BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në Prezantimin e Raportit të Tranzicionit të BERZH-it 2023-2024.

Data e publikimit: 29.01.2024

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Prej vitesh tashmë, Banka e Shqipërisë e ka bërë traditë të mirëpresë Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në një nga ngjarjet më të rëndësishme të kalendarit të aktiviteteve të saj: prezantimin e Raportit të Tranzicionit. Ky raport, i cili hap siparin e analizave profesionale ekonomike për vitin, ka një rëndësi mjaft të madhe. Analizat, konkluzionet dhe rekomandimet e tij kanë shtyrë gjithnjë përpara debatin ekonomik, jo vetëm mbi sfidat e kohës, por edhe mbi politikat e duhura zhvillimore në funksion të një rritjeje sa më të shpejtë e të qëndrueshme, të përmirësimit të mirëqenies shoqërore, të integrimit ekonomik e financiar me partnerët tanë evropianë, si dhe të rritjes së rezistencës ndaj goditjeve.

 DSC3765-498

Për këto arsye, ndjej kënaqësi që edhe sivjet po vijojmë këtë udhëtim, me prezantimin e Raportit të Tranzicionit për periudhën 2023-2024. Kënaqësia është edhe më e madhe kur konstatoj se Raporti i këtij viti na fton në një moment reflektimi. Ndërsa aktiviteti ynë fokusohet në problemet e ditës, tema e këtij raporti – “Tranzicionet e mëdha dhe të vogla” - na fton të hedhim vështrimin më larg. Cilësia e jetës dhe faktorët që e ndikojnë atë, realitetet e reja gjeopolitike dhe pasojat e tyre mbi strategjitë e zhvillimit të vendeve në tranzicion, ndryshimet klimatike, ngrohja globale dhe reduktimi i biodiversitetit, janë realitete të pamohueshme e me pasoja të konsiderueshme, jo vetëm për ekonomitë por edhe për shoqërinë e komunitetet tona.

 DSC3831-okk

Për të gjitha këto çështje, me të drejtë, ky Raport Tranzicioni ka një vlerë të shtuar për fokusin e tij në implikimet e tranzicionit në strukturën e ekonomive, në zinxhirët globalë të tregtimit dhe gjenerimit të vlerës, në ndryshimet klimatike, në nevojën për akses të qëndrueshëm në lëndët bazë, si dhe në jetesën, punën dhe mirëqenien e individit.

Pa dashur të ndalem gjatë në shtjellimin e mesazheve të Raportit, dëshiroj që disa aspekte të tij t’i vendos në kontekstin e ekonomisë shqiptare.

 DSC3778-498

Si fillim, më lejoni të theksoj se ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri të mirë përballë goditjeve të njëpasnjëshme të katër viteve të fundit. Fondamentet e shëndosha të ekonomisë shqiptare, fleksibiliteti i sektorit tonë privat, si dhe politikat e kujdesshme makroekonomike që kemi ndjekur, kanë mundësuar një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe një stabilitet të përgjithshëm ekonomik e financiar. Në veçanti, inflacioni ka ardhur në rënie, tregjet financiare paraqiten të qeta, ndërsa rritja e punësimit dhe e pagave ka mbështetur buxhetet e familjeve. Nga ana tjetër, sektori bankar paraqitet i shëndetshëm, ndërsa aksesi në financë dhe përfshirja financiare kanë ardhur në përmirësim. Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria ka një ndër normat më të larta të rritjes ekonomike, normat më të ulëta të inflacionit dhe rritjen më të ngadaltë të kostove të financimit.

 DSC3858-498

Edhe pse mjedisi i huaj është ende sfidues, perspektiva ekonomike paraqitet pozitive. Ky besim ushqehet nga një sërë faktorësh, ndër të cilët gjej me vend të theksoj: bilancet e shëndetshme të bizneseve dhe familjeve shqiptare, ambientin e qëndrueshëm financiar, mbështetjen me kredi që sektori bankar vijon të japë për zgjerimin e konsumit dhe të investimeve, si dhe ekspansionin e shpejtë të sektorit të turizmit gjatë viteve të fundit. Paralelisht me to, perspektiva konkrete e anëtarësimit në Bashkimin Evropian ka ndihmuar në fokusimin dhe përshpejtimin e agjendës sonë të reformave strukturore.

 DSC3927-498

Kjo tablo pozitive na inkurajon ta hedhim vështrimin më larg, në sfida të reja të cilat tashmë po shndërrohen në një realitet gjithnjë e më të prekshëm. Ndër temat e parashtruara në Raportin e Tranzicionit, dëshiroj të ndalem në atë të ndryshimeve klimatike. Ngrohja globale dhe rritja e frekuencës së fatkeqësive natyrore të lidhura me klimën, kanë pasoja gjithnjë e më të larta për të gjitha vendet e ekonomitë, qofshin ato të zhvilluara apo në zhvillim, të mëdha apo të vogla. Ndonëse dritarja për veprim po vjen duke u ngushtuar, tranzicioni drejt një ekonomie të qëndrueshme dhe të gjelbër – në interes të rritjes ekonomike dhe të vetë sistemeve natyrore dhe sociale – po kthehet në një objektiv gjithnjë e më urgjent për shumë vende. Megjithatë, ndërsa sfida është e qartë për shumicën e vendimmarrësve, identifikimi i mënyrës më të mirë për adresimin e saj në praktikë është ende punë në progres.

