BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në konferencën për shtyp për vendimmarrjen e politikës monetare, 16 dhjetor 2020

Data e publikimit: 16.12.2020

 

Të nderuar përfaqësues të medias,

mirë se keni ardhur në konferencën tonë të fundit të shtypit për këtë vit!

Viti 2020 ka qenë një vit i vështirë, si në aspektin shëndetësor dhe në atë ekonomik e social. Pandemia Covid-19 ka shkaktuar tkurrje të fortë të aktivitetit ekonomik, rritje të papunësisë, vështirësi financiare për sektorin publik dhe privat, si dhe presione të dobëta inflacioniste. Në këto rrethana, objektivi kryesor i politikave ekonomike ka qenë lehtësimi i barrës financiare për bizneset dhe familjet shqiptare, ruajtja e stabilitetit monetar dhe financiar në vend, si dhe krijimi i premisave për rimëkëmbjen e ekonomisë.

DSC 3429 498

Banka e Shqipërisë ndërmori një paketë të plotë masash për adresimin e situatës.

  • Ne lehtësuam politikën tonë monetare dhe rritëm injektimet e likuiditetit, duke synuar funksionimin normal të tregut financiar, lehtësimin e kostos së borxhit, rritjen e kreditimit dhe nxitjen e konsumit dhe investimeve.
  • Po ashtu, ne lehtësuam në mënyrë të përkohshme rregulloret e funksionimit të sektorit bankar, duke nxitur shtyrjen në kohë të pagesës së kësteve të kredisë dhe ristrukturimin e saj. Nga kjo lëvizje u vendos në moratorium mbi 40% e portofolit të kredisë bankare, duke lehtësuar barrën financiare mbi bizneset dhe familjet në vështirësi të përkohshme. Gjithashtu, nga ristrukturimi i kredisë kanë përfituar mbi 25 mijë klientë bankarë, duke rritur qëndrueshmërinë e plan-bizneseve të tyre afatgjata.
  • Paralelisht me to, ne pezulluam shpërndarjen e dividendit të sektorit bankar gjatë vitit 2020, në interes të rritjes së kapitalit dhe qëndrueshmërisë së këtij sektori.
  • Së fundi, ne eliminuam kostot e përdorimit të infrastrukturës së sistemeve elektronike të pagesave, duke synuar zgjerimin e përdorimit të këtyre instrumenteve.

Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se këto masa kanë rezultuar të suksesshme. Stabiliteti monetar dhe financiar i vendit kanë rezultuar të paprekur, ndërsa bizneset dhe familjet kanë vijuar të gjejnë mbështetje me kredi nga sektori bankar, duke shmangur falimentimet në masë dhe duke zbutur rritjen e papunësisë.

Më lejoni tani të paraqes mesazhet kryesore të Raportit të Ndërmjetëm të Politikës Monetare dhe vendimin e marrë nga Këshilli Mbikëqyrës në mbledhjen e sotme.

Informacioni i ri i marrë në analizë ka qenë pranë pritjeve tona. Lajmet e fundit mbi progresin e vaksinave japin shpresë për përfundimin e pandemisë dhe rikthimin e situatës në normalitet gjatë vitit 2021. Këto zhvillime rritin gjasat e rikuperimit gradual por të vazhdueshëm të aktivitetit ekonomik në horizontin afatmesëm, por situata epidemiologjike vijon të paraqesë sfida serioze për ecurinë e ekonomisë në afatin e shkurtër.

Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual stimulues i politikës monetare mbetet i përshtatshëm, për të mbështetur si rritjen e ekonomisë, ashtu edhe kthimin e inflacionit në objektiv.

Në vijim do të paraqes më në detaje konkluzionet e analizës, vendimin e politikës monetare dhe arsyet e tij.

***

Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një vlerë mesatare prej 1.8% në muajt tetor e nëntor, duke ardhur në rritje kundrejt nivelit mesatar prej 1.4% të shënuar në tremujorin e tretë. Ecuria e inflacionit gjatë muajve të fundit është ndikuar më së shumti nga faktorë të ofertës, të cilët kanë diktuar dhe luhatjen e çmimeve të ushqimeve. Nga ana tjetër, presionet inflacioniste, të cilat burojnë nga kërkesa agregate dhe nga ambienti i huaj, vijojnë të mbeten të ulëta.

Ekonomia shqiptare ka shënuar një kthesë drejt rikuperimit në tremujorin e tretë. Megjithatë, aktiviteti ekonomik në vend vijon të mbetet poshtë nivelit potencial, ndërsa rikuperimi i tij pritet të jetë një proces gradual dhe i rrethuar me rreziqe.

Treguesit e disponuar erdhën në përmirësim gjatë muajve të verës, duke pasqyruar frenimin e përhapjes së epidemisë, relaksimin e distancimit social, si dhe efektin pozitiv të masave lehtësuese fiskale, monetare dhe financiare. Në përgjigje të tyre, ecuria e të ardhurave buxhetore dhe ajo e tregtisë me jashtë u përmirësua. Po ashtu, përmirësim shënoi dhe tregu i punës, sikurse ilustrohet nga rritja tremujore e punësimit dhe reduktimi në 11.6% i shkallës së papunësisë.

