BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në Workshop-in XVII të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore, të organizuar nga Banka e Shqipërisë 4 dhjetor 2023

Data e publikimit: 04.12.2023

 

Të nderuar të ftuar nga akademia dhe bankat qendrore,

Të nderuar kërkues dhe pjesëmarrës,

Është kënaqësi e veçantë për mua të çel këtë aktivitet shkencor të përvitshëm, të kthyer tashmë në një platformë solide për shkëmbimin dhe diskutimin e punëve kërkimore në lidhje me temat e bankingut qendror.

Me entuziazëm shoh pjesëmarrjen e shumë kërkuesve ndërkombëtarë nga bota akademike dhe komuniteti i bankave qendrore, të cilët na janë bashkuar në Workshop-in e Kërkimeve të Bankës së Shqipërisë. Prania juaj është domethënëse për vlerësimin e cilësisë së diskutimeve lidhur me kërkimin dhe politikat e ndjekura në Bankën e Shqipërisë; diskutimet dhe mendimet tuaja pasurojnë në mënyrë të konsiderueshme punën tonë kërkimore.

498-7682

Programi i këtij Workshop-i është në sinkron me sfidat dhe vështirësitë me të cilat po përballet komuniteti i bankingut qendror në mbarë botën. Temat e këtij viti - ndërsa mbulojnë fusha të kahershme të interesit të bankës qendrore, si inflacioni, politika monetare dhe stabiliteti financiar - thellohen njëkohësisht në çështje e sfida të momentit si: ndryshimet klimatike, digjitalizimi, financat e familjeve apo përfshirja financiare.

498-7523

Evoluimi i agjendës së aktivitetit tonë pasqyron natyrën dinamike të sfidave me të cilat përballemi. Shoqëritë, ekonomitë dhe sistemet tona financiare janë nën presion nga burime të ndryshme: luftërat, tensionet gjeopolitike në rritje, ndryshimet demografike, përshkallëzimi i ngjarjeve ekstreme klimatike, inteligjenca artificiale dhe digjitalizimi i financave e parasë. Këto sfida kanë shkaktuar pasoja negative në zinxhirët e prodhimit dhe të furnizimit, kanë ndikuar tregjet e punës dhe kanë nxitur ndryshime strukturore të cilat kanë ndikuar produktivitetin, kostot, stabilitetin e çmimeve, si dhe stabilitetin e përgjithshëm makroekonomik e financiar.

498-7579

Në Shqipëri, këto ngjarje po riformësojnë orientimin e ekonomisë dhe fokusin sektorial, duke nxitur rritjen në disa fusha, ndërsa po zëvendësojnë gradualisht peshën e disa sektorëve tradicionalë. Rezultat i këtij tranzicioni janë: aktiviteti ekonomik i përshpejtuar, pozicioni i përmirësuar i sektorit të jashtëm dhe qëndrueshmëria e rritur. Megjithatë, ky tranzicion ushtron presion edhe mbi tregjet e punës tashmë të prekura nga emigracioni. Këto ndryshime përshkojnë ekonominë, duke trazuar ekuilibrat e vendosur dhe duke nxitur rregullime në treguesit nominalë. Të gjitha këto konkluzione mbështeten nga një punë kërkimore e plotë, e cila përdor të dhënat dhe metodologjitë më të fundit të kërkimit.

498-7534

Përtej këtyre vështirësive, bankat qendrore duhet ende të zbulojnë se si të normalizojnë politikën monetare dhe bilancet e tyre, në përputhje me pozicionet e parakrizës, pa kërcënuar rritjen ekonomike dhe stabilitetin financiar. Janë të shumta ato banka qendrore që kanë filluar të kuptojnë se objektivat e tyre dhe qëndrueshmëria afatgjatë e politikave që ndjekin, përfshijnë dimensione të shumëfishta dhe shtrihen përtej stabilitetit të çmimeve për t'u përafruar me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm. Roli i bankës qendrore në arritjen e këtyre objektivave - qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, nëpërmjet politikës monetare dhe rregullimit financiar, edukimit dhe përfshirjes financiare - është më jetik se kurrë, jo vetëm për shoqërinë, por edhe për vetë bankën qendrore dhe suksesin e politikave të saj.