 DSC4008-498

Në këtë kontekst, gjej me vend të theksoj se Indeksi Global i Përshtatjes, i matur nga Universiteti i Notre Dame, e rendit Shqipërinë mes vendeve vulnerabël ndaj ndryshimeve klimatike. Po ashtu, vlerësimet e FMN-së sugjerojnë se Shqipëria ka mesatarisht një episod fatkeqësie natyrore në vit, e cila shkakton dëme deri në nivelin 1.3% të PBB-së dhe prek të paktën 1 në 200 banorë të vendit. Ne jemi të ndërgjegjshëm se ndryshimet klimatike do të kenë implikime të gjera për ekonominë, sistemin financiar dhe shoqërinë në përgjithësi. Për këtë arsye, autoritetet publike duhet të angazhohen në plane e strategji konkrete për të minimizuar ndikimin e tyre dhe për të arritur një zhvillim ekonomik e social të qëndrueshëm.

 DSC4089-498

Ndonëse bankat qendrore nuk janë aktorët primarë të cilët mund të lehtësojnë përshtatjen e ekonomisë me ndryshimet klimatike, Banka e Shqipërisë ka vendosur që – pa paragjykuar mandatin e saj ligjor të stabilitetit të çmimeve – të japë kontributin e saj në këtë drejtim. Përpjekjet tona janë përqendruar në tre drejtime kryesore:

  • Së pari, në monitorimin e rreziqeve klimatike dhe zgjerimin e kapaciteteve tona analitike në këtë fushë. Për momentin, duhet të pranojmë se ekziston një hendek i madh në të dhënat e lidhura me klimën. Megjithatë, kapërcimi sa më i shpejtë i tij do të krijonte premisa për të përmirësuar më tej modelet tona makroekonomike, analizat e skenarëve dhe vlerësimin e rrezikut. Kjo na ndihmon të llogarisim më mirë rreziqet klimatike dhe implikimet që mund të ketë tranzicioni në një ekonomi neutrale ndaj karbonit. Gjatë viteve të fundit, ne kemi rritur dijet tona mbi pasojat ekonomike dhe financiare të ndryshimeve klimatike, nëpërmjet hulumtimeve dhe kërkimit shkencor.

 DSC4155 - 498

  • Së dyti, në promovimin e financave të gjelbra. Për këtë qëllim, ne kemi miratuar së fundmi “Strategjinë për Menaxhimin e Rreziqeve Financiare të lidhura me Ndryshime Klimatike, 2023-2025”. Kjo strategji synon të ndërgjegjësojë bankat për nevojën e identifikimit, të matjes dhe të monitorimit të rrezikut që vjen nga ndryshimet e klimës, deri në nxjerrjen e udhëzimeve të plota nga Autoriteti Bankar Evropian për përfshirjen e këtij rreziku në proceset mbikëqyrëse. Ndërkohë, për vitin aktual, ne planifikojmë të përgatisim një udhëzues për rrezikun klimatik me qëllim që të inkurajojmë bankat të përfshijnë rreziqet klimatike në kuadrin e tyre të administrimit të rrezikut. Në këtë proces do të konsiderohet edhe harmonizimi me iniciativat e BQE-së, duke marrë parasysh edhe praktikat e vendeve të tjera.
  • Së treti, në forcimin e bashkëpunimit me partnerët vendas dhe të huaj. Adresimi i rreziqeve të ndryshimeve klimatike dhe tranzicioni drejt një ekonomie të qëndrueshme janë sfida globale. Rrjedhimisht, shkëmbimi i informacionit, ekspertizës, si dhe njohja e aplikimi i praktikave më të mira në lidhje me trajtimin e ndryshimeve klimatike, janë elemente kritike për adresimin me sukses të kësaj sfide. Ne punojmë me partnerë shqiptarë dhe ndërkombëtarë për të rritur dijen, ndërgjegjësimin dhe transparencën për çështje të lidhura me klimën. Prej vitit 2020, jemi anëtarë të Rjetit për një Sistem Financiar të Gjelbër (NGSF), ndërkohë që bashkëpunojmë prej shumë kohësh me Bankën Botërore (FinSAC), me Sekretariatin Shtetëror për Çështjet Ekonomike të Qeverisë Zvicerane (SECO), Iniciativën e Vjenës dhe të tjerë. Po ashtu, po punojmë për të reduktuar ndikimin tonë mjedisor duke zbatuar masa për kursimin e energjisë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Duke ju falënderuar për pjesëmarrjen në këtë prezantim, ju ftoj të bëheni pjesë aktive e diskutimeve mbi mesazhet e tij dhe të përpiqemi t’i reflektojmë ato sa më shumë në punën tonë në të ardhmen.