BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në Konferencën Ndërkombëtare të Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës

Data e publikimit: 16.12.2023

 

I nderuar zoti Rektor / Dekan,

Të nderuar pjesëmarrës, 

Në radhë të parë, më lejoni t’ju falënderoj për ftesën tuaj dhe mundësinë që më jepni për të përshëndetur punimet e kësaj konference.

Më lejoni, po ashtu, të theksoj se kënaqësia ime sot është e dyfishtë.

498-0545

Së pari, sepse po rikthehem në ambientet e Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Ky fakultet ka qenë e mbetet një nga institucionet më të rëndësishme të arsimit në vend. Ai ka prodhuar një plejadë studiuesish dhe ka furnizuar vendin me një sërë praktikantësh, të cilët kanë dhënë një kontribut të paçmuar në procesin e zhvillimit e transformimit të tij.

Së dyti, sepse tema e zgjedhur për këtë konferencë është sa aktuale aq edhe largpamëse. Shqipëria ka shënuar një progres të padiskutueshëm në rrugën e saj të zhvillimit. Megjithatë, ky progres ka qenë shpesh i dhimbshëm dhe jolinear, ndërsa rruga që kemi përpara është ende e gjatë dhe sfiduese. Për këtë arsye, ndërtimi i një vizioni të përbashkët mbi prioritetet e zhvillimit dhe hartimi i strategjive gjithëpërfshirëse e konsistente për përmbushjen e tyre, është një proces i domosdoshëm për të shkurtuar kohën dhe për të ulur kostot e progresit.

498-0592

Bazuar në eksperiencën dhe larminë e pjesëmarrësve, jam i bindur se punimet e kësaj konference do të ofrojnë një kontribut të madh në shtyrjen përpara të agjendës së zhvillimit.

Duke përfituar nga mundësia e kësaj fjale përshëndetëse, dëshiroj të ndaj me ju në vazhdim disa pikëpamje të miat mbi temën e ristrukturimit ekonomik dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

498-0612

Të nderuar pjesëmarrës,

Në një këndvështrim historik, Shqipëria ka treguar një zhvillim të admirueshëm në tre dekadat e fundit. Gjatë kësaj periudhe, e ardhura për frymë në vend është rritur ndjeshëm, nga një mesatare prej rreth 600 dollarësh (amerikanë) në vitin 1990 në mbi 8.000 dollarë në vitin 2023. Për rrjedhojë, në harkun e tre dekadave, Shqipëria ka kaluar nga një vend me të ardhura të ulëta në një vend me të ardhura mesatare – të larta.

498-0695

Ky progres ka qenë jo gjithnjë i lehtë dhe shpesh i mundimshëm. Ai ka kërkuar një ndryshim radikal të sistemit ekonomik, nga një ekonomi e centralizuar në një ekonomi të tregut të lirë. Gjithashtu, ai ka kërkuar një ristrukturim tërësor të ekonomisë, duke nënkuptuar zhvendosjen e burimeve njerëzore e financiare, nga aktivitete dhe industri relativisht joproduktive, në sektorë të cilët ofrojnë oportunitete më të mëdha rritjeje dhe zhvillimi.

Rikonfigurimi i deritanishëm i ekonomisë shqiptare ka sjellë një rritje të ndjeshme të peshës relative të sektorit të shërbimeve dhe të ndërtimit, si dhe një rënie korresponduese të peshës së sektorit të bujqësisë dhe të industrisë. Në një këndvështrim të përgjithshëm, këto tendenca përbëjnë një lëvizje konverguese drejt strukturës ekonomike të vendeve të zhvilluara. Në një këndvështrim më specifik, zhvillimi i sektorit të shërbimeve ka përfituar nga avantazhet konkurruese që ofron Shqipëria, ndërsa zhvillimi i sektorit të ndërtimit është diktuar nga nevoja për një përmirësim sasior e cilësor të infrastrukturës së vendit. Nga ana tjetër, rënia progresive e peshës së sektorit bujqësor është në linjë me problemet specifike të këtij sektori dhe zhvendosjen e popullsisë drejt zonave urbane, ndërsa zhvillimi i sektorit të industrisë është frenuar pjesërisht nga baza ineficiente e trashëguar nga e kaluara dhe pjesërisht nga suksesi i pakët që kemi pasur në tërheqjen e investitorëve strategjikë.

498-0797

Për t’u rikthyer te tema e konferencës, dëshiroj të theksoj se një nga historitë e suksesit të ekonomisë shqiptare gjatë viteve të fundit ka qenë zhvillimi i sektorit të turizmit. Flukset hyrëse turistike janë zgjeruar, nga 1.2 miliardë euro në vitin 2010, në 2.8 miliardë euro në vitin 2022 dhe janë në rrugë të mbarë për të arritur 4 miliardë euro në vitin 2023. Ky rrugëtim është pasqyruar në një përmirësim gradual dhe të vazhdueshëm të bilancit të shkëmbimeve korrente të vendit, bilanc i cili u përmirësua nga nivele dyshifrore deficiti në fillim të dekadës paraardhëse në një suficit gjatë tremujorëve të parë të vitit 2023. Duke u bazuar në trendet aktuale, investimet e vazhdueshme në infrastrukturë dhe përmirësimin e mëtejshëm të ofertës sonë turistike, jam i bindur se ky sektor do të vijojë të mbetet një faktor mbështetës i rritjes së mirëqenies ekonomike dhe shoqërore edhe në të ardhmen.

