BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Z. Ardian Fullani, mbajtur në takimin me anëtarët e Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Hotel Tirana, 6 prill 2005

Data e publikimit: 06.04.2005

 

Të nderuar antarë të Komisionit për Ekonominë dhe Financat,

Ndodhem sot para jush në prezantimin tim të parë si Guvernator i Bankës së Shqipërisë për të ndarë me ju vlerësimet e Bankës së Shqipërisë mbi zhvillimet ekonomike të vitit 2004, për të paraqitur pikëpamjet tona për perspektivën e ekonomisë shqiptare në vijim, si dhe për të prezantuar aspekte të tjera të rëndësishme të aktivitetit të Bankës së Shqipërisë në këtë periudhë. Banka e Shqipërisë është një institucion me një rol kyç në fushën e vendimmarrjes së politikave ekonomike dhe financiare, si dhe në drejtim të krijimit dhe ruajtjes së stabilitetit financiar të vendit. Për këtë qëllim, në emër të institucionit që unë drejtoj, mirëpres cdo opinion, koment apo sugjerim në lidhje me të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e zhvillimit institucional, politikës monetare dhe mbikëqyrjes bankare.

EKONOMIA SHQIPTARE GJATË VITIT 2004

Zhvillimi i ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2004, sipas vlerësimit të Bankës së Shqipërisë, ka qenë në përputhje me objektivat e strategjisë së zhvillimit ekonomik të vendit. Ekonomia shqiptare rezulton të jetë rritur me 6.0 për qind në terma realë, duke ruajtur ritmin mesatar të zhvillimit të pesë viteve të fundit.

Rritja e ekonomisë shqiptare vazhdon të gjenerohet nga zhvillimi dinamik i sektorit privat. Sektorët që kanë dhënë kontributin më të madh në normën e rritjes vjetore vlerësohet të jenë: Shërbimet, Ndërtimi dhe Transporti, të cilët kanë kontribuar rreth 75 për qind të rritjes ekonomike. Megjithëse ndryshimet demografike gjatë viteve të fundit e bëjnë të vështirë pasqyrimin statistikor të zhvendosjes së forcave të punës, sipas të dhënave zyrtare, norma e papunësisë vlerësohet të ketë rënë nga niveli 15 % ne fund të vitit 2003 në nivelin 14.6 për qind në fund të vitit 2004.

Gjatë vitit 2004, investimet në ekonomi kanë qenë në të njëjtin nivel relativ me vitin 2003, duke përbërë rreth 25.4 për qind të PBB-së. Këto investime përfaqësohen kryesisht nga investimet private, të cilat përbëjnë rreth 80 për qind të investimeve totale. Sektori financiar i ka dhënë një mbështetje gjithnjë e më të madhe këtij zhvillimi, nëpërmjet rritjes së kreditimit dhe të gamës së shërbimeve të ofruara. Kredia për ekonominë është rritur mesatarisht me 34 për qind gjatë dy viteve të fundit duke u shoqëruar njëkohësisht me rritje të afatit të maturimit.

Treguesit fiskalë evidentojnë se politika fiskale e ndjekur gjatë vitit 2004 ka qenë një politikë e kujdesshme, e mbështetur në Programin Buxhetor Afatmesëm për periudhën 2004-2006. Të shprehur në terma të PBB-së, treguesit buxhetorë janë në niveleve të përafërta me ato të vitit 2003, ku veçohet shifra e pandryshuar e deficitit buxhetor, në masën 4.9 për qind. Këta tregues kanë mbetur nën nivelet e parashikuara në buxhetin e vitit 2004, duke shtruar nevojën e një ndjekjeje më të kujdesshme të buxhetit në dy fazat kryesore të tij; atë të hartimit dhe atë të zbatimit. Gjithashtu, realizimi i shpenzimeve kapitale mbetet një problem i cili meriton një vëmendje më të madhe në të ardhmen, duke u nisur nga rendësia që ka ai për zhvillimin e kapaciteteve të infrastrukturës së vendit.

Situata e favorshme ekonomike në vend është reflektuar edhe në fushën e transaksioneve me jashtë. Deficiti korent shënoi një rënie të dukshme ndaj dy viteve paraardhës duke arritur në 5.3 për qind të PBB-së. Ky zhvillim rezulton të jetë pasojë e ngushtimit të deficitit tregtar, i cili zbriti në nivelin 21 për qind të PBB-së në vitin 2004, nga 23.4 për qind të PBB-së në vitin 2003. Rezerva valutore e Shqipërisë mjafton për të mbuluar rreth 5.2 muaj importe mallrash dhe shërbimesh.

