BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në takimin e Ministrave të Financave dhe Guvernatorëve të Bankave Qendrore të vendeve të EQJL-së, me Drejtoren e Përgjithshme të FMN-së, zj. Kristalina Georgieva

Data e publikimit: 23.10.2020

 

E nderuar zonja Georgieva,

I nderuar zoti Kryetar,

Të nderuar Ministra,

Të nderuar Guvernatorë,

Pas stresit të rëndë ekonomik dhe social të shkaktuar nga pandemia Covid-19, perspektiva globale duket se po vjen drejt përmirësimit. Përgjigjja e vendosur e ndërmarrë nga politikëbërësit në fushën e ekonomisë, ndërthurur me përpjekjet për të kufizuar përhapjen e pandemisë, kanë mbrojtur ekonomitë dhe shoqëritë nga e keqja më e madhe e krizës dhe kanë shtruar rrugën drejt një rigjallërimi të ekonomisë në të ardhmen.

DSC 0517 498

 

Megjithatë, sfidat që shtrihen para nesh janë të shumëfishta dhe komplekse. Së pari, rigjallërimi i ekonomisë mbetet i rrethuar nga rreziqe të kahut të poshtëm, ndërsa hapësira për veprim e politikave po zvogëlohet gjithnjë e më shumë. Së dyti, goditja e rëndë mund të ulë potencialin e rritjes ekonomike në të gjithë globin. Së treti, një përmbysje potenciale e integrimit të zinxhirit të prodhimit dhe tregtisë globale mund të çojë në fragmentim të politikave ekonomike dhe të rrisë më tej vështirësitë për ekonomitë në zhvillim.

Në Bankën e Shqipërisë, ne besojmë se një zgjidhje e suksesshme e politikës monetare kërkon kurajë dhe fleksibilitet në nivel kombëtar, si dhe koordinim e bashkëpunim në nivel rajonal e ndërkombëtar. Do të përpiqem t’i shtjelloj shkurtimisht këto pika, duke i ilustruar ato me perspektivën rajonale dhe atë shqiptare.

DSC 0589 498

Përhapja e pandemisë i vendosi vendet e Ballkanit Perëndimor në një recesion të thellë. Prodhimi dhe të ardhurat ranë në mënyrë drastike, papunësia u rrit, bilancet e sektorit privat dhe atij publik u përkeqësuan, ndërsa shoqëritë në shkallë të gjerë u ndodhën në stres. Vlerësimet për rënien e PBB-së në rajon gjatë vitit 2020, variojnë nga -3.1% (sipas Bankës Botërore) në-5.2% (sipas FMN-së). Për t’i përballuar ato:

  • bankat qendrore përdorën si instrumentet konvencionale të politikës monetare (ulje të normës së interesit) dhe ato jokonvencionale (nga operacionet e lehtësimit sasior deri tek injektimet afatgjata të likuiditetit dhe skemat e mbështetjes me kredi). Për më shumë, ato siguruan lehtësira të përkohshme makroprudenciale për të nxitur shtyrjen e pagesave të kredisë dhe ristrukturimin e tyre;
  • në të njëjtën kohë, politika fiskale u lehtësua. Shumë prej qeverive zbatuan paketa stimuluese të konsiderueshme, duke përfshirë: rritje të shpenzimeve për sektorin e shëndetësisë; lehtësim të taksave; rritje të transfertave të drejtpërdrejta; si dhe skema të garantimit të kredive. Si rezultat, raportet e borxhit ndaj PBB-së pritet të rriten mesatarisht me 10 pikë përqindje.

Shqipëria ka një përvojë të ngjashme. Në fillim të goditjes së dyfishtë, shkaktuar nga tërmeti i fund-nëntorit 2019 dhe pandemisë, PBB-ja pritet të pësojë një rënie rreth mesatares rajonale.

