BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit në Mbrëmjen e Vitit të Ri të Shoqatës Shqiptare të Bankave

Data e publikimit: 15.12.2022

 

I nderuar Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave,

Të nderuar pjesëmarrës,

Ashtu si çdo vit, e pres me shumë kënaqësi këtë moment takimi me industrinë bankare, ku së bashku bëjmë bilancin e arritjeve dhe përpjekjeve tona gjatë vitit që kaloi, ndajmë eksperiencat më të mira, si dhe rivendosim prioritetet për vitin që na pret.

Më lejoni të ndalem fillimisht në situatën e përgjithshme ekonomike të vendit.

498-3432

Ecuria e ekonomisë shqiptare, gjatë vitit 2022, u shënua nga rritja e shpejtë e çmimeve dhe e inflacionit në tregjet botërore, pas agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës. Kjo goditje oferte solli një sfidë tjetër madhore për ekonominë shqiptare, duke diktuar nevojën e rishikimit të politikave ekonomike publike dhe të planeve të biznesit të sektorit privat dhe të industrisë bankare.

Më lejoni të theksoj se kjo goditje e radhës e gjeti ekonominë shqiptare në pozita të shëndosha ekonomike, në vijim të rikuperimit të shpejtë të pasojave të pandemisë gjatë vitit 2021. Po ashtu, ajo e gjeti stabilitetin monetar e financiar të vendit të konsoliduar. Ky stabilitet pasqyrohet në bilancet e shëndosha financiare të vendit, në konsolidimin e besimit ndaj sektorit bankar, si dhe në reduktimin e primeve të rrezikut. Gjithashtu, ai ankorohet në eksperiencën pozitive që, ne si institucione publike dhe ju si sektor financiar, kemi akumuluar në përballimin e goditjeve të tilla.

498-3470

Më lejoni të theksoj se normalizimi i qëndrimit të politikës monetare që ne kemi ndërmarrë, ka krijuar premisa për kontrollin e inflacionit dhe ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit. Po ashtu, dëshiroj të përshëndes rolin pozitiv që industria bankare ka pasur gjatë vitit 2022, duke ruajtur një përqasje pozitive ndaj kreditimit të sektorit privat dhe duke marrë masat e nevojshme për administrimin e rreziqeve të shtuara në bilancet tuaja.

Jam i bindur se këto masa, si dhe të tjera që mund të na duhet të marrim në këtë frymë, do t’i hapin rrugë kthimit të shpejtë të situatës në normalitet. Ndonëse rreziqet mbeten të pranishme, projeksionet tona sugjerojnë se inflacioni do të kthehet në objektiv gjatë gjysmës së parë të vitit 2024 dhe se ekonomia shqiptare do të vijojë të ruajë ritme pozitive të rritjes ekonomike gjatë kësaj periudhe.

498-3516

Si aktorë të rëndësishëm në jetën ekonomike e financiare të vendit, më lejoni të risjell në vëmendjen tuaj se vendimmarrja jonë duhet të jetë largpamëse e kurajoze. Perspektivat e rritjes ekonomike të vendit mbeten të padiskutueshme në afatin e mesëm e të gjatë. Ato kanë mundësuar zgjerimin e vazhdueshëm të ekonomisë dhe të sektorit bankar e financiar gjatë viteve të fundit, si dhe duhet të ushqejnë besimin tuaj në ekonominë shqiptare në të ardhmen. Këto perspektiva do të përfitojnë më tej nga anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian dhe agjenda e reformave strukturore. Për këtë arsye, ju ftoj të gjithëve të bëhemi avokatë të këtyre proceseve. Po ashtu, ju ftoj të ruani përqasjen tuaj pozitive në zgjerimin e financimit për ekonominë shqiptare, si dhe në rritjen sasiore e cilësore të produkteve bankare.

***

Të nderuar pjesëmarrës,

Edhe ky vit rezervoi për sektorin bankar disa goditje të papritura (konflikti në Ukrainë, luhatjet në tregjet e instrumenteve financiare dhe së fundi rritja e normave të interesit). Të gjitha këto goditje kanë ndikuar në nivelin e përfitueshmërisë së sistemit bankar, i cili, megjithatë, rikonfirmoi edhe një herë qëndrueshmërinë dhe sigurinë që i ofron depozituesve dhe investitorëve.

