BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në Forumin e Ministrave të Ekonomisë të organizuar në Tiranë me titull “Tregu i përbashkët rajonal – një hap drejt Tregut Unik të BE”

Data e publikimit: 27.09.2023

 

I nderuar Ministër Mete,

I nderuar z. Xiaoqing Yu,

Të nderuar kolegë,

Të nderuar pjesëmarrës,

Është kënaqësi dhe nder i madh për mua të jem pjesë e këtij momenti shumë të rëndësishëm për të ardhmen, i cili vë theksin dhe nxit bashkëpunimin rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke forcuar në këtë mënyrë zhvillimin ekonomik dhe duke kontribuuar në integrimin e tyre në Bashkimin Evropian.

 DSC9185 498

Megjithatë, në mënyrë që ky objektiv të arrihet me sukses - duhet të funksionojnë si duhet: shërbimet, sistemet dhe tregjet e zhvilluara, bashkëkohore dhe të integruara të pagesave. Sistemet e pagesave dhe tregjet e pagesave janë të lidhura drejtpërdrejt dhe të ndërthurura ngushtë me shkëmbimet ekonomike dhe me rritjen ekonomike efikase. Ndërsa paraja konsiderohet të jetë zemra e ekonomive monetare moderne, sistemet e pagesave janë sistemi i qarkullimit që i jep atyre jetë e forcë. Parë nga ky prizëm, modernizimi i sistemeve të pagesave është një objektiv i menjëhershëm, i cili ndikon në formalizimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të ekonomive tona. Në mënyrë të ngjashme, harmonizimi me praktikat evropiane është po aq i rëndësishëm, duke pasur parasysh se integrimi në BE është një objektiv i përbashkët dhe parësor për gjashtë vendet tona. Për këto arsye, rritja e shkëmbimeve tregtare me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, si dhe me Bashkimin Evropian mbart një rëndësi thelbësore.

 DSC9239 498

Po jetojmë në një epokë të ekonomive të hapura dhe të globalizimit të thellë, ku digjitalizimi i sistemeve të pagesave ndërkufitare merr një rëndësi të veçantë. Përkundrejt kësaj panorame- zhvillimi i pagesave të shpejta, transparente dhe të lira ndërkufitare - është një objektiv i përbashkët global. Miratimi i Udhërrëfyesit për Rritjen e Pagesave Ndërkufitare, në vitin 2020, nga liderët e G20, ka mundësuar arritjen e objektivave të shumtë në këtë drejtim.

 DSC9072 498

Gjithashtu, projekti rajonal për “Modernizimin e sistemit të pagesave në vendet e Ballkanit Perëndimor” është në përputhje me të gjithë objektivat e lartpërmendur dhe nxit zhvillimin e mëtejshëm të tyre. Ky projekt përbëhet nga një tërësi masash mbështetëse, të cilat lidhen me disa prej objektivave. Ato mbështesin zhvillimin e Tregut të Përbashkët Rajonal dhe të Planit Ekonomik të Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Për këtë arsye, gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor janë angazhuar në zhvillimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal, të bazuar në rregullat dhe standardet e Bashkimit Evropian, për ta bërë rajonin tonë më tërheqës për investitorët, për të rritur konkurrencën e tij, duke e sjellë kështu më afër me tregjet e BE-së.

 DSC8957 498

Në të njëjtën kohë, Komisioni Evropian ka miratuar një Plan gjithëpërfshirës Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, i cili synon të nxisë rimëkëmbjen ekonomike afatgjatë të rajonit, të mbështesë kalimin në një ekonomi të gjelbër dhe transformimin digjital, si dhe të forcojë integrimin dhe konvergjencën rajonale me Bashkimin Evropian. Përmirësimi i pagesave ndërkufitare me juridiksionet joanëtare të BE-së, si dhe sistemet efektive dhe të ndërveprueshme të pagesave me vlerë të vogël, janë të pasqyruara gjithashtu në Strategjinë e BE-së për pagesat me vlerë të vogël, e cila është miratuar së fundmi.

Disa nga objektivat e këtij projekti janë: zvogëlimi i kostove për pagesat rajonale; përgatitja e rajonit për t'u bashkuar me Zonën e vetme të Pagesave në Euro (SEPA); si dhe krijimi i një zgjidhjeje për pagesat në kohë reale brenda vendit në vendet që nuk e kanë ende një të tillë. Qëllimi kryesor është gjithashtu dhe përgatitja e tyre për t'u bashkuar me TIPS, sistemin e pagesave në kohë reale SPI, që operon BQE-ja.

Ndër vite janë marrë dhe zhvilluar hapa konkretë për arritjen e këtij objektivi. Shqipëria dhe të gjitha vendet e rajonit, në bashkëpunim të ngushtë me Bankën Botërore, BE-në dhe Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal kanë punuar për të përmbushur plotësisht kërkesat ligjore dhe rregullatore të SEPA-s. Sa më shpejt të përparojmë drejt përputhshmërisë rregullative e ligjore, aq më herët do t'i shohim vendet tona pjesë të SEPA-s. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë ka intensifikuar gjithashtu diskutimet me Bankën Botërore dhe Banca d’Italia për konkretizimin e një zgjidhjeje për pagesat brenda vendit në kohë reale.

Cilat janë përfitimet që vijnë me arritjen e këtyre objektivave?

