BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani mbajtur në konferencën e përbashkët për shtyp me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Gani Gërguri, me temë: “Sistemi bankar dhe zhvillimi ekonomik”.

Data e publikimit: 12.06.2012

 

I nderuar Guvernator Gërguri,

Të nderuar pjesëmarrës,

Ndjehem i nderuar që marrë pjesë në punimet e këtij aktiviteti të përbashkët mes Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Bankës së Shqipërisë. Ky aktivitet zhvillohet në një vit jubilar që përkon me 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Pas një kalvari të gjatë mundimesh dhe pikëpyetjesh ekzistencializmi, më në fund të dy vendet tona kanë hyrë në një proces të pakthyeshëm shndërrimi dhe konvergimi me standardet e demokracisë dhe ekonomisë së tregut. Pjesë e këtij procesi kanë qenë dhe sistemet financiare respektive, ku falë përkushtimit dhe punës së palodhur të të dy institucioneve tona, arritjet janë të shumta. Industria bankare në të dy vendet tona është rritur me shpejtësi këto vitet e fundit, duke gëzuar njëkohësisht një shëndet financiar të qëndrueshëm. Ajo ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në financimin e ekonomive tona duke bërë të mundur një rritje ekonomike të qëndrueshme ndër vite.

Me kënaqësi konstatoj se si Banka Qendrore e Republikës së Kosovës po rritet dita ditës, duke marrë gjithnjë e më shumë tiparet e një banke qendrore moderne, njësoj si motrat e saj të rajonit.

Më lejoni që të përfitoj nga ky rast dhe të shpreh vlerësimin tim për punën e lavdërueshme të personelit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës të kryesuar nga miku im i vjetër, z. Gani Gërguri. Jam plotësisht i bindur se ashtu si deri më sot, edhe në të ardhmen do të kemi një institucion të përgjegjshëm dhe të përkushtuar, me qëllim përmbushjen me sukses të misionit të tij të vështirë dhe përballjen me dinjitet të çdo sfide të ardhshme.

foto kosove 1 4917 0

Të nderuar pjesëmarrës,

Po bëhet një kohë e gjatë që ekonomitë tona po e gjejnë veten nën trysninë e krizës globale. Kohët e fundit, simptoma të natyrës akute po shfaqin pothuajse të gjithë partnerët tanë tregtarë, si vendet e rajonit tonë ashtu dhe ekonomitë e Eurozonës. Kjo situatë ka krijuar paqartësi të mëdha si në rrafshin e implikimeve të mundshme makroekonomike, ashtu edhe përsa i përket kontaminimit të stabilitetit financiar të sistemit të vendeve tona, kryesisht përmes ekzistencës së disa grupeve bankare Evropiane.

Pavarësisht kësaj situate të turbullt ndërkombëtare, ekonomitë tona kanë mundur të ruajnë një ecuri të qëndrueshme. Konsumi dhe investimet e sektorit privat kanë vazhduar të kenë rol parësor në zgjerimin e aktivitetit ekonomik në ekonominë kosovare, ndërkohë që në Shqipëri një rol parësor ka luajtur kërkesa e jashtme. Treguesit e tjerë vazhdojnë të jenë nën kontroll, ndonëse tendencat e tyre janë subjekt i një monitorimi skrupoloz të vazhdueshëm.

Objektivi ynë madhor i momentit mbetet ruajtja e dy ekuilibrave bazë në ekonomi: atij makroekonomik dhe atij financiar.

Këto dy shtylla përbëjnë mandatin tonë ligjor e për rrjedhim, duhet të bëjmë çmos që të konsolidojmë ekuilibrat e trashëguar, duke analizuar me kujdes dhe duke marrë masat e duhura për të amortizuar në maksimum të gjitha rreziqet që i kanosen stabilitetit makrofinanciar të vendit. Në momentet që flasim, përmbushja e misionit tonë ligjor është bërë një detyrë e vështirë, sfiduese, me plot të papritura.

Vendet tona përfaqësojnë ekonomi të vogla, pesha dhe ndikimi i të cilave nuk mund të ketë rol aktiv apo imponues në arenën ndërkombëtare. Për më tepër, gjithnjë e më shumë më përforcohet bindja se ekonomitë tona janë importuese neto, si të të mirave materiale ashtu dhe të krizës ndërkombëtare.

Personalisht mendoj se momentet që po kalojmë sot janë një shans historik për të gjithë ne, që të lemë emrin e mirë si administratorë të zotë në kohërat e krizës së madhe. Për aq kohë sa punët shkojnë mirë, nuk arrijmë të kuptojmë nevojën për përshtatje të vazhdueshme, për korrektim të pandërprerë. Është kjo arsyeja që në shumicën e rasteve çon në krijimin e "tullumbaceve financiare" në ekonomi. Mesa duket vendimmarrësit akoma nuk kanë aftësinë apo vullnetin për të ndaluar fryrjen e tyre deri në pikën e shpërthimit. Nga ky këndvështrim, vlerësoj se eksperienca e Bankës së Shqipërisë, mbart elementë të korrektimit paraprak ose e thënë ndryshe, të ndërhyrjeve të natyrës parandaluese.

