BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në Ministerialin: ''Ballkani Perëndimor drejt Tregut Unik të Pagesave në Euro (SEPA)''

Data e publikimit: 28.02.2024

 

Të nderuar zotërinj Ministra,

Të nderuar kolegë Guvernatorë,

Është kënaqësi të jem pjesë e këtij Ministeriali, për të diskutuar rëndësinë që ka integrimi ekonomiko-financiar i vendeve tona me Bashkimin Evropian dhe për të shprehur angazhimin tonë maksimal në krijimin e kushteve të përshtatshme për realizimin e tij.

Integrimi ekonomik është parimi bazë i krijimit dhe funksionimit të Bashkimit Evropian. Natyrshëm, ai ka qenë gjithmonë një promotor i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare për forcimin e bashkëpunimit dhe nxitjen e integrimit edhe në fusha të tjera. Me kënaqësi konstatoj se integrimi ekonomik brenda rajonit dhe me Bashkimin Evropian nis me sistemet dhe shërbimet e pagesave. Falë pjesëmarrjes së vendeve tona në Tregun Unik të Pagesave në Euro i njohur ndryshe si SEPA, po vendosim themele të sigurta për përshpejtimin e shkëmbimeve në planin ekonomik, me vendet e rajonit dhe me ato të Bashkimit Evropian. Bashkimi Evropian na ka ofruar mundësinë historike për të hyrë në tregun evropian shumë para ardhjes së momentit final të anëtarësimit të plotë në të, ndaj duhet të përfitojmë maksimalisht nga kjo mundësi.

 DSC8061 498

Banka e Shqipërisë e sheh SEPA-n si katalizator për të forcuar integrimin financiar me vendet e BE-së. Pjesëmarrja në SEPA është e rëndësishme në shumë drejtime. Së pari, ajo nxit ngritjen e një sistemi pagesash eficient dhe të besueshëm për vende të vogla si Shqipëria. Nëpërmjet standardizimit të pagesave ndërkufitare dhe përdorimit të një teknologjie të përparuar, bëhet i mundur zhvillimi i një tregu më bashkëkohor të pagesave, në përputhje me politikat evropiane. Së dyti, anëtarësimi në SEPA pritet të përmirësojë konkurrencën në tregun e pagesave me vlerë të vogël, si dhe transparencën dhe besueshmërinë e produkteve që i ofrohen publikut për pagesat ndërkufitare. Nga këndvështrimi i një banke qendrore, një sistem pagesash bashkëkohor, konkurrues dhe i besueshëm kontribuon në arritjen e një tregu të pagesave më efektiv dhe më produktiv, duke sjellë përfitime për të gjithë popullatën.

 DSC8102 168x300

Përtej modernizimit të sistemit të pagesave në vetvete, integrimi me një treg më të gjerë evropian, do të sjellë përfitime për ekonominë reale. Pjesëmarrja në SEPA mundëson kryerjen e pagesave ndërkufitare më eficiente në terma të kostos, kohës dhe sigurisë. Lehtësimi i kryerjes së pagesave ndërkufitare me Bashkimin Evropian pritet të nxisë edhe zgjerimin e marrëdhënieve tregtare me BE-në, partnerin tregtar kryesor të Shqipërisë. Me vendet e BE-së kryhen rreth 2/3 e tregtisë; janë destinacion për rreth 71% të eksporteve të mallrave tona; dhe janë origjina e më shumë se gjysmës së stokut të Investimeve të Huaja Direkte. Nga ana tjetër, pjesëmarrja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në SEPA mbështet nxitjen e tregtisë ndërmjet vendeve të rajonit dhe aktivitetin ekonomik në tërësi. Në lidhje me këtë, dëshiroj të sjell në vëmendje se vitet e fundit, aktiviteti tregtar dhe shkëmbimi i shërbimeve dhe turizmit ndërmjet 6 vendeve tona janë rritur dhe pritet të intensifikohen më tej me zhvillimet infrastrukturore në transport. Më tej, pothuajse të gjitha dërgesat e emigrantëve vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar, e cila gjithashtu është anëtare e SEPA-s. Sikurse nënkuptohet, pjesa më e madhe e transaksioneve financiare ndërkufitare kryhet me vendet e BE-së, ndaj përfitimet ekonomike nga kryerja e pagesave me efikasitet më të lartë për sa i përket kostove, kohës dhe sigurisë janë të mëdha. Unë besoj se këto përfitime janë të ndërsjella, pasi edhe partnerët evropianë mund të jenë të sigurt që po marrin të njëjtin trajtim. Përdorimi i pagesave SEPA do të sjellë ndryshime pozitive në sjelljen e kompanive shqiptare dhe të individëve sa i përket mënyrave për kryerjen e pagesave.