Gjatë vitit 2022, veprimtaria e sektorit bankar shënoi një rritje të kujdesshme në të gjithë treguesit, me mbi 6% rritje të totalit të aktivit dhe nivele të ngjashme rritjeje për zërat kryesorë. Kjo rritje është mbështetur masivisht nga fondet e depozituesve individë, të cilët preferuan valutën si instrumentin parësor të kursimeve të tyre.

Oferta e bollshme e valutës u pasqyrua në mënyrën e financimit të portofolit të kredisë, si dhe në rritjen e investimeve në tituj në valutë. 

Niveli i kredive me probleme u reduktua edhe këtë vit me rreth 2 mld lekë, duke forcuar qëndrueshmërinë e këtij trendi tashmë disavjeçar, dhe treguesi u reduktua më tej, nga 5.68% në 5%.

Në ndryshim nga vitet e tjera, portofoli i instrumenteve financiare këtë vit ka kontribuuar negativisht në nivelin e përgjithshëm të përfitueshmërisë së sistemit bankar. Rritja e normave të interesit dhe pasiguritë e krijuara nga konflikti në Ukrainë i kanë dhënë goditje të njëpasnjëshme vlerës së tregut të këtyre portofoleve. Bankat e përballuan me sukses valën e parë të këtyre goditjeve, duke mbetur në terren pozitiv sa i përket fitimit neto në nivel sistemi dhe në nivele individuale. Ndërkohë, gradualisht po merren masat për trajtimin e duhur të portofoleve të investimeve, në përputhje me kushtet e krijuara.     

Niveli i kapitalizimit të sistemit bankar vijoi të rritet edhe këtë vit, nga 18.53% në 19.26%, duke reflektuar edhe rritjen e kërkesave rregullatore për rezervat makroprudenciale dhe rezervat për ndërhyrje të jashtëzakonshme (MREL). Të dy këto elemente kanë rritur qëndrueshmërinë dhe sigurinë e sistemit bankar.

Konsolidimi i mëtejshëm i sistemit bankar u materializua këtë vit me blerjen, e më pas bashkimin e Bankës OTP me Bankën Alpha. Ky zhvillim sjell një tjetër lojtar të rëndësishëm në grupin e bankave të mëdha që zotërojnë mbi 70% të tregut, dhe pritet të kontribuojë pozitivisht në drejtim të konkurrencës dhe thellimit të tregut.   

Zhvillime mjaft pozitive kemi pasur edhe në segmentin e pagesave dhe infrastrukturës mbështetëse për procesimin e tyre gjatë këtij viti, masa këto të ndërmarra në kuadër të strategjisë kombëtare të pagesave me vlerë të vogël. Sistemi AIPS Euro tashmë është një realitet i prekshëm, përfitimet e të cilit po i ndjejnë jo vetëm klientët tuaj, konsumatorët dhe bizneset, por dhe vetë ju. Bazuar në statistikat e disponueshme, ne evidentojmë se transaksionet ndërbankare në euro brenda vendit janë rritur ndjeshëm. Kjo nënkupton se ky sistem po kontribuon në reduktimin e kostove dhe kohës së nevojshme për administrimin e parasë fizike në sportelet e bankave nga pagesat në arkë që kryheshin më parë, për shkak të komisioneve tepër të larta që aplikoheshin nga procesimi përmes bankave korrespondente.  

Gjithashtu, zhvillime mjaft pozitive ka pasur edhe në zgjerimin e përdorimit të pagesave elektronike, ku bazuar në përllogaritje paraprake të Bankës së Shqipërisë për vitin 2022, shqiptarët kanë kryer mesatarisht 16 pagesa elektronike në vit, duke tejkaluar kështu ndjeshëm objektivin tonë prej 12 pagesash. Këto arritje, sigurisht, reflektojnë edhe masat e marra nga ju, nëpërmjet zgjerimit të ndjeshëm të infrastrukturës dhe shërbimeve të nevojshme në këtë drejtim.

