BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në Konferencën e Parë të Muzeut të Bankës së Shqipërisë "Paraja dhe bankingu në Shqipëri, nga antikiteti në ditët tona"

Data e publikimit: 14.06.2017

 

I nderuar Prof. Picard,

Të nderuar akademikë, profesorë dhe kërkues shkencorë!

Të nderuar pjesëmarrës!

Është kënaqësi e veçantë të hap punimet e Konferencës së Parë të Muzeut të Bankës së Shqipërisë dhe t'i uroj mirëseardhjen të gjithë të pranishmëve në sallë.

Takimin e sotëm e konsideroj një rast të veçantë, i cili mbledh së bashku studiues, akademikë dhe ekspertë të muzeve të bankave qendrore e monedhës, me qëllim krijimin e një ure të re komunikimi dhe bashkëpunimi, që do të na ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të punës së Muzeut.

Në përvojën tonë të shkurtër në fushën e administrimit të muzeve kemi mësuar se bashkëpunimi me institucione të tjera që administrojnë objekte të trashëgimisë kulturore, si dhe me shkencëtarët e ekspertët që i studiojnë, ruajnë dhe tregojnë historinë e tyre, është mjaft i suksesshëm.

#498  dsc7047

Kështu, falë dhe mbështetjes së Ministrisë së Kulturës, Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe Institutit të Arkeologjisë, ne kemi sot Muzeun e Bankës së Shqipërisë, koleksioni i të cilit prezanton objekte unikale dhe mbresëlënëse.

Puna sistematike e arkeologëve tanë të nderuar, si dhe ajo e punonjësve të bankës qendrore ndër vite, bëri të mundur që ky muze të prezantojë historinë e parasë shqiptare, duke nisur me ekzemplarë të disa prej sëpatave të Thesarit të Torovicës, monedhat e para të prera në Dyrrahun antik, dhe duke vijuar me ato të qarkulluara gjatë të gjitha periudhave historike të vendit deri në ditët e sotme.

Në më shumë se 30 vitrinat e Muzeut tonë dhe 5 dhomat e tij edukative jemi përpjekur të tregojmë në mënyrë interaktive historinë e lashtë të parasë. Ekspozita e përhershme e katit të parë, prezanton koleksione nga monedhat e sistemeve monetare që kanë ekzistuar në territoret e vendit tonë në këto dy mijë vjet. Ato janë pjesë e koleksionit numizmatik të Bankës së Shqipërisë dhe Institutit të Arkeologjisë dhe janë përzgjedhur e studiuar me një kujdes të veçantë përmes një bashkëpunimi të gjatë me arkeologë, numizmatë, historianë e etnologë të mirënjohur të vendit, të cilët janë sot të pranishëm dhe gjej rastin t'i falënderoj për kontributin e tyre shkencor.

Por muzeu ynë nuk është vetëm një muze monedhe, ai është Muzeu i Bankës Qendrore, objektiv thelbësor i së cilës është edhe edukimi financiar. Publiku duhet të informohet që të ndërmarrë veprime të drejta dhe të shëndosha financiare, të cilat gjithashtu kontribuojnë në stabilitetin financiar të një vendi. Për këtë arsye, kati i dytë i Muzeut përfaqëson një qendër informacioni, ku përmes aktivitetesh, botimesh edukative, leksionesh, filmash dhe aplikacionesh vizitorët, pavarësisht moshës së tyre, informohen mbi produktet dhe sistemin financiar.

Të nderuar pjesëmarrës,

Historia e parasë shkon shumë larg në kohë dhe zhvillimet e saj lidhen ngushtësisht me popujt që e kanë prodhuar atë. Roli i saj nuk mbaron tek funksionet ekonomike, ajo është gjithashtu një dëshmi historike e vendit që e ka prerë apo emetuar. Ajo tregon për krizat dhe vështirësitë ekonomike, periudhat e paqes e prosperitetit, sukseset dhe padrejtësitë.

