solli lufta në Ukrainë; (ii) monitorimin e ndikimit që trendi rritës i normave të interesit kishte në bilancet e sektorit bankar; si dhe, (iii) përballimin e sulmeve intensive dhe të organizuara kibernetike ndaj industrisë dhe infrastrukturës financiare të vendit. Rezultatet e punës sonë në këto drejtime kanë qenë pozitive, duke ndihmuar sektorin bankar të përballojë me sukses sfidat e vitit 2022.

Paralelisht me to, ne kemi synuar të përmirësojmë më tej bazën tonë rregullatore dhe politikat e instrumentet tona makroprudenciale, të forcojmë më tej mbikëqyrjen bankare, si dhe të nxisim zhvillimin e sistemit të pagesave, nëpërmjet përmirësimit të mëtejshëm të bazës ligjore, rregullatore dhe infrastrukturore. Më konkretisht:

  • Së pari, Banka e Shqipërisë vijoi punën për përmirësimin e kuadrit të saj mbikëqyrës e rregullator, me synim përafrimin e tij me Acquis të BE-së dhe parimet e Komitetit të Bazelit. Rishikimi i rregulloreve ka synuar kryesisht forcimin e standardeve të kapitalizimit të veprimtarisë bankare. Bazuar në rezultatet e punës sonë ndër vite, si dhe në konkluzionet pozitive të procesit të vetëvlerësimit që kemi kryer në bashkëpunim me agjencitë e specializuara ndërkombëtare, gjatë vitit 2022 ne paraqitëm një kërkesë pranë Autoritetit Bankar Evropian për të marrë statusin zyrtar të ekuivalencës me standardet e BE-së.
  • Së dyti, ne kemi punuar për zbatimin e rekomandimeve të Komitetit të MONEYVAL në kuadër të forcimit të masave për parandalimin e pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit. Në këtë drejtim, ne kemi ushtruar përgjegjësitë tona për përmirësimin e kuadrit rregullator dhe forcimin e efektivitetit të procesit mbikëqyrës. Vlerësimet e fundit të Komitetit të MONEYVAL tregojnë se industria financiare shqiptare ka një shkallë të lartë përafrimi me kërkesat ndërkombëtare të fushës.
  • Së treti, ne kemi vijuar monitorimin rigoroz të sektorit bankar, nëpërmjet inspektimeve në vend dhe analizave në distancë. Fokusi i ekzaminimeve ka qenë vlerësimi i cilësisë së portofolit të kredisë, vlerësimi i rrezikut operacional, i teknologjisë së informacionit, i likuiditetit, i sistemeve të qeverisjes, dhe transparenca me klientët. Subjektet në monitorim – banka dhe jobanka – ndjekin një qasje të kujdesshme në administrimin e rreziqeve dhe janë – në përgjithësi – në përputhje me kuadrin rregullator.
  • Së katërti, ne kemi rritur më tej aftësinë tonë për ndërhyrje të jashtëzakonshme. Ky rezultat është arritur pas përfundimit dhe komunikimit të planeve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme, si dhe marrjes së masave përkatëse për të garantuar zbatueshmërinë e tyre.
  • Së pesti, ne kemi nxitur zhvillimin e sistemit të pagesave në vend. Në këtë drejtim, ne kemi miratuar aktet e nevojshme nënligjore, të cilat rregullojnë veprimtarinë, mbikëqyrjen dhe administrimin e rreziqeve të subjekteve që ofrojnë shërbime pagesash. Po ashtu, ne kemi realizuar mirëmbajtjen e një infrastrukture të sigurt e efiçiente pagesash në lekë, si dhe e kemi zgjeruar atë me një sistem kombëtar për shlyerjen e pagesave në euro (AIPS Euro) gjatë vitit 2022. Ky sistem ofron kosto shumë më të ulëta dhe një afat kohor shumë më të shkurtër krahasuar me procesin e mëparshëm. Sipas vlerësimeve tona, përdorimi i tij i ka kursyer bizneseve dhe familjeve shqiptare rreth 10 milionë euro gjatë vitit të shkuar. Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, përdorimi i pagesave elektronike është rritur ndjeshëm gjatë vitit 2022, duke tejkaluar objektivat e vëna në strategjinë kombëtare të zhvillimit të pagesave.

Paralelisht me to, dëshiroj të theksoj se – gjatë vitit 2022 – Banka e Shqipërisë ka ushtruar detyrat e saj ligjore dhe ka përmbushur angazhimet e saj institucionale në të gjithë spektrin e aktivitetit të saj. Ne kemi mbështetur procesin e integrimit evropian të vendit, duke vijuar procesin e dialogut me partnerët tanë evropianë e duke vijuar punën për përfarimin e legjislacionit bankar me Acquis Communautaire, kemi furnizuar ekonominë shqiptare me monedha e kartëmonedha cilësore, kemi rritur përpjekjet për edukimin financiar të publikut dhe për zgjerimin e përfshirjes financiare, kemi administruar rezervën valutore të vendit në përputhje me parimet më të mira të fushës, kemi kontribuuar në dialogun ekonomik përmes këshillave, publikimeve dhe konferencave shkencore, si dhe kemi zhvilluar e zgjeruar më tej gamën e statistikave financiare.

Së fundi, një progres i mëtejshëm është realizuar në drejtim të përmirësimit të qeverisjes së institucionit, nëpërmjet përditësimit të sistemeve për administrimin e rrezikut dhe sigurimin e vijueshmërisë së veprimtarisë. Në veçanti, nisur nga sulmet e organizuara kibernetike me të cilat u përball vendi gjatë vitit të shkuar, Banka e Shqipërisë i kushtoi një vëmendje të posaçme rritjes së qëndrueshmërisë së sektorit bankar, të tregjeve financiare dhe të sistemeve të pagesave të operuara nga Banka e Shqipërisë, duke bashkëpunuar me agjencitë e specializuara kombëtare dhe partnerët ndërkombëtarë.

 

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,

Aktiviteti i Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2022 është orientuar nga përmbushja e misionit dhe detyrave tona ligjore, nga jetësimi i angazhimeve që kemi ndërmarrë në strategjinë afatmesme të zhvillimit, si dhe nga respektimi i rekomandimeve të lëna nga Kuvendi i Shqipërisë për vitin 2022. Kjo filozofi do të vijojë të udhëheqë punën tonë edhe gjatë vitit 2023 e në vazhdim.

Në mbyllje të fjalës time, dëshiroj të përsëris edhe një herë se stabiliteti i çmimeve ka qenë dhe mbetet misioni kryesor i Bankës së Shqipërisë. Ruajtja e stabilitetit monetar dhe financiar të vendit është shërbimi më i mirë që ne mund ti ofrojmë ekonomisë shqiptare. Nga ana tjetër, rritja e potencialit prodhues të ekonomisë, forcimi i rezistencës së saj ndaj goditjeve, si dhe rritja e mirëqenies së shoqërisë kërkon vazhdimin dhe thellimin e mëtejshëm të reformave strukturore.

Ju falënderoj për vëmendjen!