Më lejoni të jem pak më konkret. Duke filluar që nga fillimi i vitit 2005, ne gjykuam se duhej vendosur një raport më i drejtë në lidhje me kujdesin ndaj stabilitetit makroekonomik dhe atij financiar. Ndërkohë që kishte një stabilitetit historik në drejtim të kontrollit mbi inflacionin, ne vlerësuam se kishte shumë gjëra të paqarta përsa i takon stabilitetit financiar të sistemit bankar.

Shkurtimisht dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj se flasim për një periudhë kur sistemi bankar u shndërrua në masën 100% në kapital privat dhe ku ekspansioni i kredisë ishte tipari mbizotërues i biznesit bankar.

Duke filluar që nga viti 2005 teprica e kredisë për ekonominë zgjerohej me 7 – 8 pikë përqindjeje të PBB-së. Sikur të mos mjaftonte kjo, 75% e kredive akordohej në monedhë të huaj, duke neglizhuar në shumë raste mbrojtjen nga rreziku i kursit të këmbimit. Ishte koha kur konkurrenca ndërmjet bankave për të zënë treg u rrit shumë, deri diku dhe në kurriz të cilësisë së kreditimit.

Inspektimet periodike të mbikëqyrjes bankare identifikuan një sërë dobësish që mund të kërcënonin qëndrueshmërinë financiare të sistemit. Shkurtimisht do të përmendja: mungesën e një regjistri elektronik të kredive, dobësi në administrimin e rreziqeve, dobësi strukturore në kontrollin e brendshëm, mungesë transparence në marrëdhëniet me klientët, lidhur me produktet e ofruara.

Ndërsa një ndër problematikat më të rëndësishme, do të përmendja qeverisjen e bankave në përgjithësi, si dhe rolin dhe integritetin e administratorëve të tyre më në veçanti.

Identifikimi i dobësive kërkonte investigimin, marrjen e masave administrative dhe ndryshimeve rregullative e ligjore për zgjidhjen e problemeve. Kështu u ndërmorën një sërë nismash që përfshin ngritjen e regjistrit të kredive, krijimin e Departamentit të Stabilitetit Financiar, një mbikëqyrje më të kujdesshme nga ana jonë, krijimin e një baze rregulloresh në mbrojtje të konsumatorëve shqiptar dhe padyshim, edukimi i tij. Pikërisht kjo e fundit është një çështje shumë e rëndësishme që përbën një prej gurëve të themelit të stabilitetit financiar dhe suksesit të politikave monetare të bankës qendrore.

Një publik i edukuar financiarisht bën më pak gabime në vendimmarrjen financiare dhe reagon më shpejt e në mënyrë të parashikueshme ndaj zhvillimeve ekonomike e politikave të bankës qendrore dhe autoriteteve të tjera.

Për këtë arsye informimi dhe edukimi financiar i publikut ka qenë dhe do të mbetet një ndër prioritetet e Bankës së Shqipërisë.

Vendimmarrja individuale e familjeve dhe biznesit, duhet vlerësuar po aq sa edhe arritja e objektivit të inflacionit ose ruajtja e stabilitetit financiar. Ky vlerësim mbështetet nga fakti se zgjedhja individuale e bazuar në kulturën financiare dhe mirëinterpretimin e informacionit ekonomik, përbën një përfitimi për ekonominë në tërësi.

Edukimi financiar është i domosdoshëm, si nga perspektiva individuale, ashtu edhe nga mirëqenia sociale. Ai duhet parë si një e mirë publike që kontribuon në forcimin e stabilitetit, eficiencën e politikave ekonomike, por mbi të gjitha rrit mirëqenien financiare të individëve, e kështu edhe mirëqenien e ekonomisë në përgjithësi. Është pikërisht kjo arsyeja për të cilën Banka e Shqipërisë ka adoptuar sloganin domethënës: “Edukimi kushton, por nuk ka çmim”.

Përqasja e ndjekur nga Banka e Shqipërisë në kuadër të edukimit është fokusuar në tre drejtime. Së pari, duke nxitur për njohjen dhe thellimin e koncepteve bazë të edukimit ekonomik e financiar në jetën e përditshme. Së dyti, njohja e Bankës së Shqipërisë, e rrolit dhe politikave dhe vendimmarrjes se saj. Se treti, njohja e informacionit ekonomik dhe interpretimit te tij.