Viti 2004 është shoqëruar me presione mbiçmuese për lekun, të ndikuara nga stabiliteti makroekonomik i vendit, nga rritja e besimit në monedhën vendase dhe nga ndikimi më i madh i efekteve sezonale. Krahasuar me një vit më parë, leku është mbiçmuar mesatarisht me 7.2 për qind kundrejt euros dhe 15.7 për qind kundrejt dollarit. Sipas vlerësimeve tona mendohet se shkaqet kryesore në forcimin e vlerës së lekut duhen kerkuar tek: Konsolidimi i vazhdueshëm i stabilitetit ekonomik të vendit; diferenca e normave të interesit midis lekut dhe valutave; konsolidimi i financave publike dhe i deficitit buxhetor ka diktuar një kërkesë të ulët të qeverisë për mjete monetare dhe dërgesat e qëndrueshme të emigrantëve shqiptarë që punojnë jashtë vendit.

Megjithë zhvillimet pozitive të viteve të fundit, rritja ekonomike dhe stabiliteti makroekonomik i vendit janë dy parametra të cilët, në vlerësimin tonë, nuk mund dhe nuk duhet të merren si të çështje të përfunduara. Deficiti i lartë tregtar kërkon gjetjen e burimeve të qëndrueshme afatgjata të mbulimit, veçanërisht nxitjen e investimeve të huaja direkte.

Politika fiskale duhet të vazhdojë të ruajë kontributin e saj pozitiv në konsolidimin e stabilitetit makroekonomik, kontribut ky i shprehur në reduktimin e deficitit buxhetor, në shtimin e të ardhurave dhe në vendosjen e prioriteteve sipas Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin Ekonomik dhe Social në kryerjen e shpenzimeve buxhetore. Zhvillimi i sektorit financiar gjykojmë se duhet të balancohet në të gjitha segmentet e tij, c'ka kërkon përfundimin e procesit të privatizimit dhe harmonizimin e legjislacionit rregullues dhe mbikëqyrës, në përputhje me praktikat më të mira të vendeve të zhvilluara.

ZHVILLIMET NË INFLACION DHE NË POLITIKËN MONETARE

Sipas zhvillimeve të faktuara, Banka e Shqipërisë e ka përmbushur objektivin e saj për kontrollin e inflacionit në intervalin 2-4 për qind. Inflacioni vjetor në fund të vitit 2004 rezultoi 2.2 për qind ndërsa norma mesatare e inflacionit vjetor për vitin 2004 ishte 2.9 për qind.

Zhvillimet e favorshme makroekonomike gjatë vitit 2004 kanë krijuar një bazë të përshtatshme për kontrollin e inflacionit. Dy politikat makroekonomike bazë, politika monetare dhe ajo fiskale, kanë kontribuar në drejtim të stabilizimit të aktivitetit ekonomik, duke mos ushtruar presione në rritje mbi normën e inflacionit. Shpenzimet buxhetore gjatë vitit 2004 kanë qenë relativisht të njëtrajtshme përgjatë vitit, duke mos rrezikuar shtimin e presioneve inflacioniste në ekonomi në periudha të caktuara. Huamarrja e brendshme e qeverisë ka qenë në nivelin 2.0 për qind të PBB-së gjatë vitit 2004, në krahasim me vlerën 2.9 për qind të shënuar në vitin 2003.

Politika monetare e ndjekur gjatë vitit 2004 ka ruajtur të njëjtin kah zbutës të politikës së ndjekur gjatë vitit 2003. Banka e Shqipërisë ka ulur 5 herë normën bazë të interesit gjatë vitit 2004, me një efekt total prej 1.25 pikësh përqindjeje, duke qëndruar në fund të vitit në nivelin 5.25 për qind. Politika monetare zbutëse ka qenë në përputhje me zhvillimet në inflacion gjatë vitit 2004 dhe me pritshmëritë pozitive për këtë tregues në të ardhmen. Vlen të theksoj, se këto zhvillime janë perceptuar drejt nga publiku, i cili është duke i ankoruar gjithnjë e më tepër pritjet e tij inflacioniste në objektivin e inflacionit të shpallur nga Banka e Shqipërisë. Kjo është reflektuar në rritjen e interesimit të publikut për depozitimin e kursimeve të tyre në lekë, duke gjeneruar edhe presione mbiçmuese mbi kursin e këmbimit të lekut.

