BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në forumin e Nivelit të Lartë me temë: “Klima, Makroekonomia dhe Financat: Risqet dhe ndikimet që i shoqërojnë”

Data e publikimit: 08.11.2023

 

I nderuar zoti Salinas,

Të nderuar panelistë dhe kolegë,

Mirëmëngjesi të gjithëve!

Është një kënaqësi e veçantë për mua t’ju mirëpres në ambientet e Bankës së Shqipërisë për këtë Forum të Nivelit të Lartë me temë: “Klima, Makroekonomia dhe Financat: Risqet dhe ndikimet që i shoqërojnë”, një nismë kjo e përbashkët me Bankën Botërore.

Dëshiroj ta hap fjalën time përshëndetëse duke shprehur mirënjohjen ndaj Bankës Botërore për mbështetjen e pandërprerë, në krijimin dhe zhvillimin e partneritetit tonë shumëvjeçar e në veçanti në avancimin drejt financave të gjelbra. Më tej dua të falënderoj gjithë të ftuarit tanë të nderuar, përfaqësues të institucioneve më të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare, që na janë bashkuar në këtë përpjekje të rëndësishme. Prania juaj dëshmon rëndësinë e temave që do të diskutojmë dhe sfidave madhore që sjell e ardhmja.

 DSC6233 498

Jemi këtu sot për të diskutuar mbi një problematikë gjithëpërfshirëse që kapërcen kufijtë politikë, industritë dhe kohët: sfidën e ndryshimit klimatik. Është e tepërt të shpjegohet se ndikimi i ndryshimeve klimatike prek çdo aspekt të jetës sonë, nga ushqimi që konsumojmë e deri tek ajri që thithim. Pasojat hedhin hije mbi ambiciet tona për zhvillim, edhe pse kontributi i Shqipërisë në emetimet globale të gazrave të efektit serë është shumë i kufizuar.

Ndryshimet klimatike nuk përbëjnë më një kërcënim të largët, por janë realiteti ynë i tanishëm, i shprehur nëpërmjet ngjarjeve të paparashikuara të motit, probabiliteteve të rritura dhe të intensifikuara të fatkeqësive natyrore dhe deri në rritjen e impaktit negativ në bujqësi, turizëm dhe infrastrukturë. Si pasojë, ndryshimet klimatike ushtrojnë presion të konsiderueshëm edhe në stabilitetin e sistemeve tona financiare. Është mëse e qartë që sektori ynë financiar nuk mund të operojë i izoluar nga këto sfida. Ndërsa synojmë t’i bëjmë aktivitetet tona të qëndrueshme dhe të mbrojmë stabilitetin financiar, ne nuk duhet dhe nuk mund të neglizhojmë praninë e rreziqeve nga ndryshimet klimatike. Sektori bankar, si gur themeli i ekonomisë sonë, duhet të rrisë rezistencën jo vetëm ndaj goditjeve financiare tradicionale, por edhe ndaj forcës të paparashikuar të fenomeneve klimatike.

 DSC6169 498

Financat e qëndrueshme nuk janë zgjedhje, por detyrim. Sistemi ynë bankar - i mirëkapitalizuar, fitimprurës dhe likuid - ka treguar rezistencë të jashtëzakonshme në vitet e fundit, pavarësisht goditjeve të rënda në ekonominë reale, nga tërmeti i vitit 2019, tek ndikimi i pandemisë së COVID-19 dhe konflikti në Ukrainë. Ky menaxhim i mirë i sistemit bankar, duhet të mbetet i kujdesshëm edhe ndaj rreziqeve dhe pasigurive të së ardhmes, siç janë sfidat e lindura nga ndryshimet klimatike.

Për të vazhduar rrugën e rritjes së qëndrueshme, bankat tona duhet të menaxhojnë në mënyrë të vazhdueshme rreziqet që lidhen me klimën dhe të realizojnë investime që përputhen me përgjegjësinë mjedisore për të ruajtur ekosistemet, mikroklimat dhe burimet e tjera jetësore në nivel vendi. Ato duhet të jenë më të mirëpajisura për t’u adaptuar me shpejtësi dhe efektivitet ndaj një situate të re, duke përfituar nga mundësitë e krijuara nga kalimi në një ekonomi më të qëndrueshme dhe më të përgjegjshme ndaj mjedisit.

 DSC6304 498

Banka e Shqipërisë e inkurajon sistemin bankar ta trajtojë këtë jo si një sfidë, por si një mundësi strategjike. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm që përkrahja e financave të qëndrueshme nuk është vetëm mbrojtje për investimet tuaja, por edhe një investim për mirëqenien tonë të përbashkët.

