BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Z. Ardian Fullani, në Forumin Ndërballkanik të Shoqatave të Bankave, Hotel Adriatik Durrës, 20 maj 2005

Data e publikimit: 20.05.2005

 

Është një kënaqësi e veçantë pjesëmarrja ime në këtë eveniment prestigjioz të sistemit bankar të Rajonit Ballkanik. Kënaqësia është e madhe edhe për një shkak tjetër, sepse për vite me rradhë kam drejtuar Shoqatën e Bankierëve të Shqipërisë dhe për më tepër kam dhënë kontributin tim personal në ideimin dhe organizimin e këtij takimi në Shqipëri. Për këtë, do të doja t'ju falenderoja edhe njëherë sot që pranuat ftesën time vitin e kaluar për të organizuar këtë takim në Shqipëri. Natyrisht, gëzimi por edhe përgjegjësia është më e madhe sot që ju drejtohem si Guvernator i Bankës së Shqipërisë, por për këtë ju lutem të me konsideroni si një prej jush.

Nisur nga ky këndvështrim, sinqerisht do të doja ta filloja fjalën time me urimin: punime të mbara dhe të frytshme të këtij takimi.

Një çështje me rëndësi te veçantë, që dëshiroj të diskutoj në këtë takim është ajo e bashkëpunimit rajonal. Ky bashkëpunim është një pararendës I rëndëshëm I proçesit të integrimit rajonal.
Besoj se edhe iu ndani të njëjtin mendim me mua, se në këtë mënyrë , rajoni ynë do të jetë më i besueshëm dhe më eficient në realizimin e ëndrrës së tij evropiane.

Në vazhdim të fjalës time do të dëshiroja të adresoja disa çështje të ndryshme me rëndësi për ardhmërinë e sistemit bankar në Shqipëri. Në takimet e ndryshme që ka organizuar Banka e Shqipërisë me komunitetin bankar dhe me aktorë të tjerë sipas rastit, janë theksuar dhe evidentuar një sërë problemesh për të cilat mendoj se ka vend për angazhim të përbashkët, të Bankës së Shqipërisë dhe sigurisht të sistemit bankar.

Nga pozicioni i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, dëshiroj të siguroj komunitetin bankar se institucioni që unë drejtoj është i hapur për një bashkëpunim të institucionalizuar me sistemin banker, duke e kanalizuar atë nëpërmjet Shoqatës së Bankave të Shqipërisë. Ne e vlerësojmë këtë të fundit dhe shpresojmë se roli i saj në të ardhmen sa do të vijë e do të rritet, veçanërisht në diskutimet parimore që do të karakterizojnë zhvillimin e sistemit bankar dhe të atij financiar në përgjithësi, gjatë viteve të ardhshme.

Besoj se ndani të njëjtin mendim me mua se këto kohët e fundit po bëhemi dëshmitarë të një zhvillimi cilësor të sistemit bankar në Shqipëri. Përfitoj nga ky eveniment që të shpreh se vlerësime pozitive rreth sistemit bankar janë dhënë edhe në raportin e përgatitur nga Banka Botërore dhe FMN, në përfundim të vlerësimit që ata bënë për sektorin financiar në Shqipëri (FSAP). Sigurisht që ky është një lajm i mirë.

Konkluzionet e FSAP, të kësaj pasaporte të rëndësishme ndërkombëtare, janë një tregues i konkluzioneve tona se sistemi financiar në Shqipëri është i karakterizuar nga një sistem bankar i mbikëqyrur dhe efektiv si dhe nga segmentet e tjera, të cilat ende janë në fazat e para të zhvillimit ku kryegjëja mbetet rregullimi dhe mbikëqyrja e tyre. Pavarësisht sa thashë më sipër, sinqerisht duke e ndjerë veten palë me ju, do t'ju bëja apel që të motivohemi akoma më mirë, në mënyrë që më shpejt të arrijmë standarde më të larta bashkëkohore në të gjitha aspektet e akvitetit bankar.

