BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Z. Ardian Fullani, në takimin e organizuar, "Hapja, zgjerimi dhe modernizimi i tregut primar dhe sekondar të bonove të thesarit", Hotel Tirana, 8 prill 2005

Data e publikimit: 08.04.2005

 

Të nderuar zotërinj!

Fillimisht kam kënaqësinë t'iu falenderoj për gatishmërinë e treguar nga ana juaj që gjetët kohën e nevojshme të merrnit pjesë në këtë takim pune. Gjithashtu, nuk do të lija pa falenderuar edhe stafin tuaj teknik, për impenjimin e treguar në trajtimin e kësaj çështjeje, e cila për Bankën e Shqipërisë përbën një nga prioritetet e saj.

Në konferencën e Bankës së Shqipërisë me titull "Banka qendrore në kohën e integrimit", ndër të tjera hodha idenë e nevojës së zhvillimeve cilësore në sistemin bankar dhe financiar dhe kjo e parë ngushtë edhe me nevojën e rritjes së shkallës së ndërmjetësit të këtij sistemi në ekonomi. Kuptohet që realizimi i kësaj ideje do të kërkonte njëkohësisht dhe dhënien e më shumë mundësive sistemit bankar, në mënyrë që ky sistem të kryente më mirë e më aktivisht rolin e tij.

Në këtë linjë është dhe tema që do të diskutojmë sot. Mund të them me plot gojën që trajtimi i kësaj çështjeje nuk vjen si diçka e papritur, por është rezultat logjik i zhvillimeve pozitive të vërejtura deri tani si dhe i ndërgjegjësimit të sistemit bankar për të qenë më aktiv në rolin që ai mund të luajë në rritjen e besimit të publikut ndaj tij. Nëse vazhdojmë logjikën, kjo rritje besimi do të sillte efektet e veta pozitive dhe në rritjen e aktivitetit bankar të tyre, gjë e cila është në përputhje dhe me objektivin e tyre për të qenë sa më denjësisht në treg.

Në këtë diskutim, nuk do të përqendrohem tek ana teknike e shpjegimit të shkaqeve si dhe të realizimit të procesit, të cilën e quaj të mbuluar nga diskutimet e bëra midis stafeve teknike respektive, por do të fokusohem tek ajo se çfarë ne synojmë të arrijmë dhe rrugën më të shkurtër dhe më të sigurtë, për ta mbyllur me sukses këtë proces. Gjithashtu, do desha të sqaroja se individët do të vazhdojnë të marrin pjesë në tregun primar të letrave me vlerë si dhe ky treg do të vazhdojë të organizohet nga ana e Bankës së Shqipërisë.

Cfarë ne synojmë që të arrijmë nëpërmjet këtij procesi:

  1. Realizmi i nje procesi tranzicioni te bute dhe me me pak koso ne drejtim te ruajes se pjesemarrjes se individeve në tregun primar.
  2. Shkurtimin e kohës së realizimit të ankandit të tregut primar të bonove të thesarit.
  3. Mundësinë e realizimit në praktikë të parimit "Delivery versus payment" për veprimet që do të kryhen në tregun sekondar dhe me pakicë me bonot e thesarit. Këtu kam parasysh si lehtësimin e procedurave edhe rritjen e sigurisë për përdorimin e këtyre letrave me vlerë si kolateral, nxitjen e tregut nderbankar dhe atij te kreditit.
  4. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, rritjen e mundësisë së bankave të nivelit të dytë për të qenë më prezente në treg. Berja e tregut sa me likuid dhe solvent.

Si ne mendojmë që mund të realizohet ky proces:

  1. Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë duhet të rishikojnë bazën rregullative që mbulon pjesën e emetimit të bonove të thesarit. Më konkretisht, marrëveshjen midis tyre "Mbi emetimin e bonove të thesarit me formë regjistrimi".
  2. Banka e Shqipërisë do të rishikojë rregulloren "Mbi tregun sekondar dhe me pakicë të bonove të thesarit në Shqipëri".
  3. Komisioni i Letrave me Vlerë duhet të rishikojë bazën rregullative që lidhet me pjesën e licencimit të regjistruesve të letrave me vlerë.
  4. Bankat e nivelit të dytë duhet të procedojnë me Komisionin e Letrave me Vlerë, me qëllim sigurimin e licencës për mbajtjen e regjistrit të letrave me vlerë për indvidët. Kjo kerkon vullnet te mire dhe investim.
  5. Banka e Shqipërisë, pas përfundimit të këtij procesi, do të pergatise planin strategjik per kalimin e individëve nga sportelet të saj në drejtim të sporteleve të bankave të nivelit të dytë. Koha që do të ketë në dispozicion Banka e Shqipërisë do të shfrytëzohet edhe për të testuar paraprakisht mendimin e investitorëve "individë".

Në këtë kuadër, do të donim t'iu informonim gjithashtu, se Banka e Shqipërisë po punon që, në një kohë sa më të shkurtër të shohë mundësinë e rritjes së shumës së pjesëmarrjes së individëve, nëpërmjet Bankës së Shqipërisë, në tregun primar të bonove të thesarit si edhe vendosjen e një komisioni për veprimet e reja që ata do të kryejnë me të. Niveli i ri si dhe komisioni, do të ndikojne vetëm individët që do të dëshirojnë të përdorin Bankën e Shqipërisë për të marrë pjesë në tregun primar.

Duke ju falenderuar përsëri për vëmendjen e treguar, do të doja të vazhdonim me diskutime lidhur me hapat që ne mendojmë se duhen hedhur. Në fund të këtij takimi, propozoj të dalim me një plan veprimi konkret për realizimin me sukses të këtij procesi.