 DSC8128 498

Projekti për përfshirjen e Shqipërisë në zonën gjeografike të SEPA-s kryesohet nga Banka e Shqipërisë. Shqipëria ka përparuar dukshëm në përafrimin e legjislacionit të pagesave me atë evropian. Vlerësimet e Bankës Botërore cilësojnë se Shqipëria është pothuajse gati për t’u bërë anëtare e SEPA-s.

Dëshiroj të theksoj se, arritjet e përmendura janë rezultat i përpjekjeve të gjata në kuadër të procesit të integrimit, por jo vetëm. Ato janë rezultat i përpjekjeve tona të përbashkëta për modernizimin e tregut vendas të pagesave me vlerë të vogël, nëpërmjet Strategjisë Kombëtare për Pagesat me Vlerë të Vogël në Shqipëri. Jo pa qëllim përmend strategjinë, për të vënë në dukje faktin se, Shqipëria - por jam i sigurt se edhe vendet e tjera të rajonit - po përafrojnë kuadrin rregullator me standardet evropiane si një zgjedhje e tyre për të pasur standardet më të mira dhe jo thjesht si një detyrim për të përmbushur në kontekstin e integrimit.

Kështu, në kuadër të kësaj strategjie, kemi harmonizuar legjislacionin evropian për pagesat nëpërmjet transpozimit të Direktivës për Shërbimet e Pagesave (PSD2) dhe Direktivës për Pagesat elektronike, të cilat janë njëherazi thelbësore për suksesin e SEPA-s. Nga viti 2018, Shqipëria ka përshpejtuar përpjekjet e saj në këtë drejtim nëpërmjet hartimit dhe miratimit të Ligjit “Për shërbimet e pagesave” dhe të kuadrit rregullator për zbatimin e këtij ligji. Rezultatet nga tregu, në lidhje me inovacionin dhe konkurrencën që promovon ky ligj, janë inkurajuese. Në tregun e pagesave janë shtuar 6 institucione të reja jobanka, ndërsa numri i llogarive të pagesave të ofruara prej tyre arriti në rreth 200 mijë në vitin 2023. Kjo shifër është trefishuar në krahasim me vitin 2022. Tregu ynë po gëzon disa nga përfitimet e pjesëmarrjes në SEPA në terma të kostos dhe të kohës, nëpërmjet veprimtarisë së një institucioni të parasë elektronike, i cili operon gjithashtu dhe në Bashkimin Evropian. Kjo i bën rezultatet e pritura nga pjesëmarrja e komunitetit tonë të pagesave në SEPA më të prekshme nga publiku.  

Tregu shqiptar është në fazën përfundimtare të zbatimit të rregulloreve për bankingun e hapur dhe për autentifikimin e thelluar të klientit, të cilat do të akomodojnë të gjithë inovacionin që promovon Direktiva e BE-së, PSD2. Në këtë drejtim, përfshirja e mundshme e tregut tonë në “Skemën e aksesit në llogarinë e pagesave SEPA (SPAA)” rrit ndërveprimin e shërbimeve të bankingut të hapur me vendet anëtare të SEPA-s, si dhe krijon mundësi të reja për ofruesit e shërbimeve të pagesave në fushën e tregtisë elektronike.    

Krahas transpozimit të Direktivave PSD2 dhe E-Money 2, ne kemi ndërmarrë veprime për zbatimin e akteve të tjera ligjore dhe rregullatore, të cilat janë kërkesa të përputhshmërisë me SEPA-n, të tilla si Direktiva për Kërkesat e Kapitalit (CRD) dhe Direktiva për Parandalimin e Pastrimit të Parave (AML). Këto përafrime ligjore, si dhe dalja e Shqipërisë nga “lista gri” e Task Forcës së Veprimit Financiar (FATF) vitin e kaluar, tregojnë se ne përmbushim të gjitha parakushtet e nevojshme për anëtarësim në SEPA.

Gjithashtu, Shqipëria ka ndërmarrë veprime edhe për sa i përket transpozimit të së ashtuquajturës rregullore e SEPA-s. Kështu, në vitin 2021, Banka e Shqipërisë me qëllim përafrimin e këtyre standardeve në tregun shqiptar dhe kërkesat rregullatore të SEPA-s ka miratuar rregulloren 50/2021 “Për debitimin direkt”. Ndërkohë, krahas kësaj mase, me ndihmën e Bankës Botërore po hartojmë një projektrregullore për transaksionet në euro në SEPA, e cila synon të përmbushë të gjitha kërkesat për integrim, duke shënuar përmbylljen e masave të nevojshme për aplikimin në SEPA.

Krahas këtyre ndërhyrjeve ligjore dhe rregullatore, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë disa iniciativa në drejtim të zhvillimeve infrastrukturore me qëllim lehtësimin e anëtarësimit në SEPA. Për këtë qëllim, vlen të përmendet përmirësimi i sistemeve tona të pagesave, duke synuar, ndër të tjera, përafrimin e mëtejshëm me standardet e komunikimit ISO 20022, parakusht i nevojshëm për kriteret teknike të këtij tregu. Ky projekt, ndonëse nuk është ideuar posaçërisht për anëtarësimin në SEPA, vlerësohet se do të përgatisë në mënyrë të organizuar dhe centralizuar tregun në lidhje me kërkesat e saj teknike.