Të dhënat e disponuara për tremujorin e katërt janë ende paraprake. Megjithatë, përkeqësimi i situatës epidemiologjike dhe rivendosja e pjesshme e kufizimeve gjatë tremujorit të katërt sugjerojnë një rikuperim më të ngadaltë të aktivitetit ekonomik në këtë periudhë. Ky vlerësim mbështetet nga rënia e besimit të bizneseve dhe ilustron brishtësinë e zhvillimeve ekonomike në afatin e shkurtër.

Masat lehtësuese të marra nga Banka e Shqipërisë kanë krijuar tregje financiare të qeta dhe kushte monetare stimuluese për nxitjen e aktivitetit ekonomik. Në veçanti, normat e interesit për familjet dhe bizneset kanë qëndruar në nivele të ulëta, kursi i këmbimit ka rezultuar i qëndrueshëm, ndërsa sektori bankar ka vijuar të kreditojë ekonominë. Kredia për sektorin privat shënoi një rritje mesatare vjetore prej 6.7% gjatë vitit 2020, e mbështetur kryesisht nga zgjerimi i kredisë për biznese dhe rritja e kredisë në lekë. Paralelisht me rritjen e portofolit të kredisë, ecuri pozitive ka pasur dhe struktura e këtij portofoli. Rritja në 50.2% e peshës së kredisë në lekë ndaj totalit, jep sinjale inkurajuese për rritjen e efektivitetit të politikës monetare dhe rritjen e qëndrueshmërisë financiare të vendit.

Sektori bankar ka dhënë një kontribut pozitiv në përballimin e krizës. Rritja e kreditimit ka ndihmuar me likuiditet bizneset dhe familjet në vështirësi të përkohshme, si dhe ka mbështetur vijimin e investimeve. Po ashtu, shtyrja e pagimit të kësteve të kredisë për kategori të caktuara huamarrësish dhe ristrukturimi i kredive për kategori të tjera, ka zhvendosur një pjesë të barrës financiare të krizës në bilancet e këtij sektori.

Në skenarin bazë, Banka e Shqipërisë pret një rritje graduale të inflacionit drejt objektivit në horizontin afatmesëm. Ky parashikim faktorizon pritjet për rritje progresive të aktivitetit ekonomik, në vend dhe botë. Rritja e kërkesës agregate do të shoqërohet me rritjen e punësimit, të pagave e të kostove të prodhimit. Paralelisht me rritjen e presioneve inflacioniste nga jashtë, inflacioni parashikohet të vijë në rritje dhe të kthehet në objektiv brenda vitit 2022.

Përmbushja e këtij skenari zhvillimesh mbetet e kushtëzuar nga përfundimi i shpejtë i pandemisë, nga shpejtësia e rikuperimit të konsumit dhe investimeve, në vend dhe në botë, si dhe nga ruajtja e një ambienti të qetë e të përshtatshëm financiar. Gjithashtu, përmbushja e këtij skenari kërkon mbështetje nga politika makroekonomike stimuluese.

Banka e Shqipërisë vëren se kombinimi aktual i politikave ekonomike mbetet i përshtatshëm. Ruajtja e kahut stimulues të politikës monetare është i domosdoshëm për të nxitur kreditimin me kosto të ulët të ekonomisë. Në të njëjtën kohë, reduktimi gradual i stimulit fiskal – i parashikuar në Buxhetin e vitit 2021 dhe projektbuxhetet afatmesme – balancon nevojën e nxitjes së kërkesës agregate me atë të forcimit së qëndrueshmërisë së borxhit publik në afatin e mesëm dhe të gjatë.

***

Duke gjykuar mbi këto parashikime dhe konsiderata, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm. Për këtë arsye, ai vendosi:

  • të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5%;
  • të lerë të pandryshuara normat e interesit të depozitave dhe kredive njëditore, respektivisht në nivelin 0.1% dhe 0.9%.

Politika monetare do të vijojë të mbetet lehtësuese gjatë gjithë horizontit të parashikimit për të siguruar kushte financimi të favorshme për rritjen e ekonomisë dhe për kthimin e inflacionit në objektiv.

Po ashtu, Banka e Shqipërisë do të vijojë të ruajë formën aktuale të operacioneve të injektimit të likuiditetit, formë e cila garanton injektimin e pakufizuar në sasi të tij, të paktën deri në fund të tremujorit të parë të vitit të ardhshëm.

Së fundi, Këshilli Mbikëqyrës vëren se zhvillimet e pritura makroekonomike janë të rrethuara nga pasiguri dhe të ekspozuara ndaj rreziqeve të kahut të poshtëm. Në veçanti, rreziqe të kahut të poshtëm burojnë nga:

  • përkeqësimi i situatës epidemiologjike dhe thellimi i ndikimit të saj në ekonomi;
  • shkalla e dëmtimit të kapaciteteve prodhuese dhe mundësia e një rikuperimi më të ngadaltë të kërkesës së brendshme dhe asaj të huaj;
  • lindja e vështirësive në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare, në formën e rritjes së normave të interesit dhe kostove të financimit të sektorit privat, në formën e rritjes së ngadaltë të kredisë bankare, apo në formën e luhatjeve të forta të treguesve të tjerë të tregut financiar.

Këshilli Mbikëqyrës vëren se materializimi i këtyre rreziqeve do të kërkonte lehtësimin e mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare.