BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko, në seancën dëgjimore të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave mbi projektbuxhetin 2024

Data e publikimit: 10.11.2023

 

I nderuar zoti Kryetar i Komisionit,

Të nderuar zonja dhe zotërinj Deputetë,

Në radhë të parë, më lejoni t’ju falënderoj për ftesën e bërë, për t’u paraqitur para këtij komisioni dhe për të prezantuar opinionin e Bankës së Shqipërisë mbi projektbuxhetin e vitit 2024.

 DSC6860 498

Si gjithnjë, Banka e Shqipërisë ka qenë dhe mbetet e mendimit se hartimi i një buxheti sa më optimal duhet të bazohet në analiza e parashikime realiste, të ofrojë një balancë të drejtë midis prioriteteve afatshkurtra dhe objektivave afatmesëm e afatgjatë, si dhe të sigurojë një koordinim sa më të mirë midis politikës fiskale, politikës monetare dhe situatës financiare në të cilën ndodhet vendi. Në këtë prizëm, ne jemi të bindur se diskutimi i projektbuxhetit me një kategori sa më të gjerë aktorësh institucionalë dhe grupesh interesi i shërben miratimit të një dokumenti sa më cilësor.

 DSC6987 498

Duke qëndruar brenda kornizave ligjore të mandatit dhe detyrave tona institucionale, opinioni në vijim do të përqendrohet në tre tema kryesore.

  • Së pari, do të ndaj me ju këndvështrimin e Bankës së Shqipërisë mbi politikën dhe masat fiskale, të cilat konturojnë këtë projektbuxhet.
  • Së dyti, do të ndalem në disa aspekte strukturore të buxhetit dhe të politikës tatimore, aspekte të cilat ndikojnë efektivitetin e politikës fiskale dhe fleksibilitetin e financave publike në përballimin e goditjeve.
  • Së treti, do të paraqes shkurtimisht disa sugjerime konstante të Bankës të Shqipërisë për rritjen e qëndrueshmërisë afatgjatë të financave publike.

 DSC6994 498

Në mënyrë të përmbledhur, gjej me vend të theksoj se – në gjykimin tonë – drafti i paraqitur për shqyrtim bazohet në një kuadër realist parashikimesh makroekonomike. Po ashtu, ky projektbuxhet parashikon një politikë fiskale konsoliduese, e cila është në linjë me kahun e politikës sonë monetare, si dhe adreson disa nga prioritetet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit. Paralelisht me këto konstatime, dëshiroj të theksoj se ky projektbuxhet konfirmon progresin e bërë gjatë viteve, në drejtim të respektimit të parimeve të përgjegjshmërisë fiskale, të rritjes së kapaciteteve teknike dhe analitike, si dhe të adresimit prioritar të nevojave të zhvillimit.

Megjithatë, gjej po ashtu me vend të theksoj se sfidat me të cilat përballemi mbeten serioze dhe komplekse. Për këtë arsye, të gjithë aktorët institucionalë të zhvillimit të vendit duhet të jenë të vëmendshëm ndaj zhvillimeve ekonomike, të vlerësojnë në vazhdimësi përshtatshmërinë e politikave që ndjekin, si dhe të sigurojnë fleksibilitetin e nevojshëm për reagimin në kohë ndaj goditjeve të mundshme.

 

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë, më lejoni të detajoj më tej opinionin tonë, duke nisur nga pika e parë. 

1. Konteksti makroekonomik dhe politika fiskale

Projektbuxheti i vitit 2024 merr jetë në një kontekst relativisht të favorshëm zhvillimesh ekonomike në vend.

Ekonomia shqiptare është përballur me një seri të vazhdueshme sfidash gjatë katër viteve të fundit: tërmeti i vitit 2019, pandemia e viteve 2020 – 2021, si dhe pasojat ekonomike e financiare të konfliktit ushtarak në Ukrainë. Këto sfida kanë kërkuar një rifokusim të politikave ekonomike dhe kanë pasur një faturë relativisht të lartë financiare. Megjithatë, ekonomia shqiptare ka dëshmuar një shkallë të admirueshme rezistence, duke pasqyruar fleksibilitetin e sektorit privat, frytet e punës së vazhdueshme që kemi bërë për forcimin e stabilitetit ekonomik e financiar, si dhe suksesin e politikave kundërciklike që kemi ndjekur.

Për pasojë, pas rikuperimit të shpejtë të shënuar gjatë viteve 2021 e 2022, aktiviteti ekonomik në vend u zgjerua më tej gjatë vitit 2023. Sipas vlerësimeve tona, ekonomia shqiptare pritet të rritet rreth nivelit 3.5% gjatë vitit aktual dhe të shënojë rritje të mëtejshme gjatë vitit të ardhshëm. Kjo rritje ekonomike ka mundësuar një rritje të përgjithshme të punësimit dhe të pagave, si dhe një përmirësim të ekuilibrave ekonomikë dhe financiarë të vendit. Më konkretisht, inflacioni ka shënuar rënie progresive gjatë vitit 2023, deficiti buxhetor dhe ai i llogarisë korrente kanë ardhur në reduktim, borxhi publik dhe ai i jashtëm i vendit ka rënë, ndërsa bilancet financiare të sektorit bankar dhe të bizneseve e familjeve janë të shëndetshme.

Në këtë kontekst zhvillimesh, Banka e Shqipërisë gjykon se prioriteti i politikës fiskale duhet të jetë i dyfishtë: nga njëra anë, kjo politikë duhet të synojë konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit ekonomik, monetar e financiar të vendit dhe, nga ana tjetër, duhet të rrisë vëmendjen ndaj sfidave afatgjata të zhvillimit.

Po në gjykimin tonë, projektbuxheti i vitit 2024 ruan një balancë të mirë midis këtyre dy objektivave.

Politika fiskale projektohet të ruajë kahun e vet konsolidues gjatë vitit 2024, e ankoruar në një deficit të përgjithshëm buxhetor, rreth nivelit 2.5% të PBB-së, dhe në një balancë primare pozitive, rreth nivelit 0.2% të PBB-së. Banka e Shqipërisë konstaton se ky orientim i politikës fiskale i shërben forcimit të ekuilibrave ekonomikë e financiarë të vendit dhe është konsistent me kahun e politikës sonë monetare. Për ta shtjelluar më tej këtë pikë, dëshiroj të theksoj sa më poshtë.

  • Së pari, ruajtja e kahut konsolidues të politikës fiskale mundëson një kthim më të shpejtë dhe me kosto më të ulëta të inflacionit në objektiv. Në gjykimin tonë, nivelet e larta të inflacionit kanë qenë dhe mbeten sfida prioritare e politikave tona ekonomike. Inflacioni i lartë gërryen fuqinë blerëse të familjeve, dëmton mirëqenien e shtresave me të ardhura të pakta të shoqërisë, si dhe ul eficiencën e shpërndarjes së burimeve në ekonomi, duke frenuar rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit. Ky inflacion u nxit fillimisht nga rritja e shpejtë e çmimeve në tregjet botërore gjatë vitit të shkuar, por ai po gjen një mbështetje në rritje nga kërkesa e lartë për mallra e shërbime dhe nga mungesat e vëna re në tregun tonë të brendshëm të punës, mungesa të cilat janë shoqëruar me rritje të shpejtë të pagave dhe të kostove të prodhimit. Për këtë arsye, në funksion të respektimit të objektivit tonë ligjor të stabilitetit të çmimeve, ne kemi ndërmarrë një normalizim gradual të qëndrimit të politikës monetare. Megjithatë, sikundër e kemi theksuar në komunikimet tona publike, intensiteti i këtij normalizimi ka qenë më i ulët se ai i aplikuar nga Banka Qendrore Evropiane dhe nga bankat qendrore të vendeve të rajonit, për arsye të konsolidimit fiskal dhe të forcimit të kursit të këmbimit gjatë vitit 2023. Në këtë prizëm, gjej me vend të theksoj se ruajtja e kahut konsolidues të politikës fiskale gjatë vitit të ardhshëm mundëson ruajtjen e kësaj përqasjeje, pra një normalizim më gradual të qëndrimit të politikës monetare, duke krijuar premisa jo vetëm për një kthim më të shpejtë të inflacionit në objektiv, por edhe për minimizimin e kostove mbi sektorin privat.
  • Së dyti, ruajtja e kahut konsolidues të politikës fiskale i shërben qëndrueshmërisë afatgjatë të financave publike. Projeksionet e projektbuxhetit sugjerojnë se borxhi bruto i sektorit publik pritet të zbresë poshtë nivelit 60% të PBB-së gjatë vitit 2024, duke shënuar dhe nivelin më të ulët të tij për më shumë se një dekadë. Sikundër e kemi theksuar në vazhdimësi, niveli i lartë i borxhit publik ka qenë dhe mbetet një ndër dobësitë strukturore të ekonomisë shqiptare, duke reduktuar aftësinë tonë në përballimin e goditjeve dhe duke diktuar kosto më të larta financimi për sektorin privat. Për këtë arsye, ne kemi kërkuar dhe mbështetur çdo nismë e politikë fiskale që mundëson reduktimin e qëndrueshëm të borxhit publik.
  • Së treti, ruajtja e kahut konsolidues të politikës fiskale nxit qëndrueshmërinë e tregjeve të brendshme financiare. Konsolidimi fiskal nënkupton nevoja më të ulëta për financim gjatë vitit, duke ndihmuar kontrollin e kurbës së yield-eve në tregun e brendshëm financiar, si dhe duke reduktuar luhatjet e normave të interesit në të.

Në kahun e të ardhurave, projektbuxheti i vitit 2024 parashikon një rritje të përgjithshme të të ardhurave publike në nivelin 3.8%, të diktuar nga një rënie e pritur e të ardhurave nga grantet, në masën 45%, dhe një rritje e pritur e të ardhurave tatimore, në masën 6.3%. Zgjerimi i të ardhurave tatimore bazohet në projeksionet për rritjen e vëllimit të aktivitetit ekonomik, në ndryshime të pakta – por gjithsesi me kontribut pozitiv në buxhet – të politikës tatimore, si dhe në efektet e pritura të masave për uljen e evazionit fiskal.

Në gjykimin tonë, projeksioni i të ardhurave për vitin 2024 është i arritshëm. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë mirëpret reduktimin e ndryshimeve të tarifave tatimore e doganore, si dhe shtimin e fokusit në drejtim të rritjes së formalizimit të ekonomisë. Këta objektiva i shërbejnë rritjes së transparencës dhe eficiencës së politikës tatimore, si dhe forcimit të konkurrencës së ndershme në sektorin privat.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë tërheq vëmendjen në faktin se shkalla e mbledhjes së të ardhurave publike në vend - aktualisht rreth nivelit 28% të PBB-së - mbetet relativisht e ulët në krahasim me atë të vendeve të rajonit, mesatarja e të cilave qëndron rreth nivelit 36% të PBB-së. Në këtë kontekst, ne gjykojmë se:

  • së pari, konsolidimi në kohë i shëndetit të financave publike duhet të bazohet në rritjen progresive të nivelit të grumbullimit të të ardhurave. Kjo përqasje ndihmon qëndrueshmërinë e borxhit publik dhe ruan hapësirat e nevojshme për shpenzime në mbështetje të prioriteteve strategjike të zhvillimit, e më konkretisht për investime në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë;
  • së dyti, rritja e qëndrueshme e të ardhurave publike duhet të kalojë nga një linjë aksioni, e cila duhet të synojë fillimisht reduktimin e informalitetit dhe më tej të shikojë hapësirat për thjeshtimin dhe drejtpeshimin e barrës tatimore, midis kategorive të ndryshme ekonomike dhe shtresave sociale.

Në kahun e shpenzimeve, projektbuxheti i vitit 2024 parashikon një rritje të totalit të tyre në masën 4.3%, të diktuar nga rritja e shpenzimeve korrente në masën 9.6% dhe reduktimi i shpenzimeve kapitale, në masën 6%. E parë më në detaje, rritja e shpenzimeve korrente pasqyron efektin e reformës së pagave në sektorin publik, si dhe rritjen e kostos së shërbimit të borxhit, si pasojë e shtrenjtimit të kostove të financimit në vend dhe në botë. Nga ana tjetër, reduktimi i nivelit të investimeve publike duket se është diktuar nga rënia me 60% e fondeve të alokuara për procesin e rindërtimit.

