BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare të organizuar nga Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës

Data e publikimit: 11.06.2022

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Është kënaqësi e veçantë të jem sot me ju, për të përshëndetur konferencën dhe për të diskutuar së bashku zhvillimet më të fundit në tregjet globale, si dhe efektet që ato kanë mbi ekonominë dhe politikën monetare të Bankës së Shqipërisë.

Përpara se të mbaj fjalën time, më lejoni fillimisht t’u shpreh organizatorëve mirënjohjen time për mundësimin e kësaj konference. Në këtë 65-vjetor të rëndësishëm të Fakultetit të Ekonomisë, Banka e Shqipërisë dhe çdo institucion tjetër i vendit, misioni i të cilit ndërthuret me atë të fakultetit, duhet të jetë krenar që ndan me të një pjesë të rëndësishme të historisë së tij.

Ky fakultet është institucioni më i vjetër i edukimit ekonomik në Shqipëri, duke pasur një ndikim të rëndësishëm në mirëqenien dhe identitetin e shqiptarëve. Gjatë historisë së tij, nga këta auditorë kanë dalë ekonomistët më të mirë të vendit, të cilët kanë kontribuuar në mënyrë domethënëse në zhvillimin e politikave ekonomike e financiare të Shqipërisë. Për këtë arsye, them me bindje se historia e zhvillimit akademik të këtij fakulteti është edhe historia e zhvillimit ekonomik të vendit.

Të nderuar pjesëmarrës,

Tema e zgjedhur është sa aktuale aq dhe largpamëse. Zhvillimet ekonomike e financiare të dekadës së fundit, por veçanërisht goditjet me të cilat jemi përballur gjatë dy viteve të fundit, kanë sjellë ndryshime të mëdha për bankingun qendror dhe, në veçanti, për politikën monetare dhe mbikëqyrjen e rregullimin bankar.

Duke përfituar nga kjo ftesë, sot dëshiroj të ndaj me ju vizionin e Bankës së Shqipërisë mbi sfidat e të ardhmes dhe ndikimin që ato do të kenë në objektivat, strategjitë dhe instrumentet që bankat qendrore do të ndjekin e përdorin në të ardhmen.

Për të qenë sa më i plotë dhe konciz në diskutimin tim, dëshiroj ta orientoj atë në tre drejtime kryesore: (i) së pari, dua të ndaj me ju stadin aktual të zhvillimit të politikës monetare në Bankën e Shqipërisë, dhe ndërthurjen e saj me mbikëqyrjen e rregullimin bankar; (ii) së dyti, do të ndalem në eksperiencën tonë me dy krizat financiare të dekadës paraardhëse, për të evidentuar si ato kanë konturuar zhvillimin në kohë të mendimit dhe metodës së veprimit të Bankës së Shqipërisë; dhe (iii) së treti, do të nënvizoj shkurtimisht rolin e Bankës së Shqipërisë dhe kontributin e saj në stabilitetin makroekonomik në vitet e fundit. Në mbyllje do të ndalem shkurtimisht në mësimet e nxjerra dhe sfidat për të ardhmen.

Më lejoni të filloj nga pika e parë.

1. Banka e Shqipërisë si promotor stabiliteti dhe zhvillimi

Banka e Shqipërisë është autoriteti monetar i Republikës së Shqipërisë. Në përputhje me praktikat më të mira botërore, mandati ligjor parësor i saj është arritja dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Ky mandat bazohet në një konsensus të gjerë akademik e praktik, sipas të cilit kontributi më i qenësishëm që mund të japë një bankë qendrore për rritjen e qëndrueshme të standardit të jetesës është ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Qëndrueshmëria e çmimeve është një parakusht për përmbushjen e tre funksioneve klasike të parasë: atij të mjetit të këmbimit, të ruajtësit të vlerës dhe të njësisë së krahasimit, apo të kontabilizimit. Në këtë mënyrë, një ambient monetar i qëndrueshëm ndihmon ekonominë, bizneset dhe familjet, të planifikojnë me besueshmëri të ardhurat, konsumin, investimet dhe kursimet, duke rritur transparencën e sistemit ekonomik dhe eficiencën e shpërndarjes së burimeve. Në praktikë, stabiliteti i çmimeve në Shqipëri përkufizohet si një objektiv numerik i inflacionit në nivelin 3%.