Një projekt tjetër mjaft i rëndësishëm i lidhur me SEPA-n, por dhe me tregun e brendshëm të pagesave, është ai i zbatimit të infrastrukturës për pagesat e shpejta. Në arenën ndërkombëtare, po evidentohet gjithnjë e më shumë rëndësia e këtyre sistemeve, të cilat mundësojnë transferime të fondeve 24 orë çdo ditë të javës (24/7), duke përdorur mënyra inovative jo vetëm për tregun vendas, por edhe përmes ndërlidhjeve të synuara për pagesat ndërkufitare. Në thelb, pagesat e shpejta lehtësojnë tregtinë ndërkufitare, rrisin konkurrencën dhe reduktojnë kostot. Për arritjen e këtij projekti, i cili ka filluar vite më parë, janë kryer analiza bazuar në nevojat e tregut vendas por dhe ndërlidhjeve me vendet e rajonit dhe Bashkimin Evropian. Në këtë këndvështrim, është e kuptueshme që zgjidhja që do të përzgjedhim dhe për të cilën po punojmë duhet jetë në përputhje me SEPA-n dhe të krijojë pashmangshmërisht integrimin eventual me sistemin evropian të pagesave të shpejta TIPS. Në këtë linjë më lejoni të shpreh mirënjohjen tonën për Bankën Botërore, e cila krahas projekteve të tjera, po na ndihmon edhe në zbatimin e këtij projekti.

Banka e Shqipërisë ka intensifikuar përpjekjet për finalizimin e procesit të aplikimit për anëtarësim në SEPA. Ajo ka hartuar një plan veprimi, i cili do të ndahet gjithashtu me institucionet përkatëse të qeverisë të përfshira në këtë proces. Në të njëjtën kohë, kemi ndërmarrë veprime për vendosjen e urave të komunikimit me Këshillin Evropian të Pagesave me qëllim trajtimin e çdo nevoje gjatë këtij procesi.

Dëshiroj të theksoj se anëtarësimi në SEPA është bërë tashmë prioritet kombëtar për ne; dhe në këtë drejtim kemi mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare për të përshpejtuar maksimalisht procesin. Bazuar në përvojat e tjera, koordinimi dhe bashkërendimi i përpjekjeve janë vendimtare për arritjen e një procesi aplikimi të shpejtë dhe efikas brenda afateve kohore të përcaktuara. Nisur nga rëndësia që ka për Shqipërinë aderimi në SEPA, jemi plotësisht të angazhuar për ta finalizuar procesin e aplikimit brenda muajit qershor 2024. Ky afat mund të konsiderohet shumë ambicioz, por duke pasur mbështetjen dhe ndihmën e plotë të Bankës Botërore dhe të Komisionit Evropian, kemi bindjen se do të jetë një objektiv i arritshëm.    

Në këtë drejtim, më lejoni të shpreh një falënderim të veçantë për Bankën Botërore dhe ndihmën e saj afatgjatë në fushën e sistemit të pagesave. Është e qartë se kontributi dhe mbështetja e tyre ka krijuar bazat e shëndosha që Shqipëria të jetë pararojë në këtë proces. Gjithashtu, i shpreh mirënjohje të veçantë Komisionit Evropian për mbështetjen dhe krijimin e terrenit të duhur për vendet tona për të përshpejtuar integrimin në Bashkimin Evropian.

Edhe një herë, më lejoni të theksoj angazhimin e plotë të Bankës së Shqipërisë për përmbushjen e këtij objektivi historik për vendin tonë.

Në mbyllje të fjalës time dua të përforcoj rëndësinë e anëtarësimit në SEPA për të gjithë rajonin dhe ftoj të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të intensifikojmë përpjekjet për përmbushjen e këtij objektivi, i cili, siç u përmend, do të lehtësojë integrimin mes tregjeve tona dhe me ato të Bashkimit Evropian. E ndjej të nevojshme të theksoj se pavarësisht faktit se ky proces, për shkak të fazave të ndryshme në të cilat ndodhen vendet me plotësimin e kritereve, nuk mund të jetë një proces i përbashkët dhe i njëkohshëm, ndarja e përvojave vlerësohet shumë domethënëse. Duke pasur parasysh që Shqipëria synon të plotësojë shumë shpejt aplikimin, dëshiroj të shpreh angazhimin dhe gatishmërinë tonë të plotë për të ndarë me bankat e tjera qendrore homologe përvojën tonë dhe mësimet e nxjerra nga i gjithë procesi.

Faleminderit!