BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në konferencën e organizuar nga Autoriteti i Konkurrencës

Data e publikimit: 23.11.2023

 

Konkurrenca dhe stabiliteti në sektorin financiar shqiptar

Është një kënaqësi e madhe të jem këtu me ju sot në njëzetvjetorin e Ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Në këto dy dekada, Autoriteti i Konkurrencës ka ndjekur një politikë që i stimulon kompanitë të ofrojnë produkte dhe shërbime në termat më të favorshëm për konsumatorët, duke nxitur transparencën, eficiencën, inovacionin dhe rrjedhimisht, uljen e çmimeve në treg. Ashtu si edhe shumë rregullatorë të tjerë, pesha dhe kontibuti i Autoritetit të Konurrencës janë sa të domosdoshme, aq edhe të pazëvendësueshme në jetën dhe zhvillimin e një vendi.

foto 2 498

Një konkurrencë e drejtë dhe e shëndoshë ka një rol tepër të rëndësishëm në ekonominë e një vendi. Ajo stimulon rritjen ekonomike të vendit, duke nxitur aktivitetin tregtar, produktivitetin dhe investimet. Sipas teorisë ekonomike, konkurrenca incentivon eficiencën e bizneseve në përdorimin e burimeve, duke sjellë uljen e kostove dhe rritjen e shitjeve. Rritja e eficiencës përkthehet në ulje të çmimeve. Ulja e çmimeve rrit: nga njëra anë, të ardhurat reale të konsumatorëve, duke nxitur kështu konsumin dhe, nga ana tjetër, motivimin e firmave për të investuar në inovacion dhe në ndërtimin e kapitalit njerëzor dhe financiar. Të gjitha së bashku kontribuojnë më tej e drejtpërdrejt në rritjen ekonomike.

Të njëjtat efekte, si në sektorët e tjerë të ekonomisë, konkurrenca duhet t’i prodhojë edhe në sektorin financiar, duke kontribuuar në zgjerimin e gamës dhe cilësisë së produkteve dhe shërbimeve financiare të ofruara nga bankat, si dhe rritjen e aksesit në financë. Bankat luajnë një rol kritik për ekonominë dhe rritjen ekonomike të vendit, ndaj dhe stabiliteti financiar është një parakusht për një sistem financiar të qëndrueshëm, eficient dhe mbështetës ndaj rritjes ekonomike dhe ekonomisë reale. Shëndeti i sektorit bankar qëndron në zemër të një ekonomie funksionale tregu. Ai i kanalizon kursimet e familjeve dhe bizneseve në investime dhe në financim, duke kryer kështu funksione ndërmjetësimi që janë kritike për ekonominë reale dhe kontribuojnë në zhvillimin e vendit.

foto 1 498

Për Bankën e Shqipërisë, sektori financiar duhet të jetë jo vetëm i qëndrueshëm, por edhe konkurrues. Për këtë qëllim, Ligji Bankar u kërkon bankave të veprojnë në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra, mbështetur në parimet e tregut të lirë dhe konkurrencës së ndershme. Përtej tij, edhe politika e ndjekur prej nesh ka qenë ajo e hartimit të një kuadri rregullator që i disiplinon bankat, duke vendosur rregulla të barabarta loje për të gjithë aktorët në treg. Sfida për Bankën e Shqipërisë është sigurimi i shëndetit dhe i stabilitetit të sistemit financiar, por pa sakrifikuar konkurrencën dhe eficiencën e tij. Vetëm në këtë mënyrë, sistemi financiar mund të jetë në gjendje të mbështesë individët, bizneset dhe përdoruesit e tjerë të shërbimeve financiare, si dhe të mbrojë depozituesit.

Megjithatë, zbatimi i politikës së konkurrencës në sektorin bankar mbetet një çështje e komplikuar. Ndryshe nga sektorët e tjerë të ekonomisë, ku konkurrenca dhe disiplina e tregut mjaftojnë për arritjen e rezultateve të dëshiruara, rregullimi është një komponent i domosdoshëm për mirëfunksionimin e sektorit financiar. Po ashtu, ekzistojnë asimetri të konsiderueshme në informacionin mbi nivelet e rrezikut ndërmjet klientëve dhe bankave. Kjo lidhet edhe me mungesën e njohurive dhe kuptimin e koncepteve financiare që redukton besimin në aftësinë e tyre për të zgjedhur produktet e duhura financiare.

Prandaj, për të krijuar kushte sa më konkurruese në treg, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një numër masash si: (i) edukimi financiar i publikut në lidhje me alternativat financiare; (ii) transparenca e çmimeve që mundëson krahasimin e ofertave të bankave për hua dhe depozita; dhe (iii) regjistri i kredive për ndarjen e informacionit të besueshëm dhe të përditësuar mbi cilësinë e kredimarrësve ndërmjet bankave.