Në tërësi, Banka e Shqipërisë gjykon se struktura e shpenzimeve publike adreson dy prioritete afatgjata të zhvillimit. Ajo ruan hapësira relativisht të konsiderueshme për investime publike, rreth nivelit 5.3% të PBB-së, si dhe siguron fondet e nevojshme për rritjen e pagave në sektorin publik, duke synuar – në veçanti – rritjen e eficiencës dhe krijimin e stimujve të duhur për punësim, në sektorë prioritarë si shëndetësia, arsimi dhe rendi publik.

Në mbyllje të këtij seksioni, dëshiroj të theksoj se - në gjykimin tonë – balanca e rreziqeve ndaj projeksioneve të rritjes ekonomike dhe të të ardhurave buxhetore qëndron në kahun e poshtëm. Në këtë kontekst, ne vazhdojmë të sugjerojmë hartimin e planeve të kontigjencës, për të përballuar ndikimin e mundshëm negativ, që goditje të paparashikuara mund të kenë në realizimin e të ardhurave. Këto plane kontigjence duhet të synojnë – në çdo rast – respektimin e kufijve të miratuar të deficitit buxhetor dhe ruajtjen e trajektores rënëse të borxhit publik.

 

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë, më lejoni tani të kaloj në pikën e dytë të opinionit tonë. 

2. Mbi rritjen e efektivitetit dhe ruajtjen e fleksibilitetit të financave publike

Efektiviteti dhe fleksibiliteti i financave publike janë dy kritere mjaft të rëndësishme për të gjykuar mbi shkallën e përmbushjes së dy objektivave të rëndësishëm të politikës fiskalë: mbështetjen e zhvillimit afatgjatë të vendit dhe aftësinë e politikës fiskale për të reaguar ndaj zhvillimeve të paparashikuara.

Në këtë kontekst, është inkurajues fakti se financat publike shqiptare kanë pasur historikisht një balancë primare pozitive, e cila është luhatur rreth nivelit 1.9% të PBB-së gjatë pesë viteve të fundit. Ky bilanc pozitiv nënkupton që sektori publik shqiptar alokon një pjesë të të ardhurave korrente të tij për financimin e investimeve dhe rritjen e stokut të kapitalit publik, çka ndihmon në përshpejtimin e rritjes ekonomike afatgjatë. Paralelisht me të, një balancë primare pozitive siguron fleksibilitetin e nevojshëm për adresimin e goditjeve të ndryshme, pasi korrektimi i nevojshëm fiskal për përballimin e mungesave në të ardhura mund të akomodohet më lehtë nëpërmjet një riskedulimi të përkohshëm të planit të investimeve sesa nëpërmjet një reduktimi të shpenzimeve korrente.

Projektbuxheti i vitit 2024 ruan këtë tipar pozitiv të politikës sonë fiskale. Ai parashikon një balancë korrente pozitive, në nivelin 2.8% të PBB-së, e cila mundëson financimin e pjesës më të madhe të investimeve publike për vitin 2024.

Megjithatë, në drejtim të rritjes së mëtejshme të efektivitetit dhe fleksibilitetit të financave publike në të ardhmen, Banka e Shqipërisë sugjeron sa më poshtë.

Së pari, adoptimin e një plani pune, i cili duhet të synojë rritjen e qëndrueshme të nivelit të të ardhurave publike. Siç e theksova dhe më lart, drejtimi primar i punës në këtë drejtim duhet të jetë reduktimi i informalitetit dhe rritja e shkallës së grumbullimit të të ardhurave, brenda kuadrit tatimor ekzistues. Ndërkohë, paralelisht me të, Banka e Shqipërisë mbështet përpjekjet për adoptimin – në një kohë sa më të arsyeshme – të një strategjie afatmesme të të ardhurave publike. Kjo strategji duhet shërbejë si ankorë dhe udhërrëfyes i sistemit tonë tatimor, duke rivlerësuar prioritetet dhe instrumentet e këtij sistemi, si dhe duke rritur qëndrueshmërinë dhe parashikueshmërinë e tij. Duke qëndruar në këtë pikë, Banka e Shqipërisë sugjeron nevojën e rishikimit periodik të eficiencës së përjashtimeve tatimore. Këto lehtësi, të cilat synojnë mbështetjen e kategorive të caktuara shoqërore apo incentivimin e sektorëve prioritarë, kanë një kosto jo të pakët mbi financat publike. Për këtë arsye, zbatimi i tyre duhet të bazohet në analiza më të plota të kostove e përfitimeve që këto përjashtime kanë mbi financat publike dhe zhvillimin e përgjithshëm të vendit.