Presionet e dobëta inflacioniste nga ana e politikës fiskale, menaxhimi i mirë i ofertës monetare, si dhe mbiçmimi i lekut kanë krijuar kushte për një rritje të moderuar të çmimeve të konsumit gjatë vitit 2004. Në përgjithësi, Banka e Shqipërisë gjykon se kjo situatë e favorshme do të vazhdojë të manifestohet edhe gjatë vitit në vazhdim. Ajo do të mbështetet nga kushtet e favorshme monetarë të ekonomisë dhe nga zhvillimi i kontrolluar i kërkesës së brendshme. Duke gjykuar mbi informacionin në dispozicion dhe në mungesë të fenomeneve shock, rritja e çmimeve të konsumit për vitin 2005 parashikohet të jetë brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë, 2-4 për qind. Niveli i kontrolluar i inflacionit ka bërë të mundur ruajtjen e një norme reale interesi në terma pozitivë, megjithë reduktimin e vazhdueshëm të normave nominale të interesit ne minimume historike. Norma reale pozitive e interesit ka ruajtur interesin e qytetarëve për depozitimin e kursimeve të tyre në sistemin bankar, duke sjellë reduktime të mëtejshme të nivelit relativ të parasë jashtë bankave që qarkullon në ekonomi.

ECURIA E SISTEMIT BANKAR

Gjendja financiare e sistemit bankar në fund të vitit 2004, paraqitet e mirë. Sistemi bankar evidenton të ardhura pozitive neto për vitin 2004, rreth 5.11 miliardë lekë apo rreth 0.66 miliardë më i lartë se një vit më parë. Rritja e rezultatit neto nuk ka ardhur vetëm nga rritja e aktiveve të sistemit bankar, por edhe si shkak i rritjes së produktivitetit të aktiveve dhe të kapitalit, gjë që pasqyrohet në vlerën e lartë të treguesit kryesorë të rentabilitetit (RoA dhe RoE). Treguesi i cilësisë së kreditimit (raporti i kredive me probleme ndaj tepricës së kredisë) llogaritet 4.2 për qind nga 4.6 për qind në fundvitin 2003. Niveli më i ulët i këtij treguesi evidenton përmirësim të cilësisë së kreditimit dhe ekspozim të kufizuar të sistemit bankar ndaj rrezikut të kreditit.

Procesi i mbikëqyrjes ka vënë në qendër të tij vlerësimin e rrezikut të veprimtarisë së bankave, duke u përpjekur të jetë proaktiv dhe i vazhdueshëm. Si pjesë e kërkesave të Planit të Zhvillimit të Mbikëqyrjes, një dokument i hartuar në bashkëpunim me Bankën Botërore, është hartuar dhe miratuar dokumenti i "Politikës Operative të Mbikëqyrjes", ku përcaktohen parimet e mbikëqyrjes së bankave.

Gjatë vitit 2004, sistemi bankar në Shqipëri u karakterizua nga zhvillime dinamike si në drejtim të rritjes së numrit të bankave që veprojnë në treg ashtu edhe në drejtim të zgjerimit të rrjetit bankar në zona të ndryshme të vendit. Në fund të vitit 2004, numri i bankave në Shqipëri ishte 16, nga të cilat 2 banka janë me kapital tërësisht vendas dhe në 14 bankat e tjera mbizotëron kapitali i huaj. Sistemi bankar u konsolidua më tej me miratimin, në prill të vitit 2004, e transferimit të 100 për qind të pronësisë së aksioneve të Bankës së Kursimeve tek Raiffeisen Zentralbank, si kurorëzim i procesit të privatizimit të kësaj banke. Gjithashtu, në tregun shqiptar hyri edhe Banka Popullore sh.a., banka e dytë me kapital tërësisht shqiptar, si edhe është paraqitur aplikimi për krijimin e një banke të re me kapital tërësisht shqiptar. Ky aplikim ka marrë së fundi miratimin paraprak për licencë sipas kërkesave të ligjit "Për bankat në Republikën e Shqipërisë".