Megjithatë, arritja e këtij objektivi nuk është e mundur pa pasur njëkohësisht një sistem bankar e financiar të stabilizuar, të qëndrueshëm dhe eficient. Po ashtu, eksperienca botërore tregon se një ambient monetar i qëndrueshëm është një kusht i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm për të pasur një sistem financiar të qëndrueshëm dhe të aftë të kryejë me eficiencë detyrat e tij të ndërmjetësuesit financiar dhe të ofruesit të instrumenteve të pagesës. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë ka adoptuar edhe një sërë objektivash dytësorë, të cilët synojnë funksionimin normal të sektorit bankar dhe të tregjeve të parasë. Përmbushja e këtyre objektivave kontribuon në promovimin e stabilitetit financiar të vendit dhe ofron instrumentin e dytë me të cilin bankat qendrore ndihmojnë rritjen e mirëqenies afatgjatë të shoqërisë.

Regjimi i politikës monetare të adoptuar nga Banka e Shqipërisë është ai i shënjestrimit të inflacionit. Ky regjim, i aplikuar gjerësisht nga bankat qendrore, ka tre elemente esenciale.

  • Së pari, ai nënkupton që banka qendrore përdor të gjithë informacionin relevant të disponuar për vlerësimin e balancës së presioneve inflacioniste. Një kurbë Filipsi tipike për një ekonomi të vogël e të hapur si Shqipëria, e shikon këtë balancë si funksion i tre përbërësve: pozicionit ciklik të ekonomisë; presioneve mbi çmimet që vijnë nga tregu i huaj; dhe, pritjeve pjesërisht racionale të agjentëve ekonomikë për inflacionin. Në praktikë, ky informacion përkthehet në projeksione mbi ecurinë e çmimeve në horizontin afatmesëm, çka i mundëson bankës qendrore të evidentojë shmangiet e mundshme të inflacionit nga objektivi dhe të marrë në kohë masat përkatëse.
  • Së dyti, shënjestrimi i inflacionit nënkupton që banka qendrore ndërhyn në sistemin financiar me instrumente indirekte, të cilat operojnë në përputhje me logjikën e tregut. Në praktikë, bankat qendrore përcaktojnë nivelin e normës bazë të interesit, i cili orienton më tej të gjithë spektrin e normave të interesit në të gjithë gamën e instrumenteve të tregut financiar.
  • Së treti, ai nënkupton që kursi i këmbimit është i lirë dhe luhatet në përputhje me raportet e kërkesës dhe ofertës për valutë. Kjo i mundëson politikës monetare të fokusohet tërësisht në përmbushjen e objektivit të stabilitetit të çmimeve, duke i ofruar njëkohësisht ekonomisë një instrument për amortizimin e goditjeve që mund të vijnë nga ambienti i jashtëm.

Përtej këtyre elementeve klasike, Banka e Shqipërisë aplikon një regjim fleksibël të inflacionit të shënjestruar. Kjo do të thotë se, në vlerësimin e përshtatshmërisë së qëndrimit të politikës monetare, Banka e Shqipërisë mban parasysh edhe pozicionin ciklik të ekonomisë dhe se funksioni i reagimit të politikës monetare i jep një peshë të caktuar edhe zbutjes së cikleve të biznesit, natyrisht pa paragjykuar për asnjë moment respektimin e stabilitetit të çmimeve.

 

Në përputhje me këto tipare, Banka e Shqipërisë ka marrë një angazhim publik për të ndjekur një politikë monetare konsistente dhe të qëndrueshme. Angazhimi për konsistencë kërkon që qëndrimi i politikës sonë monetare të jetë, në çdo kohë, ai i duhuri për përmbushjen e objektivit tonë të inflacionit brenda një horizonti kohor afatmesëm. Angazhimi për qëndrueshmëri kërkon që politika jonë monetare të faktorizojë dhe elementet e rrezikut e të pasigurisë, të cilat janë të pandashme në procesin e parashikimit ekonomik dhe gjithnjë prezente në funksionimin e tregjeve financiare.

