BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në konferencën e përbashkët për shtyp me misionin e FMN-së, MF-në dhe MZHETTS-në

Data e publikimit: 17.03.2015

 

Përfundon rishikimi i katërt i marrëveshjes me FMN-në

Të nderuar përfaqësues të medias,

Sikurse jeni në dijeni, gjatë dy javëve të fundit, një ekip i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka qenë në Tiranë për të kryer, së bashku me autoritetet shqiptare, rishikimin e radhës të marrëveshjes. Në këndvështrimin e Bankës së Shqipërisë, zhvillimet ekonomike e financiare kanë qenë relativisht pozitive. Pavarësisht problemeve me të cilat jemi përballur, ekonomia shqiptare ka shënuar rritje dhe një sërë ekuilibrash ekonomikë e financiarë të vendit janë përmirësuar. Një rol të madh në këtë drejtim kanë luajtur politikat ekonomike, reformat ligjore, rregullative dhe institucionale, të ndërmarra nga autoritetet shqiptare. Këto politika zhvillimi janë ankoruar në marrëveshjen që kemi me FMN-në dhe kanë përfituar nga kredibiliteti dhe mbështetja financiare e FMN-së dhe Bankës Botërore. Banka e Shqipërisë gjykon se reformat e nisura duhet të vazhdojnë dhe në të ardhmen, për t’i siguruar vendit një rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Më lejoni të bëj një përmbledhje të shkurtër të opinionit të Bankës së Shqipërisë mbi situatën ekonomike dhe financiare të vendit, si dhe të rendis drejtimet prioritare të punës sonë në kuadrin e kësaj marrëveshjeje.

Ekonomia shqiptare shënoi rritje gjatë vitit 2014 dhe kjo rritje pritet të përshpejtohet më tej gjatë vitit 2015. Burimi kryesor i saj ka qenë dhe pritet të mbetet rritja e konsumit dhe e investimeve private, si pasojë e kushteve më të mira të financimit, e rritjes së besimit dhe e përmirësimit të bilanceve të sektorit privat. Nga ana tjetër, sektori publik ka qenë dhe do të mbetet i angazhuar në rrugën e konsolidimit fiskal, ndërsa ambienti i jashtëm vazhdon të shfaqet problematik dhe të paraqesë sfida për rritjen e eksporteve shqiptare. Në afat të shkurtër, rritja e konsumit dhe e investimeve private janë të mjaftueshme për të gjeneruar impulset fillestare të rritjes ekonomike, por rritja afatgjatë e ekonomisë shqiptare duhet të gjejë mbështetje më të madhe nga përmirësimi i profilit të saj konkurrues dhe nga rritja e eksporteve. Për këtë arsye, ne gjykojmë se përshpejtimi i reformave strukturore ka një rol të pazëvendësueshëm për mbështetjen e rritjes ekonomike.

Inflacioni ka vazhduar të mbetet poshtë objektivit tonë. Presionet e brendshme inflacioniste kanë ardhur në rritje, por rënia e çmimeve në tregjet botërore ka frenuar kthimin në objektiv të inflacionit në vend. Politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka marrë një natyrë të fortë stimuluese. Kjo politikë synon reduktimin e kostove të financimit të sektorit privat, për të mbështetur kthimin e ekonomisë në ekuilibër dhe të inflacionit në objektiv në afatin e mesëm.

Në gjykimin tonë, treguesit e aktivitetit ekonomik dhe të inflacionit janë duke lëvizur në drejtimin e duhur, por përmbushja e qëndrueshme e objektivave do të kërkojë kohë dhe do të nënkuptojë ruajtjen e niveleve të ulëta të normave të interesit edhe për disa tremujorë. Sistemi bankar ka shënuar – në tërësi – një përmirësim të treguesve kryesorë të aktivitetit. Treguesit e likuiditetit, të përfitueshmërisë dhe të kapitalizimit janë në nivele të mira, ndërsa raporti i kredive me probleme ka ardhur në rënie. Banka e Shqipërisë ka vazhduar të punojë për rregullimin dhe mbikëqyrjen e kujdesshme të sistemit bankar, në zbatim të detyrimeve ligjore dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të tij.

Gjithashtu, ne kemi bashkëpunuar:

    (i)  me agjenci të tjera publike, për përmirësimin e kuadrit ligjor, për harmonizimin e praktikave rregullatore dhe për identifikimin e masave të nevojshme për përballimin e goditjeve sistemike; 

    (ii)  me institucionet financiare ndërkombëtare, për zhvillimin e programeve të ristrukturimit të kredisë; si dhe, 

    (iii) me institucionet e huaja rregullatore dhe grupet bankare zotëruese të bankave që operojnë në vend, për shkëmbimin e informacionit.

Sikurse e thashë dhe më parë, sistemi bankar është solid, likuid dhe i kapitalizuar mjaftueshëm për të zhvilluar funksionin e tij të ndërmjetësimit financiar. Megjithatë, rritja e kredisë vazhdon të shfaqet e ngadaltë, edhe si pasojë e politikave të shtrënguara kredituese të bankave. Ruajtja dhe forcimi i shëndetit të sistemit bankar është në interesin e të gjithëve, pasi vetëm ky sistem është në gjendje të mundësojë mbështetjen e rritjes ekonomike afatgjatë me fondet e duhura. Kreditimi pritet të ketë një përmirësim të lehtë gjatë vitit 2015, por Banka e Shqipërisë pret një rol gjithnjë e më aktiv të sistemit bankar në kredidhënie dhe do të marrë masat e duhura për nxitjen e saj.

Në përfundim të diskutimeve, Banka e Shqipërisë ndan vlerësimin se politikat ekonomike po ecin përgjithësisht në drejtimin e duhur.

Në përputhje me detyrat e saj ligjore si dhe në zbatim të angazhimeve të saj institucionale në kuadrin e marrëveshjes, Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të punojë për:

  • Ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, në përputhje me objektivin e saj për një inflacion prej 3%. Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të zbatojë politikën e saj monetare në përputhje me regjimin e inflacionit të shënjestruar dhe të regjimit të kursit të lirë të këmbimit. Politika monetare do të vazhdojë të mbetet në kahun lehtësues, duke synuar njëkohësisht të rritë transparencën e komunikimit dhe efektivitetin e saj.
  • Ruajtjen e një niveli të mjaftueshëm rezervash valutore.
  • Mbështetjen e stabilitetit të sistemit bankar, nëpërmjet ushtrimit të detyrave të saj të rregulluesit dhe mbikëqyrësit të sistemit bankar. Një vëmendje të veçantë në këtë drejtim do të ketë trajtimi i faktorëve që përcaktojnë kreditë me probleme, ku Banka e Shqipërisë do të bashkëpunojë me industrinë bankare dhe autoritetet e tjera të vendit, për adresimin e shpejtë të problematikës përkatëse. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë do të vijojë punën për përmirësimin e infrastrukturës që vlerëson dhe trajton rreziqet për sistemin financiar në tërësi, në zbatim të rekomandimeve të dala nga Programi i Vlerësimit të Sektorit Financiar.
  • Përfundimin e projektit të adoptimit të standardeve të reja të IFRS-së për hartimin dhe raportimin e pasqyrave të saj financiare.

Ju faleminderit!