BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në ceremoninë e listimit të titullit të parë jo-qeveritar në bursë

Data e publikimit: 07.07.2023

 

E nderuar zonja Ministre Ibrahimaj,

Të nderuara zonja Vokshi, zonja Spahiu,

I nderuar zoti Mete,

Të nderuar aksionerë të Bursës Shqiptare të Titujve,

Kolegë e të ftuar,

Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të sinqertë ndaj Bursës Shqiptare të Titujve (ALSE) për ftesën për të folur në këtë event në listimin për herë të parë të një titulli borxhi me ofertë publike të një kompanie me kapital privat.

Fillimisht dua të shpreh kënaqësinë e veçantë që ndjej në faktin që ky listim i parë publik në bursën e titujve është edhe një hap i parë në kurorëzimin e përpjekjeve dhjetravjecare të institucioneve rregulluese, si: Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Banka e Shqipërisë.  Thënë këtë, ky listim nuk do të ishte bërë i mundur pa këmbënguljen disavjecare, monetare dhe profesionale, të atyre që e ndërtuan idenë e një burse shqiptare të titujve, aksionerëve të saj: Bankës Credins, Bankës Amerikane të Investimeve dhe AK-Invest, duke vlerësuar potencialin ende të pashfrytëzuar të tregut shqiptar si një mundësi zhvillimi dhe mbështjeje për ekonominë tonë.

Më lejoni të vë në dukje se ne si bankë qëndrore e shohim me rëndesi jetike zhvillimin e një tregu kapitali funksional në vendin tonë.

498-6624 498

Një treg kapitali i zhvilluar ka përfitime shumëplanëshe, një pjesë të të cilave po i listoj më poshtë:

  • Së pari, ai përmirëson financimin afatgjatë të kompanive, si dhe drejton në mënyrë efikase rrjedhën e kursimeve të publikut drejt investimeve në ekonomi;
  • Së dyti, ul ekspozimin e vendit ndaj ndërprerjes së papritur të kapitalit të huaj;
  • Së treti, ndihmon në thellimin e tregut financiar dhe rrit efikasitetin e shpërndarjes së kapitalit në ekonomi;
  • Së katërti, nëpërmjet investimeve të jorezidentëve në të, ndihmon jo vetëm në sigurimin e likuiditetit, por edhe për një shpërndarje gjeografike të rrezikut;
  • Së pesti, përmirëson më tej stabilitetin financiar të vendit, si nëpërmjet shpërndarjes së rrezikut përtej institucioneve financiare, dhe nëpërmjet pasurimit të gamës së produkteve financiare;
  • Së fundmi, por mund të them më e rëndësishmja, nëpërmjet orientimit të biznesit drejt tregut të kapitaleve, ai ndikon konsiderueshëm në rritjen e shkallës së formalizimit të ekonomisë, në rritjen e transparencës financiare të bizneseve dhe përmirësimin e imazhit të tyre në përgjigje të kërkesave të tregut. Nga ana tjetër, listimi rrit shkallën e mbikëqyrjes së tregut, si dhe përmirëson praktikat e mirëqeverisjes së vetë kompanive të listuara.

498-6911 498

E për të gjitha këto, gjatë këtyre viteve, Banka e Shqipërisë, ka ndërmarrë një sërë masash në drejtim të akteve ligjore që rregullojnë mirëfunksionimin e tregut të kapitalit, duke i përafruar ato me direktivat evropiane. Gjithashtu, janë ngritur infrastrukturat e nevojshme për tregtimin dhe regjistrimin elektronik të shkëmbimit të titujve, duke përmirësuar sistemet e pagesave dhe krijuar institucione depozitare, përfshirë ato private. Së fundmi, ne kemi punuar edhe drejt nxitjes së tregut sekondar të titujve qeveritarë për ta shndërruar atë në një treg më likuid, të aftë për të amortizuar ndikimin e goditjeve të primit të rrezikut të likuiditetit.

 

Të nderuar,

Bursa është një institucion i rëndësishëm i tregut të kapitalit, e cila bashkërendon kërkesën dhe ofertën e letrave me vlerë të emetuara, në mënyrë të hapur, të lirë dhe të vazhdueshme. Shkëmbimet e titujve në bursë përfaqësojnë gjithmonë një barometër jashtëzakonisht të ndjeshëm dhe të saktë të shëndetit financiar të një kompanie në veçanti, por dhe të ekonomisë së vendit në përgjithësi. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është transparenca ndaj publikut të gjerë, jo vetëm e çmimit të titullit aksioner apo borxhit që kuotohet, por dhe e informacionit në kohë reale të gjendjeve financiare të kompanive të listuara.