Sistemi bankar gjatë vitit 2004 pësoi zhvillime të spikatura. Pas licencimit të Bankës Popullore, numri i bankave u rrit nga 15 në 16 si dhe është dhënë një licencë paraprake për Union Banka me kapital tërësisht shqiptar, çka mendohet ta rrisë në 17 numrin e bankave gjatë vitit 2005. Aktivet e sistemit u rritën më tej me 14 për qind, ndërkohë që pati shtim të produkteve bankare dhe zgjerim të rrjetit të tyre. Gjatë këtij viti do të shiten aksionet shtetërore në Bankën Italo-Shqiptare dhe në Bankën e Bashkuar të Shqipërisë, gjë do të bëjë të mundur rritjen e efektivitetit dhe të konkurencës bankare, duke hapur rrugën e proceseve të shitblerjereve, të bashkimeve apo të shkrirjeve drejt një konsolidimi të ri të sistemit bankar.Aktiviteti kreditues u rrit me 38 për qind, ku ndër të tjera spikat dhe rritja e ndjeshme e peshës së kredive afatmesme dhe afatgjata kundrejt kredive afatshkurtra.

Harta e mbulimit të vendit me biznes bankar u zgjerua më tej, duke përfshirë rajone të reja të pambuluara më parë. Në fund të vitit 2004, numri total i degëve arriti në 88, ose 11 degë më shumë se fundi i vitit paraardhës, ndërkohë që numri i agjencive për herë të parë regjistroi një numër të plotë tre shifror, 100 dhe numri i të punësuarve u rrit me rreth 26 për qind. Rritja e madhe e numrit të degëve krahasimisht me atë të agjensive, tregon se tashmë bankat nuk janë të interesuara vetëm për ofrimin e shërbimit të mbledhjes së depozitave, por edhe për ofrimin e produkteve të tjera si kreditimi i ekonomisë. Këto zhvillime përveç kontributit pozitiv në rritjen e ndërmjetësimit financiar, tregojnë për një perceptim më të mirë nga ana e bankave të potencialit investues në Shqipëri.

Një zhvillim i spikatur i takon shërbimit të klientelës, i cili nëpërmjet terminaleve elektronike natyrshëm është shoqëruar edhe me rritjen e numrit të kartave elektronike në qarkullim. Tashmë bankat ofrojnë karta debiti dhe krediti në bashkëpunim me kompanitë ndërkombëtare Visa dhe MasterCard. Gjashtë banka ofrojnë shërbimin e ATM dhe numri i këtyre të fundit, në fund të muajit shkurt 2005, arriti në 108.Sistemi bankar shfaqet me një nivel fitimi që ka ardhur në rritje në masën 5.1 miliardë lekë. Kthimi mbi kapitalin (ROE) rezultoi në nivelin 21 për qind, ndërkohë që cilësia e kreditit është vetëm në nivelin 4.2 për qind nga 4.6 për qind një vit më parë. Gjithsesi, duhet thënë që kreditë janë ende të reja dhe nuk kanë një histori të mjaftueshme për të treguar ecurinë e tyre.

Megjithatë, problemet dhe sfidat me të cilat përballet sistemi ende janë të shumta dhe ku roli i shoqatës së bankave mendoj se do të jetë i rëndësishëm në kapërcimin e tyre.

KREDITIMI I EKONOMISË DHE REGJISTRI I KREDIVE

Kredia për ekonominë kohët e fundit ka marrë një zhvilim të madh. Ritmet e larta të rritjes na diktojnë që të jemi të kujdesshëm në drejtimin tjetër, cilësinë e portofolit. Rritja e konkurrencës dhe si pasojë, rritja e shpejtë e nivelit të kredive po mundëson një prirje në rritje të aktiveve të ponderuara me rrezik dhe disa banka tashmë janë pranë nivelit minimum prej 12 për qind.

Identifikimi i klientit, përsa i përket marrjes dhe përdorimit të kreditit si dhe detyrimet e tjera që ai ka ndaj tregut bankar është i vakët, jo i plotë duke mos i dhënë mundësi sistemit bankar të ketë një histori të aktivitetit të klientelës. Prandaj, besoj se ka nevojë për një regjistër të centralizuar të kredive, i cili në ndryshim nga disa më vite më parë sot është kthyer në domosdoshmëri.

