BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në mbrëmjen e Vitit të Ri të Shoqatës Shqiptare të Bankave

Data e publikimit: 15.12.2023

 

I nderuar Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave,

Të nderuar pjesëmarrës,

Si çdo fundvit, e pres me shumë kënaqësi këtë moment takimi me industrinë bankare, ku së bashku bëjmë bilancin e arritjeve dhe përpjekjeve tona gjatë vitit që kaloi, ndajmë eksperiencat më të mira, si dhe rivendosim prioritetet për vitin që na pret.

Më lejoni të ndalem fillimisht në situatën e përgjithshme ekonomike të vendit.

Viti 2023 ishte një vit pozitiv për ekonominë shqiptare.

498-9836

Ndonëse sfidat e brendshme e të jashtme me të cilat jemi përballur, nuk kanë qenë të pakta, ekonomia shqiptare vijoi të shënojë rritje, të gjenerojë vende të reja pune dhe të përmirësojë thuajse të gjithë ekuilibrat e brendshëm e të jashtëm.

Sipas parashikimeve tona, aktiviteti ekonomik pritet të rritet rreth nivelit 3.5%. Paralelisht me të, punësimi e pagat kanë ardhur në rritje, inflacioni është në një trend të qartë rënës, borxhi publik dhe ai i huaj janë reduktuar, bilanci i shkëmbimeve tregtare e financiare me jashtë ka shënuar një progres të dukshëm dhe bilancet e sektorit bankar paraqiten të shëndetshme.

498-9923

Sikundër e kam theksuar në vazhdimësi, kjo ecuri pozitive - jo vetëm në kontekstin shqiptar, por edhe në atë rajonal e evropian - nuk është e rastësishme. Ajo ka pasqyruar fondamentet solide të ekonomisë, fleksibilitetin e sektorit privat, reagimin në kahun dhe në kohën e duhur të politikave publike, si dhe – në një masë jo të vogël - kontributin pozitiv të industrisë bankare.

Në përgjigje të presioneve të shtuara inflacioniste, të cilat ishin dhe mbeten një rrezik i qenësishëm për stabilitetin monetar dhe financiar të vendit, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një proces gradual normalizimi të qëndrimit të politikës monetare. Ky reagim i yni nuk është një veprim refleksiv apo dogmatik; ai buron nga një analizë e thellë e situatës ekonomike dhe një bindje e brendshme se destabilizimi i çmimeve rrezikon stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit në tërësi, përfshi dhe shëndetin e bilanceve të sektorit bankar, si dhe rrezikon të dëmtojë gjithë progresin e arritur gjatë viteve të fundit.

498-9879

Reagimi i politikës sonë monetare ka qenë i vendosur, duke synuar të krijojë premisat e duhura monetare për kthimin e inflacionit në objektiv, por edhe i matur, duke synuar të gjenerojë një impakt sa më të ulët mbi ekonominë shqiptare. Gjithashtu, ai është mbështetur në rifreskimin periodik të analizave dhe parashikimeve, si dhe ka qenë i koordinuar me kahun konsolidues të politikës fiskale dhe trendin forcues të kursit të këmbimit.

Frytet e para të reagimit tonë janë të dukshme, duke dhënë një kontribut material në trendin rënës të inflacionit. Megjithatë, beteja me inflacionin nuk është ende e fituar. Angazhimi ynë ka qenë dhe mbetet të marrim të gjitha masat e nevojshme, në kohën dhe në intensitetin e duhur, për t’i ofruar ekonomisë shqiptare një inflacion të ulët e të qëndrueshëm, një monedhë të besueshme për të ruajtur kursimet, si dhe një ambient monetar të sigurt e të parashikueshëm për të ndërmarrë plane afatgjata biznesi.