DSC 0525 498

Masat e politikës monetare të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë patën për qëllim të siguronin fluks të pandërprerë të kreditimit dhe të shërbimeve financiare, si dhe të ruanin stabilitetin monetar dhe financiar. Në mënyrë më specifike, Banka e Shqipërisë:

  • rriti stimulin monetar, duke ulur normën bazë të interesit në 0.5% në mars 2020, dhe duke kaluar në operacione injektimi të likuiditetit me çmim të fiksuar e duke rritur masën e këtyre injektimeve;
  • udhëzoi bankat të ofrojnë lehtësi likuiditeti për biznese të ndryshme që hasin vështirësi të përkohshme, në formën e një moratoriumi afatshkurtër për pagesat e kësteve të kredisë si dhe në formën e ristrukturimit të kredive. Procesi u mbështet me lehtësi rregullatore të shënjestruara dhe të përkohshme;
  • pezulloi shpërndarjen e dividentit në të gjithë sektorin bankar, me qëllim që të rritej më tej kapitali i tij;
  • së fundi, shfuqizoi tarifat mbi kostot e transaksioneve ndërbankare për pagesat në sistemet e pagesave të operuara nga Banka e Shqipërisë.

Këto politika janë koordinuar dhe mbështetur në shkallë të gjerë nga stimuli fiskal. Duke lehtësuar bilancet e sektorit publik, politika fiskale kompensoi humbjet e të ardhurave të individëve, ofroi mbështetje me likuiditet për bizneset e prekura nga kriza në formën e shtyrjes së pagesave të taksave dhe të aksesit të përmirësuar në financë nëpërmjet skemave të garancisë sovrane për kreditë.

DSC 0481 498

Lidhur me këtë, gjej me vend të evidentoj rolin e Instrumentit të Financimit të Shpejtë (RFI), akorduar Shqipërisë nga FMN në fillimet e pandemisë. Ky instrument mbështeti stimulin tonë fiskal, lehtësoi ndikimin e tij në tregjet e brendshme financiare dhe sinjalizoi aftësinë e vendit tonë për të aksesuar burime të ndryshme financimi.

Rezultatet e para të politikave tona kanë qenë inkurajuese. Sistemi bankar shqiptar mbetet solid, i aftë për të paguar dhe likuid. Tregjet tona financiare janë të qeta, ndërkohë që normat e interesit dhe kursi i këmbimit janë të qëndrueshëm. Për më shumë, fluksi pozitiv i kreditimit të ekonomisë ka qenë thelbësor në zbutjen dhe përballimin e nevojave financiare të biznesit. Së fundi, si sektori publik dhe ai privat kanë ruajtur aksesin në tregjet financiare ndërkombëtare.

DSC 0509

Duke ardhur në fund të prezantimit tim, do të ofroj përmbledhje të shkurtër të disa prej mësimeve që kemi nxjerrë nga kjo përvojë.

  • Së pari, goditje të paprecedenta të kësaj madhësie kërkojnë marrjen në kohë të masave të jashtëzakonshme, masa të cilat në mënyrë kritike vënë në pikëpyetje edhe konsensusin ekzistues të politikës ekonomike.
  • Së dyti, kompleksiteti i krizës kërkon koordinim të kujdesshëm të politikave ekonomike, me qëllim ofrimin e ndihmës për të gjithë sektorët kryesorë të ekonomisë.
  • Së treti, bashkëpunimi ndërkombëtar – në formën e asistencës financiare dhe të koordinimit të politikave – është thelbësor për të lehtësuar kostot e ekonomive në zhvillim dhe për të shmangur përhapjen negative në shkallë rajonale dhe globale.
  • Së katërti, fondamentet e shëndosha monetare dhe financiare janë siguria dhe investimi më i mirë që politikat ekonomike mund të ofrojnë për një rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë. Këto fondamente mund të ndërtohen në mënyrë më efektive nëpërmjet masave të kujdesshme dhe reformave strukturore gjatë periudhave "të mira kohore". Për këtë arsye, në adresimin e çdo sfide afatshkurtër, politikëbërësit duhet të ruajnë një sens perspektive mbi ndikimin që ato kanë në qëndrueshmërinë monetare dhe financiare të vendit.

 

Të nderuar kolegë,

Shkalla e sfidave të ardhshme potencialisht është më e madhe krahasuar me atë çfarë ne kemi hasur deri më sot. Përveç mbështetjes së rigjallërimit ciklik të ekonomive tona, ne duhet të jemi të vëmendshëm ndaj ndryshimeve strukturore që kjo krizë mund të na sjellë.

Besoj se ne do të mund të ngrihemi në lartësinë e kësaj detyre vetëm nëse vendosim në vëmendje mësimet e nxjerra deri më sot dhe veprojnë me frymën e koordinimit dhe solidaritetit të përbashkët.

Faleminderit!