  • Përtej objektivave rajonalë dhe integrimit në BE, anëtarësimi në SEPA ndikon drejtpërsëdrejti në tregjet dhe ekonominë vendase. Siç e përmendëm dhe më parë, Shqipëria ka një nivel shumë të lartë shkëmbimi dhe ndërveprimi me ekonomitë e BE-së. Për këtë arsye, pjesëmarrja në SEPA do t'i bëjë importet dhe pagesat e lidhura me eksportet më efikase si përsa i përket kostos ashtu edhe kohës.
  • Për më tepër, arritja e këtyre objektivave do të kontribuojë pozitivisht në rritjen e shpejtë të turizmit që Shqipëria po njeh, ndërkohë që turistët do të mund të paguajnë më shpejt dhe me komisione më të lira. Kjo gjë do t’i japë hov të mëtejshëm këtij vrulli të turizmit, dhe do të kontribuonte në mënyrë të konsiderueshme në rritjen e përgjithshme të ekonomisë së Shqipërisë duke e bërë atë në të njëjtën kohë edhe më tërheqëse.
  • Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, anëtarësimi në SEPA përkthehet në një ndikim konkret mbi dërgesat e emigrantëve dhe nga ana tjetër, mbi të ardhurat e disponueshme të familjeve shqiptare. Nisur nga valët e reja të emigrimit të viteve të fundit jashtë Shqipërisë, si dhe nga madhësia e pozicioni i diasporës së hershme shqiptare të pranishme në vendet e BE-së, kjo lehtësi mund të rrisë flukset e dërgesave të emigrantëve përmes kanaleve të formalizuara, mund të kontribuojë në formalizimin e ekonomisë dhe të përmirësojë mirëqenien e familjeve, të cilat i marrin këto të ardhura në Shqipëri.

Besoj se flas në emër të shumë prej jush të pranishëm sot këtu, nëse rendis si sfida të përbashkëta: uljen e informalitetit, reduktimin e përdorimit të parasë fizike, nxitjen e pagesave elektronike, digjitalizimin e shërbimeve, rritjen e përfshirjes financiare, uljen e varfërisë dhe pagesat dhe shërbimet e pandërprera të qeverisë. Të gjitha këto elemente janë adresuar në projektin për të cilin ne të gjithë po punojmë për të siguruar pagesa të menjëhershme në 24/7 brenda pak sekondash.

Zbatimi i një zgjidhjeje për pagesat në kohë reale brenda vendit për Shqipërinë është tashmë i përfshirë në Strategjinë tonë Kombëtare për Pagesat me Vlerë të Vogël, të ndërmarrë dhe zbatuar nga Banka e Shqipërisë. Kjo strategji përfshin disa reforma dhe nisma kombëtare, që synojnë adresimin e sfidave të tilla si: informaliteti, pagesat elektronike dhe përfshirja financiare. Me këtë infrastrukturë, tregu shqiptar do të mund të reduktojë ndjeshëm përdorimin e parasë fizike (cash) në ekonomi dhe të jetë në përputhje me një sërë strategjish dhe nismash kombëtare. Infrastruktura mbështet ndër të tjera nismat e qeverisë shqiptare për administrimin më të shpejtë dhe më efikas të pagesave të Thesarit, nxitjen e shkëmbimeve apo transaksioneve tregtare në mënyrë elektronike dhe digjitalizimin e mëtejshëm të pagesave të qeverisë në portalin e vetëm qeveritar e-Albania.

Në të kaluarën, reforma të tilla infrastrukturore kanë rezultuar shumë efektive për ekonominë shqiptare dhe janë përqafuar lehtësisht dhe shpejt nga aktorët e tregut. Për shembull, në vijim të reformave të ndërmarra së fundmi nga Banka e Shqipërisë në Sistemin Ndërbankar të Pagesave me Vlerë të Madhe (AIPS), përdorimi i transaksioneve ndërbankare për shlyerjen e transfertave vendase për klientët në Euro është rritur ndjeshëm. Në të njëjtën kohë, kursimet për ekonominë vlerësohen të arrijnë deri në 10 milionë euro në vit. Gjithashtu, pjesëmarrja në SEPA do t'i kursente shqiptarëve rreth 14 milionë euro në vit. Në mënyrë të ngjashme, me funksionimin e pagesave në kohë reale, kostot për ekonominë do të mund të uleshin në 0.2% të PBB-së, nga 1.7% të PBB-së në rastin e përdorimit të parasë fizike.

Do të doja ta përfundoja fjalën time duke sjellë dhe një herë në vëmendje rëndësinë e këtij Projekti Rajonal, duke nënvizuar domosdoshmërinë se të gjitha vendet duhet të intensifikojnë përpjekjet e tyre drejt arritjes së qëllimeve të përbashkëta me përfitime për secilin prej vendeve tona. Dëshiroj gjithashtu të shpreh mirënjohjen për partnerët tanë evropianë dhe ndërkombëtarë, të cilët qëndrojnë gjithmonë krahë nesh për të na udhëhequr dhe mbështetur në mënyrë që të mund të arrijmë rezultate të prekshme.

Së fundi, dëshiroj të shpreh vlerësimet e mia më të larta për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë për organizimin e këtij ministeriali shumë të rëndësishëm, duke kontribuar kështu në rritjen e ndërgjegjësimit dhe të diskutimeve për një temë jetike si sistemet e pagesave dhe bashkëpunimi rajonal në këtë fushë. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ashtu si dhe Qeveria Shqiptare kanë qenë gjithmonë partnerë dhe mbështetës të rëndësishëm në rrugëtimin e Bankës së Shqipërisë për modernizimin e sistemeve të pagesave të vendit nëpërmjet Strategjisë Kombëtare për Pagesat me Vlerë të Vogël (2018-2023).

Faleminderit!