Në këtë kuadër vendosëm që Konferenca e Parë e Muzeut t'i dedikohet dy tematikave, që gjykojmë se përbëjnë thelbin e ekspozitave dhe aktivitetit të tij edukues:

1. Gjetjet, studimet dhe diskutimet në fushat e prodhimit dhe qarkullimit monetar, historisë ekonomike dhe bankare të vendit tonë dhe trevave historike të tij, të cilat kontribuojnë në mirinterpretimin dhe përditësimin e informacionit, që koleksionet dhe Muzeu i përcjellin vizitorëve.

2. Roli edukues i muzeve të bankave qendrore në njohjen e historisë së parasë, bankingut dhe rritjes së kulturës financiare nëpërmjet ekspozitave, edukimit dhe inovacionit. Përmes kësaj tematike, synojmë të mbledhim bashkë ekspertë të bankave qendrore të huaja, prej të cilëve do të mund të dëgjojmë këndvështrime të ndryshme mbi administrimin e muzeve të bankave qendrore, koleksioneve dhe aktiviteteve edukuese.

Mund të them se konferenca e sotme shërben për të theksuar se Banka e Shqipërisë është e angazhuar seriozisht edhe në profilin kërkimor e atë edukues. Ne, jemi mjaft të interesuar të rrisim bashkëpunimin me studiuesit, akademikët, muzetë e ngjashëm, si dhe me institucionet e specializuara në kërkimet ekonomike, historike dhe të trashëgimisë kulturore.

Këto lloj bashkëpunimesh nuk janë vetëm një mundësi e shkëlqyer që punonjësit e Bankës së Shqipërisë të përfitojnë nga aftësitë dhe ekspertiza shumë e nevojshme për muzeun tonë, por edhe një mundësi shumë e mirë për ngritjen e bashkëpunimeve të reja mbi kërkimin në fushat e lartpërmendura.

Në mënyrë që të inkurajojmë dhe mbështesim marrëdhënie te mëtejshme, jemi angazhuar që konferencën e Muzeut ta kthejmë në një traditë vjetore. Gjithashtu për vitin 2017, Muzeu i Bankës së Shqipërisë do të organizojë një cikël leksionesh të quajtura "Netët e Muzeut", të cilat do të trajtojnë tematika të numizmatikës, historisë bankare, ekonomike, edukimit financiar, por edhe të disiplinave të tjera si: filatelia, arti dhe arkitektura. Me këto projekte synojmë të zhvillojmë një tjetër fushë të muzeut tonë, e cila nuk përqendrohet tek objektet, por te zhvillimet shoqërore.

Të nderuar pjesëmarrës,

Konferenca e Parë e Muzeut të Bankës së Shqipërisë përkon me 25-vjetorin e krijimit të bankës qendrore moderne të Republikës së Shqipërisë, si dhe krijimin e një sistemi bankar dynivelor.

Gjatë këtyre 25 viteve, Banka e Shqipërisë i ka shërbyer ashtu si duhet zhvillimit ekonomik dhe financiar të vendit, duke mbështetur në mënyrë të suksesshme zhvillimin e një sistemi financiar eficient dhe të qëndrueshëm.

Ajo do të vazhdojë të jetë një institucion me objektiva ambiciozë në fushën e integrimit evropian dhe përafrimit me Bankën Qendrore Evropiane; por nga sot ajo do të ketë edhe një sfidë të re: atë të hapjes ndaj publikut, jo vetëm për të qartësuar objektivat e saj parësorë; por edhe për të kontribuar në njohjen prej tij të historisë së parasë, artit dhe traditës që ajo përfaqëson.

Ne do të punojmë fort, që çdo i interesuar, brenda dhe jashtë vendit, të gjejë në këtë ambient të Bankës tonë, një copëz histori të bankingut, parasë, të njerëzve që i janë dedikuar asaj.

Jam i sigurt që shumë shpejt, Muzeu i Bankës së Shqipërisë, do të jetë një vend ku vihet për të shijuar një ekspozitë dhe ku shkëmbehen mendime e ide për bankën dhe paranë.

Në përfundim, dëshiroj t'ju falënderoj për pjesëmarrjen dhe kontributin tuaj në mbarëvajtjen e konferencës dhe t'ju uroj punime të mbara gjatë këtyre dy ditëve.