Duke u ndalur te elementi i fundit, dëshiroj të theksoj se strategjia e Bankës së Shqipërisë për përmbushjen e objektivit të inflacionit bazohet jo vetëm në praktikat më të mira të bankingut qendror, por edhe në realitetin që ofron shkalla e zhvillimit të ekonomisë dhe të tregjeve financiare shqiptare. Për këtë arsye, ne i kushtojmë një rëndësi të veçantë si vlerësimit të mekanizmit të transmetimit të politikës monetare, ashtu edhe stabilitetit të sistemit bankar e atij financiar.

Si mbikëqyrës e rregullator i aktivitetit bankar, dominimi i sistemit bankar në ekonominë shqiptare i jep Bankës së Shqipërisë një perspektivë unike mbi mekanizmin e transmetimit të politikës monetare dhe ndërthurjen e saj me rregullimin bankar apo – me fjalë të tjera – politikën makroprudenciale.

Ndonëse ndërthurja eficiente e politikës monetare me atë makroprudenciale mbetet një fushë e cila nuk ka ende një konsensus të qartë akademik e praktik, eksperienca jonë e dekadës së fundit na ka ofruar disa mësime të rëndësishme.

Kriza globale financiare dhe kriza e borxhit në Eurozonë ishin kambanë zgjimi për nevojën e një vlerësimi më të plotë të ndërlidhjes së stabilitetit monetar me atë financiar. Këto kriza nxorën në pah rëndësinë që ka një sistem bankar e financiar i qëndrueshëm për stabilitetin dhe zhvillimin e përgjithshëm të vendit. Deri përpara këtyre dy krizave, filozofia e menaxhimit ekonomik u udhëhoq nga një supozim i heshtur se stabiliteti monetar ishte, në vetvete, një kusht i mjaftueshëm për stabilitetin e përgjithshëm ekonomik e financiar të vendit. Tregjet financiare u supozuan të ishin efikase dhe të vetërregulluara, çka nënkuptonte mungesën e krizave financiare sistemike. Kriza financiare e vitit 2008 shkaktoi një tronditje të madhe financiare dhe e përmbysi këtë konsensus. Bilancet e rënduara të sektorit bankar, rritja e pasigurisë dhe ndërprerja e qarkullimit të flukseve financiare, penguan transmetimin normal të politikës monetare.

 

Në vendet e zhvilluara, bankat qendrore reaguan fuqishëm për të mbështetur ekonominë dhe stabilitetin e sistemit financiar. Normat shkuan shpejt në zero, e madje në territor negativ. Megjithatë, problemet e mekanizmit të transmetimit i detyruan ato të adoptonin e aplikonin instrumente jokonvencionale të politikës monetare. Lehtësimi sasior dhe ai i kreditit rivendosën, deri në një farë mase, qarkullimin e likuiditetit në ekonomi, duke anashkaluar ndërmjetësit financiarë – bankat dhe tregun e kapitaleve. Megjithatë, ai rezultoi në një zgjerim të shpejtë të bilancit të bankave qendrore dhe i shtyu ato në një fushë të paeksploruar të politikës monetare.

Nga ana tjetër, shkalla e ulët e zhvillimit të tregjeve financiare e bëri të papërshtatshëm përdorimin e këtij instrumenti, në Shqipëri dhe në vendet e rajonit. Në këto rrethana, vëmendja jonë u përqendrua në identifikimin e pasojave të goditjes në sektorin bankar dhe hartimin e strategjive të masave për adresimin sa më të shpejtë të tyre.

Eksperiencën e Bankës së Shqipërisë me krizat financiare të dekadës së fundit dhe mësimet e nxjerra prej saj do t’i adresoj në seksionin e dytë të fjalës sime.