Dëshiroj t'ju kujtoj se Banka e Shqipërisë e ka përfshirë projektin e ndërtimit të regjistrit të kredive në planet e saj afatshkurtra dhe jemi thellësisht të angazhuar që ta përfundojmë atë brenda vitit të ardhshëm. Përfitoj nga rasti të theksoj se ky regjistër do të jetë nën administrimin e Bankës së Shqipërisë dhe pjesëmarrja e bankave anëtare të sistemit do të jetë e detyruar. Vetëm kështu, do të shmanget plotësisht evazioni në informacionin statistikor, do të sigurohet integriteti i tij dhe njëkohësisht do të ishte i disponueshëm për secilën nga bankat anëtare të sistemit.

Nga ana tjetër, ne jemi të ndërgjegjshm se problematika në lidhje me kreditin është më komplekse. Ajo ka të bëjë edhe me pengesa të tjera, që burojnë nga titulli per tokën, nga problemet me regjistrin e kolateralit, me hipotekën, si dhe nga mosnjohja dhe moszbatimi korrekt i proceseve që lidhen me titujt ekzekutivë, veçanërisht në problemet teknike per njohjen dhe ekzekutimin e kolateralit. Për këtë qëllim, ne do të marrim iniciativën për të ngritur një komunikim të vazhdueshëm me sistemin e drejtësisë, duke synuar mbajtjen e një konference të hapur nga vjeshta e këtij viti. Qëllimi kryesor mbetet imponimi i iniciativave ligjore që do të çonin në modifikimin e bazës ligjore dhe asaj nënligjore, për t'i dhënë një përmasë të re kreditimit të ekonomisë.

MODIFIKIMI I BAZËS RREGULLATORE TË BANKËS SË SHQIPËRISË

E kam deklruar edhe më parë se Banka e Shqipërisë synon të rishikojë bazën e saj rregullatore me qëllimin e vetëm thjeshtimin e saj për të qenë më e lehtë në zbatim.

Për këtë qëllim, kam këmbëngulur vazhdimisht që të vendoseshin kontaktet e para midis stafeve teknike reciproke, për të mbledhur shqetësimet e sistemit bankar lidhur me zbatimin e kuadrit rregullativ.

Pas diskutimeve të shumta është arritur në përfundimin se grupi i rregulloreve të mëposhtme duhet t'i nënshtrohet modifikimeve të nevojshme dhe dua t'ju siguroj se në Bankën e Shqipërisë ka filluar puna për këtë qëllim.

UDHËZIMI METODIK "PËR RREZIQET NGA KËMBIMET VALUTORE"

Vërejtjet: përfshirja në llogaritjen e pozicionit të hapur të garancive jashtë bilancit, të cilat përfshijnë si kufirin e papërdorur të kredisë, angazhimet e financimeve të dhëna dhe të marra, dhe regjistrimet e kolateraleve të vlerësuara në valutë, të marra për garantimin e kredisë (të gjitha bankat në matricë).

Këto janë angazhime, të cilat mbeten në potencë dhe për të cilat, sipas intepretimit të kuadrit rregullativ aktual, bankës i kërkohet të krijojë një pozicion real (brenda bilancit).

Propozohet: të ribëhet udhëzimi metodik duke përjashtuar garancitë.

UDHËZIMI "PËR KAPITALIN RREGULLATOR TË BANKËS"

Vërejtjet: Të bëhet një sistemim më i qartë për zërat që zbriten nga kapitali shtesë se mbi cilën madhësi duhet të llogariten zbritjet. Të dalë qartë në rregullore lidhur me përfshirjen e fitimit të fundit të vitit në kapitalin rregullator, vetëm pas saktësimit nga eksperti i jashtëm kontabël i autorizuar si dhe miratimi i Komitetit të Kontrollit.

Propozohet: të merren në konsideratë të dyja vërejtjet dhe të paraqitet projektvendimi për ndryshimin e rregullores.

RREGULLORJA "PËR MJAFTUESHMERINE E KAPITALIT"

Vërejtje: Është pak konfuz klasifikimi i vendeve. Një herë referimi bëhet për vendet e OECD dhe një herë tjetër jepet një lista me 29 anëtarë, ndërkohë që kolaterali në formë cash-i nuk merret në konsideratë si element zbritës në llogaritjen e aktiveve të ponderuara me rrezikun. Koncepti i kredive hipotekare që ponderohen me 50 per qind është shumë i ngushtë dhe krijon konfuzion.