498-9894

Të nderuar pjesëmarrës,

Gjatë vitit 2023, veprimtaria e sektorit bankar shënoi një rritje modeste, rreth 3%, në terma të totalit të aktiveve dhe depozitave të klientëve, të cilat përbëjnë burimin parësor të rritjes. Kjo rritje është mbështetur masivisht nga fondet e bizneseve të sektorit privat. Po ashtu, portofoli i kredisë shfaqi rritje të dominuar nga kredia në monedhën vendase dhe kredia për prona të patundshme. Deri në shtator, kredia kapërceu vlerën prej 720 mld lekësh, ndërsa depozitat e klientëve në banka kapërcyen vlerën 1,556 mld lekë. Siç duket, sektori i ka burimet e mjaftueshme, por ka nevojë të përmirësojë eficiencën në procesin e ndërmjetësimit financiar në ekonomi.

Niveli i kredive me probleme qëndroi në 5.1%, por pozitiv është fakti që niveli i mbulimit me provigjione të këtij portofoli është rritur në 71% (nga 67% vitin e kaluar).

498-9960

Sektori bankar përmirësoi dukshëm performancën financiare gjatë vitit 2023. Rolin parësor në rritjen e fitimit këtë vit e ka pasur indeksimi i normave të interesit për produktet bankare, i cili ka qenë më i shpejtë për kreditë dhe titujt, ndërsa ka ndodhur më ngadalë për llogaritë dhe depozitat e klientëve. Në fakt, ky është një fenomen që ka ndodhur me veprimtarinë bankare edhe në rajon e më gjerë.

Niveli i kapitalizimit të sistemit bankar vijoi të rritet edhe këtë vit, në 19.63%, duke reflektuar edhe rritjen e kërkesave rregullatore për rezervat makroprudenciale dhe rezervat për ndërhyrje të jashtëzakonshme (MREL). Të dy këto elemente kanë rritur qëndrueshmërinë dhe sigurinë e sistemit bankar.

Zhvillime mjaft pozitive kemi pasur edhe në përmirësimin e infrastrukturës së pagesave, ndihmuar edhe nga përmirësimi i kuadrit rregullator në fushën e sistemeve të pagesave. Për të dytin vit radhazi, sistemi AIPS Euro tashmë po vijon të japë frytet e tij në sistemin bankar dhe në ekonominë shqiptare. Bazuar në statistikat e disponueshme, transaksionet ndërbankare në euro për klientë brenda vendit janë rritur rreth 42% në 11 muajt e parë të vitit 2023. Përfitimet për aktorët ekonomikë janë rritur ndjeshëm, duke i kursyer ekonomisë shqiptare të paktën 22 milionë euro. Përdorimi i sistemit, përtej reduktimit të kostove të transaksioneve, ka ndikuar në shkurtimin e kohës së nevojshme dhe kostove për administrimin e parasë fizike.  

Të tjera zhvillime pozitive vijnë edhe nga zgjerimi i përdorimit të pagesave elektronike, ku me përfundimin e Strategjisë Kombëtare për Pagesat në Vlerë të Vogël, numri i pagesave elektronike për frymë në vit është gati dyfishuar në 18, përkundrejt objektivit prej 10 pagesash. Këto arritje reflektojnë bashkërendimin e përpjekjeve të përbashkëta dhe përqasjen proaktive të sistemit bankar nëpërmjet zgjerimit të ndjeshëm të infrastrukturës dhe shërbimeve të nevojshme.

Por, pavarësisht këtyre zhvillimeve, është e nevojshme të vijohet me të njëjtin intensitet dhe angazhim edhe për realizimin në kohë të projekteve si open-banking, instant payment dhe up-grade të sistemeve të pagesave. Ky i fundit synon kalimin në standardet e komunikimit ISO 20022 dhe SEPA, të cilat do të digjitalizojnë dhe modernizojnë tregun në tërësinë e tij dhe do të krijojnë potencial për integrimin me tregjet e Bashkimit Evropian. Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, duhet të intensifikojmë dhe zgjerojmë më tej bashkëpunimin në kuadër të zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Edukimit dhe Përfshirjes Financiare, një mekanizëm ky thelbësor për maksimizimin e efekteve të pritshme nga masat e marra deri më tani në kuadër të digjitalizimit dhe përfshirjes financiare.