Megjithatë, duke parë nga e ardhmja, dëshiroj të ndaj me ju disa piketa – të mbështetura në praktikën botërore dhe shqiptare – të cilat mendoj se duhet të orientojnë zhvillimin e ardhshëm të ekonomisë.

 

498-0818

Së pari, zhvillimi dhe ristrukturimi i vendit duhen parë si një përpjekje e përbashkët e sektorit publik, privat dhe financiar të vendit. Në gjykimin tim, asnjë sektor nuk është i aftë të shtyjë përpara i vetëm agjendën e zhvillimit, ashtu sikundër asnjë strategji zhvillimi nuk mund të jetë e suksesshme pa konsensusin e mbështetjen e secilit prej tyre.

Në këtë kontekst, gjej me vend të theksoj se aktori primar i zhvillimit të vendit ka qenë dhe do të mbetet sektori privat. Ky sektor është provuar në vazhdimësi të jetë më i vëmendshëm ndaj oportuniteteve të zhvillimit, më i shpejtë në reagim dhe më eficient në përdorimin e resurseve. Megjithatë, gjej po ashtu me vend të theksoj se sektori privat duhet të synojë një rifreskim konstant të filozofisë e praktikave të menaxhimit, për t’iu përshtatur në vazhdimësi sfidave të kohës dhe konkurrencës në rritje, si në plan kombëtar ashtu edhe rajonal e evropian.

Në të njëjtën linjë, sektori financiar ka një rol esencial zhvillimi. Ai duhet të sigurojë fondet e produktet e kërkuara financiare, si dhe të ofrojë konsulencën e nevojshme në fushën e administrimit të rrezikut të biznesit dhe të rrezikut financiar. Deri tani, konstatoj me kënaqësi se sektori bankar – si segmenti dominues i industrisë financiare – e ka kryer me sukses këtë detyrë. Ndonëse mbetemi ende larg standardeve që synojmë, ky sektor i ka ofruar në vazhdimësi ekonomisë shqiptare fondet e nevojshme, - edhe në situata ekstreme goditjesh, si ato që kemi përjetuar gjatë tre viteve të fundit, dhe po rrit në vazhdimësi gamën e shërbimeve financiare. Bilancet e shëndosha financiare të këtij sektori, të garantuara edhe nga një rregullim e mbikëqyrje e kujdesshme nga Banka e Shqipërisë, më shtyjnë të besoj se – edhe në të ardhmen – sektori bankar do të mbetet një promotor i rëndësishëm zhvillimi.

Nga ana tjetër, detyra kryesore e sektorit publik ka qenë dhe mbetet ofrimi i një ambienti të qëndrueshëm monetar e financiar, si një parakusht i panegociueshëm i rritjes afatgjatë, krijimi i një ambienti ligjor e fiskal sa më të qëndrueshëm, të qartë, konsistent dhe të besueshëm, si dhe investimi i vazhdueshëm në infrastrukturë fizike dhe burime njerëzore. Paralelisht me to, sektori publik duhet të jetë i vëmendshëm ndaj trendeve të zhvillimit, të ofrojë mbështetje afatshkurtër për sektorë në vështirësi apo stimuj afatmesëm për sektorë prioritarë, por të shmangë tundimin e angazhimit në politika afatgjata të zhvillimit sektorial, përtej sektorëve strategjikë të sigurisë kombëtare.

Së dyti, zhvillimi dhe ristrukturimi i ekonomisë shqiptare duhet të gjejnë një ekuilibër të drejtë midis specializimit dhe diversifikimit. Një specializim ekstrem në sektorë apo industri në të cilat vendi ka avantazhe konkurruese, nga natyra apo falë investimeve njerëzore, mund ofrojë një rrugë më të shpejtë zhvillimi, por – nga ana tjetër – ajo e bën një ekonomi më të ndjeshme ndaj goditjeve. Nga ana tjetër, një diversifikim ekstrem e bën një ekonomi më të qëndrueshme ndaj goditjeve specifike, por edhe më ineficiente dhe më pak të begatë. Gjetja dhe ruajtja e një ekuilibri të drejtë midis këtyre ekstremeve nuk është detyrë e lehtë. Vendet e mëdha mund ta kenë luksin e të pasurit të strukturave ekonomike më të diversifikuara e komplekse, por për vende të vogla e në zhvillim – si Shqipëria – kjo alternativë është shpesh e pamundur ose jorealiste. Megjithatë, jam i bindur se midis dy ekstremeve të parashtruara më sipër, ne do të dimë të gjejmë një strukturë ekonomike, e cila na mundëson një zhvillim jo vetëm të shpejtë por edhe të qëndrueshëm.

Së treti, një zhvillim i qëndrueshëm duhet të jetë dhe një zhvillim i drejtë e i balancuar midis shtresave ekonomike e shoqërore, si dhe midis rajoneve gjeografike. Çdo ristrukturim, qoftë ky dhe i natyrshëm e i dobishëm, është premisë tensioni midis sektorëve të ndryshëm të ekonomisë apo midis rajoneve të ndryshme gjeografike, ashtu sikundër shpesh zhvillimi i shpejtë tenton të thellojë diferencat sociale. Në gjykimin tim, detyra jonë e përbashkët, si politikëbërës dhe si shoqëri, është të kujdesemi që këto procese të nevojshme të mos lenë pas asnjë segment të shoqërisë shqiptare.

Duke ju falenderuar sërish për ftesën për të pershendetur çeljen e punimeve, i uroj konferencës shumë suksese!