Edukimi financiar i ofruar nga Banka e Shqipërisë nisi me hapjen e ndaj publikut e me pas u shtri jashtë saj për të arritur grupet e interesit duke vënë në përdorim të gjithë format e komunikimit aktiv, të përshtatura sipas grupmoshave.

Eksperienca jonë na tregon se edukimi financiar duhet të jetë pjesë e strategjisë sonë kombëtare. Rrjedhimisht, duke kërkuar bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e Qeverisë Shqiptare (Ministrisë së Arsimit dhe e Shkencës), Banka e Shqipërisë është bërë iniciatore për përcaktimin e strategjive dhe drejtimin e politikave dhe praktikave të edukimit financiar në sistemin arsimor.

Ajo është pjesë aktive e përgatitjes së programeve mësimore, implementimit dhe koordinimit të tyre në procesin e mësimdhënies që nxënësit ta përftojnë edukimin financiar, si pjesë të kurrikulës së edukimit në shkollat e mesme. Kjo veprimtari është kontributi më domethënës dhe i veçantë që Banka e Shqipërisë ka dhënë në drejtim të edukimit financiar. Ai është kurorëzuar me publikimin e librit “Financat personale në duart tuaja”- një material ky i ideuar për shkollat e mesme- me përfshirjen e kësaj lënde në kurrikulën me zgjedhje për shkollat e mesme, si dhe me shpërndarjen e tekstit e trajnimin e mësuesve të lëndës së ekonomisë.

Ka qenë një proces i vështirë që ka konsumuar burime të konsiderueshme njerëzore dhe financiare, por që justifikohet plotësisht nga interesi që ka ngjallur. Iniciativa jonë është pritur jashtëzakonisht mirë nga institucionet arsimore dhe nxënësit e tyre që do të vazhdojnë të përfitojnë nga këto mësime gjatë gjithë jetës së tyre. Ekonomia do të përftojë së bashku me ta gjithashtu.

Për Bankën e Shqipërisë edukimi financiar dhe stabiliteti financiar përbejnë dy çështje të rëndësishme dhe njëkohësisht, dy shembuj të politikave paravepruese të Bankës së Shqipërisë. Ajo që këto politika kanë të përbashkët lidhet me faktin se efektet e tyre për të ndryshuar sjelljen individuale, sjelljen e biznesit dhe të ekonomisë në përgjithësi shfaqen në mënyrë graduale për të dhënë një ndikim afatgjate. Në të dy rastet, i rëndësishëm është kahu i lëvizjes, drejtimi në të cilin këto politika e çojnë ekonominë.

Kredibiliteti tek institucionet, besueshmëria tek sistemi financiar dhe kultura financiare, i ndihmojnë njerëzit jo vetëm të menaxhojnë punët e tyre financiare dhe të rrisin nivelin e jetesës, por edhe të propozojnë dhe mbështesin politikat e duhura. Njëkohësisht kontribuon në qëndrueshmërinë dhe efikasitetin e sistemit financiar edhe për ekonominë në tërësi.


Përpjekjet për të përmirësuar administrimin makrofinanciar dhe edukimin financiar, ndihmojnë njeri-tjetrin për një udhëtim të lehtë edhe të suksesshëm. Edhe ky aktivitet, i organizuar nga dy banka qendrore të një kombi, është pjesë e këtij udhëtimi.

Aktualisht është e nevojshme të ruajmë fokusin dhe të harmonizojmë qëndrimin e bankave qendrore për të garantuar stabilitetin makrofinanciar, si e vetmja mënyrë për rritjen e kredibilitetit të ekonomive të rajonit tonë dhe përmirësimin e klimës së investimeve huaja. Bashkëpunimi dhe bashkërendimi i politikave të bankave qendrore dhe autoriteteve financiare për krijimin e një tregu rajonal, do të rrisë vlerën e investimeve ekzistuese dhe të ekonomive tona në përgjithësi. Harmonizimi i axhendave ekonomike për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik e financiar, për zgjerimin e mundësive të bashkëpunimit rajonal dhe hapjen e projekte të reja të përbashkëta, është e vetmja rrugë për nxitjen e investimeve të reja private dhe për arritjen e konvergjencës reale të ekonomive tona. 

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Më lejoni përsëri t’ju përgëzoj për organizimin e këtij aktiviteti dhe për punën e mirë që është bërë. Është e mrekullueshme të shikoj kaq shumë individë dhe organizata që punojnë për një qëllim, edukimin ekonomik të shqiptarëve, rritjen e besimit tek institucionet financiare, mirëmenaxhimin e ekonomisë në të gjitha trevat, për të bërë zgjedhjet më të mira, në lidhje me prosperitetin ekonomik të së ardhmes.