 

Të nderuar drejtues të sistemit bankar,

Pavarësisht sfidave dhe vështirësive që ka evokuar rritja e inflacionit gjatë këtij viti, parashikimet për rritjen e ekonomisë shqiptare mbeten pozitive. Megjithatë, përballimi i këtyre sfidave kërkon një përgjigje të koordinuar dhe të parametrizuar me kujdes, jo vetëm nga instrumentet e politikës monetare, por edhe nga një bashkëpunim efektiv dhe largpamës i të gjithë aktorëve të tregut.

Më lejoni të përmend disa nga sfidat kryesore që parashikohen për vitin që vjen.

Së pari, më lejoni të ritheksoj se niveli ende i lartë i inflacionit mund të kërkojë reagime të mëtejshme të politikës monetare. Nëse do të jetë i nevojshëm, ky reagim duhet të kuptohet drejt nga ju dhe nuk duhet të përbëjë surprizë në aktivitetin tuaj.

Së dyti, kreditë me probleme duhet të mbeten një sinjal i rëndësishëm paralajmërues për të gjitha bankat. Banka e Shqipërisë paralajmëroi vitin e kaluar se rritja e kostos së kredive mbart rrezikun e rritjes së kredive me probleme, për sa kohë që aftësia paguese e kredimarrësve nuk është rritur në mënyrë proporcionale me rritjen e çmimeve. Menaxhimi në faza të hershme i problemeve të kredimarrësve mbetet kyçi për shmangien e akumulimit të portofoleve problematike, që paralizojnë procesin kreditues.

Në këtë kuadër duhet konsideruar edhe rreziku që mund të vijë nga ekspozimi ndaj pasurive të patundshme, qoftë nëpërmjet financimit direkt apo akumulimit të lartë të kolateraleve nga kjo kategori. Banka e Shqipërisë, për të siguruar krijimin e rezervave të duhura për mbulimin e këtij rreziku, ka prezantuar ndryshimet rregullative që kërkojnë mbajtjen e një sasie kapitali më të lartë për financimin spekulativ të pasurive të paluajtshme, të cilat kanë hyrë në fuqi në fillim të këtij viti. Gjithashtu, në fillim të tetorit 2023, u miratua rregullorja “Për raportimin e të dhënave, identifikimin dhe monitorimin e treguesve mbi kredidhënien dhe investimet në pasuritë e paluajtshme”, sipas së cilës bankat do të fillojnë raportimin e standardizuar të këtyre ekspozimeve për pasuritë e paluajtshme rezidenciale në muajin mars 2024. Presim nga bankat një zbatim rigoroz dhe interpretim sa më korrekt të dispozitave të mësipërme.

Së treti, rritja e adoptimi i zhvillimeve në teknologjinë e informacionit, në mënyrë sa më të sigurt, kërkon vëmendjen tuaj maksimale. Jo vetëm në teori por edhe në praktikë, u bë e qartë gjatë këtij viti rëndësia kritike që ka për veprimtarinë bankare, siguria e sistemeve të informacionit dhe e të gjitha proceseve shoqëruese që lidhen me identifikimin e problemeve në këtë fushë, raportimin, zgjidhjen dhe testimin e tyre. Pavarësisht se industria bankare vlerësohet në tërësi pozitivisht për cilësinë e këtyre sistemeve, vlerësojmë se ato kanë nevojë të forcohen. Kjo kërkon angazhimin tuaj të vazhdueshëm dhe investime në burime njerëzore të specializuara e teknologji të posaçme, të cilat evoluojnë vazhdimisht. Është e rëndësishme që angazhimi në këtë proces të bëhet në mënyrë të vetëdijshme, duke evidentuar jo vetëm përparësitë që ofrojnë teknologjitë e reja, por duke kuptuar edhe rreziqet që mund të shoqërojnë adoptimin e nxituar të tyre. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë do ta forcojë bashkëpunimin me ju dhe autoritetet relevante publike gjatë vitit të ardhshëm, me synimin për të përmirësuar efektivitetin dhe zbatueshmërinë e kërkesave ligjore dhe rregullative.