2. Mësimet e nxjerra nga dy krizat financiare të fundviteve ’00 dhe fillimviteve ’10

Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor përjetuan një dekadë rritjeje të shpejtë e të qëndrueshme në vigjilje të krizës financiare globale. Liberalizimi ekonomik i fillim-viteve ’90, integrimi në rritje me ekonomitë dhe tregjet e zhvilluara të Bashkimit Evropian, rritja e shpejtë e produktivitetit, si pasojë e futjes së kapitalit dhe ekspertizës së huaj, si dhe reformat e gjithanshme strukturore e institucionale, e vunë rajonin në një trajektore të shpejtë zhvillimi. Në tërësi, ekonomitë e rajonit e lanë pas statusin e ekonomive në nevojë dhe fituan statusin e ekonomive në zhvillim, me perspektiva solide rritjeje dhe konvergjence në Bashkimin Evropian.

Kriza financiare globale ndryshoi thuajse gjithçka. Ndonëse Shqipëria dhe vendet e rajonit kishin një ekspozim relativisht të ulët ekonomik dhe financiar ndaj SHBA-ve - vendit të origjinës së krizës - pasojat e saj u ndjenë të forta në rajon.

Shtrëngimi i kushteve financiare globale dhe reduktimi i kërkesës së huaj, u kombinuan me një sërë dobësish që kishte modeli ynë i zhvillimit ekonomik dhe financiar. Shumë shpejt, kjo goditje fillestare u pasua nga kriza e borxhit sovran në Eurozonë. Kjo goditje ishte po aq serioze dhe e qëndrueshme sa kriza financiare globale. Në veçanti, ajo solli një rrjedhje të shpejtë kapitali bankar e fondesh financiare jashtë rajonit, çka vështirësoi reagimin e politikëbërësve për administrimin e pasojave të krizës.

Në mënyrë të përmbledhur, pasoja e këtyre goditjeve ishin bilancet e rënduara financiare për sektorin publik dhe privat, si dhe një dekadë ku ritmi i rritjes ekonomike thuajse u përgjysmua në krahasim me periudhën përpara krizës, ndërsa inflacioni qëndroi poshtë objektivave të bankave qendrore.

Më lejoni të ndalem në tiparet e zhvillimit në Shqipëri e rajon, që intensifikuan pasojat e goditjes dhe sfidat me të cilat u përballëm.

Së pari, modeli i rritjes ekonomike u orientua dukshëm drejt konsumit e investimeve të brendshme, e në veçanti investimeve në sektorin e ndërtimit rezidencial. Ky model inkurajoi një strukturë ekonomike jokonkurruese. Ai rezultoi në mbialokim të resurseve ekonomike dhe financiare në sektorin e ndërtimit dhe në rritje të pajustifikuar të çmimeve të aseteve. Përballja me realitetin pas dy krizave të shkuara financiare solli njohjen e rolit të reformave strukturore, si promotori kryesor i zhvillimit të qëndrueshëm e afatgjatë të vendit, por kërkoi dhe kohë për marrjen e fryteve të tyre. Gjithashtu, nga këndvështrimi i bankës qendrore, ai solli në vëmendje rolin e madh që kanë çmimet e aseteve si tregues të zhbalancimeve ekonomike, implikimet e tyre për stabilitetin financiar, si dhe kohën e gjatë që kërkon adresimi i tyre.

Së dyti, rritja e shpejtë ekonomike u ushqye nga flukset e huaja financiare, të ndërmjetësuara përgjithësisht nga sektori bankar. Ky proces u lehtësua nga pesha e madhe e kapitalit bankar me origjinë nga vendet e Bashkimit Evropian në rajon, si dhe nga struktura e incentivave dhe e modelit të biznesit të tyre. Brenda sektorit bankar, pasojat më serioze të krizës u manifestuan në formën e rritjes së kredive me probleme, sidomos në segmentin e kredive në valutë, dhe në formën e uljes së vëmendjes së bankave evropiane ndaj rajonit. Në veçanti, niveli i lartë i kredive me probleme në segmentin e huamarrësve në valutë të pambrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit, kufizoi shkallën e lirisë së veprimit të politikës monetare dhe frenoi përdorimin e kursit të këmbimit si absorbues goditjeje.