Por pavarësisht këtyre zhvillimeve, është e nevojshme të vijohet me të njëjtin intensitet edhe për realizimin e projekteve si open-banking, instant payment dhe kalimin në standardet e komunikimit ISO 20022, të cilat do të digjitalizojnë dhe modernizojnë tregun në tërësinë e tij dhe do të krijojnë potencial në integrimin me tregjet e Bashkimit Evropian. Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, duhet të intensifikojmë dhe zgjerojmë më tej bashkëpunimin në kuadër të zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Edukimit Financiar, një mekanizëm ky thelbësor për maksimizimin e efekteve të pritshme nga masat e marra deri më tani në kuadër të digjitalizimit dhe përfshirjes financiare.

***

Të nderuar drejtues të sistemit bankar,

Pavarësisht sfidave dhe vështirësive që ka evokuar rritja e inflacionit gjatë këtij viti, parashikimet për rritjen e ekonomisë shqiptare mbeten pozitive. Megjithatë, përballimi i këtyre sfidave kërkon një përgjigje të koordinuar dhe të parametrizuar me kujdes, jo vetëm nga instrumentet e politikës monetare, por edhe nga një bashkëpunim efektiv dhe largpamës i të gjithë aktorëve të tregut.

Më lejoni të përmend disa nga sfidat kryesore që parashikohen për vitin që vjen.

Së pari, rritja e inflacionit dhe rritja e normave të interesit për të balancuar ndikimin e tij, si dhe efektet përkatëse që përcillen në sektorin ekonomik e financiar nga ky ndërveprim, kanë qenë kryefjala e të gjitha takimeve dhe forumeve të kohëve të fundit me partnerët dhe homologët vendas dhe ndërkombëtarë. Struktura e portofoleve të riçmueshme të kredive që mbizotëron në sistemin tonë bankar, ka bërë të mundur që bankat të fillojnë ta transferojnë këtë efekt tek kredimarrësit, ndërkohë që pesha relativisht e lartë e llogarive pa interes në kahun e pasivit ka lejuar rritjen e marzheve të interesit, të paktën përkohësisht. Por rritja e kostos së kredive mbart rrezikun e rritjes së kredive me probleme në të ardhmen, për sa kohë që aftësia paguese e kredimarrësve nuk është rritur në mënyrë proporcionale me rritjen e çmimeve. Zhvillimi i aftësive për të parashikuar dhe vlerësuar objektivisht kapacitetin pagues të klientëve ekzistues, pa u joshur nga fitime të shpejta afatshkurtra që mund të dëmtojnë një marrëdhënie afatgjatë të krijuar tashmë, do të jetë një nga sfidat kryesore për bankat gjatë vitit të ardhshëm.

Së dyti, edhe gjatë vitit 2023, në përputhje me parashikimet rregullative dhe programin përkatës të aplikimit gradual, do të vijojnë të rriten kërkesat për kapital (shtesat makroprudenciale dhe kërkesat për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrimeve të pranuara). Zbatimi i këtyre kërkesave, përtej përafrimit të kuadrit tonë rregullator me atë të BE-së, siguron jo vetëm një qëndrueshmëri më të lartë të sistemit bankar ndaj goditjeve të përmendura më sipër, por edhe vazhdimësinë e ofrimit të shërbimeve financiare, tashmë të integruara në jetën e përditshme të qytetarëve dhe bizneseve. Konsolidimi i sistemit bankar dhe rritja e numrit të bankave me peshë të lartë në sistem e bën imperativ trajtimin e diferencuar të tyre për të zbutur rreziqet sistemike dhe efektet mbi paratë e taksapaguesve, në rast të krizave të mundshme në të ardhmen.  

Së fundi, më lejoni t’ju siguroj se Banka e Shqipërisë, në ushtrimin e funksionit të saj si mbikëqyrës dhe rregullator, do të vijojë të jetë mbështetësi dhe partneri juaj, si në ditë të mira dhe në ditë të vështira, duke ofruar transparencë, bashkëpunim dhe vlerësim objektiv të kërkesave dhe propozimeve tuaja, në çdo vendimmarrje.

Ju uroj një vit të mbarë dhe të suksesshëm në çdo drejtim!