Së katërti, goditjet me të cilat jemi përballur gjatë viteve të fundit kanë evidentuar shkallën ende të pamjaftueshme të zhvillimit që kanë tregjet primare e sekondare të letrave me vlerë, si dhe prezencën e ulët të instrumenteve derivative që ofrojnë mbrojtje nga rreziqet e kursit të këmbimit dhe të normave të interesit. Jam i bindur se ne si rregullatorë dhe ju si industri duhet të bëjmë më shumë në drejtim të zhvillimit të mëtejshëm të tregjeve e produkteve financiare. Besoj se gjej mirëkuptimin tuaj, duke theksuar se zhvillimi i këtyre tregjeve duhet të jetë në fokus të agjendës sonë për të ardhmen.

Së pesti, edhe gjatë vitit 2024, në përputhje me parashikimet rregullative dhe programin përkatës të aplikimit gradual, do të vijojnë të rriten kërkesat për kapital (shtesat makroprudenciale dhe kërkesat për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrimeve të pranuara). Zbatimi i këtyre kërkesave, përtej përafrimit të kuadrit tonë rregullator me atë të BE-së, siguron jo vetëm një qëndrueshmëri më të lartë të sistemit bankar ndaj goditjeve të përmendura më sipër, por edhe vazhdimësinë e ofrimit të shërbimeve financiare, tashmë të integruara në jetën e përditshme të qytetarëve dhe bizneseve. Konsolidimi i sistemit bankar dhe rritja e numrit të bankave me peshë të lartë në sistem e bën imperativ trajtimin e diferencuar të tyre për të zbutur rreziqet sistemike dhe efektet mbi paratë e taksapaguesve, në rast krizash të mundshme në të ardhmen. Vlerësoj se është e rëndësishme që të ardhurat më të larta të këtij viti, të shfrytëzohen nga bankat për të rritur qëndrueshmërinë afatmesme të treguesve të kapitalit dhe mbështetjen e ndërmjetësimit financiar.

Në mbyllje, duke përfituar nga ky komunikim, gjej me vend të shtoj se sektori bankar ka qenë një faktor i rëndësishëm stabiliteti në përballjen me sfidat e vazhdueshme të viteve të fundit. Ju keni vijuar të mbështesni biznesin e familjet shqiptare me fondet e nevojshme për zgjerimin e konsumit e të investimeve, si dhe për përballimin e nevojave për kapital qarkullues. Ky kontribut është njohur e pranuar nga të gjithë analistët e aktorët e jetës ekonomike.

Me vështrimin nga e ardhmja, më lejoni të theksoj se perspektivat e zhvillimit të vendit mbeten solide e pozitive. Parashikimet tona sugjerojnë se aktiviteti ekonomik do të vijojë të shënojë rritje, si në horizontin afatmesëm dhe në atë afatgjatë. Për më tepër, procesi i integrimit evropian ofron oportunitete materiale për një hap cilësor në zhvillimin ekonomik të vendit. Duke ju ftuar të ndani këtë vizion pozitiv zhvillimi, kërkoj nga ju të vazhdoni të ruani përqasjen pozitive ndaj kreditimit, duke mbështetur ekonominë shqiptare dhe veçanërisht sektorët nevralgjikë të saj si turizmi, bujqësia etj., por edhe duke siguruar një rritje prudente e të qëndrueshme të aktivitetit tuaj.

Së fundi, më lejoni t’ju siguroj se Banka e Shqipërisë, në ushtrimin e funksionit të saj si mbikëqyrës dhe rregullator, do të vijojë të jetë mbështetësi dhe partneri juaj, si në ditë të mira dhe në ditë të vështira, duke ofruar transparencë, bashkëpunim dhe vlerësim objektiv të kërkesave dhe propozimeve tuaja, në çdo vendimmarrje.

Ju uroj një vit të mbarë dhe të suksesshëm në çdo drejtim!