498-7610

Ne kemi nisur zbatimin e dy strategjive të rëndësishme, të cilat mbështesin arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm - strategjinë e klimës dhe atë të edukimit dhe përfshirjes financiare - dhe njëkohësisht po zhvillojmë një përqasje të re me fokus mbi digjitalizimin. Këto iniciativa janë mbështetur dhe kanë përfituar nga kërkimet shkencore të Bankës së Shqipërisë në fushat e ndryshimeve klimatike, edukimin dhe përfshirjen financiare të individëve dhe të sektorit privat. Digjitalizimi i financës dhe parasë po transformon rrënjësisht panoramën ekonomike dhe atë financiare, duke ndryshuar perceptimet dhe sjelljet e publikut ndaj vendimeve monetare dhe atyre financiare. Ky ndryshim radikal kërkon qasje të reja në analizë, vendimmarrje dhe komunikim me publikun, veçanërisht përballë të panjohurave që vijnë nga teknologjitë gjithnjë në zhvillim e sipër. Rrjedhimisht, ju inkurajoj që të thelloni studimet në këto çështje kritike. 

498-7606

Ndërsa studiojmë këto kushte komplekse dhe ndryshime dinamike në ekonomi e financë, duhet të mbajmë në mendje mësimet e nxjerra nga historia, veçanërisht udhëtimin ekonomik dhe monetar të Shqipërisë. Me afrimin e njëqindvjetorit të themelimit të Bankës së Shqipërisë dhe bankingut qendror në Shqipëri, ne duhet të thellohemi në histori, për të pasuruar perceptimin tonë bashkëkohor mbi ekonominë dhe financën dhe për të përshtatur njohuritë globale me kontekstin specifik të Shqipërisë. Kjo perspektivë historike është thelbësore për të kuptuar ciklet dhe evolucionet e ekonomisë, dhe për të na rikujtuar logjikën dhe arsyet kryesore ku mbështeten zgjedhjet tona themelore, në lidhje me regjimin monetar dhe financiar. Kjo na ndihmon për të kuptuar më mirë çka qëndron pas zgjedhjes dhe zbatimit të regjimit të lirë të kursit të këmbimit, liberalizimit të tregtisë dhe kontrolleve të kapitalit, zbatimit të një politike monetare të pavarur dhe objektivit të stabilitetit të çmimeve, dhe se si të gjitha këto përshtaten në kuadrin e sfidave aktuale.

498-7744

Në mbyllje, nxis kërkuesit tanë t'u përmbahen parimeve të analizës së paanshme, seriozitetit shkencor dhe rekomandimeve të qarta. Kjo është një detyrë sfiduese, por unë kam besim në aftësinë tonë kolektive për të qenë në lartësinë e duhur. Kërkimi në Bankën e Shqipërisë tashmë ka fituar besueshmërinë e politikëbërësve dhe respektin e botës akademike, siç dëshmohet edhe nga pjesëmarrja ndërkombëtare në këtë aktivitet. Megjithatë, ne duhet të bëjmë të mundur që ai të komunikojë në mënyrë efektive me të gjithë ekonominë, duke udhëhequr vendimmarrjen e përgjegjshme, si në sektorin privat dhe në atë të familjeve.

Ju inkurajoj të zgjeroni ndikimin tuaj përtej kufijve të bankës, duke u angazhuar me akademinë dhe grupe të ndryshme interesi për të nxitur komunikimin e vazhdueshëm me ekonominë. Kjo do të sigurojë një kuptim më të mirë të politikëbërjes sonë dhe një mbështetje gjithnjë e më të gjerë nga ana e publikut.

Ju uroj diskutime të suksesshme dhe frytdhënëse gjatë këtyre dy ditëve!