Këto problematika sollën funksionimin jooptimal të mekanizmit të transmetimit të politikës monetare. Për adresimin e tyre, Banka e Shqipërisë u angazhua në programe gjithëpërfshirëse masash për:

  • uljen e kredive me probleme dhe përmirësimin e mjedisit të kreditit. Ndër të tjera, një vëmendje e veçantë i është dedikuar përmirësimit të sistemeve të administrimit të rrezikut brenda vetë bankave tregtare;
  • konsolidimin e sektorit bankar, duke zëvendësuar një pjesë të grupeve bankare të huaja, të cilat rishikuan – në mënyrë të detyruar ose jo – strategjitë e tyre të ekspansionit në rajon, me investitorë të rinj e të motivuar;
  • reduktimin e përdorimit të monedhës euro në sektorin financiar. Ky aksion synon uljen e përdorimit të panevojshëm të euros, si në kursim dhe në kreditim, e sidomos në segmentin e kredimarrësve të pambrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit.

Së treti, zhbalancimet në sektorin financiar u inkurajuan nga pamundësia e rregullatorëve lokalë për të disiplinuar plotësisht sasinë dhe destinacionin e flukseve hyrëse financiare, si dhe nga mungesa e vëmendjes së rregullatorëve të huaj ndaj këtyre zhvillimeve. Për rrjedhojë, në periudhën pas krizave, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një program të plotë konvergjence të kuadrit të saj mbikëqyrës e rregullator me kërkesat e Komitetit të Bazelit dhe standardet e Bashkimit Evropian. Si dëshmi e punës sonë, një vlerësim i pavarur i kryer gjatë vitit të shkuar konstatoi një shkallë të lartë konvergjence midis kuadrit rregullator e praktikave tona mbikëqyrëse me ato të Bashkimit Evropian. Paralelisht me to, ne kemi intensifikuar dialogun me mbikëqyrësit e huaj, për të evidentuar në kohë problemet dhe për të ndërtuar – aty ku është e mundur – strategji të përbashkëta ndërhyrjeje.

Së katërti, Shqipëria hyri në krizën financiare globale me një nga nivelet më të larta të borxhit publik në rajon. Ky tipar, si dhe rritja e skajshme e kostove të financimit në tregjet e huaja gjatë periudhës në vijim, zvogëluan hapësirat për një stimul fiskal kundërciklik. Kjo pengesë solli në vëmendje rëndësinë që ka një nivel i ulët dhe i kontrolluar i borxhit publik në drejtim si të ruajtjes së hapësirës fiskale për reagim, ashtu dhe të qëndrueshmërisë së përgjithshme të sistemit financiar.

Në këtë kontekst, nga tre instrumentet e mundshme të ndërhyrjes së shtetit në ekonomi - politikës monetare, politikës makroprudenciale dhe politikës fiskale - barra e përballimit të kostove të dy krizave financiare të dekadës paraardhëse ra vetëm mbi politikën monetare. Për më tepër, kjo politikë pati hapësirë të kufizuar veprimi, për shkak të pasojave negative që një stimul i fortë monetar mund të kishte në stabilitetin financiar, si dhe u përball me një mekanizëm joplotësisht funksional transmetimi.

Ndërsa këto probleme zgjatën në kohë pasojat e goditjes, gjej me vend të theksoj se Shqipëria dhe Banka e Shqipërisë nuk humbën kohë në drejtim të identifikimit të tyre dhe të reagimit institucional.

Zbatimi në kohë dhe me energji i këtyre reformave ka sjellë rritjen e qëndrueshmërisë së sektorit bankar ndaj goditjeve dhe përmirësimin e mekanizmit të transmetimit të politikës monetare, duke ndihmuar dukshëm reagimin tonë në dy krizat pasuese.