Propozohet: të merren në konsideratë vërejtjet dhe të paraqitet projektvendimi për ndryshimin të rregullores.

RREGULLORJA "PËR RREZIQET E TREGUT"

Propozohet: të rishikohet në kuadër edhe të rekomandimeve të reja të Bazel II.

Duke qëndruar edhe njëherë tek problemi i mbikëqyrjes bankare, dëshiroj të theksoj se ne si institucion mbikqëqyrës jemi të vendosur që të kemi në maksimumin e mundshëm një mbikëqyrje të fortë, të thjeshtë dhe të lehtë për t'u zbatuar, të shoqëruar këtë me një përmirësim të ndjeshëm të inspektimit në vend. Ne do të synojmë që fuqia parashikuese dhe parandaluese e mbikëqyrjes sonë të fitojë një përmasë tjetër. Për këtë qëllim, ne jemi duke përfunduar negociatat me institucionet evropiane partnere, për lançimin e një projekti binjakëzimi për fuqzimin e mëtejshëm të kapaciteteve mbikëqyrëse të Bankës së Shqipërisë.

FUSHATA ANTI CASH

Zhvillimet e kohëve të fundit kanë patur efektet e tyre në reduktimin e sasisë së parasë cash në ekonomi. Nga ana tjetër, kemi zhvilluar një aktivitet të dendur publik, me karakter sqarues dhe promovues, ku nuk kanë munguar edhe takimet e një natyre tjetër, ku ne si sistem bankar së bashku jemi angazhuar konkretisht. Më lejoni t'ju kujtoj takimet e hapura që kemi bërë me biznesin e shërbimeve utilitare si dhe atë në lidhje me veprimtarinë e tregut primar të bonove të thesarit.

Duke përfituar nga ky rast do të dëshiroja që të sillja edhe një herë në vëmendjen tuaj problemet e ngritura edhe më herët. Shpresoj që tashmë, në prag të përfundimit të projektit të kryqëzimit të pagesave në vlerë të vogël, secila bankë më vete dhe shoqata nga ana e saj, po mendojnë seriozisht për të rritur shkallën e përfitimit nga kjo lehtësi e re që po ofron Banka e Shqipërisë në këtë moment. Do të isha i ndihmuar nëse nga ana e shoqatës do të kisha komente apo reagime të mundshme në lidhje me përgatitjet e sistemit si dhe me asistencën e bashkëpunimin mundshëm të Bankës së Shqipërisë në këtë drejtim.

Pas përfundimit të këtij projekti, them se duhet të mendojmë më me seriozitet për shtimin numerik dhe cilësor të pagesave elektronike. Për këtë qëllim, do t'ju bëj thirje që të filloni të mendoni që tani, në lidhje me projektet e ardhme në infrastrukturën e pagesave. Unë personalisht do të këmëngul që edhe në këtë drejtim ne si sistem bankar të hedhim sytë nga direktivat e Bashkimit Evropian, me qëllim që çdo hap i yni në të arshmen të jetë i prirur drejt integrimit të vendit me Bashkimin Evropian.

Pak kohë më parë jam njohur me një inciativë të re të Bashkimit Evropian, e cila kërkon që brenda një periudhe kohe të caktuar, ndërmjet të tjerash të ndërtohet një sistem i unifikuar i pagesave brenda Eurozonës, duke përfshirë edhe pagesat me kartë. Aktualisht, sot bizneset e vogla dhe të mesme në Eurozonë nuk kanë të njëjtat mundësi për pagesa sikurse kanë në vendet e tyre në nivel kombetar. Një rast i tillë është edhe me kartat e kreditit, të cilat nuk mund të përdoren njëlloj përtej kufijve. Për këtë qëllim, do të sugjeroja që specialistët përkatës nga shoqata dhe Banka e Shqipërisë të njihen sa më shpejt me këtë projekt, duke na sjellë dhe sugjerimet përkatëse në këtë drejtim.