Rregullimi prudencial është mjaft i domosdoshëm edhe për mirëfunksiomin e tregut. Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim ka luajtur edhe bashkëpunimi i frytshëm midis Bankës së Shqipërisë dhe Autoritetit të Konkurrencës.

Pikëtakimi i parë i rregullimit prudencial me politikën e konkurrencës është ai i licencimit për ushtrimin e veprimtarisë bankare. Ky është një instrument që rregullon aksesin në tregun bankar dhe kërkon që aplikuesi të provojë se si do të kontribuojë në mjedisin ekzistues, pa cenuar kushtet e konkurrencës së lirë në treg. Nga ana tjetër, konkurrenca efektive mund të çojë në riorganizimin e tregut bankar. Konkurrenca është selektim. Bankat më të dobëta ua lënë vendin bankave më të forta dhe më eficiente. Në këtë mënyrë, i gjithë sistemi bankar bëhet më i fortë.

Gjatë 10 viteve të fundit, sektori bankar ka përjetuar një konsolidim të shpejtë, ku numri i bankave në treg zbriti nga 16 në 11. Bankat e mesme kanë përthithur bankat e vogla, duke rritur në këtë mënyrë peshën e tyre në treg dhe duke zvogëluar varësinë e sektorit bankar nga bankat e mëdha. Sot, bankat pjesëmarrëse në procesin e konsolidimit janë më aktivet në treg. Por, konsolidimi ka pasur një ndikim mjaft pozitiv edhe në ecurinë financiare, eficiencën dhe përfitueshmërinë e sektorit bankar. Raporti i shpenzimeve të veprimtarisë ndaj të ardhurave të sektorit ka rënë me rreth 10 pikë përqindje ndaj vitit 2015. Përmirësimi i eficiencës së sektorit është reflektuar edhe në treguesin e likuiditetit, i cili shënon rritje me 1.2 pikë përqindje. Gjithashtu, procesi i konsolidimit ka fuqizuar shpërndarjen në treg të avantazheve që sjell ekonomia e shkallës. Kjo është shfaqur edhe në fuqizimin e kapitalizimit të sektorit bankar në nivelin më të lartë historik - 19% - duke reflektuar një rritje të shëndoshë dhe administrim të kujdesshëm të rreziqeve nga sektori.

Dialogu i hapur dhe bashkëpunues midis dy institucioneve është një element kyç i një mjedisi rregullator pro-konkurrencë e që mbështet inovacionin. Përhapja e teknologjive të reja financiare paraqet një test të rëndësishëm për institucionet tona. Aktorë të rinj po shfaqen në treg në formën e shoqërive FinTech, të cilat mund të afektojnë segmente të ndryshme të tregut financiar, si sistemet e pagesave. Zhvillimet e reja teknologjike do të sjellin presione konkurruese mbi bankat, por do të prezantojnë njëkohësisht edhe oportunitete për vetë tregun, duke e orientuar atë më tej drejt përmirësimit të eficiencës operacionale dhe uljes së kostove. E gjithë kjo do të thotë një ambient më tepër konkurrues, e përfitueshmëri më e lartë për konsumatorët.

Si përfundim, rregullimi dhe konkurrenca mund të bashkëjetojnë në sektorin financiar. Ato janë politika komplementare dhe nuk ka ndonjë arsye për të zgjedhur njërën në kurriz të tjetrës. Historia jonë e përbashkët ka treguar se një strukturë më konkurruese e tregut financiar, e mbështetur nga kuadri i duhur rregullator dhe mbikëqyrës, promovon stabilitetin financiar në vend. Politikat tona, pavarësisht mandateve dhe instrumenteve të ndryshme, u shërbejnë objektivave të njëjtë: krijimit të një tregu eficient financiar që alokon burimet financiare në përdorimin e tyre më të mirë dhe që mbështet ekonominë reale, duke u shërbyer edhe konsumatorëve.

Në mbyllje, më lejoni të përgëzoj Autoritetin e Konkurrencës për arritjet dhe përballimin e sfidave të shumta në rrugëtimin e tij 20-vjeçar në mbrojtje të konkurrencës dhe të konsumatorit. Puna juaj e vazhdueshme ka kontribuar në drejtim të rritjes së formalizimit të ekonomisë, duke dekurajuar konkurrencën e pandershme dhe duke incentivuar përdorimin më eficient të burimeve financiare të ekonomisë. Mbetem besimplotë që, ashtu si deri më tani, edhe bashkëpunimi midis institucioneve tona do të vijojë të jetë i plotë e frytdhënës.