3. Banka e Shqipërisë përballë pandemisë dhe goditjeve të ofertës

Pandemia dhe pushtimi rus i Ukrainës janë ndër goditjet më serioze të dekadave të fundit. Ndonëse këto dy ngjarje përbëjnë goditje diametralisht të kundërta – e para ishte në rezultante një goditje kërkese, ndërsa e dyta një goditje e pastër oferte - intensiteti i tyre testoi dhe vijon të testojë fort ekuilibrat ekonomikë dhe financiarë të vendit. Fatmirësisht, në raport me dy goditjet paraardhëse, ne ishim të përgatitur.

Përgjigjja në sferën ekonomike e autoriteteve publike gjatë periudhës së pandemisë është një shembull suksesi. Situata kërkonte një reagim të shpejtë, të kalibruar dhe të koordinuar, duke synuar si amortizimin e pasojat të goditjes në afat të shkurtër ashtu dhe minimizimin e dëmit mbi potencialin prodhues të vendit në afatin e gjatë. Kjo e fundit nënkupton minimizimin e falimentimeve masive të bizneseve, reduktimin e largimeve afatgjata nga puna, dhe, mbi të gjitha, ruajtjen e stabilitetit të përgjithshëm ekonomik dhe financiar të vendit.

Banka e Shqipërisë ndërmori një paketë masash monetare, makroprudenciale, mbikëqyrëse dhe operacionale, të cilat synuan ruajtjen e likuiditetit në tregjet financiare, uljen e kostove të huamarrjes dhe ruajtjen e një fluksi të pandërprerë të kreditimit dhe të shërbimeve financiare. Reagimi ynë i menjëhershëm dhe shumëdimensional mundësoi: (i) uljen e kostos së huadhënies dhe mbështetjen e vazhduar të familjeve dhe bizneseve shqiptare me kredi bankare; (ii) ruajtjen e një sistemi bankar likuid, të mirëkapitalizuar, dhe me praktika të shëndosha për administrimin e rreziqeve; dhe (iii) reduktimin e pasigurisë dhe rritjen e besimit në të ardhmen. Rimëkëmbja e ekonomisë gjatë vitit 2021 ishte solide, burimet e rritjes ishin me bazë të gjerë, ashtu si edhe faktorët mbështetës së saj, ku veçojmë mjedisin e qëndrueshëm monetar dhe financiar.

Në gjykimin tim, suksesi i dedikohet disa faktorëve:

  • së pari, ne ishim të përgatitur. Mësimet e nxjerra pas krizës globale financiare dhe krizës së borxheve sovrane evropiane na shërbyen për të reduktuar dobësitë strukturore të ekonomisë, për të forcuar sektorin financiar dhe për të rritur qëndrueshmërinë e tij ndaj goditjeve;
  • së dyti, përgjigjja e politikave ishte proporcionale me kompleksitetin e situatës, e shpejtë në kohë dhe e koordinuar. Ne aktivizuam një gamë të gjerë instrumentesh, në përmasa të paprecedenta. Stimuli monetar u zbatua njëkohësisht me stimuj fiskalë – fondet e garancisë sovrane – dhe me lehtësime të targetuara rregullatore e makroprudenciale;
  • së treti, përgjigjja dhe koordinimi i politikave globale ndihmuan në kufizimin e shtrirjes së rënies ekonomike. Institucionet financiare ndërkombëtare dhe organizatat e institucionet e BE-së morën një rol aktiv në nxitjen e koordinimit të politikave globale. Për ne politikëbërësit e rajonit, kjo siguroi mbështetjen ndërkombëtare për politikat ekspansioniste në vend dhe ndihmoi në rritjen e hapësirës së veprimit.

Megjithatë, sfidat mbeten aktuale. Lufta në Ukrainë ka sjellë një rritje të shpejtë të inflacionit kudo në botë. Në përgjigje të tij, Banka e Shqipërisë ndërmori një hap të parë drejt normalizimit të politikës monetare në muajin mars, duke rritur me 0.5 pikë përqindjeje normën bazë të interesit. Në të njëjtën kohë, ne kemi sinjalizuar vullnetin dhe gatishmërinë tonë për të ndërmarrë çdo masë monetare të nevojshme për të shmangur transmetimin e kësaj goditjeje në pritje për inflacion të lartë në të ardhmen. Komunikimi ynë transparent i ka shërbyer qartësimit të publikut mbi kahun e veprimit të politikës monetare dhe ka ndihmuar në kontrollin e pritjeve për inflacionin në tregjet financiare.