Unë personalisht, mbetem konstant në qëndrimin tim se ne në Shqipëri duhet të adoptojmë zgjidhjet më të përparuara në gjithë projektet infrastrukturore që do të zbatojmë. Besoj se nuk kemi pse të marim në shqyrtim modele të vjetruara tashmë, të cilat përveç kostos fillestare do të kërkonin vazhdimisht fonde të tjera për mirëmbajtjen dhe modifikimin e tyre.

Përveç zhvillimeve në fushën e pagesave do të kërkoja angazhimin tuaj më të madh edhe në drejtime të tjera. Mendoj se sistemi duhet ta shtrijë më tej mbulimin e tij gjeografik, duke synuar edhe zona të cilat ndonëse në pamje të parë duken të fjetura mbartin potenciale të mëdha financiare në formën e kursimeve të thesarizuara jashtë sistemit.

Po kështu, edhe niveli i shërbimeve duhet të përmirësohet më tej. Tashmë që adminstrata publike është bërë kliente e sistemit, mendoj se ka mundësi reale për të zgjidhur nëpërmjet sistemit bankar pagesat e shërbimeve utilitare.

Shpresoj që sistemi do të jetë agresiv dhe do t'i mbajë premtimet e tij publike për të vënë sportelet e tij në shërbim të shitjes së bonove thesarit, drejtpërdrejt publikut të interesuar. Ne si Bankë e Shqipërisë i kemi mbajtur premtimet e tona dhe shumë shpejt si hap të parë do të paraqesim një komision, i cili presupozon mbulimin e kostos së transaksionit, ndërkohë që këtë masë do ta shoqërojmë me ndalimin e arkëtimit të prurjeve cash në sportelet e Bankës së Shqipërisë. Ne do t'u kërkojmë individëve që pjesëmarrja e tyre në ankand, nëpërmjet sportelit të Bankës së Shqipërisë, do të bëhet e mundur vetëm nëpërmjet paraqitjes së një dokumenti bankar, që tregon se klienti ka ngurtësuar një shumë të caktuar në njërën nga bankat e sistemit.

Një drejtim tjetër ku bankat duhet të përqëndrohen më shumë, ka të bëjë me një agresivitet më të madh propagandistik dhe sqarues. Mendoj se ende shumica e njerëzve të thjeshtë, shfaq një lloj hezitimi për t'iu drejtuar bankës. Besoj se ata kanë një ndjenjë mosbesimi se banka nuk do t'ua zgjidhë hallin atyre. Shumë individë, ndonëse në mënyrë absurde, ende janë në kërkim të "një miku" për të negociuar me bankën.

Për çfarë thashë më sipër, e kuptoj që mbi të gjitha shkak mund të jetë tradita jonë e varfër shtoi kësaj dhe shkallën e lartë të informalitetit e plot shkaqe të tjera objektive e subjektive. Megjithatë, mendoj se shkak mund të jetë edhe mungesa e sqarimeve të detajuara të rastit, edhe mungesa e publikimeve edukative, edhe mungesa e propagandës në ambiente publike si dhe në media.

Mendoj se në hapësirat propaganduese në media më shumë vend duhet të zërë sqarimi i produkteve të veçanta, ndërkohë që edhe lançimi i produkteve të reja duhet shoqëruar me fushta publicitare standarde.

Të nderuar pjesëmarrës,

Më lejoni që në mbyllje të fjalës time, të shpreh edhe një herë konsideratën e lartë që unë kam për Shoqatën e Bankierëve të Shqipërisë, duke e garantuar atë se tek Guvernatori i Bankës së Shqipërisë do të gjenjë një partner të denjë në rrugën e gjatë të bashkëpunimit institucional. Sinqerisht, shpresoj se kjo mbledhje e shoqatave të rajonit është një hap i rëndësishëm në drejtim të instalimit të një bashkëpunimi dhe kooperimi të frytshëm rajonal.

Unë personalisht, angazhohem që në kontaktet e mija me kolegët e rajonit do t'i lë një vend të veçantë këtij kooperimi, duke shpresuar se do të gjej mirëkuptimin dhe mbështetjen e plotë të tyre.

Edhe një herë ju uroj punime të mbara dhe të frytshme këtij takimi.

Faleminderit.