Së dyti, në drejtim të strukturës së shpenzimeve, Banka e Shqipërisë sugjeron mundësinë e adoptimit të një objektivi operacional afatgjatë, i cili të garantojë ruajtjen e një balance korrente pozitive, në një nivel të caktuar.

Së treti, Banka e Shqipërisë dëshiron të tërheqë vëmendjen në faktin se realizimi i treguesve të buxhetit – dhe në veçanti i planit të investimeve – duhet të ketë një shpërndarje më të njëtrajtshme gjatë vitit. Përqendrimi kronik i tyre në gjysmën e dytë të vitit shkakton luhatje të panevojshme në treguesit ekonomikë dhe tregjet financiare, duke ulur dhe eficiencën e shpenzimeve publike.

Të nderuar zonja dhe zotërinj, më lejoni tani të kaloj shkurtimisht në pikën e tretë e të fundit. 

3. Mbi rritjen e qëndrueshmërisë afatgjatë të financave publike

Projektbuxheti i vitit 2024 përbën një hap pozitiv në drejtim të forcimit të qëndrueshmërisë afatgjatë të financave publike. Ky projektbuxhet parashikon reduktimin e borxhit publik, nga niveli 61.5% të PBB-së i pritur për vitin 2023 në nivelin 59.8% të PBB-së për vitin 2024.

Megjithatë, në linjë me rekomandimet tona të mëparshme, ne gjykojmë se mbetet i nevojshëm adresimi – në afatin e mesëm dhe të gjatë – i disa çështjeve, si në vijim.

Mbi deficitet e krijuara nga skema e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore

Qëndrueshmëria financiare e skemave të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore vijon të jetë një sfidë serioze për financat e shtetit, sidomos në kontekstin e trendeve jo të favorshme demografike dhe të lëvizjes së lirë të forcës punëtore. Në projektbuxhetin e vitit 2024, këto skema parashikohet të krijojnë një deficit rreth nivelit 3.6% të PBB-së, ose 1.1 pikë përqindjeje më të lartë se deficiti i përgjithshëm buxhetor. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë sugjeron rishikimin periodik të kuadrit ligjor që rregullon skemën e pensioneve, atë të sigurimeve shëndetësore dhe skemat e tjera të sigurimeve sociale. Po ashtu, ne inkurajojmë intensifikimin e përpjekjeve për zhvillimin e shtyllës së dytë e të tretë të sistemit privat të pensioneve, atë të sigurimit të detyrueshëm dhe vullnetar. Këto shtylla të rëndësishme të sistemeve moderne të pensioneve do të kontribuonin në rritjen e përshtatshmërisë së skemave të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore me ndryshimet demografike dhe vendosjen e tyre në trajektore të qëndrueshme dhe të përballueshme për buxhetin e shtetit.

Mbi administrimin e Programeve të Partneritetit Publik - Privat

Në interes të rritjes së efektivitetit dhe të reduktimit të rreziqeve potenciale që vijnë nga PPP, Banka e Shqipërisë sugjeron:

  • përfshirjen e tavaneve ligjore afatgjata mbi vlerën e përgjithshme të kontraktuar të PPP-ve. Ky rregullim do të ishte një element plotësues i kontrollit të nivelit të rrezikut potencial që PPP-të mund të kenë mbi shëndetin e financave publike;
  • përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale të njësive që administrojnë vlerësimin, kontraktimin dhe monitorimin e këtyre projekteve, sidomos sa i takon detyrimeve ligjore dhe financiare që ato i ngarkojnë Buxhetit.

***

I nderuar zoti Kryetar i Komisionit,

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Ju faleminderit për vëmendjen!