4. Në vend të konkluzioneve

Të nderuar pjesëmarrës!

Në mbyllje të fjalës sime, më lejoni të ndaj me ju disa mësime të dala nga eksperienca e Bankës së Shqipërisë përballë sfidave me të cilat jemi përballur në vite.

Stabiliteti i çmimeve është një parakusht i domosdoshëm për rritje të qëndrueshme e afatgjatë të vendit dhe të mirëqenies së shoqërisë. Në vija të përgjithshme, ky stabilitet duhet të jetë objektivi i vetëm legjitim i politikës monetare. Megjithatë, fokusi te stabiliteti çmimeve nuk duhet ta shmangë vëmendjen e bankës qendrore nga burime të tjera dobësish e rreziqesh. Në veçanti, stabiliteti financiar duhet të jetë një objektiv tjetër komplementar i bankave qendrore, për sa kohë ai bën të mundur stabilitetin e çmimeve dhe mundëson shpërndarjen eficiente të fondeve në ekonomi.

Adoptimi i një kuadri modern të politikës monetare është esencial për suksesin e saj. Ndër të tjera, ky kuadër duhet të jetë transparent në objektivat e tij, gjithëpërfshirës në gamën e informacionit të përdorur, konsistent në vendimmarrje dhe fleksibël në kuadrin operacional të përdorur. Në veçanti, eksperienca e fundit ka treguar se bankat qendrore duhet t’i kushtojnë vëmendje edhe instrumenteve jokonvencionale të politikës monetare, si lehtësimi sasior apo ai i kreditit. Megjithatë, këto instrumente duhet të trajtohen si opsione të fundit në radhë, dhe përdorimi i tyre duhet të jetë i kushtëzuar nga shkalla e zhvillimit dhe e sofistikimit të tregjeve financiare.

Sa i takon stabilitetit financiar, kjo sferë e aktivitetit të bankave qendrore duhet të adoptojë – ashtu si politika monetare – një përqasje të orientuar nga e ardhmja dhe një qëndrim proaktiv. Në veçanti, megjithëse roli ynë si mbikëqyrës e rregullator nuk mund e nuk duhet të jetë garantimi i shëndetit të çdo ndërmjetësi financiar, dobësitë sistemike që përbëjnë premisa për kriza financiare e ekonomike, duhen evidentuar dhe trajtuar në kohë.

Paralelisht me to, eksperiencat e fundit kanë treguar se politika fiskale ka një rol të pazëvendësueshëm në përballimin e goditjeve të forta ekonomike e financiare. Pavarësisht fuqisë dhe kompleksitetit të instrumenteve që disponon banka qendrore, ajo nuk mund të përballojë e vetme dhe me efikasitet të plotë, goditjet me të cilat përballen ekonomitë e vogla dhe të hapura. Për këtë arsye, shëndeti i financave publike duhet parë si një tregues i rëndësishëm i aftësisë së vendit për përballimin e krizave.

Në vija të përgjithshme, këto konsiderata do të përcaktojnë filozofinë e mendimit e të veprimit të Bankës së Shqipërisë në të ardhmen. Megjithatë, gjej me vend të theksoj se një bankë qendrore e përgjegjshme nuk duhet të mjaftohet me studimin e së shkuarës për ta përdorur si udhërrëfyes për të ardhmen. Sfidat e reja që përvijohen në horizont, si inovacioni financiar, ngrohja globale, plakja e popullsisë apo dhe ndryshimi i modelit të biznesit, si pasojë e tensioneve gjeopolitike, duhet të kenë vëmendjen e duhur.

Jam i bindur se punimet e kësaj konference do të hedhin më shumë dritë mbi çështjet dhe sfidat që unë preka.

Ju faleminderit!