AKTIVITETE TË TJERA TË BANKËS SË SHQIPËRISË

Gjatë vitit 2004 statusi ligjor i Bankës së Shqipërisë mbeti i pandryshuar. Ndërkohë prej kohësh ka filluar rishikimi i ligjit "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", me qëllim përsosjen e mëtejshme të kuadrit ligjor të aktivitetit të bankave të nivelit të dytë, në përputhje edhe me aspiratat e vendit për anëtarësim në BE.

Në vjeshtën e vitit të kaluar Banka e Shqipërisë ripërtëriti pjesën dërmuese të Këshillit Mbikëqyrës (7 anëtarë) si dhe u zgjodhën edhe administratorët e rinj të këtij instiucioni. Ky proces nuk ndikoi në rrjedhën normale të aktivitetit të Bankës së Shqipërisë duke përbërë një tregues të konsolidimit të këtij insitucioni.

Bashkëpunimi ndërinstitucional ka qenë një tipar tjetër që ka karakterizuar performancën e Bankës së Shqipërisë. Në këtë drejtim kemi qenë të hapur dhe të gatshëm në ideimin dhe zbatimin e programeve të zhvillimit të vendit, në këshillimin e ekzekutivit shqiptar për çështje të ndryshme të karakterit ekonomik si dhe kemi marrë pjesë aktive në të gjitha tryezat e negociatave me faktorin ndërkombëtar.

Nga ana tjetër, duhet të theksoj se kemi organizuar edhe takime me përfaqësi dhe grupe të ndryshme interesi ekonomik të cilat jo vetëm na kanë ndihmuar në kuptimin më të mirë të pikave të dobta por kanë shërbyer edhe për të sqaruar të pranishmit në to mbi avantazhet dhe përfitimet e ndërsjellta.

Ne jemi të vendosur që t'i vazhdojmë përpjekjet tona në drejtim të bashkëpunimit me institucionet kombëtarë dhe ndërkombëtarë edhe gjatë vitit 2005. Për këtë qëllim, po punojmë që të përfundojmë në kohën e duhur projektin e pagesave të vogla, për të nisur një bashkëpunim tjetër me Bankën Botërore, për krijimin e regjistrit të informacionit të kredive. Nga ana tjetër, po mbajmë vazhdimisht nën presion sistemin bankar jo vetëm për tu shtrirë më tej gjeografikisht, por edhe per të rritur cilësinë dhe inventarin e instrumenteve të pagesave.

Të nderuar antarë të Komisionit,

Më lejoni që në përfundim të fjalës sime të ritheksoj edhe njëherë gatishmërinë e institucionit që unë drejtoj në drejtim të përmbushjes të të gjithë detyrimeve që rrjedhin nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nga ligji "Për Bankën e Shqipërisë". Kjo do të arrihet nëpërmjet përsosjes së mëtejshme të kuadrit të politikës dhe të operacioneve monetare si dhe njëkohësisht nëpërmjet thellimit të njohurive tona në lidhje me funksionimin dhe ndërvarësitë shkakësore që karakterizojnë ekonominë e Shqipërisë. Viti 2005, besoj se do të jetë vit i suksesshëm në drejtim të punës kërkimore, veçanërisht në drejtim të rritjes së fuqisë parashikuese për zhvillimet inflacioniste dhe të përmirësimit të qeverisjes së Bankës së Shqipërisë. Dëshiroj të citoj se aspirata jonë politike mbetet adoptimi i regjimit të inflacionit të shënjestruar, fakt ky që na imponon që të angazhohemi seriozisht në qëmtimin e kujdesshëm të parakushteve përkatëse. Për këtë qëllim ne do të zhvillojmë tezat përkatëse për të cilat kemi nevojë që të gjejmë mirëkuptimin dhe mbështetjen e duhur të Kuvendit dhe të institucioneve të tjera shtetërore.

Dëshiroj të garantoj Kuvendin e Shqipërisë se hapat tona të kohëve të fundit ashtu sikurse edhe ato të pritshme mbajnë parasysh edhe aspiratën tonë kombëtare për një integrim sa më të shpejtë me Bashkimin Evropian.

Ne tashmë e kemi kuptuar se pa integrim financiar nuk mund te ketë integrim të vërtetë. Vendi ka nevojë për më shumë të ardhura, për më shumë stabilitet politik, për më shumë integrim kulturor dhe social, por sigurisht që po kaq i rëndësishëm është dhe integrimi financiar. E në këtë vështrim mendoj se roli i institucionit që unë drejtoj, roli i sistemit bankar, i sektorit financiar është shumë parësor dhe sfidat që kemi përpara janë të shumta.