Angazhimi për ndryshim transformues fillon brenda institucioneve tona, në mënyrë që falë bashkëpunimit të përmbushim premtimin për arritje të mëdha të përbashkëta. Si bankë qendrore, jemi të përkushtuar të vendosim standardin dhe të japim shembullin për aktorët në treg.

 DSC6407 498

Sot është një moment i rëndësishëm, pasi shpallim “Strategjinë për Administrimin dhe Mbikëqyrjen e Rreziqeve Financiare të Lidhura me Klimën në Sektorin Financiar, për vitet 2023-2025”, të cilën tashmë e gjeni të publikuar në faqen e Bankës së Shqipërisë. Kjo strategji, e cila lind nga një partneritet frytdhënës mes Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore (FinSAC), përbën një hap të rëndësishëm në përkushtimin tonë të palëkundur për të adresuar pasojat ekonomike dhe financiare të ndryshimeve klimatike.

Është thelbësore të nënvizohet se kjo strategji nuk ekziston në vakum; ajo përbën një komponent të pandarë të misionit tonë të përgjithshëm dhe është e sinkronizuar me kujdes me politikat dhe operacionet tona, duke përfshirë të gjitha aspektet e sfidës klimatike. Dokumenti strategjik paraqet edhe masa konkrete për përgatitjen tonë ndaj sfidave dhe shfrytëzimin e mundësive që krijon menaxhimi i rreziqeve klimatike.

Strategjia që publikojmë sot, ofron një plan veprimi për të identifikuar, monitoruar dhe menaxhuar rreziqet e lidhura me klimën, duke siguruar kështu stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e sistemit tonë financiar. Veprimet që do të ndërmerren prekin gjithë spektrin dhe përgjegjësitë e shumëfishta të Bankës së Shqipërisë, nga politika monetare, te stabiliteti financiar dhe operacionet ditore.

Përtej saj, Banka e Shqipërisë mbetet e vendosur në angazhimin e saj për të lehtësuar dialogun, si dhe për të bashkëpunuar, duke siguruar kështu qëndrueshmërinë e sistemit tonë financiar të sfiduar nga ndryshimet klimatike, dhe tranzicionin drejt një ekonomie të qëndrueshme.

Krahas implementimit të strategjisë klimatike, do të vazhdojmë dhe rrugën drejt modernizimit dhe digjitalizimit të tregut e sistemeve të pagesave, me qëllim jo vetëm nxitjen e përfshirjes financiare dhe të përdorimit të pagesave elektronike në ekonominë shqiptare, por edhe kontributin në financat e gjelbra. Këto nisma do të shërbejnë njëherazi si shtysë në përpjekjet tona drejt mbledhjes së të dhënave të mjaftueshme dhe ndërtimit të modeleve empirike, por dhe për të rritur ndërgjegjësimin mbi rreziqet e lidhura me klimën brenda ekosistemit tonë financiar.

Banka e Shqipërisë është e vendosur në përmbushjen e misionit të saj për të udhëhequr avancimin drejt financave të gjelbra, rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe kontributin në zhvillimin e qëndrueshëm. Përpjekja jonë përfshin integrimin e inovacioneve më të fundit dhe praktikave më të mira, të shoqëruara nga harmonizimi i kornizës sonë rregullatore me legjislacionin e BE-së (acquis) për financën e qëndrueshme.

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Bankat qendrore dhe organizatat ndërkombëtare dhe kombëtare vazhdimisht përmirësojnë ekspertizën e tyre analitike dhe empirike në këto fusha kyçe. Mbështetja e politikave të financave të gjelbra përbën një parim themelor të angazhimit tonë për një të ardhme më të qëndrueshme dhe të begatë. Ky nuk është një rrugëtim që një institucion apo qoftë edhe një komb, mund ta bëjë i vetëm. Ai kërkon bashkëpunim dhe koordinim në shkallë globale.

Falenderoj secilin prej jush që u bashkua me ne në këtë përpjekje jetike. Po ashtu, në emër të Bankës së Shqipërisë, dëshiroj të shpreh mirënjohjen ndaj Qeverisë Shqiptare për mbështetjen e vazhdueshme dhe angazhimin në adresimin e këtyre çështjeve kritike. Veprimet tona sot formësojnë botën për brezat e ardhshëm dhe forcojnë qëndrueshmërinë e sistemeve tona ekonomike e financiare.

Uroj që gjatë punimeve të forumit të zhvillohen diskutime sa më produktive dhe frytdhënëse, që nxisin mendime dhe zgjidhje sa më kreative ndaj sfidave klimatike me të cilat përballet sistemi ynë.

Faleminderit për vëmendjen tuaj!