498-6428 498

Në këtë kuptim, nënshkrimi dhe dalja për herë të parë e një ofertë publike, siç është ajo e institucionit financiar jobankë NOA, është një sukses jo vetëm për emetuesin, i cili realizoi një financim afatmesëm që do t’i shërbejë zgjerimit, por dhe për investitorët institucionalë dhe individualë, të cilët panë këtë formë investimi si mjet diversifikimi të portofoleve të tyre.

Nënshkrimi në mënyrë të plotë dhe para afatit, sugjeron besimin e investitorëve në gjithë procesin përgatitor dhe trasparencën mbi emetuesin lidhur me shëndetin financiar dhe integritetin e pasqyrave të tij financiare. Për investitorët, listimi i këtij produkti në bursë do të ofrojë një mundësi në shkëmbimin e parakohshëm të pronësisë, në varësi të pritshmërive personale për ecurinë e emetuesit, por dhe të preferencave të likuiditetit. Ndërsa për depozitarin qendror privat ALREG, listimi pritet të lehtësojë mbajtjen e regjistrit dhe shkëmbimin e titullit ndërmjet investitorëve të ndryshëm. Kështu, emetimi i parë publik i një instrumenti borxhi privat çel siparin e shërbimit të nënshkrimit të titujve në tregun e brendshëm nga bankat lokale.

E në këtë aspekt, dëshiroj të shpreh edhe një herë vlerësimin tim për të gjithë aktorët rregullativë dhe, në vecanti, për AMF për kontributin e vlefshëm gjatë viteve të fundit në hartimin dhe rishikimin e një sërë ligjesh dhe aktesh rregullative, ku Banka e Shqipërisë gjithashtu ka dhënë kontributin e saj në përgatitjen e opinioneve dhe rekomandimeve duke shprehur në këtë mënyrë bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet institucioneve tona.

 

Të nderuar,

Në përfundim, dua të theksoj se ky nuk është një moment vetëkënaqësie, por një nevojë reflektimi për sfidat e ardhshme, për ta bërë sa më vital dhe funksional tregun lokal të kapitalit. Miratimi së fundi i Dokumentit Politik “Për krijimin e një Mjedisi Mundësues për Zhvillimin e Tregjeve të Kapitalit në Shqipëri, 2023-2027” shihet si një hap cilësor në drejtim të identifikimit të problematikave dhe pengesave, por dhe të sugjerimeve përkatëse në drejtim të përmirësimit të komponentëve kryesorë në zhvillimin e tregjeve të kapitalit. Ato kanë të bëjnë me plotësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor dhe rregullator, infrastrukturën e tregut, edukimin financiar dhe zhvillimin e segmenteve të ndryshme të tregut të kapitalit.

Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me AMF dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, është duke ndërmarrë hapat e nevojshëm për fillimin e një projekti të rëndësishëm me EBRD, nëpërmjet të cilit do të identifikohen nevojat për ndryshimet në aktet ligjore që rregullojnë veprimtarinë në tregjet financiare, me synim bërjen e ambientit të tregtimit më të sigurt, si për investitorët e huaj ashtu edhe për ata vendas.  

Banka e Shqipërisë vlerëson se nisur nga karakteristikat e tregut financiar në Shqipëri, zhvillimi i tregut të kapitalit duhet të jetë i qëndrueshëm dhe gradual. Ai duhet t’i japë përparësi krijimit të mundësive për rritjen e atraktivitetit të investitorëve jorezidentë, forcimit të kapaciteteve investuese të institucioneve financiare jobanka dhe rritjes së likuiditetit në tregun sekondar të tyre. Në vijim, zgjerimi i produkteve, si ato të aksioneve dhe derivateve, do të nxiten krahas forcimit të kapaciteteve harmonizuese të mbikëqyrjes dhe raportimit drejt institucioneve ligjzbatuese.

Nga ana tjetër, politikëbërja duhet të orientohet dhe në mundësimin e lehtësirave fiskale, kryesisht në drejtim të investitorëve, çka do të përkthehej në kosto më të ulta financimi edhe për emetuesit.

Gjithashtu, krijimi i një dhome të posaçme në Gjykatën Administrative, e fokusuar në zgjidhjen e konflikteve në tregun financiar, do t’i shërbente përmirësimit të klimës investuese. Po kështu, krijimi i një Ombudsmani Financiar do të siguronte mbrojtje ligjore për investitorët që angazhohen ose përfitojnë shërbime financiare.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, sistemi bankar duhet të mbështesë zhvillimin e tregut të kapitalit nëpërmjet diversifikimit të investimeve drejt produkteve korporative. Ky treg duhet të shihet si plotësues dhe jo si konkurrent për financimin e ekonomisë, ku bankat do të jenë përfituese, si në aspektin e diversifikimit të portofoleve investuese, ashtu dhe në menaxhimin më të mirë të rreziqeve.

Duke iu uruar suksese gjithë aktorëve financiarë të pranishëm.

 

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj.